Për çka shërbejnë artistët?

Prej shekullit XIX, artistët brengosen se a do të mund të jetojnë nga puna e tyre dhe për rolin e tyre në shoqëri. Një pyetje që e bën edhe shoqëria. Parazitë të inspiruar? Ofrues të një suplementi për shpirtin ? A e ka artisti veçori që mund ta bëjë atë të dobishëm dhe të përdorshëm ?

2589

Fenomenal: politikanët tanë e shohin sot artin me një sy shumë të mirë. Si duket kjo është madje edhe zgjidhja, mrekulli e problemeve të shkaktuara ose të zmadhuara nga « kriza » sanitare dhe sociale e sotme. Nejse, mos ta teprojmë, kemi të bëjmë më shpesh me artin dhe kulturën, çkado që kuptojmë me këtë.

Por, megjithatë, ky është një moment i çuditshëm. Më 2 maj, si përgjigje ndaj një vështrimi me titull « Kultura e harruar » (Le Monde, 30 prill) i nënshkruar nga shumë artistë të famshëm, Presidenti Emmanuel Macron bëri një postim entuziast në Twitter : “E ardhmja nuk mund të shpiket pa imagjinatën tuaj”.  Më 6 maj, si përfundim të një takimi me disa artistë të tjerë, ai pohoi fuqimisht se do ta inicoi një program porosish publike (pranë të rinjve, kush e di pse…) dhe që « krijimtaria artistike është diçka esenciale që i është paraqitur ndoshta edhe më fuqishëm qytetarëve tanë përgjatë kësaj kohe ». Gjuha është ngurruese, ideja është e fuqishme.  Zaten, gjatë gjithë kohës së izolimit përgjatë pandemisë i janë bërë lavdërata plotë emocione fuqive të artit.  

« Ajo që ata bëjnë nuk quhet punë »

Arti përshëndetet si i dobishëm. Madje kërkohet për operacionin presidencial të “verës edukative dhe kulturore”, që ka për qëllim t”i « rivendos artet dhe kulturën në zemër të jetës së të rinjve dhe të familjeve të tyre, qysh prej verës », siç e lexojmë në websajtet e Ministrisë së kulturës dhe të Ministrisë së arsimit dhe të rinisë. Një shembull, për ta bërë më të qartë : Teatri i Odeon -Teatër i Evropës, ofron shfaqje rreth “femrave të Molière » ose të Një Mijë e Një Net. Si edukues dhe agjent i lidhjes shoqërore, artistit i jepet një vend në mesin e profesionistëve të dobishëm, madje edhe të domosdoshëm.

Kjo çështje e dobisë shoqërore, e cila mund të merr përgjigje ekstremisht të ndryshme, nuk është shtruar ende, qoftë për artistët, apo edhe për financuesit e tyre ose më gjërësisht për publikun. Me shekuj, roli i tyre nuk është vërë në pyetje : pranojnë porositë e para nga të fuqishmit dhe me veprat e tyre i këndojnë lavdisë së tyre. E bëjnë më të ndieshëm shkëlqimin e tyre, tregojnë madhështinë e një bashkësie kombëtare ose fetare, madje edhe të një klase në ngritje, edhe përmes argëtimit. Piktorë, autorë dramash, apo muzicientë; ata nuk kanë shqetësime shpirtërore. Por kjo nuk i pengon të kenë probleme parash dhe të ego-s nëse largohen financuesit. « Krijues » ose « artizanë », ata e gjejnë vendin e tyre në shoqëri. E bëjnë një punë për të cilën rrallëherë e ndjejnë nevojën të arsyetohen ose të thurrin teori, përveç përpara artistëve si vet ata, siç e bëri Pierre Corneille për Sidin (Le Cid) para sulmeve të Akademisë franceze e cila konsideronte se vepra kishte marrë tepër liri ndaj vërtetësisë dhe se ishte pak shokuese për moralin.

Shoqëria nuk pyet fort për arsyeshmërinë e ekzistencës së artistëve. Duhet të pritet në fakt shek.XIX që shoqëria dhe vetë artistët ta parashtrojnë pyetjen se pse krijojnë, nga kush dhe pse mund të paguhen. Porosibërësit e Rezhimit të Vjetër (Ancien Régime) ishin zhdukur krejt.  U krijuan rrjete të reja të shpërndarjes, vlera të reja gjithashtu, sa estetike, ashtu dhe morale. Për opinionin dominues, siç do ta definoj me dashakeqësi, por duke mos u çuditur shumë, Fjalori i Paragjykime (Le dictionnaire des idées reçues) të Gustave Flaubert-it, Arti tanimë “çon në spital, përndryshe, në mjerim », kurse Artistët : « ajo që ata bëjnë nuk quhet punë ».

