NDRYSHIMET E REGJIMEVE ME ÇELËSA NË DORË
Si të eksplorojmë demokracinë liberale?

Që në fund të luftës së ftohtë, disa pushtete të vendosura në mënyrë solide, u përballën me një metodë të re destabilizimi: një rezistencë e bazuar mbi një jodhunë aktive. Nga Beogradi deri në Kajro, nga Karakasi në Kiev, ose akomë më shumë deri në Bolivi, trajektorja e një grupi të vogël studentësh serbë të kujton rolin që mund ta luajë një pararojë e përcaktuar më parë. Por, në emër të cilave ide dhe me çfarë mbështetje?

387

Kjo sagë filloi në një ditë vjeshte të vitit 1998, në një kafene në qendër të Beogradit. Pjesa më e madhe e të rinjve që ishin të pranishëm përmbushën detyrat e tyre në manifestimet studentore të vitit 1992 dhe më pas në ato të viteve 1996-1997. Duke themeluar lëvizjen Otpor («Rezistencë!»), fillimisht, ata donin rrëzimin e presidentit jugosllav Slobodan Milosheviç i cili, duke qenë në pushtet që nga viti 1986, mori në dorë universitetet. Për t’i bërë përshtypje një vajze që merrte pjesë në lëvizje, njëri nga studentët, z. Nenad Petroviç Duda, skicoi në një copë letër një grusht të zi të ngritur lart. Një mëngjes nëntori klishetë e Otpor-it u shfaqën nëpër muret e qendrës së qytetit shoqëruar me slloganet kundër regjimit. Katër militantë të rinj u arrestuan dhe u dënuan  me pesëmbëdhjetë ditë burg. Grushti i ngritur  është marrë nga e përditshme Dnevni Telegraf, redaktori i së cilës Slavko Curuvija, u thirr para trupit gjykues. 

« Otpor-i! u shfaq si një forcë e re. Me anë të këtij procesi, ne u bëmë menjëherë të shquar», tregon z. Srda Popoviç, student në biologjinë detare dhe muzikant që ëndërronte të bëhej i njohur në muzikën rock, para se të merrej me politikë. Kjo «forcë» në fillim të saj numëronte rreth tridhjetë studentë. Një vit më vonë, me mijëra persona  tundnin simbolin e Otpor-it.  Në të gjithë vendin. « Shumë shpejt ndërtuam infrastrukturën në qëndrat universitare. Partitë e opozitës nuk ishin të bashkuara. Rinia po rreshtohej në radhët tona », shpjegon bashkëthemeluesi i lëvizjes. 

Organizimi i vogël dhe funksionimi i tij horizontal, pa drejtues zyrtarë, dolën karta  të forta për të dobësuar dhe diskretituar  regjimin nëpërmjet satirës. Lëvizja, para së gjithash, kërkon që të mobilizojë popullatën dhe sidomos rininë, që tregon një mosinteresim të madh për jetën politike. Otpor bashkoi si monarkistët apo socialdemokratët ashtu dhe liberalët. Dukej një mungesë e kërkuar e boshtit drejtues: «Nuk bëjmë shumë politikë, sepse kjo bëhet e mërzitshme; duam që ndërhyrjet tona të jenë të këndshme dhe mbi të gjitha të shkaktojnë të qeshura», thotë Z. Popoviç që i sheh lidhjet e tyre me një kult – Monty Python-it[1]). Kur, p.sh., një grup i Otpor-it nxori në sfilatë një gomar mbushur me zbukurime ushtarake në Krusevac, në Serbinë qëndrore, policia arrestoi të rinjtë por nuk diti ç’të bënte me gomarin: «Duke krijuar një  skenë ekstravagante, disa policë u munduan të shtyjnë kafshën në një furgon duke e goditur me shkop, rrëfen z. Srdan Milivojeviç, një ushtarak i vjetër. Turma bërtiste: «mos e prekni heroin kombëtar!»  Të qeshurat humoristike që u pasuan me arrestime, ishin ne faqet e para të «gazetave», ndërsa represioni policor ndihmoi në shkatërrimin e ligjshmërisë së pushtetit, duke provokuar ndarje midis ndjekësve të fundit të Milosheviçit. 

Brezi Otpor u rrit në një periudhë ku mbizotëronin luftërat vrastare në ish-Jugosllavi dhe një izolim total. Si projekt politik, ky brez ëndërron «një jetë normale». « Ne shohim nga kanalet satelitore se si jetonin njerëzit e brezit tonë në Paris apo dhe në Londër, ndërkohë që tek ne raftet e dyqaneve ishin bosh. Kemi luftuar për mbijetesë »,  rrëfen z. Predrag Leçiç, një tjetër anëtar i rrethit të parë të Otporit! « Ne nuk luftuam për diçka, por kundër dikujt », përmbledh në fund z. Ivan Maroviç, zëdhënës zyrtar i Otpor-it, që sot jeton në Kenia. 

Në vitin 1999, lufta e Kosovës dhe bombardimet e Republikës federale të Jugosllavisë nga NATO-ja shënuan një kthesë. « Më 24 mars 1999, u zgjova  për të konstatuar se Franca  nuk ishte më në zemër të Serbisë, por në qiellin e saj, nga ku po hidhte me qindra bomba me qëllim ndërshkimin e regjimit », kujton Z. Milivojeviç. « Nuk bën dot opozitë kur vendi yt është duke u bombarduar », shton Z. Popoviç, mamaja e të cilit shpëtoi për fat nga bombardimet që synonin televizionin kombëtar ku ajo punonte si gazetare. Ai u fsheh ndërsa Curuvija u vra nga spiunët e regjimit. 

Pas kësaj periudhe çoroditjeje, Otpori është forca e parë politike që kaloi në aksion. Duke hequr dorë nga emri « student », qëllimi i të cilit ishte të zgjerohej baza dhe të kanalizoheshin pakënaqësitë, ky formacion u shndërrua në një lëvizje popullore. Pavarësisht shtypjes gjithmonë e në rritje, ajo lajmëroi krijimin e një fronti të bashkuar kundër pushtetit, me parti politike, shoqata, media të pavaruara dhe sindikata. Më pas, në mes të viteve 2000, Otpori u shndërrua në një lëvizje të fortë me shumë mbështetës dhe e aftë  për të luajtur një rol vendimar në krahun opozitar. 

Një organizim “edukativ” 

Nën një presion të brendshëm dhe të jashtëm, Milosheviçi njoftoi zgjedhje të parakohshme në shtator të vitit 2000. Otpori kontribuoi duke marrë pjesë në zgjedhje dhe në rënien e presidentit. 

Z. Popoviç hyri në Parlament si përfaqësues i Partisë demokrate. Ai u bë këshilltar i ministrit Zoran Gjingjiç, më pas anëtar i kabinetit të ministrit të ekologjisë dhe këshilltar për zhvillimin afatgjatë pranë zëvendës-kryeministrit. Vitet epike mbaruan. Lëvizja tentoi të shndërrohet në parti, por zgjedhjet parlamentare të vitit 2003 u kthyen në një fiasko: ajo mori 1,6% të votave.

Megjithatë, nuk është fundi i aventurës për atë që paraqitet gjithmonë si një «revolucionar ordiner». Në vitin 2003, z. Popoviç krijoi Qendrën për aksionet dhe strategjitë jo të dhunshme të zbatuara (Center for Applied Nonviolent Action and Strategies Canvas) me z. Slobodan Dinoviç,  një tjetër themelues i Otpor-it. Në vitet në vazhdim, instruktorët e Canvas shpërndanë dijet e tyre në rreth pesëdhjetë vende, si Gjeorgji, Ukrainë, Bjellorusi, Shqipëri, Rusi, Kirgikistan, Liban apo dhe Egjipt. 

Në ndërtesat e mbyllura të Canvas, që ndodhen në një qendër tregtare jo shumë tërheqëse të Beogradit të Ri, asgjë nuk të lë të kuptosh se aty ka ekzistuar një rrjet i tillë. « Stërvitja dhe formimi i aktivistëve u shndërruan në profesionin tonë, tregon z. Popoviç. Mësimi i parë mundohet të krijojë një unitet  përmes  një vizioni të fortë për të ardhmen. Po u shpjegoj atyre se si të bashkojnë njerëz të horizonteve ideologjike të ndryshme rreth  një qëllimi të përbashkët për të marrë më shumë se 50% të votave».

Kur nuk është aty për të menaxhuar organizatën e tij, drejtori, z. Dinoviç, jep mësime mbi luftën jo të dhunshme diku andej nëpër botë. Midis vendeve të ardhshme në listë figurojnë Vietnami, Zimbabve, Zelanda e Re, Siria, Somalia, Papuazia perëndimore, Azerbajxhani, Papuazi -Guinea e Re, Venezuela, dhe Irani. A premton Canvas një vizion për botën? « Ne nuk jemi një organizatë ideologjike, por edukative, përgjigjet z. Popoviç. Ngjyra politike e aktivistëve nuk ka shumë rëndësi. Ne verifikojmë vetëm nëse janë apo jo ekstremistë, sepse ideologjitë ektreme nuk kanë aftësi rritjeje në një luftë jo të dhunshme ». 

