TURIZMI PAS PANDEMISË
Të rifillosh, por jo si më parë…

Si të ikim nga turizmi duke e rizbuluar thelbin e udhëtimit? Dalja nga ky makth që ka marrë përmasa planetare kërkon ta gjejmë një lidhje të çliruar nga pushtimi. Të largohemi nga përditshmëria pa e pushtuar përditshmërinë e të tjerëve, duke i dhënë prioritet itinerarit dhe jo destinacionit.

986

Duket sikur koronavirusi ka arritur atë që disa ‘desperados’ të “anti-turizmit” nuk kanë mundur as ta imagjinojnë! Aktiviteti të cilin Organizata Botërore e Turizmit e konsideronte si perspektivë e rritjes pakufi është ndalur krejtësisht duke shfaqur brishtësinë e tij. Tani e kemi kuptuar se hiperlëvizshmëria e domosdoshme për kapitalizmin e globalizuar në përgjithësi dhe për turizmin në veçanti mbetet në mëshirën e një ndalje të veprimtarisë që mund të ndodhë në çdo kohë. Një fatkeqësi e tillë nuk është aspak për t’u mirëpritur, duke marrë parasysh jetërat e shkatërruara nga falimentimet dhe largimet nga puna, hapësirat e betonuara dhe shoqëritë e dezinfektuara, me qëllim të shfrytëzimit të çdo burimi material apo njerëzor.

Megjithatë, kapitalizmi mund ta gëlltit shumë mirë Covid-19 me disa veprime të përshtatjes dhe me masa kompenzuese. Në mesin e muajit maj, kryeministri Edouard Philippe ka zhbllokuar 18 miliardë euro për ta ndihmuar turizmin të kapërcejë “sfidën më të rëndë në historinë e tij …”. Tashmë shihet në horizont iluzioni i rritjes së gjelbër, i mbështjellur me një mori gënjeshtrash dhe lëshimesh, që fshehin mospërputhjen mjedisore.

Mos t’i shmangim temat që nuk pëlqehen: në mesin e atyre që thonë se dëshirojnë një “ndryshim”, në të vërtetë sa prej tyre kuptojnë konkretisht se në çfarë mënyre do të ndikoj ky “tranzicion” në shprehitë e tyre? Sa do të kërkoj një transformim i tillë të heqim dorë nga elementet ekzistenciale të rehatisë, të konsideruara deri më sot normale, praktike dhe mbi të gjitha të këndshme? Me neoliberalizmin, shfrytëzohemi në çdo cep të ekzistencës. Në punë, e cila shpesh konsiderohet si punë e mërzitshme. Në aktivitetet e kohës së lirë që shoqërohen me mirëqenie, jetesë të mirë, pushim, kënaqësi , e madje edhe “emancipim”. Këtu shfaqet turizmi, mjet i përfshirjes së kohës së lirë në fushën e mallrave.

Është e lehtë ta denoncosh industrinë e rëndë që mban erë të keqe. Bën zhurmë dhe lidh trupat në vendet e punës. Nga ana tjetër, kritika e tregut të argëtimit dukej deri vonë një ndërmarrje e rrezikshme, në rastin më të mirë qesharake dhe e pavend; në rastin më të keq e dyshimtë dhe kjo në të gjitha mjediset. Turizmi, përveç që ishte i këndshëm, dukej i virtytshëm: favorizonte marrëdhëniet të qeta njerëzore. Ishte një mjet për zhvillimin e shteteve të jugut ose për rajonet e largëta, me “valorizimin” e natyrës dhe kulturave. Për t’i shitur dhe për t’i shfrytëzuar këto aktivitete, ato duhej të mbroheshin përmes tregtimit të tyre, i cili besohej se ishte i verbër ndaj kundërshtimit të logjikës. Pa i cekur përfitimet simbolike për turistët me fat, ata konsumatorë të thjeshtë të lumtur që i kanë mundësitë, apo edhe vetëkënaqësinë e tyre narcisistike gjatë përshkrimit të pushimeve.