Po dominon një ndjenjë e keqe tek artistët. Çdo herë e më të shumtë, çdo herë e më shumë subjekt i miratimit të shumicës, nëse duan « të kenë sukses », ata mendojnë : të punojnë për « borgjezët » të cilët nuk i duan ? Për popullin që s’ka të bëjë me këtë punë ?  Në një botë që i jep përparësi të dobishmes dhe fitimprurjes,  pse duhet kërkimi falas i idealit të së bukurës? Atëherë do të zhvillohen qëndrimet e « artistit të mallkuar, të të pakuptuarit, edhe të atij i cili strehohet në ‘kullën e tij të fildishtë’, duke e vërë përpara « padobishmërinë » e tij, i cili është i destinuar vetmisë së madhe të artit për art, derisa po thellohet një hendek midis novatorëve dhe publikut ».

Sikur Honoré Daumier apo Camille Pissaro të cilët shkruanin në gazeta, apo Gustave Courbet i cili organizonte vetë ekspozitën e veprave të veta, të ndryshme nga përzgjedhja zyrtare të refuzuar në Ekspozitën Universale të 1855, sikurse Vicor Hugo i cili do të duhet të zgjedh të shkruaj për popullin, të gjithë artistët e shek.XIX të madh nuk lavdërohen që janë të padobishëm, që nuk vyejnë më, apo që janë anëtarë të një elite e cila merret vetëm me kërkimin e vet. Por kjo pozitë e tërheqjes aristokratike, të mospranimit të masës dhe nga masa, e shtyrë nga kuadri politik dhe social e pastaj e teorizuar, sikur e bashkëshpikur në një lojë pasqyreje, nga publiku i cili tërhiqet dhe nga artistët të cilët i margjinalizon, dëshiron ta rrënjos për një kohë të gjatë një imazh të artistit si parazit pak a shumë të inspiruar, ndryshe nga qytetarët e tjerë, të cilit puna dhe talenti i tij eventual e vëjnë « anash ». Pra, një imazh të artit, mundësisht i cili nuk është fitimprurës si një « suplement i shpirtit ». Gjë që megjithatë tregon se jemi afër së panevojshmës, edhe pse është e mjegullt në një mënyrë gracioze.

« Me kërkesë të qytetarëve »

Megjithatë, në momente të veçanta të historisë kolektive; qeveri, shoqëri, piktorë dhe shkrimtarë do ta ndërmarrin definimin dhe shpjegimin e  dobishmërisë së artistëve. Në plane të ndryshme. Kështu, ata rizbulojmë para pak kohë New Deal-in, në gojën e udhëheqësve dhe përcjellësve të vendimeve të tyre. New Deali  rezulton përnjëherë si një model për kohërat tona të « krizës ». Është e vërtetë se tronditëse ishte kjo situatë e re e lansuar nga presidenti Franklin Delano Roosevelt prej 1933 e cila do të zgjas deri në luftë. Artistët u konsideruan si punëtorë, të cilët kishin shkathësi të veçantë të cilat mund të paguheshin si të tilla. New Deal mundësoi të angazhoheshin aktorë (13 000), shkrimtarë (7000), muzicientë (2500)…,të cilët ishin të gjithë të ngarkuar me një mision për interes të përgjithshëm: ta bëjnë edukimin popullor, të animojnë grupe amatorësh, të propozojnë teatër aty ku nuk kishte, të regjistrojnë muzikat negro të Jugut, të mbledhin rrëfimet e pasardhësve të skllevërve, të zbukurojnë lagjet me freska (2500) në frymën e artistëve meksikanë të muraleve si Diego Rivera ose David Siqueiros, të shkruajnë historinë e qyteteve, të dëshmojnë me fotografi për Depresionin e Madh, etj. Ishte diçka e pabesueshme.

Prej Orson Welles te piktori Jackson Pollock, fotografët Dorethea Lange dhe Walker Evans deri te shkrimtarët Richard Wright, Saul Bellow ose John Steinbeck, një pjesë e mirë të atyre që janë gjithmonë të dobishëm punojnë për këtë mision.Veçoria e tyre është në shërbim të interesit kolektiv. Jemi larg suplementit të shpirtit dhe të vetmisë së ekscentrikut të inadaptuar. Ky integrim i  artistit me greva masovike në industri në prapavijë, marshe të urisë, të kërkesave të paraqitura ndër të tjera nga një Parti komuniste shumë aktive, arsyetohet me një qëllim ekonomik – të ulet numri i të papunëve – dhe me vullnetin që t’i jipet vendit një kulturë të madhe nacionale.  Rezultatet do të jenë të çuditshme, ku do të takohen aktorë -punëtorë dhe komedia muzikore, ku do të zgjerohet piktura rajonaliste, ku do të shumëzohet konfrontimi i profesionistëve dhe i amaterëve, apo edhe ku do të lulëzoj estetika e inspiruar nga Bertold Brecht.

Ata po punojnë për kombin – disa po mendojnë të punojnë për popullin – dobia e tyre njihet pa kundërshtim (25 million amerikanë po e zbulojnë teatrin), por kjo shumë shpejt do t’i duket tepër e « kuqe » anëtarëve të Komisionit mbi Aktivitetet Antiamerikane, në kohën e maccartizmit.