Ekipi i Canvas u ngushtua. « Pesë persona, pesë rroga, ndërtesa dhe një lidhje interneti falas, telefona falas, shpjegon në detaje z. Popoviç. Dymbëdhjetë persona të dalë nga katër vende japin kurse formimi të ndryshme. Dhe nuk bëjnë veç këto: Gjeorgjanët japin mësim gjetkë ; një filipinase militon në një Organizatë Joqeveritare, këtu në Beograd; një djalë punon në informatikë; një tjetër drejton një qendër kontabiliteti ». 

Klientët e parë  erdhën nga Europa lindore. Fondi për arsimin europian – një fondacion polak – kontaktoi me Canvas në shtator të vitit 2002 me qëllim formimin e ushtarakëve të lëvizjes Zubr (« bizon »), që shpresonte t’i jepte fund regjimit të z. Alexandre Lukashenko në Bjellorusi. Por, gjashtë muaj më vonë, autoritetet  e këtij vendi i deklaruan të dërguarit e tyre si persona non grata. Para se të merrnin pjesë në « revolucionin e trëndafilave » dhe në fillimet e Edouard Chevardnadze-s, në nëntor të vitit 2003, militantët gjeorgjianë të lëvizjes Kmara (« Mjaft ») ndoqën, gjithashtu, një kurs formimi në Serbi në qershor të vitit 2003. Por, sidomos në Ukrainë, gjatë vjeshtës së vitit 2003 dhe dimrit të vitit 2004, metodat serbe do të zbatoheshin në një shkallë të madhe (lexoni në faqen tonë të internetit « Një prototip për revolucionin portokalli në Ukrainë ») Pas kthimit të tyre, ukrainasit do të formonin militantë nga vendet e tjera: Azerbajxhani, Lituania, Rusia, Irani, etj…

Ndryshimet e regjimit në Europën qëndrore apo lindore ngjallën një interes në botën arabo-muslimane, në Amerikën e Jugut apo dhe në Afrikë. Grushti i zi doli sërish në qarkullim më 2005, menjëherë pas revolucionit të Kedrës, më pas u shfaq në Maldive tre vjet më vonë. Në vitin 2009, rreth pesëmbëdhjetë militantë egjiptianë të Lëvizjes rinore të 6 prillit dhe të Kifaya-s (« Mjaft ») mbërritën në Beograd për të studiuar strategjitë që mund të ndihmonin në rrëzimin e presidentit të palëvizshëm Hosni Mubarak. Disa atelje u vendosën në buzë të liqenit Palic, afër kufirit me Hungarinë. « Është një rast unik ku modeli është marrë në gjithë tërësinë e tij. Ata organizuan pesëdhjetë atelje në pesëmbëdhjetë qytete egjiptiane », pohon z. Popoviç. « Formimi që ne ndoqëm, në lidhje me mosbindjen civile, luftën jo të dhunshme dhe mjetet për të shkatërruar shtyllat e sistemit, ndikoi në mënyrën sesi reagoi lëvizja jonë », pohon z. Tarek El-Khouly, një anëtar i vjetër i « 6 prillit », përgjegjës i organizatës së manifestimeve. 

Të nxitur nga ngjarjet në Tunizi, nisur edhe nga karakteri i tyre spontan dhe nga rrëzimi i menjëhershëm i presidentit Zine El-Abidine Ben Ali, shumë të rinj militantë dolën të gjithë në sheshin Tahrir, në Kajro, në janar të vitit 2011. Ata mbanin banderola ku dallohej grushti i shtërnguar dhe sllogani « Grushti shkund Kajron! » Të nesërmen, në internet qarkullonin broshura, që tregonin me saktësi vendet që duhet të merreshin (radiotelevizioni egjiptian, komisariatet e policisë, pallati presidencial) dhe mënyrat që do të përdoreshin për të rrethuar forcat e rendit. Pas rënies së z. Mubarak, disa militantë u bashkuan me marshallin puçist Abdel Fattah Al-Sissi, ndërsa të tjerë u rrasën në burg. 

Mbështetja e opozitës venezueljane  

I konsideruar nga disa si « një arkitekt sekret » i pranverës arabe, z. Popoviç mendon se humbja shpjegohet me mungesën e një projekti: « Ata donin vetëm të rrëzonin Mubarakun, por nuk kishin menduar se çfarë do të bënin më pas. Në Ukrainë dhe në Serbi, ishte e thejshtë: donim të jetonim si Europa. Por, për vendet arabe, nuk kishte një model pozitiv. Mbërritën vëllezërit muslimanë dhe ushtria, ndërsa militantët përfunduan në burg. Ishte e trishtueshme të vdisje ». 

