MARRËVESHJA KOSOVË-SERBI NË SHTËPINË E BARDHË
U dridh mali, polli miu!

Duke qenë një dakordim për zotime, ajo që po quhet marrëveshje nuk i vë pikën asnjë gjëje. Duke qenë tekst që mbulon fusha të ndryshme, pas asnjë lidhje logjike të njërës me tjetrën, ky tekst nuk e trajton asnjërën prej pikave siç duhet. Duke pasur pika të cilat lidhen me raportet me Kosovës dhe Serbisë, pika që ndërlidhen me raportet mes Serbisë dhe SHBA-ve, të tilla që ndërlidhen me raportet (në ngjizje) mes Kosovës dhe Izraelit, pika që flasin për raportin që Serbia ka vendet e treta (p.sh. Kina), etj, ky tekst nuk ka se si të përfundojë ndryshe përveç se i nënshkruar nga secili përfaqësues me veten.

211

“U dridh mali, polli miu” – mbase ky do të kishte me qenë përshkrimi më i saktë i takimit dhe marrëveshjes ‘historike’ në Shtëpinë e Bardhë. Kjo, sepse po ta shohim retrospektivisht, ka pasur një insistim afatgjatë të Administratës Trump që ta rinis dialogun me premtimin se kjo është faza përfundimtare. Ndërkohë që në Kosovë, lirisht mund të thuhet se dy qeveri, ajo Haradinaj, dhe këtë vit qeveria Kurti, kanë rënë për shkak të qasjes ndaj dialogut, ose më mirë thënë për shkak të pengesave të shkaktuara karshi tij. Për çka? Që të zotohemi se, ndër të tjera, do të punojmë bashkë me Serbinë për zbatimin e marrëveshjeve tashmë të nënshkruara në Bruksel? Duket se kostoja e rrëzimit të dy qeverive nuk e mbulon as për së afërmi rezultatin e marrëveshjes.

Ky është njëri prej leximeve të mundshme të marrëveshjes. Tjetri lexim shkon mbase një hap më tutje, drejt interesave (për të cilat mund të hamendësohemi e spekulojmë pa qenë të informuar saktë) gjeostrategjike të SHBA-ve në rajon. Pikat që kanë të bëjnë me energjinë (lexo gazin rus) dhe teknologjinë telekomunikuese 5G (lexo investimet kineze në Serbi) janë të lidhura drejtpërdrejti me luftën tregtare e gjeopolitike të SHBA-ve karshi Kinës veçanërisht. Pra përmes kësaj marrëveshje ka një insistim të Shtëpisë së Bardhë që Serbia përfundimisht të rreshtohet gjeopolitikisht krahas SHBA-ve. Madje edhe pika që kërkon të punohet me vendet të cilat duan ta kriminalizojnë LGBTQI+ duket të lidhet me Serbinë dhe marrëdhënien e saj me Rusinë. Rusia aktualisht është një prej vendeve të mëdha që është duke ecur drejt kriminalizimit të orientimeve tjera seksuale, përveç atij heteroseksual.

Ose edhe një lexim shtesë në drejtimin gjeostrategjik. Marrëveshja mbulon një çështje kogja të ndjeshme për Lindjen e Mesme dhe konfliktin atje – atë të pranimit të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit. Ishte i menjëhershëm reagimi i zyrtarëve amerikanë, përfshirë Presidentin, për të deklaruar se Kosova është vendi i parë mysliman që e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Kështu madje Presidenti Trump shkoi një hap tutje duke e parë këtë marrëveshje dhe pikën konkrete për njohje nga Izraeli, e njohjen e Jerusalemit nga Kosova, si hap të rëndësishëm për paqen në Lindjen e Mesme! Njohja e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit fillimisht nga Presidenti Trump ka qenë hap i kundërshtuar nga një pjesë e madhe e botës. Bashkimi Evropian e ka kundërshtuar një gjë të tillë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së e ka miratuar një rezolutë që e kundërshton këtë hap.

Në njëjtën linjë shkon edhe zotimi i palëve (Serbisë dhe Kosovës) për ta shpallur Hezbollahun organizatë terroriste (gjë që Kosova tashmë e ka bërë). Pikë kjo që lidhet me interesat e Izraelit në rajonin e Lindjes së Mesme, por edhe me interesat gjeostrategjike të SHBA-ve duke e pasur parasysh përkrahjen që Hezbollah ka nga Irani.

