Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Opozitarët rusë janë gjithmonë të korruptuar

Në fillim të viteve 2000, Vlladimir Putini instrumentalizoi luftën kundër korrupsionit për t’ia rimarrë pushtetin oligarkëve të dikurshëm të Jelcinit. Një pushtet që e kishin akumuluar gjatë periudhës së tranzicionit. Rikthim ky drejt të afërmëve të Presidentit për t’i pasuruar ata. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, përvetësimi dhe tronditjet janë bërë pjesë e brendshme e kapitalizmit rus.

Më 6 qershorin e kaluar, gazetari rus Ivan Golunov u ndalua dhe u arrestua për mbajtje droge. Policia përdori një dredhi tashmë të njohur: fillimisht u vendosën « provat » tek personi i akuzuar dhe më pas në apartamentin e tij. Por këtë herë, arrestimi i tij solli një valë të madhe kundërshtimi, që bëri të dalin në rrugë me qindra manifestues, dhe nxiti deklarata në mbështetje të tij nga ana e shtypit rus, gjë që zakonisht nuk ndodh, pasi shtypi nuk i kritikon autoritet e vendit. Akoma më e çuditshme: Golunovi u la i lirë pesë ditë më vonë.

Hetimet e gazetarit mbi krimet e biznesmenëve dhe të burokratëve nuk kishin si të mos provokonin tërbimin e armiqve të tij më të fuqishëm, dhe sidomos të deputetit kryetar bashkie të Moskës, Z. Sergei Sobianine, të cilit i zbuloi pasuritë e patundshme. Por, ai prek vetëm një elektorat të kufizuar. Reagimet ndaj arrestimit të tij nuk kishin të bënin aq shumë me përmbajtjen e reportazheve të tij sesa me një valë zemërimi  që ishte shpërndarë, pothuajse, gjithandej, kundër abuzimeve të vazhdueshme të pushtetit të ushtruar nga drejtuesit rusë. Ato qenë në vazhdimësi të kundërshtive të lindura në janarin e vitit 2011-2012, kur me dhjetëra mijëra rusë manifestuan për të kundërshtuar manipulimin e zgjedhjeve nga partia në pushtet, « Rusia e Bashkuar », dhe një rikthimi shumë të afërt të Z.Vladimir Putin në presidencë. 

Nëse opozita përbëhet nga një gamë e gjerë rrymash politike dhe ideologjike – duke filluar nga liberalët tek socialistët, duke vazhduar me monarkistët dhe anarkistët, të gjithë ranë dakort për domosdoshmërinë e luftës kundër korrupsionit. Një temë kjo  që z. Aleksei Navalni, i cili nuk pushon së diskutuari që në vitet 2000, ka mundur ta kthejë në debat. Nëpërmjet platformave të ndryshme, siç është blogu i tij « Live Journal », llogaria e tij në Twitter apo dhe operacione mediatike të bëra nga fondacioni i tij antikorrupsion, ai ekspozon mashtrimet e të gjitha llojeve, që nga nepotizmi tek pasurimi personal i funksionarëve duke bërë një kalim gjigand  e praktikuar kjo nga ndërmarrjet shtetërore. Ai ka zbuluar, gjithashtu, informacione kompromentuese në lidhje me figurat e Kremlinit, duke filluar nga z. Dimitri Medvedev.  Dokumentari  « Don’t Call Him « Dimon », realizuar nga fondacioni i tij në 2017, zbulonte pasurinë personale të ish-presidentit, që përbëhej nga jahte dhe pasuri të shumta të patundshme, si në Rusi ashtu dhe në Itali, më saktesisht vreshta dhe një vilë në Toskanë.

Pa dyshim, lufta kundër korrupsionit bëri të mundur që opozita të bashkohej, duke e detyruar regjimin që ta diskutonte publikisht këtë temë. 

Këtë vit, gjatë dialogut tradicional direkt me spektatorët (e përzgjedhur më së miri), Z. Putin u dëgjua të pyetej nëse ai ndjehej «personalisht përgjegjës për këtë kaos ». « Sigurisht », u përgjigj ai, para se të pohonte : « Numri i krimeve lidhur me korrupsionin është në ulje, sidomos falë aksionit tonë  të mbështetur dhe të papajtueshëm. » (1)

Në fakt, hetuesit dëshmojnë konflikte të brendshme të elitës më shumë se një mekanizëm disiplinor

Në fakt, u arrestuan disa figura të njohura të rangjeve të larta, si ministri i dikurshëm i zhvillimit ekonomik Aleksei Uliukaev, i cili u dënua në dhjetor të vitit 2017 me 8 vjet burg, pasi kishte pranuar një shumë të majme parash. Por, rezultatet  e këtyre përpjekjeve ngjallin dyshime për vërtetësinë e tyre. Ministri i dikurshëm i mbrojtjes Anatoli Serdiukov u pushua nga puna në vitin 2012, pas një skandali korrupsioni, më pas u akuzua për neglizhencë në vitin 2013, para se të shpallej i pafajshëm një vit më vonë. Tashmë mban një post të rëndësishëm (dhe padyshim të paguar mirë), tek « Rosteku », konglomerati ushtarako-industrial shtetëror. Hetimet për korrupsion duket se dëshmojnë më shumë për konflikte të brendshme në elitën ruse sesa për një mekanizëm disiplinor, që përdoret si një armë kundër rivalëve.