Nëse ai e kundërshton se ka formuar në mënyrë direkte « presidentin » e vetëshpallur të Venezuelës, z. Juan Guaido, z. Popoviç e pranon se opozitari i regjimit të z. Nicolas Maduro është një mik i tij: « Sigurisht  që do të bëja gjithçka  që do të ishte brenda fuqive të mia për të ndihmuar luftën kundër regjimit që edhe ushtria nuk arrin më ta mbrojë nga qytetarët e vet ». Pas rizgjedhjes së pakundërshtueshme të Hugo Chaves-it, në dhjetor të vitit 2006, me 62% të votave, Canvas formoi lëvizjen rinore venezueljane Generacion 2007 dhe punoi me aktivistët venezueljanë, veçanërisht  në Meksikë dhe Serbi. Shumë anëtarë të ekipit të z. Guaido ndoqën një kurs formimi në Beograd në vitin 2007: Zonja Geraldine Alvarez, drejtoresha e komunikimit; Zonja Elisa Totaro, që ka punuar mbi komunikimin e lëvizjes studentore duke u frymëzuar nga metodat dhe identiteti vizual i Otpor-it, ku z. Rodrigo Diamanti, ishte i ngarkuar me ndihmën humanitare që vinte nga Europa. 

Në një tekst të qershorit 2017, përgjegjësit e Canvas ekspozojnë atë ç’ka do të ishte një strategji efikase në sytë e tyre: « Opozita venezueljane duhet të flasë me policinë, duke përdorur muzikën, përqafimet dhe lulet, dhe të mos hedhë mbi te Molotov, gurë apo bomba me fekale (2) ».

Që në shtator të vitit 2010, Canvas  kishte identifikuar dobësinë kryesore  të strukturës së vendit, furnizimin me energji elektrike: « grupet e opozitës mund të përfitonin nga situata (2) »  Në shumë vende, si Egjipti i presidentit Mohamed Morsi (vëllezërit mulsimanë, 2012-2013), ndërprerjet e energjisë elektrike bënë që të lëkundej një pjesë e  opinionit. Sektorë të pakënaqur të ushtrisë mund të vendosnin të ndërhynin, por vetëm në një situatë kundërshtimi masiv, sipas dokumentit: « Ishte matrica e tre tentativave të fundit për grusht shteti. Atje ku ushtria mendonte se kishte një mbështetje të mjaftueshme, opinioni publik nuk u përgjigj pozitivisht dhe grushti i shtetit dështoi ». Pas vdekjes së Chaves, në mars të vitit 2013 dhe degradimit të ekonomisë, tentativat për destabilizim u rritën. 

Në mars të vitit 2019, centrali hidroelektrik Simon-Bolivar pëson defekt. Karakasi dhe pjesa më e madhe e Venezuelës u zhytën në errësirë. Degradimi i infrastrukturës, që kishte nisur që në vitin 2010, kishte arritur në atë fazë sa një ndërhyrje e mundshme nga jashtë nuk mund të bënte dot asgjë. Sekretari Amerikan i Shtetit Michael Pompeo nuk vonon të reagojë në Twitter: « Nuk ka ushqim, nuk ka ilaçe, dhe tani nuk ka as energji elektrike. Vazhdimi, është…nuk duhet të ketë as Maduro ».  « Drita do të vijë sërish kur uzurpimi (i Maduros) do të mbarojë », plotëson z. Guaido duke lëshuar një thirrje forcave të armatosura. Një thirrje e kuptuar tërësisht nga z. William Brownfield, ambasadori i dikurshëm amerikan në Karakas: « Për herë të parë, keni një drejtues të opozitës që i drejton një mesazh të qartë forcave të armatosura dhe pushtetit legjislativ. Ai i do në krah këta ëngjëj dhe djem të mirë (2) ». 

Ky rast tregon sesi objektivat e Canvas u përputhën në mënyrë perfekte me ato të qeverisë amerikane, të promovuara përmes agjensisë për zhvillimin ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (United States Agency for International Development, USAID) dhe Zyrës së tij iniciuese për tranzicionin (Office of Transition Initiatives, OTI). Në një shënim në nëntor 2006, botuar nga Wikileaks, z. Brownfield e përshkruante strategjinë amerikane në Venezuelë: « Të forcohen institucionet demokratike; të ndërhyhet në bazën politike të regjimit; të ndahet çavizmi; të mbrohen interesat jetësore të Shteteve të Bashkuara; të izolohet Chavez ndërkombëtarisht ». 

Para se të përmblidhte gjithçka: « Këto objektiva strategjikë përfaqësojnë pjesën më të rëndësishme të punës së USAID – OTI në Venezuelë (2) ». Canvas nuk ka ndërhyrë asnjëherë tek aleatët e shumtë  dhe thelbësorë të Shteteve të Bashkuara, si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe apo Pakistani. 