Por ka diçka edhe për Kosovën dhe raportet e Kosovës me Serbinë. Një pikë që ka zgjuar interesim e diskutim është padyshim pika ku palët zotohen se do të bashkëpunojnë me Departmentin Amerikan të Energjisë në ndërmarrjen e një studimi fizibiliteti për Liqenin e Ujmanit, i cili do ta analizojë e përmbledh potencialin energjetik e të furnizimit me ujë nga ky liqen artificial. Kjo është pikë nevralgjike, meqë paraqet një prej resurseve kryesore sociale e ekonomike në pjesën veriore të Kosovës, për të cilën ka një kohë të gjatë që thyhen shtizat mes Kosovës dhe Serbisë. Studimi i fizibilitetit duket të jetë zgjidhja e ndërmjetme ndaj kundërshtimit fillestar të palës së Kosovës për ta ndarë menaxhimin e Ujmanit mes Kosovës dhe Serbisë (siç kishte qenë e shkruar në njërin prej drafteve të mëhershme të Marrëveshjes). Megjithatë kjo zgjidhje e ndërmjetme është zgjidhje e spostuar për më vonë. Studimi i fizibilitetit mund të tregojë çdo gjë. Ose asgjë. Varësisht interesave të palëve. Liqeni i Ujmanit, përveç se burim jetik për furnizim me ujë të pijes e vaditje të tokave bujqësore në Rrafshin e Kosovës, është jetik edhe si furnizim uji për termocentralin eventual të ri energjetik i cili planifikohet të ndërtohet dhe pronësohet nga një kompani amerikane. Pjesa dërrmuese e sipërfaqes së ujit të Ujmanit gjendet në territorin e Republikës së Kosovës, ndërkohë që një pjesë e vogël (afërsisht 20%) në territorin e Serbisë.

Drafti fillestar i marrëveshjes i zbuluar nga mediat në fjalinë e parë të tij ku i definon palët kontraktuese kishte folur për Republikën e Kosovës dhe atë të Serbisë. Më pas kishte ndryshuar në Kosovo (Pristina) – Serbia (Belgrade). Një përkufizim i tillë i palëve, në vijë me qëndrimin e ndërmjetësuesit, do të mund ta definonte dialogun si dialog për njohje. Refuzimi i përfaqësuesve të Serbisë ka bërë që ajo fjali të ndryshojë. Pala e Kosovës e kishte pranuar ndryshimin e fjalisë për arsye të cilat nuk janë bërë publike. Sidoqoftë prania e asaj fjalie aty tregon që ky dialog i nisur në Shtëpinë e Bardhë ka pasur (dhe mbase ka) një qëllim që të arrijë tek zgjidhja përfundimtare. Por edhe kjo duket të lihet për më vonë. Siç janë lënë çdo gjë tjetër në këtë marrëveshje për më vonë.

E vetmja gjë konkrete nga marrëveshja është njohja që Izraeli i bën Republikës së Kosovës. Kjo megjithatë është një fitore e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Por siç u përmend më lartë nuk është njohje që nuk sjellë probleme në politikën tonë të jashtme.

Ndërkohë që po ashtu vërehet (nëse e krahasojmë draftin e mëhershëm të publikuar me versionin final të firmosur) se gati të gjitha zotimet që i ka marrë përsipër Serbia janë përgjithësuar në gjuhë e në kohë zbatimi. Si të tilla, ato bartin rrezikun serioz të moszbatimit. Por kjo mbetet të shihet.

Duke qenë një dakordim për zotime, ajo që po quhet marrëveshje nuk i vë pikën asnjë gjëje. Duke qenë tekst që mbulon fusha të ndryshme, pas asnjë lidhje logjike të njërës me tjetrën, ky tekst nuk e trajton asnjërën prej pikave siç duhet. Duke pasur pika të cilat lidhen me raportet me Kosovës dhe Serbisë, pika që ndërlidhen me raportet mes Serbisë dhe SHBA-ve, të tilla që ndërlidhen me raportet (në ngjizje) mes Kosovës dhe Izraelit, pika që flasin për raportin që Serbia ka vendet e treta (p.sh. Kina), etj, ky tekst nuk ka se si të përfundojë ndryshe përveç se i nënshkruar nga secili përfaqësues me veten. Kryeministri Hoti nënshkruajti marrëveshje me veten. Presidenti Vuçiq nënshkruajti marrëveshje me veten. Presidenti Trump nënshkruajti një dokumenti dëshmie që ka qenë i pranishëm kur zyrtarët e lartë shtetëror të Kosovës dhe Serbisë respektivisht kanë nënshkruar (secili me veten) nga një listë me zotime për angazhim në pika të ndryshme.

Fundi i kësaj fabule mund të jetë kështu “…dhe kështu mali u dridh. Kur shikuam se çfarë po ndodh, na u tha që do të pjellë miu. Por me t’u qetësuar mali e kuptuam se miu mbase mund të pjellë. Por këtë mbetet ta shohim pas një kohe. Dhe mbase mund të mos pjellë mi. Mbase diçka tjetër…”

(Autori është Drejtor ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë)