KOMENT
Që tani!

Kriza e koronavirusit mund të përbëjë një ripërsëritje e përgjithshme që parashikon shpërbërjen e strehave të fundit të rezistencës ndaj kapitalizmit digjital dhe ardhjen e një shoqërie pa kontakte. Përpos... Nëse zërat, veprimet, partitë, popujt, shtetet e prishin këtë skenar të shkruar paraprakisht.

727

A do të fillojë gjithçka përsëri si më parë sapo të tejkalohet kjo tragjedi? Në tridhjetë vitet e fundit, çdo krizë e ka ushqyer një pritje të paarsyeshme për një kthim te arsyeja, vetëdija dhe ndalesa. Besuam në izolimin dhe pastaj në kthimin e një dinamike socio-politike, ku secili do t’i kishte matur më në fund, rrugët pa krye dhe kërcënimet. Rrënia e berzës e vitit 1987 ndikoi në rritjen e privatizimeve. Krizat financiare të 1997 dhe 2007-2008 në shkundjen e globalizimit të lumtur. Por, kjo nuk ndodhi.

Sulmet e 11 shtatorit 2001 provokuan mendime kritike mbi krenarinë amerikane dhe pyetje të shkreta të tipit: “Pse na urrejnë?”. Kjo nuk zgjati po ashtu. Sepse, edhe kur shpie në drejtimin e duhur, lëvizja e ideve nuk është kurrë e mjaftueshme për t’i prishur ligësitë. Duart duhen përfshirë gjithnjë.

Dhe atëherë është më mirë të mos varesh nga duart e qeveritarëve përgjegjës për fatkeqësinë, edhe nëse këta piromanë dijnë të simulojnë, të ndezin zjarrin, të pretendojnë se kanë ndryshuar. Sidomos kur jeta e tyre është në rrezik, sikurse tonat.

Shumica prej nesh nuk kanë përjetuar luftë të drejtpërdrejtë, grusht-shtet ushtarak ose orë policore. Sidoqoftë, në fund të marsit, gati tre miliardë banorë ishin izoluar tashmë, shpesh në kushte të rënda; shumica e tyre nuk ishin shkrimtarë që vëzhgonin lulët rreth shtëpisë së tyre për relaksim në fundjavë. Çfarëdo që do të ndodhë në javët e ardhshme, kriza e koronavirusit është ankthi i parë global i jetës sonë. Ajo nuk harrohet. Politikanët detyrohen ta marrin parasysh. Të paktën pjesërisht.

Prandaj, Bashkimi Evropian sapo ka njoftuar “pezullimin e përgjithshëm” të rregullave të tij buxhetore; Presidenti Emmanuel Macron shtyn një reformë pensionale që ka penalizuar punonjësit e spitalit; Kongresi i Shteteve të Bashkuara ndanë një çek prej 1.200 dollarësh për shumicën e amerikanëve. Por dikur, pak më shumë se dhjetë vjet më parë, për ta shpëtuar sistemin e tyre në ankth, liberalët kishin pranuar një rritje spektakolare të borxhit, një ribalanc buxhetor, shtetëzimin e bankave, restaurimin e pjesshëm të kontrollit të kapitalit. Pastaj, shtrëngesat (austeriteti) i lejoi ta rimerrnin atë që e kishin lëshuar në një gjendje të shpëtimit. E të bëjnë edhe disa hapa ‘përparues’: punëtorët do të punonin më shumë dhe më gjatë në kushte të pasigurisë së shtuar; “investitorët” dhe rentierët do të paguanin më pak tatime.

Grekët paguajtën çmimin më të madh të kësaj përmbysje kur spitalet e tyre publike, në ankth financiar dhe pa ilaçe, u përballën me kthimin e sëmundjeve për të cilat mendohej se ishin zhdukur.

Kështu, ajo që fillimisht dukej si një rrugë mëndafshi mund të shpie në një “strategji shoku”. Më 2001, një orë pas sulmit kundër Qendrës Botërore të Tregtisë, këshilltarja e një ministre britanike ia kishte dërguar këtë mesazh zyrtarëve në ministrinë e saj: “Kjo është një ditë shumë e mirë për t’i sjellur dhe vendosur më lehtësisht të gjitha masat që duhet t’i ndërmarrim.” Ajo nuk mendonte domosdoshmërisht për kufizimet e vazhdueshme që do të vendoseshin mbi liritë publike, me pretekstin e luftës kundër terrorizmit, aq më pak luftën në Irak dhe fatkeqësitë e panumërta që do të shkaktonin ky vendim anglo-amerikan.

Por njëzet vjet më vonë, nuk është e nevojshme të jesh poet apo profet për ta imagjinuar “strategjinë e shokut” që po merr formë me masat: “Qëndroni në shtëpi” dhe “distancohuni”. I tërë shoqërizimi jonë rrezikon të destabilizohet nga digjitalizimi i përshpejtuar i shoqërive tona. Urgjenca shëndetësore do ta bëjë atë edhe më të ngutshme, apo plotësisht të vjetëruar. Pikëpyetja është nëse është ende e mundur të jetosh pa Internet. Gjithkush tashmë duhet të ketë dokumente identiteti me vete. Së shpejti, një telefon celular jo vetëm që do të jetë i dobishëm, por do të kërkohet për qëllime kontrolli. Dhe, meqë monedhat dhe kartëmonedhat janë një burim i mundshëm i kontaminimit, kartat bankare të cilat janë bërë një garanci e shëndetit publik, do të lejojnë që secila blerje të regjistrohet dhe të arkivohet. “Kredia sociale” e stilit kinez ose “kapitalizmi mbikëqyrës”, tërheqja historike në të drejtën e patjetërsueshme për të mos lënë gjurmë kur nuk thyejmë asnjë ligj, përbrendësohet në mendjet tona dhe në jetën tonë, pa hasur ndonjë reagim tjetër se një mahnitje e papjekur.