Për të kuptuar ndikimin e ekipit të vogël të Canvas në shumë vende, duhet të rikthehemi në fundin e viteve 1990. Një raport special i Institutit të Shteteve të Bashkuara për paqen (United State Institute of Peace) i 14 prillit 1999, na futi në pistën e duhur: « Qeveria e Shteteve të Bashkuara duhet të rrisë në mënyrë të ndjeshme mbështetjen e saj për demokracinë në Republikën federale të Jugosllavisë për ta çuar në nivelin e saj aktual nga 18 milionë dollarë në 53 milionë dollarë gjatë këtij viti fiskal (…) Këto fonde mund të financojnë udhëtime jashtë vendit për drejtuesit studentë dhe të mbështesin programme studimi dhe stazhe në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara (2) ». 

Raporti është ilustruar nga një grusht i zi i ngritur, simbol i Otpor! 

« Aktorë të shumtë ndërkombëtarë ishin të interesuar të rrëzonin « Slobon » (Sllobodan Millosheviç), shpjegon z. Popoviç. Ishin njerëz me të cilët mund të flitej për politikë dhe të merrje para, si p.sh Fondacioni kombëtar për demokracinë (National Endowment for Democracy, NED), Instituti republikan ndërkombëtar (IRI) dhe Instituti kombëtar demokratik (NDI), që bashkëpunonin me partitë politike, dhe Freedom House që punonte me mediat ». Edhe pse zyrtarisht « jo qeveritare » këto katër institucione kanë dalë direkt nga dy partitë e mëdha politike amerikane dhe janë financuar nga Kongresi apo nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. 

Ambasadori i dikurshëm amerikan në Bullgari, në Kroaci dhe në Serbi, z. William Dale Montgomery, tregoi sesi sekretari i shtetit të asaj kohe, znj. Medeleine Albright, e kishte kthyer rrëzimin e Millosheviçit në një prioritet, duke mbështetur veçanërisht Otpor(2). « Opozita u shfaq bashkë me Madeleine Albright. (Opozitari) Vuk Draskovic i puthte asaj dorën; fotografia e kësaj skene u përdor nga  pushteti. Ky lloj takimi për të bërë fotografi, nuk është mbështetje. Pikërisht për këtë arsye ne nuk bëmë kurrë fotografi me ta », komenton z. Popovic. 

« Nuk dimë se si ta rrëzojmë Millosheviçin. Më pas ai njoftoi për zgjedhje të parakohshme dhe ne, papritur, na u dha rasti për të filluar një fushatë nxitëse kundër tij», tregon z. James C.O’Brien, i dërguari special në atë kohë  i presidentit Ëilliam Clinton në vendet e Ballkanit (2). Ky drejtues i vjetër i planifikimit politik në departamentin e shtetit, që në kohën e zëvendës-presidentit të Albright Stonebridge Group (ASG) është shndërruar në një  nga shoqëritë e shumta amerikane të themeluara nga funksionarët e dikurshëm, përfaqësues të ushtrisë dhe diplomatë që kanë ardhur pas luftës për të blerë ndërmarrje publike në Kosovë (3). 

Sipas z. Paul B. McCarthy, që dikur ka qenë përgjegjës i zonës së NED-it, Otpor  do të ketë marrë pjesën më të madhe të 3 milionë dollarëve që ishin shpenzuar nga organizata amerikane në Serbi duke filluar që në shtator të vitit 1998. Këto fonde shërbyen  për rimëkëmbjen e manifestimeve dhe fabrikimin e materialeve të propagandës – bluza më mëngë të shkurtra, afishe dhe reklama që shfaqnin grushtin e shtërnguar – si dhe për formimin dhe kordinimin  e militantëve. « Kemi nxjerrë dy milionë trakte me mbishkrimin « Ai mbaroi », që i shpërndamë në të gjithë Serbinë. Kemi komitete në 168 vende. Bëhej fjalë për rrjetin më të madh të militantëve; asnjë parti në Serbi nuk numëronte një numër të tillë. Dikush pagoi për këtë, si dhe për zyrat, celularët etj… » – tregon z. Leçiç.

Formimi i aktivistëve serbë përfshinte stazhe mbi strategjitë e luftës jo të dhunshme sipas doktrinës së Gene Sharp, një politolog i Universitetit të Harvardit, i zhdukur në vitin 2018,  veprat e të cilit jane pika referimi në këtë fushë. Në hyrjen e edicionit të tretë të librit të tij nga diktatura në demokraci, Sharp shkruan: « Kur vizituam Serbinë, pas rënies së regjimit të Millosheviçit, na thanë se libri kishte pasur një ndikim të madhe mbi opozitën (2) ». Gjatë seminarit që u mbajt në Budapest gjatë verës së vitit 2000, Z. Popoviç dhe drejtues të tjerë të Otporit u ftuan nga IRI dhe u njohën me z. Robert Helvey, një bashkëpunëtor i afërt i Sharpit. Veteran i Vietnamit, atashe i dikurshëm ushtarak në Rangoon dhe kolonel në pension, ekspert pranë shërbimeve të studimeve ushtarake amerikane, z. Helvey formoi studentët serbë duke ndjekur linjën e metodës së Sharpit: « Strategjia është po aq e rëndësishme në veprimet jo të dhunshme si dhe në ato ushtarake ». 

