EDITORIAL
Për një parti të re të majtë

Qasja që na ofron Partia Socialiste sot si e vetmja parti e denjë për emrin, është “martesa” e interesave të biznesmenëve me atë të klasës së mesme dhe kjo ka rezultuar një punë e pamundur, duke e futur Shqipërinë prej 30 vjetësh në një krizë politike, por të mos kemi asnjë iluzion, kriza e politikës është kriza e të majtës ose më saktë e mungesës të së majtës në Shqipëri.

1324

E vetmja gjë, që mund të mësojmë nga historia është se nuk mësojmë asgjë nga historia’- Hegel (‘The only thing that we can learn from history is that we learn nothing from history).

Gurët, që hidheshin lumë mbi policinë në ditën pas vrasjes së Klodianit në lagjen periferike të Laprakës, ishin të njëjtët me ato që hidheshin më 21 janar, apo dhe me ato që fluturonin mbi kokat e sampistëve të Ramiz Alisë në fillim të 90-ës e të Sali Berishës më pas. E vetmja gjë, që ndryshonte ishin duart, por mbase dhe ato ishin të njëjta, në mos si njerëz si gjenerata. Asgjë nuk ndryshon jo vetëm për ata, që të rritur në frustrimin e një politike inefiçente e kanë transmetuar mllefin brez pas brezi, por dhe ata që mbetën të njëjtët, që për dekada të tëra tashmë mësuan ti transferojnë njëri-tjetrit pushtetin me synimin që asgjë të mos ndryshojë, që gjithçka të mbetet e paprekur jo vetëm në kuptimin e kapitalit, por mbi të gjitha të mos ndryshojë ideja që nëpërmjet procesit politik gjërat mund të përmirësohen. Duke e ofruar veten si “fundin e historisë”, Shqipëria po futet në vitin zgjedhor më depresiv, që ka parë ndonjëherë, që pas rrëzimit të komunizmit. Të gjithë partitë e listuara, por sidomos dy kryesoret janë aq të ngjashme me njëra-tjetrën sa tashmë dhe aktivitetet janë njësoj. Atë, që bën Lulzim Basha tani e bënte Edi Rama dje, e atë që do bëj Edi Rama nesër (përurime/ investime/ rrugë të reja) e bënte Sali Berisha pardje. Në dy fushatat e fundit këto parti nuk bëjnë as “sikur” kanë një program, gjithçka që duhet të zgjedhin/ zgjedhim mbështet mbi parimin: cili është burri/ gruaja më i mirë, nën terrorin e zgjedhjes së keqes më të vogël.

Asgjë e mirë nuk vjen nga zgjedhja e të keqes dhe kur ajo është më e vogël duhet një alternativë tjetër, që merr parasysh jo vetëm kushtet sociale dhe historike në të cilat gjendet Shqipëria, por mbi të gjitha vetë kërkesën e shqiptarëve, që në këto vite ka qenë më e shprehur, më e organizuar dhe më e zhurmshme se kurrë më parë. Kant thotë: “bindu, por mendo, ruaj gjithmonë lirinë e mendimit”, për këtë liri jemi duke folur sot, lirinë e mendimit që prodhon alternativën më të mirë si mundësi politike dhe jo zgjedhjen më të keqe si pamundësi historike.

‘ Mund të kemi ardhur me anije të ndryshme, por tani jemi të gjithë në të njëjtën varkë.’

(‘We may have all come in different ships but we are in the same boat now.’)

 Ti nuk quhesh socialist sepse mund të jesh anëtar në një parti, që quhet Parti Socialiste dhe nuk mund të konsiderohesh si i majtë vetëm sepse shanë partitë, që janë të djathta. Duhet patjetër dhe të tregosh së cfarë duhet të bëj një parti e majtë!

Në fjalët ekzakte të Tony Benn: “You cannot go on forever saying that you are a Socialist when you are not saying you will do something when you want confining yourselves to attacks on the Tories when it’s simply not enough. People want to know what the Labour Party will do”.

