Regjimi iranian ose një njeri që po mbytet, nuk ka frikë nga shiu

(First the bad news, then the good news…which may be even worse - Slavoj Žižek)

842

Në një kafe në Tiranë kishin vënë një këngë të Elvis Presley.

Ajo – Bukur këndon ky!

Ai – Po, po, shumë bukur dhe tani po i këndon në ishull Tupacut, Hitlerit dhe Kasem Suleimanit.

Ajo: – Po Kasem Suleimani kush është?

Goxha çlirim kjo pyetje, logjika ta do të mendosh, që kjo Lufta e III-të Botërore mbase nuk është aq afër sa mendoja. Në fillim si tragjedi dhe më pas si farsë, thoshte Marksi. E di, e di, është shprehje klishe. Në fakt nuk ishte dhe aq klishe për lexuesin shqiptar, u bë e tillë kur e përdori Andi Bushati në një shkrim. Andi ka bërë klishe Albin Kurtin e lëre më Marksin. Sidoqoftë mbetet e vetmja shprehje, që mund të perifrazojë këtë situatë tensioni mes SHBA-ve dhe Iranit. Nuk ka luftë më të përqeshur në internet sesa kjo. I vetmi moment historik, mbase, me të cilin mund të krahasohet është kur ISIS pati idenë brilante të kërcënonte vendin tonë me atë tipin, që thoshte “Vallaj ditë të zeza kanë me ardh për ju!” Ditët e zeza erdhën, por për atë.

Vrasja e Gjeneral Kasem Suleimanit erdhi si atëherë kur amerikanët vendosën të ndërhyjnë në Lindjen e Mesme, në momentin më të pafavorshëm. Në Iran prej muajsh njerëzit ishin në shesh duke vendosur një precedent fantastik të ndryshimeve që vijnë nga brenda. Dhjetëra të vrarë e qindra të plagosur ishin një tregues që populli ishte ngritur kundra ayatollahëve dhe simbolit të tyre në terren pikërisht Kasem Suleimanit. Vrasja e tij, në fakt, i shkon plotësisht për shtat regjimit ekzistues, sepse, siç e dimë nga historia, nuk ka mënyrë më të mire për të konsoliduar një qeveri në pushtet sesa lufta! Për të bërë një paralelizëm; të vrisje Kasem Suleimanin tani është si t’i bëje atentat Kico Mustaqit në prill të ’92-shit, që ju prehtë shpirti në paqe! Edhe pse paralelizmi mes personave nuk është i qëlluar, askush nuk e mohon se, edhe për arsye politiko-ekonomike, ka një paralelizëm mes regjimeve që janë në rënie të lirë.

Gjenialitetin e politikës së jashtme amerikane ne e gjejmë gjatë gjithë kohës prezente në politikën iraniane njësoj si atëherë kur me një grusht shteti CIA hodhi kryeministrin e vetëm popullor dhe të ardhur nga një proces demokratik Mossadegh (fakt i provuar dhe pranuar, jo konspiracion) e sjelljen e Shahut në pushtet së bashku me policinë e tij sekrete, që e bënë shumë më të lehtë për ayatollahët, për ta hedhur këtë të fundit dhe instaluar një regjim autokratik fetar. Lufta e përgjakshme Irak-Iran, e frymëzuar plotësisht nga amerikanët, i ndihmoi në legjitimimin përfundimtar të këtij regjimi në shtëpi e zhdukur përfundimisht forcat progresiste të majta, që kishin marrë pjesë në përmbysjen e SHAH-ut e kishin akoma mbështetjen në popull; luftë kjo që prodhoi dhe Kasem Suleimanin e forcat Quds, të cilat shërbyen pak a shumë si agjentë provokatorë, për të gjithë zonën e tyre të influencës në Lindjen e Mesme. E, në fund, pikërisht ndërsa regjimi po përpëlitej, ja dhe një tjetër “dhuratë nga Qielli”.