Versioni i z. Popoviç ndryshon: « Nuk na kanë mësuar asgjë, këmbëngul ai. Kemi parë Helvey në Budapest për katër ditë me radhë, çka ka krijuar këtë histori, sipas së cilës amerikanët e këqinj kishin ardhur tek ne. Por ne e patëm më herët këtë ide». Z. Popoviç, prej kohësh, kishte krijuar lidhje me kolonelin Helvey, që ishte shndërruar në « mikun dhe profesorin e tij », ose më mirë të themi në « Gidën e tij personale » (2). Koloneli e pagëzoi macen e tij Serdga, që është dhe emri i z. Popoviç. « Ai e shqipton keq », zbavitet ky i fundit, që tregon vizitën që i ka bërë në Shtetet e Bashkuara dhe bisedën e tyre mbi armët që ai zotëron. « Në këtë pikë, ai është një amerikan i vërtetë. Në bëmë shaka gjatë gjithë kohës në lidhje me këtë temë ». Ai nguroi  të bashkëpunonte me një kolonel të ushtrisë amerikane? Nuk e konsideroj si një kolonel të ushtrisë. Megjathatë ideologjia e Otpor ishte qartësisht jo e dhunshme ».  Në të njëjtën kohë, ai e përkufizon strategjinë që e mësojnë të dy si një luftë me mënyra të tjera, « Një luftë asimetrike. Nuk ishim një grup fëmijësh naivë, por militantë politikë seriozë ». 

Sipas Washington Post, operacioni kundër Millosheviçit i kishte kushtuar rreth 41 milionë dollarë Shteteve të Bashkuara: «Qe fillimi i një përpjekjeje të jashtëzakonshme për të rrëzuar nga froni një kryetar shteti të huaj jo më nëpërmjet një operacioni sekret, si ato që CIA (Central Intelligence Agency) ka kryer në Iran apo Guatemala, por duke përdorur teknika të një fushate elektorale moderne (2) ». Një rrjet ndërkombëtar bashkëpunëtorësh do të merrnin pjesë në këtë punë, që përfshinte organizatat si Freedom House – një organizëm i financuar nga qeveria amerikane dhe Bashkimi Europian që ka të drejtën e mbrojtjes «së të drejtave të njeriut dhe të demokracisë » – dhe fondacione private si Ford, Carnegie, Rockfeller, Open Society Institue i z. Xhorxh Soros apo dhe Mott Foundation. Rrjeti përfshin gjithashtu ambasadorë dhe punonjës ambasade që kishin lidhje me partitë e opozitës dhe përfaqësuesit e « Shoqërisë civile ». 

Fondet dhe mbështetjet e jashtme nuk i shkaktojnë asnjë problem z. Popoviç, sepse, sipas tij, bëhej fjalë për « organizata që punojnë në transparencë të plotë ». Në të kundërt, tema provokon një reaksion acarues tek z. Maroviç: « për kë punoni ju, për Putinin? Kjo ide erdhi në muajt e fundit të betejës sonë kundër Millosheviçit. Përse ta paraqesim si mizore? Kjo është makineria e propagandës së Kremlinit që e rrëfen këtë gjë që nga revolucioni në Ukrainë, në vitin 2004. Ata u munduan të diskretitonin luftën jo të dhunshme duke e paraqitur si të imponuar nga jashtë », rrëfen aktivistja e dikurshme. 

Z. Popoviç është shumë më i paqartë kur e pyet se nga vjen financimi i Canves: « Kostot fikse, rrogat dhe zyrat janë financuar nga fondet tona, në mënyrë që të jetojmë të pavarur, dhe të mos rendim pas parasë ». Duke folur për projektet, ai shton: « Ne kemi punuar me më shumë se tridhjetë organizata » – pa dhënë shpjegime të mëtejshme, përveç faktit për të njohur rolin e Freedom House në Egjipt. Në faqen e Canvas, janë listuar vetëm miqtë, por nuk mund të shohim ndihmat që vijnë nga jashtë Serbisë. 

Burime të tjera tregojnë se dega amerikane e Fondacionit Roi Baudouin në Belgjikë i ka dhënë 2,5 milionë dollarë Canvas-it midis viteve 2006 dhe 2015, për projekte në Siri dhe Egjipt.  