Tentativa e brishtë e programit të 2013-ës, i cili synonte jo vetëm zhvendosjen e Partisë Socialiste në qendrën e majtë, por dhe nisjen e një komunikimi të ri institucional mes shqiptarëve dhe shtetit të tyre në pak kohë, por sidomos në mandatin e dytë, u zëvendësua nga sjelljet bizarre të një kryeministri të marrë peng nga nevoja narciste për t’u pëlqyer ai vetë dhe jo qeveria apo shteti, të cilin ai drejton. Në këto kushte dhe për pasojë të zgjedhjeve ekstreme neo-liberale si PPP-të e famshme, ne kaluam nga fillimi i mandatit të parë ku personazhi më i famshëm i qeverisë ishte Ministri i Mirëqenies Sociale tek fundi i mandatit të dytë, ku më i famshmi është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Kurba është interesante sepse vërteton atë, që kemi mësuar nga aplikimi i normave neo-liberale në ekonomi, sidomos në vendet e Amerikës Latine, nëse aplikon një sistem agresiv pro-biznesit atëherë shteti transformohet në mbrojtësin e interesave të biznesit nëpërmjet aparatit të tij të dhunës, thënë ndryshe policisë . Simboli tipik për këtë dhe vizualisht është mbrojtja, që organizoi policia për kioskat e Kastratit në Kukës.

E paqendrueshme është e pakta, që mund të thuhet për këtë rrugë ekonomike, që ka ndërmarrë shteti shqiptar nëpëmjet Partneritetit Publik Privat, që historia na tregon që me një shpejtësi marramëndëse kthehet në një vasalitet të shtetit karshi privatit dhe ç’është më e keqja në një stabilizant të korrupsionit sistematik, duke prodhuar kështu një kastë të vogël milionerësh, që kujdesen për “mirëqenien” ekonomike të partive dhe politikanëve, që e mbështesin në kurriz të shumicës popullore. Antonio Gramsci thotë: “një shkretëtirë me një grup palmash të larta mbetet sërish një shkretëtirë, madje karakteristike e shkretëtirës është, që të ketë një grup palmash të larta”. Ne jetojmë në shkretetirën ekonomike të prodhuar nga zgjedhjet e gabuara, por mbi të gjitha në një shkretëtirë alternativash politike.  

Ka një të përbashkët shumë të rëndësishme mes protestës së studentëve, asaj të naftëtarëve dhe revoltës së periferisë dhe kjo e përbashkët nuk është plotësisht ekonomike, por ka të bëjë me një gjë akoma dhe më problematike; ka të bëj me establishmentin aktual politik. Eshtë imagjinata, që gjërat mund të bëhen më mirë. Kjo mungon dhe ketë nuk e garantojnë dot as këta, që janë as ata që duan të vijnë.

Së pari, të analizojmë aspektin ekonomik, a e mbani mend pse nisi protesta e studentëve? Sepse studimet në universitetin publik janë të shtrenjta, sepse familjet nuk i kanë ato para dhe sepse tregu i punës nuk u mundëson të rinjve të punojnë për të paguar studimet. Janë pra në kurth. Studenti i varfër është në kurth, por nuk ndodhi vetëm kjo, por ndodhi vetëdijësimi, solidariteti dhe i atyre, që mbase se kishin problem me ata, që e kishin problem, por si e zgjidhi qeveria këtë gjë? Duke ndryshuar ministrin (që ska lidhje) dhe duke hapur një tender me PPP për të rikonstruktuar ndërtesat. Pra nuk u adresua në asnjë nivel, në asnjë formë jo vetëm pamundësia ekonomike, që krijoi protestën por mbi të gjitha pamundësia organike, që ka universiteti në Shqipëri për t’i krijuar studentit një imagjinatë, që ajo që po bën është diçka, që do ti shërbejë atij dhe shoqërisë. Asgjë pra nuk u bë. Ajo protestë është në pritje dhe do kthehet dhe më e madhe se më parë, sepse nuk kanë rrugë tjetër.

