“Dhe në vend që ta vazhdonte rrugën, ai mendoi të kthehej në shtëpi. Duke u betuar, ai i tha kushëririt të tij të ndjerë: “Nëse Zoti do të ma marrë jetën, le të jetë në atdheun tim të dashur”. Kjo këngë në spanjisht tregon historinë e një meksikani. Ai, pasi e kishte parë kushëririn e tij duke vdekur gjatë udhëtimit për në Shtetet e Bashkuara, vendosi të kthehej prapa. Kjo këngë është inxhizuar në vitin 2008 me fondet e qeverisë amerikane dhe pastaj është dërguar në radiostacione në disa vende të Amerikës Qendrore nga një agjenci private e marketingut, e cila u kujdes që të mos zbulojë identitetin e financuesit të këtij projekti.
Një armë tipike amerikane e dekurajimit? Disa shtete evropiane i kanë përdorur gjithashtu këto metoda dekurajuese të komunikimit, veçanërisht nga “kriza” e refugjatëve në verën e vitit 2015. Në Hungari dhe Danimarkë, autoritetet publike kanë financuar reklama në të përditshmet libaneze dhe jordaneze. Aty shkruhej “Hungarezët janë mikpritës, por ndëshkimet më të ashpra merren kundër atyre që përpiqen të hyjnë ilegalisht në Hungari”, “Parlamenti danez sapo ka miratuar një rregullore që synon uljen 50% të ndihmave sociale për refugjatët e sapoardhur”. Në vitin 2017, disa artistë të Afrikës Perëndimore vallëzuan dhe kënduan në një spot të titulluar Bul Sank sa Bakane bi (“Mos e rreziko jetën tënde“). “Imigracioni është i mirë nëse është i ligjshëm”, “Qëndro në Afrikë për ta zhvilluar atdheun, nuk ka vend më të mirë”, “Rini, ti nuk e di se jashtë vendit nuk është aq lehtë sa mendon”, thuhej në një këngë të financuar nga qeveria italiane si pjesë e një operacioni të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) të quajtur “Migrantë të Ndërgjegjshëm”.
“Pse ta rrezikosh jetën tënde?”
Këto fushata, të cilat i shënjestrojnë njerëzit që ende nuk kanë provuar të shkojnë në Perëndim, por që ka të ngjarë ta bëjnë atë, insistojnë në faktin se imigracioni “në të zezë” është i padobishëm (të gjithë ata që do të provojnë do të kthehen sistematikisht në shtëpi) dhe theksojnë nevojën e rigorozitetit të “shtetit të mirëqenies”. Ato nxjerrin në pah rreziqet gjatë udhëtimit, kushtet e vështira të jetesës në vendet e tranzitit dhe të destinacionit, rreziqet nga trafikimi, kontrabanda, shfrytëzimi ose thjesht nga vdekja. Këta skenarë kanë të përbashkët faktin që nuk i përmendin politikat kufizuese që e bëjnë përvojën e migrimit gjithnjë e më të rrezikshme. Përkundrazi, përqendrohen më shumë në zgjedhjet individuale.
Këto fushata bëhen në vendet e nisjes dhe të tranzitit; ato e rrisin kontrollin e jashtëm të migracionit dhe e plotësojnë kontrollin policor kufitar me anë të strategjisë së bindjes. Qëllimi i kontrollit migrues fshihet nën një terminologji të butë: këto fushata quhen “informative” ose “vetëdijësuese”. Këto fjalë u japin konotacione humanitare këtyre fushatave, synimi i të cilave duket të jetë fillimisht mbrojtja e migrantëve. Për t’i mbrojtur edhe ata që kanë qëndruar në vend nga gënjeshtrat e të afërmve të tyre: një video e financuar nga Zvicra për Kamerunin i këshillon ata të jenë të kujdesshëm ndaj tregimeve të emigrantëve, të cilet kanë tendencë të zbukurojnë përvojën e ekzilit (“Mos besoni gjithçka që dëgjoni“) .
Këto fushata fillimisht ishin bërë në mediat tradicionale, tani shpërndahen përmes Facebook-ut, Twitter-it ose YouTube-it. Në Australi, qeveria ka prodhuar në vitin 2014 një seri filmash të shkurtër të përkthyer në rreth pesëmbëdhjetë gjuhë të folura në Azinë Juglindore, Afganistan dhe Indonezi: « Në asnjë mënyrë Australia nuk do të bëhet shtëpia juaj ». Aty zyrtarë ushtarakë me uniformë i tregojnë politikat e vendit të tyre me një ton luftarak: “Nëse udhëtoni pa viza me anije, Australia kurrë nuk do të bëhet shtëpia juaj. Nuk ka përjashtime. Mos i besoni gënjeshtrave të kontrabandistëve”.