Qendra ndërkombëtare për konfliktet jo të dhunshme (ICNC) nuk rreshtohet më si partner i Canvas. Në fakt zotërinjtë Maroviç dhe Popoviç bashkëpunojnë që në vitin 2003 me Qendrën ndërkombëtare mbi konfliktet jo të dhunshme (International Center on Nonviolent Conflict), themeluar në vitin 2002 nga zotërinjtë Jack Du Vall dhe Peter Ackerman. Ky i fundit është një student i dikurshëm i Sharpit që është pasuruar në financë dhe në obligacionet me rrezik të lartë.  Kur partneri i tij në biznes u dënua me burgim për mashtrim, ai u kthye nga promocioni i demokracisë.  Në vitin 2015 ai u zgjodh president i këshillit të Freedom House. Ai qe pasuesi i z. James Woolsey, drejtor i dikurshëm i CIA-s, ambasador i Shteteve të Bashkuara në negociatat e traktatit në lidhje me forcat konvencionale në Europë dhe këshilltar i dikurshëm i Komitetit të çështjeve ushtarake të Senatit amerikan. Por z. Ackerman nuk ka hequr dorë nga tregtitë dhe drejton akoma dy shoqëri investimesh: Crown Capital Group dhe RockPort Capital. 

Z. Popoviç takoi Zonjushën Du Vall dhe Ackerman gjatë xhirimit të dokumentarit të tyre mbi Otpor, Bringing Down A Dictator (2002). Z. Maroviç mori pjesë në realizimin e dy lojërave me video të prodhuara nga ICNC: A Force More Powerful (2006) dhe People Power (2010). Koncepti ishte përmbledhës: bota strehon diktatorë të këqinj dhe demokratë të mirë, dhe bëhet akoma më e  mirë kur heqim qafe të këqinjtë. Z. Maroviç ka nxjerrë një manual për ICNC: The Path of Most Resistance (« Rruga e rezistencës më të madhe »). Në vitin 2016, ai themeloi Rhize, një OJQ e specializuar në këshillim dhe formimin e lëvizjeve sociale. 

Militanntët e dikurshëm u rekrutuan nga institucione që kishin një zyrë të tyren, si Freedom House, apo dhe fondacione private, si ajo e z. Soros.  Të tjerë iu bashkuan elitës politike, bile dhe qeverisë së vendit ë tyre. Z. Popoviç dhe z. Dinoviç shmangeshin të jepnin mësim në universitetet amerikane, sidomos në universitetin e Harvardit. 

Z. Popoviç në vitin 2017 u zgjodh rektor i universitetit të St Andrews në Skoci. Ai mban gjithashtu një konferencë një herë në vit në Akademinë e forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara në Kolorado Springs. Teoria ime ngelet e njëjta: 4% e arritjeve të një ndryshimi në regjim janë marrë nëpërmjet veprimeve të dhunshme, dhe 96% nëpërmjet veprimeve jo të dhunshme. Një ditë, këta studentë do të thonë: « Hajde, do bombardojmë » ose « Nuk do të bombardojmë ».  Nëse do të mund të ndikoni në një vendim të këtij lloji, atëherë ju mund të shpëtoni shumë jetë» -deklaron Z. Popoviç, që është nominuar për çmimin Nobël për paqen në vitin 2012, bashkë me Sharpin. Forumi ekonomik botëror i Davos  e veçoi në vitin 2014 mes « drejtuesve të rinj të planetit » (Young Global Leaders), dhe ai ishte mes « njëqind mendimtarëve më të mëdhenj të planetit », në vitin 2011, sipas revistës amerikane Foreign Policy. 


* Gazetare dhe regjisore, Beograd 

[1] Cf.Srđa Popović, Si mund të rrëzojmë një diktator kur jemi vetëm, shumë të vegjël dhe të paarmatosur. Payot, Paris, 2015. 

[2] Srđa Popović dhe Slobodan Đinović, «The blueprint for saving Venezuela», RealClear World, 2 qershor 2017, www.realclearworld.com

[3] « Analysis of the situation in Venezuela », Canvas Analytic Department, Beograd, shtator 2010.

[4] Përmendur nga Ana Vanessa Herrero dhe Nick Cumming-Bruce, « Venezuela’s opposition leader calls for more protests “if they dare to kidnap me” », The New York Times, 25 janar 2019.

[5] « USAid/OTI programmatic support for country Team 5 Point Strategy », shënim i ambasadorit të Shteteve tē Bashkuara në Venezuelë, WikiLeaks, 9 nëntor 2006, https://wikileaks.org

[6] « “Yugoslavia”: Building democratic institutions », Instituti i Shteteve të Bashkuara për paqen,  Washington, DC, 14 prill 1999.

[7] Roger Cohen, « Who really brought down Milošević? », The New York Times, 26 nëntor 2000.

[8] Valerie J. Bunce dhe Sharon L. Wolchik, Defeating Leaders in Postcommunist Countries, Cambridge University Press, 2011.

[9] Matthew Brunwasser, « That crush at Kosovo’s business door? The return of US heroes », The New York Times, 11 dhjetor 2012.

[10] Gene Sharp, Nga diktatura në demokraci. Një kuadër konceptual për lirinë., L’Harmattan, Paris, 2009 (1reéd. : 1994).

[11] Ai përdor si referencë mjeshtrin Jedi të Luftës së yjeve në autobiografinë e tij. 

[12] Michael Dobbs, «US advice guided Milosevic opposition», The Washington Post, 11 dhjetor 2000.

Një frymëzim amerikan 

Tek politisti amerikan Gene Sharp (1928-2018), i prezantuar ndonjëhere si «Makiaveli kundër dhunës», ekipi i Otpor, më pas i Canvas, mori bazat e aksionit të tij (të lexohet artikulli më sipër). Kjo ideologji i përkiste një rrethi të ngushtë strategjish amerikane të grumbulluara në gjirin e Qendrës për çështjet  ndërkombëtare të Universitetit të Harvardit (1), themeluar në vitin 1958 nga Thomas Schelling bashkë me Z. Henry Kissinger, si dhe Robert Bowie dhe Edward Mason. Mes anëtarëve të tij të dikurshëm numërohen këshilltarë të pushtettit dhe teoricienë amerikanë të marrëdhënieve ndërkombëtare nga më me influencë, si Zbigniev Brzezinski, Samuel P. Huntington apo Joseph Nye. 

Schelling, që ka realizuar parathënien e librit më të njohur të Gene Sharpit(1), është veçuar në vitin 2005 nga çmimi i Bankës Suedeze në shkencat ekonomike në kujtim të Alfred Nobelit (i quajtur ndryshe dhe çmimi Nobel për ekonominë) për «përmirësimin e kuptimit nga ana jonë e mekanizmave të konfliktit dhe të kooperimit nëpërmjet analizës së teorisë së lojërave». Duke mbrojtur «diplomacinë e dhunës», ai promovoi idenë sipas së cilës «pushteti për të bezdisur (le pouvoir de nuire) është pushteti për të negociuar», dhe kurorëzoi domosdoshmërinë e një deryrimi që ajo ka përtej përmbajtjes. 

Qendra ka pasur si kontribues edhe David Galula (1919-1967), një oficer francez i cili qe dëshmitar i revolucionit kinez, më pas i luftës civile në Greqi, para se të merrte komandën e një kompanie gjatë luftës së Algjerisë. I ftuar në Harvard nga gjenerali William Westmoreland, komandanti i ardhshëm i trupave amerikane në Vietnam, ai zhvilloi në vitin 1964  jë teori të luftës kundër-revolucionare të bazuar në metodat psikologjike, politike dhe policore sesa në metodat e aksioneve ushtarake klasike: «Në këto rrethana, mund të preferojmë një makineri sesa një mitraloz, një mjek ushatarak i kualifikuar në pediatri në vend të një specialisti llaçi, çimento në vend të televe me gjemba dhe punonjës zyre në vend të këmbësorëve».  E pavlerësuar në Francë, vepra e Galulas që në vitin 2005 u është shpërndarë stazhierëve të Shkollës së luftës amerikane. Në parathënien e kësaj vepre që luan rolin e farit, komandanti i dikurshëm i koalicionit ushtarak në Irak, gjenerali amerikan David Petraeus, e paraqet strategun si «Fitorja e  kundër revoltës».  

Sharpi iu bashkua kësaj qendre në vitin 1965. Ai i kushtoi tridhjetë vjet të karrierës së tij universitare kërkimeve mbi lëvizjet sociale. Sipas tij, goditjet më të efektshme kundër një sistemi janë ata që kanë ardhur me veprime jo të dhunshme, që janë në gjendje të mobilizojnë një numër të mjaftueshëm përkrahësish për të lëkundur shtyllat e pushteit – universiteti, ushtria, policia, media, në mënyrë që këta të fundit të mos jenë më mbështetje. 

Në shpirtin e doktrinës Reagan mbi «promovimin e demokracisë» në botë, Sharp themeloi në vitin 1983 bashkë me disa bashkëpunëtorë të tjerë – mes të cilëve Schelling, që bën pjesë në këshillin e tij – Albert Einstein Institution. Fondet publike siguruan financimin nëpërmjet Fondacionit Kombëtar për demokracinë (National Endowment for Democracy, NED) dhe Institutit republikan ndërkombëtar (IRI). 

Shkrimet e Sharpit frymëzuan veçanërisht qeveritë baltike  në luftën e tyre kundër pushtetit qëndror sovjetik në fillimet e viteve 1990. Ministri i atëhershëm lituanez i mbrojtjes, Z. Audrius Butkevicius thotë atëherë që preferonte të zotëronte një libër të Sharpit sesa një bombë atomike(1).