ZGJEDHJET E REJA PARLAMENTARE NË MAQEDONINË E VERIUT
Dëshpërimi i radhës

Antagonizmi klasor që prodhon pabarazi në rritje është mjaft i fuqishëm në Maqedoninë e Veriut, por, fatkeqësisht, nuk ekziston asnjë opsion serioz politik që do t’i përfaqësojë interesat e shumicës së grupeve sociale që i jetojnë pasojat e luftës së njëanshme klasore, të zhvilluar nga një grup i vogël interesash, përmes dy partive të tyre kryesore politike.

348

Refuzimi nga ana e Këshillit Evropian për t’i hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut, për shkak të vetos franceze, shkaktoi lëvizje të menjëhershme në jetën politike në vend. I gjithë narrativi qeverisës u rrëzua pas këtij refuzimi, për shkak se kryeministri Zaev i pati koncentruar të gjitha pritjet nga qeveria e tij në fitimin e datës së negociatave.

Qeveria Zaev pati shrytëzuar tre vitet në pushtet për ta shtyrë marrëveshjen e vështirë të Prespës në politikën e brendshme dhe për të lobuar me liderët evropianë në politikën e jashtme. E gjithë kjo nën premisën e një mundësie të afërt për t’u kyçur në Bashkimin Evropian. Kur kjo mundësi u bë e pakapshme në afat të shpejtë, qeveria nuk kishte asnjë politikë tjetër serioze të brendshme, me të cilën do ta arsyetonte vazhdimin e qëndrimit në pushtet. 

Prandaj, thirrja e zgjedhjeve të parakohshme ishte hapi tjetër logjik që do të merrte kryeministri. Këtu është e rëndësishme të theksohet që pas një dekade të qeverisë autoritare të Gruevskit, ndërmarrja e hapave logjikë në politikë nga ana e liderëve është në vetvete një përmirësim dhe përparim drejt një jete më demokratike politike në vend. Por a është ky përparim i mjaftueshëm?

Vazhdimësia

Duke qenë se problemet kryesore dhe afatgjata në Maqedoninë e Veriut janë shkollimi dhe sistemi i dobët shëndetësor, do të pritej që qeveria të arsyetonte qëndrimin e mëtejshëm në pushtet përmes rifokusimit nga marrëdhëniet ndërkombëtare në politikat e brendshme në këto dy fusha. Por, çuditërisht, vazhdon të ekzistojë një mungesë absolute e diskutimit përbrenda qeverisë së tanishme lidhur me përmirësimin e kualitetit të këtyre shërbimeve bazike për qytetarët. Duke mos rritur investimet në arsim dhe në shëndetësi, qeveria ka vazhduar politikën e qeverisë së VMRO-DPMNE-së që i jepte prioritet universiteteve dhe spitaleve private. Edhe pse këto dy shërbime janë të garantuara me kushtetutë, qasja në to është bërë e pashfrytëzueshme ndër vite si pasojë e kualitetit të dobët dhe të degraduar. 

Shërbimet në sektorët e tjerë kanë vazhduar të përkeqësohen, sërish nën pretekstin e fokusimit kryesisht në punët e jashtme. Dy muaj para fundit të vitit aktual, qeveria ka shpenzuar vetëm një të tretën e investimeve kapitale që do të përmirësonin një sërë shërbimesh për qytetarët. Duke parë mungesën e përparimit në reformat e brendshme dhe duke jetuar me infrastrukturën e varfëruar të shërbimeve publike, një numër në rritje i qytetarëve nuk bën dallim midis dy partive kryesore në Maqedoninë e Veriut.

Përparimi i vogël që u realizua vitin e kaluar me sjelljen e tatimit progresiv, gjithsesi në nivel shumë të ulët, për të ardhurat me të larta në vend, tani po shlyhet me vendimin e muajit të kaluar të qeverisë për ta pushuar aplikimin e këtij tatimi për tre vitet e ardhshme. Ky vendim është kritikuar edhe nga ana e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, që edhe pse propagandojnë ekonominë neoliberale në nivel global, gjithsesi, konsiderojnë që pabarazitë në vend janë tepër të mëdha për të pasur tatim të sheshtë. Duke qenë i rrethuar nga interesat e kapitalit në vend, të përfaqësuara nga ana e zv-kryeministrit Angjushev, bizneset e të cilit kanë realizuar një rritje të shpejtë në përfitime përmes tenderëve shtetërorë, qeveria social-demokrate po e akomodon veten thellë përbrenda interesave të një numri shumë të vogël të njerëzve më të pasur në vend. 