Që nga përhapja e punës me pagë dhe më pas të shoqërisë konsumatore, turizmi ka qenë motori ndihmës i shoqërisë produktiviste. Kjo industri ngushëlluese regjistrohet menjëherë si një formë kompensimi për punën e lodhshme. Pagë në shkëmbim të produktivitetit, ky është shkëmbimi djallëzor i mbërthyer në një shpresë nostalgjike: ta shohim pak parajsën, të cilën duhet ta vizitojmë në versionet e shumta dhe në mënyrë fluturuese, duke lëvizur varësisht nga moda dhe dëshira. Për më tepër, zhvillimi i tregut të argëtimit ka bërë të mundur që pagat të mbesin në prehër të konsumit: një pagë duhet të përdoret për të konsumuar.

E drejta për pushime me pagesë u shndërrua shpejt në të drejtën për turizëm

Mbajtja e punonjësit në këtë qark të mbyllur është një taktikë e vjetër. Henry Ford e kishte kuptuar qysh atëherë duke i rritur të ardhurat e punëtorëve të tij në mënyrë që t’ua shiste më mirë veturat e tij dhe kështu ta sigurojë përparimin e lëvizjes individuale – si një praktikues efektiv i taylorizmit, ai e admironte nazizmin, si dhe ishte laborator i vërtetë i masave shtrënguese. Siç e ka treguar qartë Dany-Robert Dufour, i punësuari punon dy herë , një herë duke prodhuar, një tjetër duke konsumuar. Propaganda e marketingut maskon këtë kufizim të dyfishtë duke na lënë përshtypjen se jemi gjithmonë “të lirë t’i bindemi apo jo” urdhërit që të konsumojmë për të ekzistuar. “Nënshtroje lirinë tënde, do të jap kënaqësi” … Si rezultat i një inteligjence perverse, një operacion i madh i mashtrimit me anë të imazheve të peizazheve të bukura, të mikëpritjes së popullsisë vendase dhe të kënaqësisë, bën që nisja për pushime të duket si diçka që në fakt nuk është: një arratisje.

Duhet konstatuar se e drejta për pushime me pagesë, një fitore emblematike shoqërore, u shndërrua shpejt në të drejtën për turizëm: shkuarja në pushim shitej si shenjë e “demokratizimit” të tregut. Në një shoqëri të konsumatorit, demokracia politike degradohet në demokraci të konsumatorit. Politika në fund barazohet me menaxhimin e thjeshtë të “fuqisë blerëse të amvisërive”. Do t’ishte dashur që intelektualët, lëvizjet politike dhe qeveritë, të mendonin më me kujdes për ripushtimin e kohës së lirë dhe për shfrytëzimin e saj, në mënyrë që ta ruanin me xhelozi këtë liri popullore: “Ke kohë,merre dhe ruaje “, siç thotë një formulë që është dalluar gjatë vetizolimit. Por, kapitalizmi është treguar si një arenë e një mashtrimi të hatashëm, përmes ndryshimit të turizmit shoqëror drejt turizmit sipërmarrës.

Fillimisht turizmi është konsideruar në qarqet e Front Populaire dhe pastaj të Libération si një kontribut emancipues me anë të edukimit popullor dhe të zbulimit gjeografik dhe kulturor, mandej është shfrytëzuar nga kapitalizmi, rishpërndarës i shoqërisë së konsumatorit. “Liria”, e cila veq është shndërruar në shërbim, tanimë blihet dhe konsumohet. Më shqtësues është fakti se duket sikur mendimi kritik e ka injoruar tërësisht këtë marketing të hatashëm që i ka futur aktivitetet e kohës së lirë në qarqet e tregut. Këtu kemi të bëjmë me debatin e vjetër në mes reformës dhe revolucionit: ta rregullojmë kapitalizmin për ta bërë të pranueshëm duke e zgjeruar bazën shoqërore të tregut të aktiviteteve argëtuese , ose t’i ndryshojmë kushtet e jetesës dhe ushtrimin e pushtetit duke i rimenduar qëllimet e ekzistencës.

