Më 2008, z.Barack Obama pati vendosur të ishte i kujdesshëm kur e caktoi veteranin centrist Joseph Biden, si kandidatin e tij për zëvëndës-President. Demokratët patën shprehur asokohe vullnetin e tyre për shkëputje, duke e përzgjedhur një zezak progresiv që e kundërshtonte luftën në Irak, për pasues të z.George W. Bush.
Në nëntorin e ardhshëm është z.Biden ai i cili do t’i veshë ngjyrat e tyre. Por, ai nuk frymëzon asnjë entuziazëm. Pra, një « casting » i mirë politik kërkonte që Biden ta zgjidhte një simbol eksitues për zëvëndëse të tij. Jo të radikalitetit politik, por të “përfshirjes”. Prandaj edhe emërimi i znj.Kamala Harris, si një vajzë nga prindër emigrantë (njëri xhamajkan, tjetra indiane) e martuar me një hebre.
Por rreziku ndalet këtu. Sepse, për pjesën tjetër, senatorja e Kalifornisë është një politikane konvencionale dhe oportuniste që askush nuk e ndërlidh me gjë tjetër, përveçse me ambicie të forta personale dhe me talentin e saj të përkryer për mbledhjen e fondeve nga miliarderët[1].
Çmimet në Wall Street, të cilat ishin rritur në marsin e kaluar, kur z.Biden mundi Bernie Sandersin, u rriten përsëri me lajmin e emërimit të znj.Harris. Pasi pësoi një dështim të thellë në fushatën primare demokrate, ajo u desh të tërhiqej në fund të vitit të kaluar para votimit të parë. Ajo do t’i detyrohet gjithçka burrit që e zgjodhi dhe që do të mund ta pasojë. Kjo vjen në një moment të mirë, meqë ajo mendon pak a shumë si ai : Amerika është e madhe, Amerika është e bukur, disa reforma do ta bëjnë atë edhe më të mirë; vlerat e saj frymëzojnë botën; aleancat e saj ushtarake mbrojnë demokracinë liberale kundër tiranëve.
Z.Biden dhe znj.Harris nuk angazhohen të arrijnë shumë më tepër sesa z.Obama gjatë dy mandateve të tij. Gjë që do të thotë pak gjëra. Të paktën ata nuk do ta kenë pamaturinë për të pretenduar, siç ai pati bërë natën e zgjedhjes së tij: “Ne mund ta kujtojmë këtë ditë dhe t’iu themi fëmijëve tanë, se ngritja e oqeaneve filloi të ngadalësohej dhe se planeti po shërohet”. Tetë vjet më vonë, prej kur z.Obama ia lëshoi vendin z.Donald Trump, fëmijët u rritën pa e ngadalësuar ngritjen e oqeaneve.
Udhërrëfyesi i “biletës” Biden-Harris ka të paktën një qëllim entuziazmues : dëbimin e Presidentin aktual nga Shtëpia e Bardhë dhe pastrimin e një institucioni që demokratët besojnë se është përdhosur nga një bandit. Së fundi, një nga udhëheqësit demokrat e krahasoi z.Trump me Benito Mussolinin duke thënë se “Putini është Hitleri[2] ». Një shënjestër kaq e urryer pritet ta mobilizojë elektoratin demokrat kundër tij më 3 nëntor.
Shumica e kryeqyteteve evropiane shpresojnë gjithashtu për një kthim të një presidence “normale” në Washington. Të paaftë për ta nxjerrë veten nga lidershipi amerikan, përfshirë edhe kur ushtrohet nga një udhëheqës i pakultivuar dhe i zhurmshëm, kryeqytetet evropiane mendojnë se një administratë demokratike do t’i trajtojë ata më mëshirshëm. Dhe se do ta bëjë më të besueshëm diskursin e përsëritshëm mbi demokracinë, « botën e lirë » dhe vlerat e Perëndimit. A duhet të gëzohemi me një restaurim të tillë i cili ka për motiv të vetëm alternativ zbukurimin me ngjyra apokalipsi?
[1] Michela Tindera, « Billionaires Loved Kamala Harris », Forbes, New York, 12 gusht 2020.
[2] Sipas z.Jim Clayburn, njëri nga drejtuesit e shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, më 2 gusht në CNN.