Opinioni kujton se vetëm në një rast, kur Shqipëria po digjej nga flakët e revoltës së vitit 1997, partitë nënshkruan një marrëveshje politike dhe krijuan një qeveri të pajtimit kombëtar. Ndërsa, në anën tjetër, të gjithë e kujtojnë se, për interesa krejtësisht personale, dy drejtuesit që urrehen më shumë me njëri-tjetrin, Sali Berisha dhe Edi Rama, nënshkruan në vitin 2008 një marrëveshje elektorale dhe bënë ndryshime kushtetuese për të forcuar pozitat e tyre dominuese në partitë respektive. Ajo marrëveshje është kujtimi i fundit i një dialogu të keq që kryhet vetëm atëherë kur interesat private kapërcejnë ato të vendit. Ndërsa sot, opozita ka bojkotuar sistemin, ka dalë nga të gjitha institucionet dhe apelit të ndërkombëtarëve për t’u ulur në një tryezë me qeverinë që të nisin urgjentisht reformën zgjedhore, po i përgjigjet me refuzim të trishtuar. Edhe pse i një natyre krejt tjetër dhe në rrethana të ndryshme, Parlamenti i parë shqiptar, në vitin 1920, e nisi punën me një dorëheqje masive deputetësh, çka solli edhe shkrirjen e Këshillit Kombëtar dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në vitin 1920. Duket si një mallkim për jetën e mëpastajme parlamentare dhe, në fakt, një tjetër ngjarje e rëndë e tronditi tranzicionin shqiptar.
Zgjedhjet e 26 majit 1996 ishin një masakër e vërtetë antidemokratike dhe procesi i votimit u kompromentua keq. Pak ditë para zgjedhjeve dhe në orët e para të votimeve, vëzhguesit ndërkombëtarë ishin dëshmitarë të një dhune drastike të policisë dhe strukturave shtetërore që tensionoi rëndë situatën. Ishin dhunuar edhe deputetë e komisionerë të opozitës. Një drejtues lokal i opozitës, kreu i PS-së Bulqizë, u gjet gati i rrahur keq në një kanal buzë rrugës. Si pasojë e kësaj dhune, opozita, pak para mesditës së 26 majit, vendosi që të tërheqë komisionerët nga qendrat e votimit. Pas këtij veprimi, mazhoranca, jo vetëm nuk u frenua, por tejkaloi abuzimin duke mbushur kutitë e votimit në mënyrë vulgare. Si përfundim, mazhoranca mori mbi dy të tretat e Parlamentit, kurse opozita socialiste vetëm 11 vende. Opozita nuk i njohu zgjedhjet, ndërkohë, misioni vëzgues i OSBE-ODIHR-it i cilësoi si një hap prapa dhe që nuk kanë arritur standardet demokratike. Si zgjidhje, OSBE-ODIHR-i kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve në të paktën 42 zona zgjedhore. Ky qëndrim u përkrah edhe nga kancelaritë europiane dhe qeveria e SHBA-së. Por Presidenti i atëhershëm, Sali Berisha, nuk pranoi të tërhiqej. Opozita nuk pranoi zgjedhjet dhe nuk i zuri vendet e saj në Parlament, përveç një deputeti, mjekut Sali Rexhepi nga Librazhdi. Klima e besimit ishte tronditur dhe dialogu u mbyt përsëri.
Paradhoma e djegies së mandateve
Në vitin 2017, vendi ishte sërish pranë një kaosi institucional. Opozita e Lulzim Bashës nuk pranonte të hynte në zgjedhjet parlamentare të atij viti pa largimin e kryeministrit Edi Rama. Ajo hyri në një çadër përpara kryeministrisë dhe zhvilloi protesta për 4 muaj. Në fund, me ndërmjetësimin agresiv të SHBA-së dhe BE-së, u arrit një marrëveshje mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Sipas marrëveshjes, u krijua një qeveri e përbashkët që do të çonte vendin në zgjedhje të pakontestueshme dhe opozita mori gati gjysmën e qeverisë dhe disa institucione e agjenci të rëndësishme. Zgjedhjet e 25 qershorit 2017 u fituan nga Partia Socialiste, e cila mori 74 mandate e vetme duke larguar edhe LSI-në si aleate qeveritare. Ndarja me Ilir Metën u bë në mënyrë të butë dhe Rama e mbajti fjalën duke zbatuar marrëveshjen e « natës së ngjalave ». Ilir Meta, me votat e PS-së, u zgjodh President i Republikës.