Turizmi, me kënaqësitë e tij të njëpasnjëshme, na bën individë normal, që përshtaten funksionalisht, individë që prodhojnë në punë, që dijnë të kënaqen në pushime. Të ngushëlluar përkohësisht për punën e lodhshme që kemi, tani, kënaqemi me botën e tillë siç është. Tjetër: të lumtur që jetojmë në një vend të zhvilluar, ndjehemi të pasur në kontaktet me më të varfërit,  disa herë ndjehemi në faj – në rastin më të mirë – dhe në rastin më të keq, bëhemi shumë cinik. I tillë është modeli i jetës borgjeze. I shtrirë për ta rritur klientelën dhe për t’i shtuar fitimet. Pandemia e ka ndalur përkohësisht këtë botë, por ajo dëshiron të rifillojë. Vetëm përmes rrethanave të jashtëzakonshme shohim ndjenjën e keqe që fshihet gjithandej.

Qëllimet terapeutike të turizmit nuk përbëjnë diçka të re, por nuk është rastësi që kriza shëndetësore ka shkaktuar mbylljen masive dhe globale pikërisht të kësaj industrie. Nuk është rastësi që ky propozim në favor të një shfrytëzimi shëndetësor të turizmit pas-covid gjindet  nën tastierën e themeluesit të portalit ‘Easyvoyages’, z.Jean-Pierre Nadir: “Pasi t’i shërojmë trupat, do të duhet t’i shërojmë kokat. Nëse rinis makineria, madje mund ta konceptojmë dhe zhvillojmë një plan për një pushim “falas” për personelin shëndetësor këtë verë (në formën e kuponave për pushime)”. Ja pra një sugjerim po aq zbulues sa edhe i pahijshëm, e megjithatë në përputhje me përfitimet shoqërore, le të themi, të turizmit si një formë tregtare e kohës së lirë: t’i riparojmë punëtorët në mënyrë që ata të rifitojnë aftësinë e tyre prodhuese. Për ta shpëtuar veten e tyre, a do të shndërrohen agjentët turistikë në mjekë për çrregullime psikike nga vetizolimi dhe për personel të raskapitur shëndetësor? A do të bëhet turizmi një mision i ri i shërbimeve publike kushtuar shërimit të çrregullimeve të stresit post-traumatik? Këto pyetje duken edhe më shqetësuese duke marrë parasysh se vendet për pushime janë shpesh të mbyllura dhe të izoluara, sikurse spitalet. A do të kalojnë së shpejti në kompetencë të Ministrisë së Shëndetësisë?

Do të duhej t’i rezistonim zhvillimit të vendeve të shkëmbyeshme

Por turizmi nuk është një produkt i rëndësisë së parë . Turizmi i kushtohet individëve që zotojnë  mjete ekonomike për të shkuar në ndonjë vend tjetër vetëm për “kënaqësinë” e tyre. Sipas Observatorit të Pabarazive, 80% e kuadrove shkojnë në pushime, por vetëm 50% e punëtorëve, por as në kushte dhe as në vende të njëjta. Në vendet në zhvillim dallimi është edhe më i madh.

Shërbimet që shiten nga industria e turizmit janë simptomatike të transformimit që është bërë nga globalizimi në marrëdhëniet tona me territorin, domethënë shpërputhjen që kemi me territorin. Në anën tjetër, vetizolimi na ka zhytur përsëri në mungesat dhe mrekullitë e përditshmërisë sonë. Pikërisht në këtë pikë, do të duhej ta mobilizonim aftësinë tonë për veprim mbi realitetin duke u bazuar në inventarin kritik të kushteve tona të jetës. Qëllimi do të ishte ta ndryshojmë atë që duket e pajetueshme në përditshmërinë tonë, ta bëjmë të jetueshme atë që na shtyn të shkojmë ta harrojmë në fund të botës, deri në vrasjen e ekzotizmit, në banalizimin e “nocionit të së ndryshmes”, siç thoshte Victor Segalen, duke e përshtatur atë për ta vërë në shërbimin tonë. Do të duhej t’i rezistonim zhvillimit të vendeve të shkëmbyeshme, të rregullimit të realitetit që me kënaqësi kontribuojnë në shkatërrimin e tij.