Fushatat zyrtare kundër korrupsionit nuk janë asgjë më shumë sesa një ushtrim komunikimi. Por, në fakt, opozita dëshiron vërtet që të sulmojë. Për të këto janë vetëm disa incidente që hasen gjatë rrugës dhe nuk janë jashtë sistemit; sapo të hiqet qafe kjo plagë, ai do mund të funksionojë më drejt dhe në mënyrë më racionale. Ose, më pas, kjo do të marrë karakteristikën e një anomalie: orgjitë e pasurimit të paligjshëm kundër atyre që ngrenë krye – dhe me të drejtë – z. Navalnyi dhe të tjerë si ai nuk rezultojnë fajtorë në rrethet pranë z. Putin ; këto lloj maskaradash bëjnë pjesë në arkitekturën e vetë sistemit. Nuk përbëjnë një fenomen që vjen nga jashtë, ose të jetë një aksident në kapitalizmin rus bashkëkohor: ato janë të tilla që nga lindja e tij.

Por, për të kuptuar më mirë këtë gjë, duhet të rikthehemi në origjinën e elitës postsovjetike. Mediat perëndimore i përshkruajnë anëtarët e kësaj elite si politikanë të shkathët që janë pasuruar duke zhvatur sa më shumë në momentin e hapjes së ekonomisë së tregut në vitet 1990. Ligjshmëria e disa prej këtyre praktikave ndoshta ishte e dyshimtë, por vetë ligji a nuk ka qenë i gabuar gjatë kësaj periudhe kaotike? Boris Berezovsky (1) e mishëronte më së miri këtë oligarki që lindi në vitin 1990.

Pas disa vitesh, ky shitës i dikurshëm i materialeve informatike u bë pronar bankash, i një kompanie nafte, i një gazete të madhe dhe i kanalit televiziv më të rëndësishëm në Rusi. Madje, ka ushtruar funksione të rëndësishme nën presidencën e Boris Jelsinit. Shpesh, anëtarët e kësaj oligarkie janë krahasuar me «baronët e hajdutëve » të shekullit XIX në Shtetet e Bashkuara : njerëz pasurimi i të cilëve me anë të mënyrave jo të drejta u vesh shumë shpejt me dinjitet.

Por kjo paraqitje nuk thotë asgjë në lidhje me procesin  që bëri të mundur që këta oligarkë të grumbullonin kaq shumë para. Elita e re ruse lindi nga vullneti politik i shtetit dhe aspak nëpërmjet një konkurence të pamëshirshme, siç duhet të ndodhë normalisht. Jelsini, i detyruar që të prishë ekonominë e planifikuar sovjetike, vazhdoi me privatizimin masiv të aktiveve publike që në vitin 1992. Operacioni mori forma të ndryshme, si psh « shitjet në ankand të aktiveve », gjatë të cilave qytetarët e zakonshëm  mund të merrnin pjesë nga ndërmarrjet të cilat më vonë mund edhe t’i këmbenin;  apo dhe « privatizimet nëpërmjet dekreteve » me anë të të cilave Jelsini ia dha gjithë pronësinë e ndërmarrjeve  personave të tij të zgjedhur.

Tërësia e këtyre privatizimeve ka bërë të mundur krijimin e një klase të re oligarkësh  të cilët përfituan pjesë të rëndësishme të infrastrukturës prodhuese të Bashkimit Sovjetik më çmime shumë të ulëta. Pika e tyre e përbashkët nuk ishte zhvillimi i tregtisë, por aftësia për të shfrytëzuar lidhjet e tyre me aparatin shtetëror, ku duke premtuar mbështetje ndaj Jelsinit në tentativën e tij për t’u rizgjedhur më 1996, në këmbim të një kompanie nafte, sikur kjo të ishte realizuar me « hua kundër aksioneve » të vitit 1995.

Për t’u bërë milioner në vendin tonë nuk është aspak e nevojshme që të jesh një kokë e madhe

«Për t’u bërë milioner në vendin tonë – shpjegon bankieri Piotr Aven – nuk është aspak e nevojshme që të jesh një kokë e veçantë apo të jesh i specializuar në një fushë të caktuar. Më shpesh, është e rëndësishme që të kesh një mbështetje aktive në gji të qeverisë, të parlamentit, të autoriteteve lokale dhe të organeve të sigurisë. Një ditë të bukur, banka juaj,  që deri dje ka qenë e parëndësishme, autorizohet të kryejë operacione me fondet publike. Pastaj, në mënyë shumë bujare, ju jepen kuata për eksportimin e naftës të drurit dhe të gazit. Me fjalë të tjera, ju jeni futur në rangun e milionerëve (1) »

Pas ngjitjes në pushtet në vitin 2000, z. Putin u angazhua publikisht se « do të shfaroste klasën e oligarkëve », duke sugjeruar se era kishte ndërruar kah, dhe se pasuritë e mëdha private nuk ishin më të paprekshme. Por realiteti doli krejt ndryshe. Në vend që të zhdukte oligarkët, presidenti favorizoi përhapjen e tyre. Sipas klasifikimit vjetor të revistës Forbes, në vititn 2000,  Rusia nuk kishte asnjë miliarder; në fund të mandatit të tij të dytë, në 2008, numëroheshin 82 të tillë, dhe 11 vite më vonë numri i tyre shkoi në 98, falë një koniunkture ekonomike të zymtë dhe sanksioneve perëndimore të futura në Rusi që nga viti 2014, pas bashkimit të Krimesë.

Ajo që ka ndryshuar pas ardhjes së Putinit në pushtet, nuk është mundësia e një pasurimi personal masiv, por identiti i atyre që pasurohen dhe lidhjet që ata kanë me shtetin. Pjesa më e madhe e oligarkëve të periudhës së Jelsinit nuk ishin pjesë e aparatit shtetëror; ata përfituan nga mosfunksionimi i mirë i shtetit. Ndërsa, oligarkët e periudhës së Putinit janë fillestarë që ditën të përdornin pushtetitin e qeverisë me qëllim tërheqjen e aktiveve. Me disa ndryshime sektoresh : në vitet 1990, kur çmimi i burime natyrore ishte shumë i ulët, pasanikët e mëdhenj rusë ishin përqëndruar tek bankat, financa, televizioni dhe rrjetet e komunikimit. Në fillim të viteve 2000, ngritja e çmimit të naftës, gazit dhe metaleve bëri që të përfitojnë ata që kishin aksione në këta sektorë. Midis këtyre manjatëve gjendeshin njerëz të afërt të Kremlinit që ishin në krye të ndërmarrjeve publike, dhe që përfituan  nga ajo ç’ka mund ta quajmë nepotizëm kapitalist të shtetit.

Gjithsesi, ky nocion nuk e kupton ngjashmërinë e metodave dhe prioriteteve midis ndërmarrjeve publike dhe atyre private. Në të dyja rastet, bëhet fjalë për të optimizuar vlerën e aksioneve dhe pagat e kuadrove, dhe jo për të rritur përfitimet  e tyre nga objektivat strategjikë kombëtarë. (pa folur pastaj  për rishpërndarje të pasurive). Rezultati është pak a shumë i njëjtë, pavarësisht ndryshimeve formale.

Natyra e turbullt e kufijve midis Shtetit dhe botës së biznesit ka filluar në periudhën e Putinit, dhe nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se shteti po ndërhyn  për të marrë kontrollin, apo që individë të fuqishëm të konsiderohen si zhvatës. Po ashtu, si gjithandej nëpër botë, një program politik që themelohet kryesisht për të luftuar korrupsionin paraqet rreziqe dhe kufizime. Z. Navalni  denoncon shpesh shpërdorimin e parave publike  me anë të korrupsionit, gjë që është e pakundërshtueshme. Por, kjo logjikë mund të nënkuptojë një pozicion më të gjerë kundër ndërhyrjes së shtetit dhe për ekonominë e tregut; ç’ka mund të çonte në justifikimin e mjeteve neoliberale akoma dhe më brutale nga ato që kishte njohur më parë Rusia, me pretekstin se shteti  ngelet një burim  vjedhjeje më se i bollshëm.

Funksionarët përdorin fuqinë e tyre legale për ta rritur kapitalin e tyre

Korrupsioni i ka zhytur rrënjët e tij në lidhjet midis pushtetit politik dhe atij ekonomik rus, që ngjitet tek presidenca e Jelsinit dhe formimi i vetë ekonomisë postsovjetike. Kur një biznesmen do të kapë një ndërmarrje tjetër konkurente, p.sh. ai mund të paguajë funksionarë të lartë që të bëjnë kontrolle fiskale dhe inspektim mbi kushtet e punës në këtë ndërmarrje derisa pronari të bjerë dakort me të për çmimin e shitjes. Këto dhjetë vitet e fundit janë gjithmonë e më shumë funksionarët e lartë që përdorin praktika të tilla, duke përdorur fuqinë e tyre ligjore për të marrë aktivet që duan, duke ilustruar më së miri proverbën ruse: « Gjithcka e kemi për miqtë, ndërsa ligjin e kemi vetëm për armiqtë. »

  • Shkrimtar, anëtar i komitetit editorial i New Left Review (Londër), autor i Russia without Putin : Money, Power and the Myths of the New Cold War, Londrër, 2018.

Botime të tjera