Djegia e mandateve dhe lindja e një opozite në Parlament
Më 21 shkurt 2019, djegia e mandateve mori formë zyrtare. Mirëpo kjo nismë u kundërshtua nga disa deputetë të opozitës. Rudina Hajdari nga Partia Demokratike, e bija e ish-liderit të lëvizjes studentore të vitit 1990, Azem Hajdari, e shkolluar në SHBA dhe me shtetësi amerikane, refuzoi të dorëzojë mandatin e saj, së bashku me Lefter Kokën, ish-ministër i LSI-së dhe ish-kryebashkiak i Durrësit si dhe një demokrat i orëve të para, deputeti i Lushnjes, Myslim Murrizi. Jo vetëm kaq, por opozita mbeti e huatuar kur shumë deputetë të saj që përfitonin një vend nga listat e hartuara, u futën në Parlament dhe sot Kuvendi i Shqipërisë ka 120 deputetë. Në prag të zgjedhjeve lokale u krijua edhe partia « Bindja Demokratike » e Astrit Patozit, ish-nënkryetar i PD-së. Në një deklaratë të përbashkët nga Brukseli, shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, deklaruan më 21 shkurt se “këto vendime dhe akte janë të padobishme, bien në kundërshtim me zgjedhjen demokratike të shtetasve shqiptarë dhe minojnë progresin që vendi ka bërë në rrugën drejt Bashkimit Europian”.
Por edhe pas këtyre qëndrimeve të forta të komunitetit ndërkombëtar, opozita nuk u tërhoq. Ish-kryeministri Sali Berisha, personazhi kryesor që në daljet publike përdorte vazhdimisht retorikën e luftës, të vrasjeve dhe të përplasjes, deklaronte: « Ne kemi djeg mandatet, ne jemi qytetarë të thjeshtë, jemi në betejë dhe opozita ka detyrë të udhëheqë këtë betejë me çdo çmim”. Protesta e parë e opozitës, ajo e 16 shkurtit 2019, ka qenë edhe më e tensionuara. Për pesë orë përpara selisë së Kryeministrisë në Tiranë u hodhën bomba Molotov, mjete ndezëse dhe protestues të opozitës tentuan të thyejnë derën e selisë së qeverisë. Pamjet e asaj proteste bënë xhiron e botës dhe Shqipëria dukej se po rikthehej në stinën e tensionit. Në orët e vona të 16 shkurtit, zyrtari i lartë i DASH-it, Mathew Palmer telefonoi dy liderët e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe u bëri thirrje që të heqin dorë nga dhuna.
Drejt zgjedhjeve atipike lokale
Dekreti i Ilir Metës për çdekretimin e zgjedhjeve krijoi një situatë të vështirë në fillim. Ndërkaq, një parti e koalicionit qeverisës, PUK, e drejtuar nga avokati Idajet Beqiri, iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Dytë për të kërkuar çregjistrimin nga zgjedhjet, si një truk për të legjitimuar nga kjo gjykatë dekretin e parë të presidentit, atë të 30 qershorit. Vendimi i kësaj gjykate u quajt si legjitimim i 30 qershorit dhe çdekretimi i presidentit u shpall si akt nul. Dhe vetëm dy ditë para zgjedhjeve, më 28 qershor, në një intervistë të dhënë në « Zërin e Amerikës », Mathew Palmer, zv/ndihmëssekretari i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin tani në fund, deklaroi“Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Shpresojmë që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Pas zgjedhjeve do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që mosmarrëveshjet për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të zgjidhen përmes institucioneve të vendit”.
Nga politikanët e opozitës ishte deklaruar se zhvillimi i zgjedhjeve do të pengohej duke përdorur militantët si mburoja humane për të mos lejuar që të votohej duke penguar ata që dëshironin të votonin. Por z. Palmer deklaroi: “u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre që më 30 qershor të mos ketë dhunë, që askush të mos pengojë të drejtën e atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje”.
Mësymja amerikane në Ballkan
David Kostelancik, Drejtori për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit, ishte në Tiranë në fillim të shtatorit në një mision për të bindur opozitën që të rihyjë në sistem, duke negociuar personalisht me drejtuesit e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.