Sidoqoftë, çështja nuk është ta shndërrojmë territorin në një kamp të ngulitur, por përkundrazi të shkëmbejmë globalizimin me globalizëm, duke ndjekur rrugën e hapur nga poeti dhe mendimtari Édouard Glissant : “Reflektimi i globalizmit, të cilin e apostrofojmë vazhdimisht, nga frika se nuk do të dimë ta dallojmë nga zjarri rrotullues i globalizimeve tona kataklizmike”. Kjo do të thotë, të kthehemi në një reflektim të vendeve, formave hapësinore të të jetuarit bashkë – nga lagja në pyll – për t’i konsideruar si hapësira të bashkimit ku mediton njerëzimi, ku vendosen marrëdhënie të reja midis njerëzve dhe botës materiale ose natyrës. Na mbetet ta shpikim një reflektim të ndjeshëm, një inteligjencë që do të ishte njëkohësisht poetike edhe praktike, e cila do të synonte forma të reja të mikëpritjes, marrëdhënie të ekuilibruar me gjallesat e jo shkatërrimin e ekosistemeve natyrore edhe kulturore në emër të rendimentit të gjeneralizuar. Do të nevojitej një arsim popullor i tillë, në një farë mënyre arsim në natyrë.

Kërkesat e globalitetit do të kërkonin gjithashtu që të gjindet një politikë e mikpritjes, larg marrëdhënieve tregtare. Pse të mos imagjinojmë shkëmbime në formë kompenzimi mallrash (banesa, krevate) ndërmjet qyteteve, rajoneve apo shteteve? Hapja ndaj botës do të bashkëjetonte me rilokalizimin, pasi që lidhja për territor nuk është më çështje trashëgimie, por çështje dëshire, e ndarë mes të posaardhurëve dhe vendasve, për t’i shpikur format e takimit të tyre: ndihmë  në punë, shkëmbime shërbimesh dhe aftësish, prani e thjeshtë ose shkëmbim bisedash, zhytje në territor … Këtu nuk është çështje e shtrirjes së një modeli të vetëm diku tjetër (logjika e globalizimit), por e artikulimit të shkëmbimeve që respektojnë tiparet e çdo shoqërie në marrëdhëniet e saj me territorin e saj natyror.

Globaliteti do të përcillte një qëllim të ekologjisë shoqërore, të lokalizuar dhe shtuar sa të jetë e mundur, duke e konsideruar si të domosdoshme përshtatjen në diversitetin kulturor dhe natyror. Për këtë qëllim, do të kombinoheshin reflektimet e Murray Bookchin dhe Edouard Glissant.

Linja politike do të konsistonte në ndërtimin e botës “së jetueshme” përmes solidaritetit të hapur për të gjitha gjallesat. Atëherë, udhëtimi do ta merr kuptimin e tij të plotë si një përvojë e ndjeshme, në lëvizje të këtij solidariteti të zgjeruar. Kjo nuk do të bëhet me udhëtime pa shpirt apo shije, por falë shkëmbimeve “me marrëdhënie” më të dendura, më të rralla, më poetike dhe më pak sipërfaqësore. Këto do të ankorohen në potencialin e reciprocitetit të një mikpritje të vendosur si parim, të organizuar politikisht, larg nga asimetria e një marrëdhënie ekonomike midis vizitorëve dhe vendasve.

* Autor i La vraie vie est ici. Voyager encore ?, Écosociété, Montréal, 2020