Kasem Suleimani, sipas deklaratave edhe të policisë shqiptare, para se ta pësonte nga qielli kishte patur idenë brilante të kryente akte terroriste edhe në Shqipëri, por Ardi Veliu e kishte neutralizuar, për këtë gjë këtu tek ne nuk u fol shumë gjatë.

Ne në rajon kemi halle të tjera në fakt. Lufta e Tretë Botërore as nuk na hyn në sy fare. Në Kosovë nuk ka akoma qeveri, në Maqedoni ka qeveri provizore dhe në Shqipëri ka vetëm qeveri. E vetmja opozitë, që është akoma aktive është ajo e Muxhahedinëve Iranianë, e cila konsiston në disa mijëra vetë të dislokuar në një fshat të vogël mes Durrësit dhe Tiranës, që ka për detyrë të bëjë komente negative në internet kundra regjimit në Iran. Pak a shumë si grupi i të rinjve maqedonas në Veles, që nëpërmjet profileve fallco bënin fushatë për Donald Trump.

Ne në Shqipëri të gjithë problemet na vijnë nga opozitat. Madje edhe nga ato, që nuk janë vendase. Prej ekzistencës së kësaj opozite kreu i shtetit iranian na konsideroi “Një vend i vogël dhe i keq”?!! Kjo situatë, ne, shqiptarëve, na kapi pak të papërgatitur, se jemi mësuar që kërcënimet t’i bëjmë vetë. Kështu ka ndodhur kur kërcenonim Turqinë otomane, Italinë fashiste, Bashkimin Sovjetik, Kinën dhe vetëm para pak vitesh një njohje të vjetër të Iranit, Irakun. Atëbotë si aleat kryesorë të presidentit Bush. Sot, këtë e them dhe për të ndihmuar miqtë iranianë, politikën tonë të jashtme e udhëheq Amerika dhe në ndonjë rast specifik Erdogan, kështu që nëse keni kërcënime të tjera mund t’ja adresoni drejtpërdrejtë përgjegjësit kryesor.

Por një fjalë do t’ua themi se na duket absurde që ne të konsiderohemi armik të Iranit, kur në fakt jemi i vetmi vend, që po strehon iranianë, të cilët nëse ju, të dashur lexues, do merrni numrin e 2-të të Le Monde Diplomatique në shqip, e do lexoni reportazhin e Ylli Patës do e kuptoni, që ata po kalojnë një jetë aq idilike në kodrat e buta të Tiranës, sa më shumë ngjajnë me Budhistë sesa me luftëtarë muxhahedinë. E nëse regjimi iranian do të donte, fjala vjen, në një frymë reciprociteti të strehonte opozitën shqiptare, diku në periferi të Teheranit, ne do ishim më shumë se të kënaqur për ta  e do kishim vetëm falenderime e për kërcënime as nuk do na shkonte ndër mend. Madje, nëse nuk do donin t’i merrnin të gjithë se helbete i kanë dhe shpenzimet e larta, mund të sugjeroja Sali Berishën vetëm, ai tashmë është një njeri digjital, gjithçka i duhet është një atmosfere urrejtje dhe një kompjuter.

E fundit dhe më e rëndësishmja, siç bota mbarë e di, por me sa duket akoma jo kreu i shtetit iranian, Shqipëria më datë 1 Janar, mori drejtimin e OSBE-së e do ta mbaj atë për plot një vit. Ky vit është po ashtu edhe vit zgjedhor në SHBA ku në diskutim është rizgjedhja e presidentit Trump. Matematikën mund ta bëjnë vetë, por ajo që duket e sigurtë është që Hassan Rouhani nuk do ta konsumojë hashuren e fundvitit me këtë sjellje. Kjo do të thotë, që nëse brenda këtij viti Irani do të ketë zgjedhjet e para demokratike pas shumë dekadash diktature, gjejeni pak kush do i organizojë? Megjithatë siç thotë dhe një proverb iranian: “Një njeri që po mbytet, nuk ka frikë nga shiu”.

*Autori është drejtor i Institutit të Studimeve Sociale dhe Humane në Tiranë