Qysh para koronavirusit ishte bërë e pamundur të udhëtosh me tren pa e zbuluar statusin tënd civil; pa e përdorur llogarinë tënde bankare në internet, që nënkupton zbulimin e numrit tënd të telefonit tuaj celular. Udhëtimi garantonte që po xhirohesh. Me krizën shëndetësore, ndërmerret një hap i ri. Në Paris, dronët vëzhgojnë zonat e ndaluara; në Korenë e Jugut, sensorët paralajmërojnë autoritetet kur temperatura e një banori paraqet një rrezik për komunitetin; në Poloni, banorët duhet të zgjedhin midis vendosjes së një aplikacionit të vërtetimit të izolimit në celularët e tyre dhe vizitave të shumta të policisë në shtëpitë e tyre. Në kohë katastrofe, masa të tilla vëzhgimi janë të mirëpritura. Por, ato mbijetojnë edhe pas urgjencave.

Trazirat ekonomike që po marrin formë konsolidojnë gjithashtu një univers ku liritë po ngushtohen. Për të shmangur kontaminimin, miliona biznese ushqimore, kafiteri, kinema, librari janë mbyllur në të gjithë botën. Ato nuk kanë shërbime të sjelljes së produkteve në shtëpi dhe nuk kanë shansin të shesin produkte virtualisht. Pas krizës, sa prej tyre do të rihapen dhe në çfarë gjendje? Por, nga ana tjetër, biznesi do të jetë më i ndritshëm për gjigandët e shpërndarjes, si Amazon i cili po përgatitet të krijojë qindra mijëra vende pune për shoferë etj, apo edhe për Walmart i cili paralajmëron rekrutimin shtesë të 150.000 “bashkëpunëtorëve”. Dhe kush më mirë se ata i njohin shijet dhe përzgjedhjet tona? Në këtë kuptim, kriza e koronavirusit mund të përbëjë një ripërsëritje e përgjithshme që parashikon shpërbërjen e strehave të fundit të rezistencës ndaj kapitalizmit digjital dhe ardhjen e një shoqërie pa kontakte.

Përpos… Nëse zërat, veprimet, partitë, popujt, shtetet e prishin këtë skenar të shkruar paraprakisht. E zakonshme është të dëgjosh: “Politika nuk është punë e imja”. Deri në ditën kur të gjithë e kuptojnë se ishin përzgjedhjet politike që i detyruan mjekët të përzgjedhnin pacientët që do të përpiqen të shpëtojnë dhe ata që duhet flijuar. Ja pra, këtu është pika. Çështja është edhe më e vërtetë në vendet e Evropës Qendrore, Ballkanit dhe Afrikës, të cilët për vite me radhë kanë parë punonjësit e tyre mjekësor të emigrojnë në rajone më pak të kërcënuar ose me punë më fitimprurëse. Përsëri, këto nuk ishin përzgjedhje të diktuara nga ligjet e natyrës. Sot, pa dyshim, ne i kuptojmë më mirë. Izolimi në shtëpi është gjithashtu një kohë kur të gjithë ndalen dhe mendojnë…

Me shqetësimin për të vepruar. Qysh tash. Sepse, ndryshe nga ajo që sugjeroi Presidenti francez, nuk është më çështje e “të menduarit mbi modelin e zhvillimit në të cilin është përfshirë bota jonë”. Përgjigja dihet: duhet ta ndryshojmë. Qysh tash. Dhe meqenëse “delegimi i mbrojtjes sonë tek të tjerët është marrëzi”, atëherë le të ndalemi të jemi të varur nga varësitë strategjike për ta ruajtur një “treg të lirë dhe të ç’rregulluar”. Macron paralajmëroi “vendime shkëputjeje”. Por ai nuk do t’i marrë kurrë ato vendime që imponohen. Jo vetëm pezullim i përkohshëm, por kundërshtim përfundimtar i traktateve evropiane dhe marrëveshjeve të tregtisë së lirë, që flijuan sovranitetet kombëtare dhe ngriten konkurrencën në vlerë absolute. Që tani.

Secili e di tashmë koston e të besuarit në zinxhirët e furnizimit të shtrira në të gjithë botën dhe të veprosh pa rezerva me kujdesin për të furnizuar një vend në shqetësim me miliona maska shëndetësore dhe farmaceutike, nga të cilat varet jeta e pacientëve, stafit spitalor, arkëtarëve etj .

Të gjithë gjithashtu e dinë se çfarë i kushtojnë planetit shpyllëzimet, delokalizimet, grumbullimi i mbeturinave, lëvizjet e përhershme. Çdo vit, Parisi mirëpret tridhjetë e tetë milion turistë, më shumë se shtatëmbëdhjetë herë nga numri i banorëve të tij dhe komuna është e kënaqur …

Tashmë, proteksionizmi, ekologjia, drejtësia sociale dhe shëndeti janë të ndërlidhura. Ato përbëjnë elementët kryesorë të një koalicioni politik anti-kapitalist mjaft të fuqishëm për të imponuar, që tani, një program shkëputjeje.