Le Monde Diplomatique – Shqip është botimi i licencuar në gjuhën shqipe i mujores së njohur franceze Le Monde Diplomatique.
Ky botim realizohet nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” nga Prishtina, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Sociale dhe Humane nga Tirana. Materialet, informacionet, fotografitë dhe videot janë të mbrojtura me të drejta autoriale. Ato nuk mund të kopjohen, të shtypen, modifikohen, ripublikohen, transmetohen ose përdoren në çfarëdo forme tjetër, pa miratimin e Le Monde diplomatique – Shqip.
Shfrytëzimi i tyre pa lejen paraprake konsiderohet shkelje e drejtave autoriale dhe sanksionohet me dispozitat ligjore në fuqi.
Kush jemi ne?
Le Monde Diplomatique – Shqip është botimi i licencuar në gjuhën shqipe i mujores së njohur franceze Le Monde Diplomatique.
Redaksi e veçantë në gjuhën shqipe, botimi për lexuesin shqipfolës i mujores me numrin më të madh të artikujve të shpërndara në botë, realizohet nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” nga Prishtina, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Sociale dhe Humane nga Tirana.
Kësisoj, Le Monde Diplomatique – Shqip i është bashkuar dhjetëra botimeve ekzistuese ndërkombëtare: në gjuhën angleze, gjermane, italiane, japoneze, turke, arabe e deri në gjuhën perse, kurde, farsi, esperanto etj.
Le Monde Diplomatique-Shqip nuk është media e zakonshme në hapësirën shqipfolëse. Ajo ofron artikuj, reportazhe, komente dhe analiza nga e tërë bota dhe rajoni.
Le Monde diplomatique-Shqip nuk është media komerciale, që ka synime fitimprurëse. Ai është një projekt jofitimprurës i një organizate joqeveritare.
Sot, në kohën e digjitalizimit, nuk mungon informimi. Edhe në hapësirën shqipfolëse ka gjithkund informim. Në televizione, në radio, në gazeta, në portale, në rrjete sociale etj. Informim të shpejtë, të shkurtër, protokollar dhe të lokalizuar.
Por, përvoja ka dëshmuar se shpejtësia dhe thjeshtësimi i informimit jo rrallëherë prodhojnë dezinformim, keqinformim dhe mosbesim.
Le Monde Diplomatique – Shqip është ndryshe. Është gazetari tematike, hulumtuese, analitike, universale, kritike dhe e “ngadalshme”.
Shqipërimi i Le Monde Diplomatique është përpjekje për më shumë kohezion shoqëror, në kohën e globalizimit dhe në zemër të modernitetit numerik.
Duke përkthyer artikuj nga skena ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe duke prodhuar artikuj vendorë kryesisht me karakter social, ekonomik dhe kulturor, Le Monde Diplomatique – Shqip nuk është vetëm në shërbim të universalizimit të sociokulturës shqiptare, por mbi gjithash një platformë që synon ta pasurojë hapësirën mediatike e publike me tema mbi barazinë, drejtësinë sociale, qytetarinë dhe bashkëjetesën etj.
Le Monde Diplomatique – Shqip do të ndihmoj ta kuptojmë realitetin tonë përmes këndvështrimit ndërkombëtar dhe njëkohësisht ta analizojmë e ta kuptojmë botën përmes përditshmërisë tonë duke i pasur parasysh edhe veçoritë shoqërore, politike, kulturore dhe historike të rajonit tonë.
Shqipërimi i Le monde diplomatique është përpjekje për ta zhvilluar tutje një gazetari profesionale, pjesëmarrëse dhe jopersonale, në një mjedis ku jo rrallëherë në emër të lirisë së shprehjes, përhapen ide ksenofobe, konservatore, eksploatuese, fanatike, autoritare, oligarkike, patriarkale etj.
Një gazetari të angazhuar që ka për synim të së vërtetës besnikërinë ndaj një ideali jetese, e që nuk përkufizohet vetëm në fakte duke toleruar ideologjitë vrastare edhe në emër të neutralitetit. Një gazetari që nuk mjaftohet me përhapje mendimesh, sepse të tilla nuk mungojnë në pluralizmin mediatik dhe publik.
“Nëse nuk besojmë në asgjë, nëse asgjë nuk ka kuptim dhe nëse nuk mund ta shpërfaqim asnjë vlerë, atëherë gjithçka është e lejuar dhe asgjë nuk ka rëndësi. Atëherë nuk ka as të mirë dhe as të keqe. E rrjedhimisht edhe Hitleri nuk e kishte as mirë dhe as keq. Apo ai i cili e ka me të drejtë do të ishte ai i cili ka sukses, ai i cili e ka mirë përderisa ka sukses”, thoshte Albert Camus.
Tanimë çdo muaj, lexuesi në gjuhën shqipe ka një mundësi më shumë. Një hapësirë të re. Aty ku gjuha shqipe dhe shoqëria shqipfolëse është pjesë e “Le monde” si njerëzim dhe “Diplomatique” si marrëdhënie.
Redaksia e Le Monde Diplomatique-Shqip
Historiku
Le monde diplomatique është themeluar në vitin 1954 nga Hubert Beuve-Méry. Ai shënjon një epokë ku gjithçka dukej e mundur: perandoritë koloniale dobësoheshin, bota e tretë bashkohej në Bandung për t’i kundërshtuar fuqitë e mëdha të kohës, si dhe lulëzonin mendimet emancipuese. Në ndërkohë ngriteshin popujt në veri dhe në jug. Si trashëgimtare e këtij shpirti rebel dhe të vendosur, Le Monde Diplomatique është edhe gazeta franceze më e shpërndarë në botë. Ajo përkthehet sot në më shumë se njëzet gjuhë në rreth tridhjetë vende të botës. Le Monde Diplomatique ndërthur një hapësirë të gjerë për çështjet ndërkombëtare me një vizion kritik të asaj që më së shpeshti mbetet e munguar në media: ideologjia dhe funksionimin global i kapitalizmit, pasojat ekologjike dhe sociale të tregtisë së lirë, rreziqet e “përplasjes së qytetërimeve”, prapavijat e aleancave ushtarake, utopitë e nevojshme, perspektivat e formave të reja të demokracisë në epokën e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike. Të bindur se qasjet krahasuese dhe distanca historike shkatërrojnë iluzionet e aktualitetit ngulfatës, redaksia e mujores kujdeset që në çdo numër të kombinoj analiza, reportazhe dhe hulumtime. Duke u frymëzuar nga një këndvështrim i veçantë dhe rigoroz, që jetësohet nga qindra bashkëpunëtorë të huaj, Le Monde Diplomatique është gazeta referuese për të gjithë ata që duan ta kuptojnë botën, por edhe ta ndryshojnë. Tirazhi i Le Monde diplomatique me botimet e tij ndërkombëtare tejkalon 2,4 million kopje.