Projektuesit i janë drejtuar gjithashtu YouTube-it. Kjo platformë i shpërndan videot në formën e reklamave që shfaqen para përmbajtjes së kërkuar nga përdoruesit e internetit të cilët bëjnë kërkime për të emigruar. Përmes algoritmeve bëhet shënjestrimi i përdoruesve, profilet e të cilëve tregojnë se ata flasin gjuhë të caktuara, për shembull farsi apo vietnamisht. Po kështu, YouTube e lehtëson shënjestrimin e dëshiruar demografik duke i favorizuar video-të me shumë shikime tek të rinjtë. Më pas, këto video vërshojnë faqet Facebook të qytetarëve australianë me origjinë nga emigracioni, të përzgjedhur nga algoritmi pasiqë flasin një nga gjuhët e synuara nga fushata. Duke ju drejtuar këtyre njerëzve të lindur në Australi, autoritetet besojnë se këta vetvetiu do t’i ftojnë bashkatdhetarët e tyre të qëndrojnë në shtëpi.
Edhe qeveria norvegjeze, e akuzuar për pasivitet ndaj ardhjes së refugjatëve në kufirin rus, e zgjodhi Facebook-un në vitin 2015. I financoi dy video, “Pse ta rrezikosh jetën tënde?” dhe “Mund të të kthejnë në vendin tënd “. Përdoruesit e rrjetit social fillimisht kishin mundësinë të reagonin, përmes “pëlqimeve” tradicionale ose duke postuar komente, duke mundësuar kështu qarkullimin horizontal, madje edhe viral të këtyre videove. Por opsioni u pezullua pasi që faqja u vërshua nga komentet urrejtëse nga e djathta ekstreme, duke shkaktuar siklet shtetëror.
Edhe në këtë rast, Facebook-u po ofron (në fakt, po komercializon) mundësinë e shënjestrimit të të rinjve me origjinë nga Afganistani, Etiopia dhe Eritrea, të cilët qeveria norvegjeze konsideron se nuk i përmbushin kushtet për azil. Algoritmi i zgjedh në veçanti njerëzit që gjinden jashtë vendit të tyre të origjinës dhe që kanë hulumtuar në internet duke treguar interesin e tyre për Evropën dhe migrimin. Migrantë në tranzit, të cilët hezitojnë për destinacionin e tyre shënjestrohen në mënyrë që të dekurajohen dhe të mos e zgjedhin Norvegjinë si vend të migrimit. Që të mos shkelet e drejta e azilit, sirianët nuk janë ndër kombësitë e synuara. Po kështu, mesazhi në mënyrë të qartë tregon se vetëm të rriturit do të kthehen mbrapa, në mënyrë që të mos cenohet e drejta e fëmijëve për përkujdesje.
Që nga viti 2015, në disa raste, autoritetet belge e kanë përdorur gjithashtu Facebook-un për iniciativa të ngjajshme. Në vitin 2018, fotografi i qendrave të paraburgimit dhe të një migranti të ri me pranga, me tekstin “Jo emigracionit të paligjshëm. Mos eja në Belgjikë”, u shpërndanë nga një faqe Facebook e krijuar për këtë rast nga Zyra e Emigracionit. Por kjo faqe ekzistonte vetëm në anglisht, ashtu që u mendua se ishte e rreme (edhe nga policia), duke e shtyrë qeverinë belge ta fshijë atë faqe në favor të një faqe më klasike, me titull më të thjeshtë “Fakte rreth Belgjikës”.
Iniciativa të tilla janë të përhapura për shkak se shtetet evropiane garojnë me njëri-tjetrin për ta parandaluar imigracionin në vendin e tyre. Më 30 maj 2018, në Francë, Gérard Collomb, asokohe Ministër i Brendshëm, pohonte gjatë një seance në Senat se migrantët bëjnë “benchmarking ” për t’i identifikuar vendet më mikpritëse. Kolegët e tij të vendeve tjera si duket e ndajnë këtë mendim: jo vetëm që janë të interesuar, por edhe të vendosur ta bëjnë atë të ditur.