Zyrtari amerikan bëri thirrje për “nevojën për kryerjen e reformës zgjedhore dhe rekomandoi se është përgjegjësi e qeverisë që dora e shtrirë për opozitën duhet të mundësojë tërheqjen e saj në realizimin e kësaj reforme. Kryerja e reformës zgjedhore brenda vitit do të mundësojë edhe një presidencë shqiptare të suksesshme të OSBE-së në vitin 2020”. Zyrtari i lartë amerikan nuk e takoi presidentin Meta. Këto përpjekje të ndërkombëtarëve bëhen pak kohë para vendimit të 18 tetorit, kur Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, duhet të marrin një vendim për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas radios publike gjermane Deutsche Velle, grupi më i madh në Bundestag, ai i CDU/CSU-së i kancelares Merkel, e ka marrë vendimin për t’i thënë PO hapjes së negociatave me Shqipërinë me kushte, edhe pse ekziston një grup skeptik brenda këtij grupi. Politologu Afrim Krasniqi, në një prononcim për edicionin shqip të Le Monde Diplomatique, thotë:“Zgjidhja mbetet vetëm politike. Lidhur me parandalimin e krizave në të ardhmen, katër janë mekanizmat që mund ta garantojnë këtë: e para, reformimi i sistemit zgjedhor dhe i ligjit të partive politike, për të siguruar më shumë konkurrencë individuale dhe demokraci funksionale brenda partive. Nëse partitë do të ishin më demokratike, vendimmarrjet e saj më institucionale dhe parlamenti me më shumë personalitete në përbërje, kriza e 2019-ës do të ishte parandaluar. Mekanizmi i dytë është funksionimi i plotë i sistemit të gjykatave, sidomos Gjykatës Kushtetuese”.
Ndërkohë, Edi Rama, vetëm pak ditë më parë, takoi në Berlin kancelaren Merkel dhe Kryetarin e Bundenstagut, z. Shäuble. Vizita dukej e ngrohtë dhe Kancelarja paraqiti në sitin e saj zyrtar një foto me kryeministrin kur ky i dhuron albumin me piktura që do ta paraqesë në bienalen e Berlinit. Opozita, ndërkohë, pret “gjermanin e fundit”, një delegacion të Bundestagut që përbëhet nga një grup brenda CDU-së që ka përkrahur vazhdimisht zotin Basha, i drejtuar nga deputeti Gunther Krischbahum, kryetar i komisionit për integrimin në BE, i cili pritet të sjellë edhe formulën nga ana e Berlinit për zgjidhjen e ngërçit shqiptar. Ndërkaq, më 9 shtator, Komisioni hetimor nisi nga puna për të shqyrtuar kërkesën e një grupi deputetësh për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Një delegacion i Komisionit të Venecias ishte në Tiranë dhe takoi palët e përfshira në debatin për shkarkimin e Metës. Vetëm pak ditë më parë, Ilir Meta deklaroi se, në qoftë që Komisioni i Venecias do të tregojë se ka shkelur kushtetutën, ai do të japë dorëheqjen. Ndërkaq, në horizont nuk ka asnjë shenjë se palët do të ulen në tryezë. Marrëveshja, ashtu si në kohën e komunizmit, shihet si nja akt kapitullimi përballë armikut. Armikut? Po, në sistemin demokratik shqiptar, për fat të keq, PD-ja e sheh si armike PS-në dhe Lulzim Basha është gati të kërkojë ndihmë në Greqi që vendi të mos marrë dritën jeshile nga BE-ja në tetor. Një lajm i kohëve të fundit thotë se ish-ministrja e jashtme e Greqisë, Bakojanis, motra e kryeministrit të sotëm Micotaqis, ka kërkuar që Shqipëria të pranojë marrëveshjen e detit të nënshkruar prej saj dhe Bashës kur ky i fundit ishte ministër i jashtëm. Pas vizitës së Ramës në Gjermani dhe fotove të qeshura me zonjën Merkel, disa kanë hamendësuar se kancelarja do t’i bindë edhe të pavendosurit që të thonë PO për çeljen e negociatave me Shqipërinë në tetor. A thua Greqia mbetet shpresa e fundit për Lulzim Bashën që ky të realizojë bastin e tij se me Ramën kryeministër negociatat nuk çelen?…

