Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Pasojat e krizës në jetën bashkëshortore

Jemi në vitin 2009 dhe të gjithë janë në krizë” i thotë një profesor universiteti gruas së tij. Ajo ka dëshirë që të blejnë një apartament  jashtë mundësive të tyre ekonomike. Qëllimi i saj nuk është vetëm që të jetojnë mirë, por edhe të shpëtojë  martesën e saj duke e vënë të shoqin para një sfide. Pikërisht, rreth kësaj sfide zhvillohet historia e këtij romani. Gjithë urtësia e autorit Marko Missiroli qëndron në paralelizmin që ai vendos midis asaj ç’ka ndodh në botë dhe asaj ç’ka ndodh në shtëpinë e çdonjërit nga ne.

Margarita dhe Karlo Pentekoste janë martuar prej vitesh. Ndryshimet e shumta mes tyre janë fshirë nga kompleksiteti i tyre seksual dhe aftësia për të bërë sikur nuk po ndodh gjë.

Deri në momentin kur gruaja nuk do t’i fshehë më zërat që dëgjon përreth: Karlo duhet të ketë pasur një marrëdhënie seksuale me një studente të tijën. Ose të paktën mund të thuhet se ai u gjend pa shpjegim në banjot e femrave. Një incident ky për të cilin vetë profesori dhe studentja japin interpretime kontradiktore. Autori luan me këto dy versione dhe i nxjerr informacionet me pikatore, duke ia lënë në dorë lexuesit të krijojë idenë e tij.

Po, Margarita, i beson vërtet ajo kësaj tradhtie? Edhe këtë, autori e lë në dorë të lexuesit që ta zbulojë dhe ta vlerësojë. Gruaja do të shqyrtojë të gjitha gjasat që mund ta vërtetojnë këtë tradhti, por jo duke i kërkuar burrit që të thotë të vërtetën, por duke e provokuar. Shumë shpejt marrëdhënia e tyre do mbushet me keqësi, xhelozi, por edhe me një lloj erotizmi, gjithmonë e më shumë sadik, si në faqet e pakapshme të veprave të Sadit. Shto pastaj dhe ardhjen e mamasë së Margaritës, një vejushë e cila ka dhe ajo shumë llogari për të mbyllur me burrat tradhtarë. Kështu, tabloja familjare bëhet sa e pamëshirshme aq dhe turbulluese.

Çdo besnikëri  tregon historinë e saj, por edhe histori të tjera, dhe pikërisht kjo gjë e fut në letërsi, njëlloj si në dy romanet e tjerë të Missiroli-t, përkthyer në Francë (Gjenialiteti i elefantit, 2012, dhe Pakorrektësitë e mia, 2016, të dyja tek botimet Rivages). Si kuadër tw ngjarjeve, autori ka zgjedhur Milanon, pikërisht qytetin ku jeton dhe vetë, dhe ku punon si kryeredaktor i një reviste psikologjie, dhe shkruan gjithashtu për rubrikën « kulturë » të Corriere della Sera.

Skenat intime dhe private, inkuadrohen me « kulturën e futbollit », bëhet fjalë për skuadrën e Interit të Milanos dhe jetën politike italiane që në kohën e Betino Kraksit, kur ka qenë president i këshillit nga 1983-1987.

Autori na paraqet një qytet plot realizëm, pikërisht në çastin kur kriza financiare botërore provokon një tjetër ngritje të çmimeve të pasurive të patundshme. Gjë që e bën akoma më të fortë sfidën e Margeritës, aq sa Karlo duhet të ndryshojë profesion…

Sepse Çdo besnikëri  nuk kufizohet vetëm në emocionet e një studenti  dhe të një lolite, apo dhe në hakmarrjen e një gruaje. Autori na paraqet një panoramë të pasojave të krizës në shtresat e mesme, që vetë Misiroli arrin t’i vendosë në ekuilibër, duke krahasur rrugët me ndjenjat e trazuara të një çifti. E gjitha kjo jepet me anë të një fluksi që na bën të kalojmë  nga e tashmja në të shkuarën, me një të kthyer të paragrafit.

Plot finesë, i ndjeshëm, eksitues, i pasaktë, romani Cdo besnikëri, na fton të njohim nëntë vite të jetës së Karlos dhe të Margeritës. Nëntë vjet nga jetët tona, në agim të këtij shekulli. Korrikun e kaluar romani ishte finalist për çmimin Strega (Goncourt transalpin), dhe arriti të fitojë versionin për të rinj, çmimin Strega Giovani. Kjo arritje flet shumë për universalitetin e tij dhe për forcën e impaktit që ai ka.

Botime të tjera