Duke patur parasysh gjithë këto, opozita e udhëhequar nga VMRO-DPMNE ka kritikuar qeverinë vetëm në lidhje me sjelljen e vendimit për tatimin progresiv. Dhe tani, pas tërheqjes së këtij vendimi, opozita kërkon nga qeveria që t’i dëmshpërblejë më të pasurit në shtet për shumën që ata kanë paguar gjatë muajve sa zgjati aplikimi i këtij tatimi, me çka vihet në garë me qeverinë rreth asaj se kush më së miri do t’i mbrojë interesat e më të pasurve në vend. Gjithashtu, duke mos u përplasur me qeverinë për çështjen e arsimit dhe shëndetësisë, opozita po rreshtohet në agjendë të njejtë me qeverinë në garë vetëm për t’i zëvendësuar ata për ta bërë të njejtën gjë.

Zaevi tani tenton ta pozicionojë veten më tepër si një lider pragmatik sesa vizonar, siç e përshkruante veten në fillim. Ndërsa opozita tani e kritikon atë për mungesë pragmatizmi në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes

Ndërkohë, pas bllokadës franceze lidhur me caktimin e datës së fillimit të negociatave, kryeministri Zaev ka paralajmëruar që qeveria do ta pezullojë implementimin e brendshëm të Marrëveshjes së Prespës. Ky pozicion i ri, që ka për qëllim t’i zbusë ndjenjat e pjesës më nacionaliste të elektoratit, anulon lavdatat për aktin e tij të guximshëm dhe progresiv për të zgjidhur një kontest historik rajonal dhe për kontributin në përafrimin miqësor ndërmjet popujve të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Kryeministri tani tenton të sqarojë se ai pranoi procesin e Prespës vetëm për ta shrytëzuar atë si kapital për të bërë pazar më të mirë me datën e negociatave.

Zaevi tani tenton ta pozicionojë veten më tepër si një lider pragmatik sesa vizonar, siç e përshkruante veten në fillim. Ndërsa opozita tani e kritikon atë për mungesë pragmatizmi në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes. Opozita ka ndërruar, gjithashtu, qëndrimin e saj nga refuzimi i marrëveshjes në pozicionin që nuk do ta hapë këtë çështje nëse ajo vjen në pushtet. Në këtë mënyrë opozita tenton që ta shlyjë të vetmen linjë dallimi mes të dy partive – nacionalizmin. Zaevi, nga ana tjetër, veçmas, ka filluar në mënyrë jozyrtare fushatën zgjedhore duke shprehur retorikë të fuqishme populiste për një shtet të bashkuar dhe një shoqëri të përbashkët, duke tentuar kështu të përfitojë vota nga grupet tjera etnike ne vend.

Ringjallja e revoltës sociale

Kjo mungesë e politikave të përgjegjshme sociale në vend po kontribon në ritjen e numrit të njerëzve të demoralizuar nga sistemi i përgjitshëm politik. Prandaj mund të presim që fushata zgjedhore do të jetë e bezdisshme dhe apatike, si dhe që do të rezultojë me një dalje më të ulët në votime. Rezultati i zgjedhjeve ka gjasa të jetë një dallim i ngushtë mes dy partive kryesore që zakonisht formojnë qeverinë në Maqedoninë e Veriut me fituesin nga “taborri” shqiptar. Edhe pse zgjedhjet lokale sollën një dominim total të komunave nga ana e socialdemokratëve, zgjedhjet e fundit presidenciale u fituan nga kandidati i Zaevit me vetëm 7% dallim.  

Mungesa e antagonizmit real politik nuk do të thotë që nuk ka antagonizma në vend. Antagonizmi klasor që prodhon pabarazi në rritje është mjaft i fuqishëm në Maqedoninë e Veriut, por, fatkeqësisht, nuk ekziston asnjë opsion serioz politik, që do t’i përfaqësojë interesat e shumicës së grupeve sociale që i jetojnë pasojat e luftës së njëanshme klasore, të zhvilluar nga një grup i vogël interesash, përmes dy partive të tyre kryesore politike.

Një valë e re e revoltës sociale dhe mobilizimit të lëvizjeve duket për momentin e pamundur, por siç dëshmojnë zhvillimet e viteve 2014 dhe 2015, dhe jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajon, ato mund të ringjallën në moment edhe rreth çështjeve të veçanta që xjerrin në pah problemet më të thella sistemore. Ngjarje të tilla shpesh përfitojnë përkrahje të shpejtë në mes njerëzve që vetëdijësohen për shkaqet e problemeve me të cilat jetonë çdo ditë.

(Autori është filozof dhe teoricien nga Shkupi)