Zgjidhja me naftëtarët tingëllon e njëjtë me atë të studentëve, të mbajtur në një strukturë komplet inefiçente nga ana ekonomike, të përdorur si mish për top votash. Naftëtarët nuk duan të dëgjojnë më arsyetimet në dukje të sinqerta të qeverisë, ‘simbol i kapitalizmit shqiptar’, rafineria e naftës ngërthen brenda vetes gjithë historikun e abuzimit të punonjësit publik nga kompani private e korrupsioni endemic. Pra nëse do donim në të ardhmen, që studiuesit të analizonin kapitalizmin alla shqiptarçe atëherë do mjaftonte të “rekuperonin kutinë e zezë të rafinerisë së naftës”. Qeveria atyre qindra naftëtarëve të hedhur rrugëve i dha 1 vit rrogë! Po çfarë do ndodhi pas 1 viti? Si mendon Edi Rama, që do i thotë njerëzve, që nuk kanë bukë të hanë, që unë jam më i mirë se Saliu, sepse ju dhashë një vit rrogë? Po dhe nëse kjo është e vërtetë, që ai është më i mirë se Saliu, çfarë ndryshon në thelb në jetën e tyre? Ashtu si me studentët thjesht është marrë borxh kohë nga e ardhmja, për ta bërë plagën shoqërore dhe më të thellë dhe më të pashërueshme.    

Ashtu siç kapitalizmi i bankave merr borxh nga e ardhmja para, për të paguar detyrimet e sotme, ashtu dhe qeveria merr borxh kohë nga e ardhmja për të shtyrë me sa të mundet krizën e pashmangshme.

‘Varfëria lind dëshirën për ndryshim, dëshirën për veprim dhe dëshirën për revolucion.’

(‘Poverty gives rise to the desire for change the desire for action and the desire for revolution.’)

Në këtë kuadër, testime të ndryshme shoqërore janë bërë, niset me protestën e studentëve, vazhdohet me atë të naftetarëve deri sa të plas në dorë, bomba, dhe pse pasojë e një incidenti me revoltën e periferisë. Të gjitha këto protesta dhe pse të ndryshme në natyrën e tyre, kanë vetëm një të përbashkët, diferencat sociale dhe ekonomike, thellimin e varfërisë.

Ndërtimi i një alternative sociale dhe socialiste, pra jo vetëm si strukturë politike, por dhe si mënyrë e mendimit të shtetit, është e vetmja shpresë që ka Shqipëria për të dalë nga kjo situatë. Nuk duhet vetëm një parti alternative, por mbi të gjitha duhet një kulturë shoqërore alternative që zgjidhjen e gjen tek angazhimi kolektiv dhe nuk ja delegon pakicës së politikës dhe biznesit mirëqenien shoqërore. Socializmi thotë Bernstein kur huazon nga Kant “është teori që në aspektin moral dhe etik duhet bërë, por kjo nuk e bën atë automatikisht të destinuar për të qenë… për këtë duhet një emancipim shoqëror dhe mbi të gjitha një angazhim politik, për atë që duam të jetë e jo për të zgjedhur midis atyre që na ofrohen si alternativa të fundme”.

Protestat, janë një formë e rendësishme për ta bërë zërin të dëgjohet, por shpeshherë krijojnë ndjesinë e Sizifit, që pasi e ka ngritur gurin në majë, do duhet ta shohë atë të rrotullohet poshtë, a nuk pati protesta studentore një fat të tillë? Ndaj kur luftojmë politikisht duhet të luftojmë për një “universitet tjetër” e jo vetëm për uljen e tarifave. Në momentin, që futemi në negociatë me sistemin në atë moment preçiz ai (sistemi) ka fituar. Me fjalë të tjera gjithçka, që fitohet është një pezullim i përkohshëm i represionit në vend të zëvendësimit të institucionit abuziv, që është thelbi i problemit.

