KOSOVË: ROMËT MIDIS INTEGRIMIT DHE PËRJASHTIMIT
Shtypja në emër të meritokracisë

Megjithë përfaqësimin e garantuar përmes vendeve të rezervuara në organet më të larta legjislative dhe ekzekutive, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët mbeten të mënjanuar në shoqëri dhe të zhytur në varfëri, sidomos për shkak të diskriminimit në punësim dhe arsim.

481

Emërimi i Sinbad Sonkit për të udhëhequr Drejtorinë e Financave dhe Buxhetit në Kamenicë është përcjellë me jo pak kritika. Argumenti kryesor: Sonki është vetëm 21 vjeç dhe nuk ka arsim të lartë. Pra, sipas kritikëve, Sonki ka siguruar padrejtësisht një detyrë kundrejt atyre që janë më kompetentë për nga përvoja e punës dhe për nga niveli arsimor. “Pa përvojë pune dhe me vetëm shkollën e mesme të përfunduar, ai beson se do të sjellë ndryshime në këtë drejtori”, theksonte gazetarja në kronikën “Opozita kritikon emërimin e 21-vjeçarit drejtor në komunë të Kamenicës”, të lajmeve qendrore të KTV-së, një nga televizionet kryesore nacionale në Kosovë.

Por, Sinbad Sonki është rom. Dhe kjo përkatësi identitare, edhe në Kosovë, shpie pashmangshëm në nevojën e (ri)mendimit të ndërlidhjes së çështjeve sociale me qasjen në arsim dhe në të drejtën për punësim.

“Romët nuk kanë kushte financiare për të përfunduar as shkollën e mesme”, shpjegon Sonki, duke theksuar se vetëm një rom në Kamenicë ka përfunduar studime universitare. Sikurse shumica e romëve që përbëjnë rreth 1% të banorëve të Kamenicës, Sonki nuk ka mundur të studionte në fakultet për shkak të varfërisë. Ai e kreu arsimin fillor në njërën nga dy shkollat në gjuhën serbe, për ta vazhduar shkollën e mesme të mjekësisë. “Pajtohem se përvoja e punës është e rëndësishme, por njerëzve duhet me ju dhënë një shans, sepse jo të gjithë kanë mundësi të barabarta”, thotë Sonki, që zotëron sot katër gjuhë: rome, serbe, shqipe dhe angleze.

Për kryetarin e Komunës, Qëndron Kastrati, integrimi i të gjitha komuniteteve etnike në qeverisje, veçanërisht atyre për të cilat ekzistojnë paragjykime, mbetet jo vetëm prioritet i qeverisjes, por edhe nevojë shoqërore.

“Kam qenë i vetëdijshëm se jo të gjithë do ta mirëpritnin emërimin e Sonkit, por është e rëndësishme që, në njërën anë, të luftohen paragjykimet ekzistuese në adresë të romëve dhe, në anën tjetër, t’u jepet mundësi atyre që nuk kanë pasur kushte të barabarta për t’u shkolluar dhe punësuar”, sqaron kryetari i Kamenicës nga radhët e Partisë Socialdemokrate.

Racizmi

Studime dhe hulumtime të shumta në Kosovë, vendore e ndërkombëtare, vazhdimisht kanë nxjerrë përfundime se ksenofobia, paragjykimet dhe stigmatizimet ndaj romëve janë mjaft të rrënjosura në shoqërinë kosovare. Përkundër strategjive të ndryshme dhe projekteve të shumta, diskriminimi mbetet i pranishëm herë në formë direkte, herë në mënyrë të tërthortë, e, shpesh, në formë strukturore.

“Kosova nuk përbën përjashtim sa i përket mosintegrimit të romëve, pavarësisht investimeve të shumta të cilat janë bërë nga donatorët e ndryshëm në aspektin e integrimit të romëve në shoqëri përmes programeve socio-ekonnomike.  Kjo për shkak se nuk është trajtuar elementi që konsiderohet të jetë kyç i përjashtimit dhe që është anti-gjipsizmi”, thotë Isak Skenderi, drejtor ekzekutiv i organizatës « Voice of Roma, Ashkali and Egyptians » (VoRAE).

Kjo formë racizmi ka të bëjë jo vetëm me gjërat që thuhen ose bëhen, por, brenda saj, përfshihen paragjykimet e shumta të trashëguara ndër shekuj, jo vetëm në Kosovë e rajon, por edhe në Evropë dhe më gjerë. Madje, prania e këtyre paragjykimeve, jo rrallëherë, ka normalizuar praktikat e ndryshme diskriminuese.

“Nëse duam të ndikojmë në integrimin e komuniteteve, nuk mund t’i trajtojmë ato në mënyrën e barabartë, sepse pikënisjen nuk e kanë të njëjtë” – ISAK SKËNDERI

Së fundi, pas tërmetit në Shqipëri, disa romë që erdhën për t’u strehuar në Kosovë nuk u mirëpriten në shtëpitë kosovare sikurse bashkështetasit e tyre shqiptarë. Ironikisht, kjo ndodhi pak ditë pas një fushate kundër racizmit, në shenjë mikëpritjeje për lojtarët anglezë, me rastin e ndeshjes futbollistike Kosovë-Angli.

“Paragjykimet dhe stigmatizimet klasike për romët vazhdojnë të zhvillohen. Ende na thërrasin ‘magjup’ dhe na cilësojnë si të papastër dhe hajna”, thotë Sinbad Sonki.

“Kamenica dëshiron ta dëshmojë të kundërtën. Gjithëpërfshirja drejt kohezionit shoqëror ndihmon edhe komunitetin rom, por edhe komunitetin me shumicë shqiptare, që të thyhen paragjykimet në raport me romët dhe ta ndryshojmë mendimin e qasjen kolektive”, thotë me optimizëm Qëndron Kastrati, duke shtuar se masat afirmative duhet të përcillen me veprime të mëtejme, në veçanti investime në shkollim.

Përfaqësim lart, diskriminim poshtë

Por, sigurisht se përfaqësimi institucional, edhe përmes sistemit të vendeve të rezervuara, nuk mjafton për gjithëpërfshirjen shoqërore. Siç dihet, komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane gëzojnë katër ulëse të rezervuara në Kuvendin e Republikës. Po ashtu, edhe përfaqësim në ekzekutiv të përcaktuar nga Kushtetuta e Kosovës. Në qeverinë e fundit, 6 zv/ministra dhe rreth 20 këshilltarë kanë qenë pjesëtarë nga këto komunitete.

Megjithatë, organizatat joqeveritare theksojnë që nuk shihet shumë rezultat në integrim nga puna e të zgjedhurëve në institucione. Së fundi, Gazeta « Insajderi » ka raportuar se disa nga të zgjedhurit e këtyre komuniteteve dyshohen për keqpërdorime të fondeve publike, sikurse disa kolegë të komuniteteve të tjera. 

Në zgjedhjet e fundit, të mbajtura me 6 tetor 2019, pozitën e deputetit nga radhët e këtyre komuniteteve e kanë fituar: Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, Etem Arifi nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës dhe Elbert Krasniqi nga Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, që është edhe ulësja e dytë nga komuniteti egjiptian në Kuvendin e Kosovës.

Statistikat tregojnë se pjesëtarët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptiane, jetojnë në varfëri të skajshme, pa mundësi për nevojat elementare. Një gjendje e tillë, me të ardhura të pamjaftueshme, e shndërron në përditshmëri betejën e tyre për mbijetesë.

Të dhënat e një raporti mbi gjendjen e këtyre komuniteteve, nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur (KFOS), pasqyrojnë që në Kosovë, një pjesëtar i komunitetit rom jeton me 81 centë në ditë (24.42 euro në muaj), një pjesëtar nga komuniteti ashkali jeton me 65 centë në ditë (19.54 euro në muaj), kurse një pjesëtar nga komuniteti egjiptian jeton me 74 centë në ditë (22.20 euro në muaj).

“Gjendja e rëndë ekonomike, bashkë me shkallën e ulët të arsimimit dhe nivelin po ashtu të ulët të punësimit, ndikon që këto komunitete të mbeten brenda asaj që njihet si rrethi vicioz i varfërisë”, sqaron Isak Skenderi.

Raporti tematik: “Respektimi i kuotës së punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”, nga korriku 2019 tregon se rezervohen shumë pak kuota për punësimin e këtyre komuniteteve në institucionet publike.

Ndonëse Ligji 03/L-149 mbi Shërbimin Civil në Republikën e Kosovës parasheh që “në kuadër të shërbimit civil në institucionet e nivelit qendror, minimum 10% e posteve duhet të rezervohen për personat të cilët u përkasin komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë dhe që përmbushin kriteret specifike të punësimit”, të dhënat paraqesin përfshirje tejet të ulët të pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptiane.

Në vitin 2018 numëroheshin vetëm 113 të punësuar romë, ashkalinj dhe egjiptianë nga gjithsej 30.635 të punësuar në shërbimin publik, pra vetëm 0,4%. 113 të punësuarit janë të shpërndarë vetëm në 10 nga 56 institucionet ekzistuese, që do të thotë se në 46 institucione publike nuk ka asnjë të punësuar nga këto komunitete.

Gjendje e rëndë sa i përket punësimit rezulton edhe në nivelin lokal, edhe në komunat ku janë me përqindje më të lartë. Në Mitrovicë, ku sipas regjistrimit të fundit jetojnë 1181 pjesëtarë nga tre komunitetet, që përbën 1.64% të popullsisë totale, në dy vitet e fundit, 2017 dhe 2018, numri i të punësuarëve është zero në sektorin publik. Në Gjakovë jetojnë 738 romë, 613 ashkali dhe 5117 egjiptianë, e që bashkë rezultojnë të jenë më shumë se 6.8% e popullësisë totale. Por, vetëm 31 prej tyre punojnë në sektorin publik, konkretisht në administratë dhe në arsim, meqë asnjë nuk punon në fushën e shëndetësisë. Gjendje e ngjashme mbizotëron edhe në Ferizaj dhe në Fushë-Kosovë.

Lidhur me çështjen e punësimit, Skenderi pohon se shteti i Kosovës nuk është duke i trajtuar të gjitha komunitetet në mënyrën e barabartë : “Përderisa sipas regjistrimit të fundit komunitetet rome, ashkalinj dhe egjiptiane përbëjnë mbi 2% të popullësisë, ata janë të përfaqësuar me më pak se 0.3%”.

Shkollimi për të pasurit

Pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian vazhdojnë të ballafaqohen me pamundësinë për të ndjekur shkollimin. Fëmijët nga këto komunitete nisin klasët e fillores, por numri i tyre përgjysmohet në bankat e shkollës së mesme. Kjo si pasojë e shkallës së lartë të papunësisë dhe varfërisë.

Publikimet vjetore të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (MAShT) dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se në gjithë Kosovën, për vitin shkollor 2018-2019, arsimin fillor dhe të mesëm të ulët e ndoqën 3439 nxënës nga komuniteti ashkali, 1509 nga komuniteti rom dhe 845 nga komuniteti egjiptian. Në të njëjtin publikim rezulton se mësimet në arsimin e mesëm të lartë e vijuan 261 nxënës nga komuniteti ashkali, 161 nga ai rom dhe vetëm 160 në mesin e egjiptianëve.

Të dhënat e paraqitura në publikimet vjetore për dy vitet e fundit shkollore tregojnë se nga 94 romë të cilët përfunduan klasën e nëntë në vitin shkollor 2017-2018, një vit më vonë (viti shkollor 2018-2019), vetëm 58 prej tyre vijuan me klasën e dhjetë apo vitin e parë të shkollës së mesme të lartë, 36 më pak apo rreth 40% më pak përkthyer në përqindje.

Një krahasim i tillë për periudhat e njëjta tregon po ashtu se nga 249 nxënësit ashkali që mbaruan klasën e nëntë përgjatë vitit shkollor 2017-2018, vetëm 97 prej tyre filluan klasën e dhjetë në vitin shkollor 2018-2019. Mbi 71% të tyre braktisën shkollën me të mbaruar klasën e nëntë. Kurse, nga 88 nxënësit egjiptianë që mbaruan klasën e nëntë në vitin shkollor 2017-2018, vetëm 71 prej tyre filluan klasën e dhjetë një vit më vonë, apo rreth 20% të tyre nuk u ulën në bankat e gjimnazit.

Disa organizata joqeveritare veprojnë me programe të ndryshme për përmirësimin e kësaj gjendjeje. VoRAE me programin e mësimit shtesë administron 19 qendra në territorin e Kosovës. Kurse, në total ekzistojnë më shumë se 80 qendra që ofrojnë mbështetje për më shumë se për 5000 fëmijë, të administruara prej organizatave të ndryshme dhe donatorëve të ndryshëm.

“Kemi ndërtuar programin nacional për bursa për nxënës të shkollave të mesme të komuniteteve, i cili është pranuar nga MAShT dhe jemi në rrugëtim të institucionalizmit të plotë të këtij programi, ku ministria do të marrë jo vetëm përgjegjësinë operacionale, por edhe përgjegjësinë financiare të këtij programi. Çdo vit shpërndahen 500 bursa për nxënësa të komuniteteve”, tregon Isak Skënderi.

MAShT vitin e kaluar e ka nënshkruar një udhëzim administrativ për themelimin dhe funksionimin e qendrave mësimore, si një hap drejt institucionalizmit të këtij modeli dhe marrjes së përgjegjësisë operacionale dhe financiare në administrimin e këtij programi. Edhe në Raportin e Progresit të vitit të fundit nënvizohet progres sa i përket arsimit, ku theksohet rritja e regjistrimit në shkolla dhe rritja e numrit të bursave për këto komunitete, nga 500 në 600.

Por, pavarësisht këtyre hapave, praktikat diskriminuese trondisin pjesëtarët e këtyre komuniteteve që në bankat shkollore. Raste jo të rralla të segregacionit në klasë kundër romëve janë shfaqur mjaft shpesh. Raste të urrejtjes ndaj tjetrit me idenë e dashurisë për veten, siç e ka treguar studiuesja Sara Ahmed: “Urrejmë bashkë”, sepse ai që urren një grup të tërë mendon në fakt se e bën nga dashuria për grupin e tij që mendon se e mbron nga grupi tjetër, aty ku prodhohet një kozmologji e përditshme me subjektin imagjinar (“ne” që urrejmë romët) dhe objektin po aq imagjinar (“romët” që i urrejmë).