Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Ekologjia si mjet kundër pandemive

Edhe në shekullin XXI, metodat e vjetra duken për autoritetet kineze mënyra më e mirë për ta luftuar epideminë e koronavirusit. Tashmë që janë kufizuar lëvizjet e qindra miliona njerëzve, vallë ka ardhur koha ta analizojmë shkakun e shfaqeve të njëpasnjëshme të pandemive me një ritëm gjithnjë e më të shtuar?

A është një pangolin? Një lakuriq? Ose edhe një gjarpër, siç thuhej, para se të demantohej? Kush do të jetë i pari që do ta inkriminojë kafshën e egër që ka sjellur këtë koronavirus, të quajtur zyrtarisht Covid-19. Prej këtij virusi janë kurthuar tani qindra miliona njerëz, të futur në karantinë ose të kontrolluar nga masat sanitare në Kinë dhe vende të tjera. Sigurisht se është e domosdoshme që të zbulohet ky mister, por duke spekuluar nuk mund të kuptojmë që ndjeshmëria jonë në rritje ndaj pandemive e ka burimin më  thellë: shkatërrimi i përshpejtuar i habitateve.

Që nga viti 1940, qindra mikroba patogjenë janë shfaqur ose rishfaqur në zona ku në disa raste nuk kishin ekzistuar kurrë më parë. Ky është rasti me ‘HIV’-in, ‘Ebola’-n në Afrikën Perëndimore dhe ‘Zika’-n në kontinentin amerikan. Shumë prej tyre (60%) kanë origjinë shtazore. Disa të tjerë nga kafshët shtëpiake ose blegtorisë, por shumica e tyre (më shumë se dy të tretat) nga kafshët e egra.

Por, kafshët nuk kanë faj. Edhe pse në shumë artikuj me fotografi thuhet se pikënisja e epidemive shkatërruese1 gjindet tek fauna e egër, nuk është e vërtetë se këto kafshë janë veçanërisht të infektuara me patogjenë vdekjeprurës, të cilët lehtë mund të na kontaminojnë. Në realitet, shumica e mikrobeve jetojnë brenda tyre pa i dëmtuar. Problemi qëndron diku tjetër: me shpyllëzimin, urbanizimin dhe industrializimin e shfrenuar, ju kemi mundësuar këtyre mikrobeve të depërtojnë dhe të përshtaten në trupin e njeriut.

Rreziqet e fermave blegtorale për rritje industriale

Shkatërrimi i habitateve kërcënon me zhdukje shumë specie2, bimësh medicinale dhe kafshësh, të cilat janë përdorur gjithmonë për farmakopenë. Speciet të cilat kanë mbijetuar duhen medoemos të vendosen në pjesën e mbetur të habitatit, e cila është zvogëluar nga vendbanimet njerëzore. Si pasojë kemi një probabilitet të rritur të kontaktit të afërt dhe të përsëritur me njerëzit. Mikrobet që jetojnë në këto specie do të kalojnë tani në trupin tonë, ku nga beninjë që ishin, do të shndërrohen në patogjenë vdekjeprurës.

Ebola është një shembull shumë ilustrativ. Në një studim të vitit 2017 thuhet se ky virus është shfaqur në masë më të madhe në zonat e Afrikës perëndimore dhe qendrore, ku kohët e fundit ka pasur shumë shpyllëzime. Origjina e virusit ishte lokalizuar në specie të ndryshme të lakuriqëve. Kur prehen pyjet, lakuriqët vijnë e vendosen në pemët e kopshteve tona dhe fermave tona. Shumë lehtë mund të imagjinohet se çfarë ndodh pastaj: mund të ndodh që njeriu konsumon pështymën e lakuriqit duke kafshuar një frut, ose, ndërsa përpiqet të largojë dhe të vrasë këtë mysafir të padëshiruar, t’i ekspozohet mikrobeve që gjinden në indet e tij. Kështuqë shumë virusa, që barten nga lakuriqët, por që mbeten të padëmshme në organizmat e tyre,  depërtojnë tek njeriu – për shembull Ebola, por edhe Nipah (veçanërisht në Malajzi ose Bangladesh) ose Marburg (veçanërisht në Afrikën Lindore). Ky fenomen quhet “kalimi i barrierës së specieve”. Nëse ngjan shpesh ky fenomen, mikrobet e kafshëve do të përshtaten në trupin tonë dhe do të evoluojnë për t’u bërë patogjenë.

E njëjta gjë vlen edhe për sëmundjet që shkaktohen nga mushkonjat, tani që është krijuar një lidhje në mes shfaqjes së epidemive dhe shpyllëzimit – por në ketë rast më shumë ka të bëjë me transformimin e tyre sesa me humbjen e habitatit. Kur prehen drunjtë, zhduken rrënjët dhe shtresa e gjetheve të thata. Uji dhe sedimentet rrjedhin më lehtë mbi tokën e zhveshur, ku depërton tani më lehtë dielli, duke formuar hapësira të favorshme për shumimin e mushkonjave që bartin malaria-n. Sipas një studimi të bërë në dymbëdhjetë vende, në zonat e shpyllëzuara ka dy herë më shumë mushkonja bartëse të patogjenëve njerëzor, sesa në pyjet e paprekura.