Dhe saktësisht në të njejten kohë, hapet një rrugë e re në Bashkimin Sovjetik për t’i përcaktuar detyrat që do t’ia japin artistit të drejtat e tij : ai do të duhet ta ndjek doktrinën e realizmit socialist.  Në vitin 1934, në Kongresin e parë të shkrimtarëve sovjetikë, statuti i shoqatës së tyre do ta definojë këtë estetikë : «  Realizmi socialist, si metodë themelore […] kërkon nga artisti një paraqitje reale, historikisht konkrete, të realitetit në zhvillimin e saj revolucionar. Me karakterin historikisht konkret dhe të vërtetë, të paraqitjes së tij të realitetit, ai duhet të kontribuojë në transformimin ideologjik dhe në edukimin e punëtorëve në shpirtin e socializmit ».  Duhet gjithashtu me qenë i dobishëm, këtu, në ndërmarrjen revolucionare, por me përshtatjen e formës dhe përmbajtjes. Përderisa New Deal është harruar deri sot kur është bërë shembull, nuk është harruar ky legjitimim i artistit nga politika, konsideruar si një përulje e lirisë së krijuesit ndaj normave dhe qëllimeve ideologjike. Diskreditimi i tij vazhdon të jetë kumbues. Megjithatë mund të pyetet, cfarëdo qofshin meritat e mëdha të New Deal : çfarë vendi i mbetet  « lirisë së krijuesit »  kur për të marrë pagë, ai duhet të jetë në shërbim të kombit?  

Si të evitohet që artisti të njihet si i dobishëm për shoqërinë, pa i kërkuar, sipas zgjedhjes apo në tërësi, të kontribuojë për madhështinë e vendit, të edukojë popullatën, të shërbej për kohezionin e saj, të merr pjesë në një vullnet kolektiv, gjë që mund të implikojë që duhet të kufizohen aspiratat, të preket ajo që e ka më intime?  « Sponsorët e Rinj » po mendojnë se e kanë zgjidhjen. E filluar në vitin1991 nga fotografi François Hers, e mbështetur nga Fondacioni i Francës, e inkurajuar nga sociologu Bruno Latour, kjo lëvizje dëshiron ta    ndihmojë lindjen e një « Arti të demokracisë »,  sepse siç e thotë historiani i artit Thomas Schlesser, si përgjigje fjalëve të Presidentit mbi porositë që do të bëhen, « qëllimi nuk mundet të jetë tani e tutje vetëm mbështetja e ofertës krijuese të artistëve, arkitektëve, kompozitorëve osë shkrimtarëve. Në demokraci, qëllimi duhet të jetë ai i cili i përgjigjet kërkesës së qytetarëve ». Me qëllim, për shembull, që « një vend ose një aktivitet i pavërejtur të bëhet i dukshëm, t’i jipet jetë një kujteseje, të materializohet një përkatësi identitare, të përmirësohet një kuadër jetësor ». Një protokoll diskutimi dhe negociata niset me artistin e propozuar nga një ndërmjetës ( artistët Daniel Buren ose Xavier Veilhan, arkitekti Patrick Bouchain…), gjë që « supozon nga ana e tij një vëmendje të mirë dhe pranimin e një horizontaliteti të vërtetë ». Kështu ka lindur pas kërkesës së nëntë banorëve të lagjës, zemra që rreh në maje të një direku tetë metra i lartë, që shkëlqen në të kuqe tek Porte de Clignancourt në Paris – vepër e artistes portugeze Joana Vasconselos. Në këtë « art të demokracisë », nuk « i takon më ministrisë të bëjë politikë kulturore, por neve – qytetarë dhe qytetare, neve artistëve që ta udhëheqim bashkë », me detyrim që ministria ta ndërtoj një « sistem delegimi për ndërmarrjet private. » Mund të vëjmë bast që ky model i promovuar nga një institucion i së drejtës po aq private, ka perspektivë të mirë : e fton artistin që të përqafojë tema të zgjedhura nga ideologjia dominuese, e shenjtuar nga « qytetaria » dhe horizontaliteti, gjë që lejon që t’i jepet fund parimit të një politike publike, e fton porositësin e ri të zgjedh brenda një katalogu artistësh të pranuar mirë nga tregu. Prej klienti te ofruesi i shërbimeve, artisti është një zbukurues i cili i përgjigjet një kërkese lokale të « care ».

Në vitin 1935, pra në kohën e fashizmit, nacizmit, të fillimit të mizorive të mëdha të Stalinit, dhe të agimit të Frontit popullor, mbahej në Paris Kongresi ndërkombëtar i shkrimtarëve për mbrojtjen e kulturës, me 230 pjesëmarrës, prej të cilëve një numër i madh të ekziluar (Bertolt Brecht, Ernst Toller, Heinrich dhe Klaus Mann, etj.). Ata diskutuan mbi kuptimin e punës së tyre në atë moment. Për kënd, për çka…Të eksperimentoi, të iluminoi ? Të zgjedh intimen ose politikën ? Ndoshta filozofi Ernst Bloch profilizoi një përgjigje : « Ka mbetur në botë, një pjesë e madhe si ëndërr që nuk është përjetuar ende, historia që nuk është elaboruar ende, natyra që nuk është shitur ». Të bëhet të ndihet ajo që na mungon dhe të zgjohet dëshira për të, kjo është lartësisht e dobishme. Për të gjithë.