Megjithatë kemi mësuar, që revolucioni nuk ndodh vetvetiu dhe shumica nuk rriskon gjithçka për ta arritur atë. Për këtë nuk mund të varemi në angazhimin e shumicës, por në një pakicë të disiplinuar energjike dhe mbi të gjitha e vetëdijëshme për momentin dhe rolin historik që ajo ka. Këtu duhet të fokusohemi. Prandaj ne sot kemi nevojë për një parti të re të majtë, ose me saktë për një diskutim jashtë parametrave të media/ portaleve dhe shoqërisë së spektaklit, një diskutim horizontal, që do mund të ngjizte një subjekt politik si alternativë politike ndaj asgjësë, që ekziston sot në vend.

Qasja që na ofron PS sot si e vetmja parti e denjë për emrin, është “martesa” e interesave të biznesmenëve me atë të klasës së mesme dhe kjo ka rezultuar një punë e pamundur, duke e futur Shqipërinë prej 30 vjetësh në një krizë politike, por të mos kemi asnjë iluzion, kriza e politikës është kriza e të majtës ose më saktë e mungesës të së majtës në Shqipëri. Ndërkohë, që populli sa herë e ka sjellë të majtën në pushtet si në 97-ën po ashtu dhe në 2013-ën ka bërë hapa të mëdha progresist përpara, ka këputur zinxhirët e interesit jo vetëm duke avancuar si militant partie por si shoqëri e tërë (kujtoni përmasat historike të votimeve si në 97-ën po ashtu në 2013-ën). E majta përpara zhvillimit ka preferuar gjithmonë stabilitetin, duke prodhuar kështu regresin, kështu ndodhi në 2005-ën e mos çuditemi kur të ndodhë e njëjta gjë dhe pas disa muajve. Por a duhet ne të rrimë të presim, që kjo të ndodhë sërish?

Ndërtimi i një alternative socialiste është jo vetëm shpëtim shoqëror përpara problemeve të pa zgjidhura të shumicës së popullsisë por është dhe një mundësi për të ndërtuar një Shqipëri më të mire. Partitë ekzistente nuk kanë idetë as mundësitë për të zgjidhur krizën, në të cilën është zhytur Shqipëria, për pasojë bie si këmbanë shprehja e Walter Benjamin që “pas çdo fashizmi fshihet një revolucion i dështuar”. Nëse kjo frymë e protestës nuk do materializohet për të transformuar shoqërinë dhe institucionet tona politike dhe administrative në një strukturë solidariteti, atëherë askush mos çuditet kur ato të kthehen në një strukturë ushtarake, të ndonjë hibridi nacionalist me mbështetje biznesi.

Në këto kushte beteja e 25 prillit është një betejë e kotë, ajo që do ndodhë pas saj është beteja e vërtetë, kushdo qoftë fituesi nuk do mund të ketë një jetë të gjatë me këto problem, që përballet vendi.

Marx thotë: ‘njerëzimi e krijon vet historinë, por nuk e bën atë si ti dojë qefi: nuk e bën atë në rrethana të vetë-zgjedhura, por në rrethana ekzistuese tashmë, në të dhëna dhe transmetuara nga e kaluara.’

 (“men make their own history, but they do not make it as they please: they do not make it under self-selected circumstances but under circumstances existing already, given and transmitted from the past”.)

Në këto kushte ne nuk mund të fajsojmë të shkuarën për të tashmen tonë, sepse nuk është detyra e prindërve të zgjidhin problemet e fëmijëve, kjo është një detyrë historike e si thuhet: men should make his own history. ( Njeriu duhet të krijojë vet historinë e tij.)

*Autori është drejtor i Institutit të Studimeve Sociale dhe Humane në Tiranë