Përdorimi i platformave të Silicon Valley bëhet edhe më i domosdoshëm pasi që autoritetet e njohin rëndësinë që kanë këto mjete për migrantët gjatë udhëtimit të tyre. Me të vërtetë shumica e tyre janë të konektuar në këto platforma. Janë të varur nga celularët e tyre për të komunikuar me familjet e tyre, për t’u orientuar përmes GPS, për të komunikuar përtej barrierave gjuhësore, për të ruajur fotografi dhe dëshmi të mizorive që do të justifikojnë më vonë kërkesën e tyre për azil, për të kërkuar ndihmë në rast të një mbytjeje anije ose rreziku, ose për t’i gjetur familjarët ose bashkatdhetarë të shpërndarë nëpër botë.
Një çështje i mundonte autoritetet e shteteve perëndimore. A mos i kanë dhënë teknologjitë digjitale autonomi më të madhe migrantëve duke i konektuar individët dhe duke ua lehtësuar atyre qasjen në burime të ndryshme informacioni? A mos e kanë lehtësuar përfundimisht imigrimin e paligjshëm? Prandaj, ata u përpoqen t’i përdornin këto mjete për t’i zgjedhur problemet: duke ofruar informacion mbi vendndodhjen dhe karakteristikat e migrantëve, duke siguruar një kanal të privilegjuar komunikimi për personat e targetuar.
Këto fushata, të financuara sistematikisht nga shtetet perëndimore i përfshijnë gjithnjë e më shumë gjigandët e teknologjisë digjitale. Por ato mobilizojnë gjithashtu akterë të tjerë. Pakti Global për Migrim të Sigurt, të Organizuar dhe të Rregullt (ose “Pakti i Marrakesh-it”), i cili është miratuar nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara në vitin 2018, rekomandon kështu “bërjen e fushatave me fakte dhe shumëgjuhësore të informacionit”, organizimin e “takimeve të ndërgjegjësimit në vendet e origjinës “, në veçanti për të” nxjerrë në pah rreziqet e migrimit të parregullt, i cili përmban shumë rreziqe “. Zyra e Komisionerit të Lartë për Refugjatët (UNHCR) dhe IOM luajnë rolin e ndërmjetësuesve të privilegjuar për ta lehtësuar financimin e këtyre fushatave të shteteve perëndimore jashtë territorit të tyre.
Çfarë është efikasiteti i tyre?
Në këtë proces janë të përfshira edhe kompanitë private të specializuara në marketing dhe komunikim. Seefar, një kompani me seli në Hong Kong, zhvillon aktivitete të “komunikimit strategjik” që synojnë migrantët potencial të Afganistanit ose Afrikës Perëndimore. Kompania Australiane Put It Out There Pictures realizon video propagandistike për qeveritë perëndimore, sikurse filmi televiziv Journey, i cili paraqet azilkërkues që përpiqen të hyjnë ilegalisht në Australi.
Ekzistojnë edhe shoqata humanitare dhe shoqata për mbështetjen e zhvillimit që kontribuojnë gjithashtu në këto nisma. E krijuar në vitin 2015, fillimisht për t’i shpëtuar migrantët e mbytur në Mesdhe, organizata joqeveritare (OJQ) Proactiva Open Arms filloi një projekt të tillë në vitin 2019 në Senegal. Shtresa të tëra të shoqërisë mblidhen në këto operacione në vendet e nisjes: migrantë të kthyer, gazetarë, artistë, shoqata dhe udhëheqës fetarë…Në Guine, artistë të angazhuar më parë në hapjen e kufijve tani po bëjnë fushatë për moslargimin e bashkatdhetarëve të tyre të rinj nga vendi.
Diskursi humanitar konsensual që argumenton nevojën e mbrojtjes së migrantëve përmes informimit e lehtëson bashkëpunimin midis shteteve, organizatave ndërkombëtare, sektorëve privat dhe shoqatave. Sidoqoftë, shumica e këtyre akterëve nuk kanë të bëjnë me fushën e kontrollit të rreptë të kufirit. Përfshirja e tyre dëshmon shtrirjen e fushës së luftës kundër imigracionit ilegal, i cili gradualisht po pushton pjesë të tëra të shoqërive në Jug.
Sa janë efikase? Ekzistojnë shumë pak vlerësime të ndikimit të këtyre fushatave. Në vitin 2019, një studim norvegjez analizoi ndikimin e tyre te migrantët në tranzit në Khartoum, me rezultate jo bindëse. Pak prej këtyre migrantëve i kishin dëgjuar mesazhet qeveritare. Ata u përgjigjen se ishin mjaft mirë të informuar, edhe mbi aspektet më të errëta të përvojës së migrimit. Duke pasur parasysh mbulimin mediatik të tragjedive të imigracionit ilegal, duket se migrantët potencialë janë të vetëdijshëm për rreziqet … por prapë se prapë ata migrojnë.