Shkatërrimi i habitateve bëhet gjithashtu duke ndryshuar numrin e disa specieve, duke rritur kështu riskun e përhapjes së agjentëve patogjenë. Një shembull: virusi i Nilit Perëndimor i cili bartet nga zogj migrues. Në 50 vitet e fundit në Amerikën e Veriut, popullsia e zogjëve ka rënë për më shumë se 25% , për shkak të humbjes së habitatit dhe për shkak  të shkatërrimeve të tjera3. Por të gjitha speciet nuk goditen në të njëjtën mënyrë. Të ashtuquajturat zogjë specialistë (të habitatit), siç janë qukapiku apo specia rallidae, janë goditur më shumë sesa zogjët gjeneralistë, si për shembull robinët apo sorrat. Derisa të parët rrallë bartin virusin Nil Perëndimor, kategoria e dytë është një vektor bartës i shkëlqyer. Prandaj kemi një prani të madhe të virusit te shpendët vendor në rajon dhe kështu një probabilitet në rritje të thumbimit të zogut të infektuar nga mushkonja, e cila pastaj do ta thumbon njeriun4.

Kjo dukuri e mutacionit të mikrobeve të kafshëve në patogjene njerëzore nuk është e re, por tani po përshpejtohet. Shfaqja e saj e parë daton nga revolucioni neolitik, kur njerëzit filluan të shkatërrojnë habitatet e egra për të zgjeruar tokën e kultivuar dhe për t’i zbutur kafshët e egra për nevojat e tyre. Në këmbim, kafshët iu dhanë disa dhurata të helmuara: lopët na kanë sjellur fruthin dhe tuberkulozin, derrat kollën e mirë, dhe rosat na kanë sjellur gripin.

Fenomeni është i njëjtë edhe për sëmundjet që i bartin rriqrat. Zhvillimi urban i copëton pak nga pak pyjet në Amerikën veri-lindore, duke i larguar kështu kafshët të cilat ndihmojnë në rregullimin e popullatës së rriqrave, për shembull opossumin, kurse në të njëjtën kohë speciet shumë më pak efektive në këtë rrafsh vazhdojnë të shumohen, për shembull miu me këmbë të bardhë apo dreri. Si rezultat, sëmundjet që barten nga rriqrat përhapen më lehtë. Në mesin e tyre, sëmundja Lyme, e cila u shfaq për herë të parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1975. Gjatë njëzet viteve të fundit janë identifikuar shtatë agjent patogjenë të rinj që barten nga rriqrat5.

Rreziku i shfaqjes së sëmundjeve nuk rritet vetëm nga humbja e habitateve, por edhe nga mënyra se si zëvendësohen ato. Për ta kënaqur oreksin e tij mishngrënës, njeriu ka zhveshur një zonë me sipërfaqe të barabartë me atë të kontinentit afrikan6, për të ushqyer dhe të majmur bagëtinë. Këto kafshë do të kalojnë pastaj në rrjete ilegale tregtare ose në tregje të kafshëve të gjalla (wet markets) dhe aty do të bashkëjetojnë speciet të cilat ndoshta nuk do t’ishin takuar kurrë në natyrë. Kështuqë mikrobet shumë lehtë mund të kalojnë nga njëri në tjetrin. Një situatë e tillë, e cila kishte gjeneruar në vitet 2002-2003 koronavirusin si përgjegjës për epideminë e sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes (SARS), është ndoshta burimi i koronavirusit të panjohur që na sulmon sot.

Por ka shumë më tepër kafshë që evoluojnë brenda sistemit tonë të bujqësisë industriale. Qindra mijëra kafshë të vendosura njëra mbi tjetrën presin të dërgohen në thertore: kushte ideale këto për t’i shndërruar mikrobet në patogjenë vdekjeprurës. Për shembull, viruset e gripit të shpendëve, të bartur nga shpendët ujorë, bëjnë kërdi në fermat e mbushura me pula të mbyllura. Pas mutacioneve, ky virus bëhet shumë më virulent – një proces aq i parashikueshëm sa që mund të riprodhohet në laborator. Njëri nga këto, H5N1, bartet tek njeriu dhe vret më shumë se gjysmën e të infektuarve. Në vitin 2014, në Amerikën e Veriut, janë therrur dhjetëra miliona shpendë për ta ndaluar përhapjen e një virusi tjetër7.

Në grumbujt e jashtëqitjeve të bagëtive, mikrobet me origjinë shtazore gjejnë rrugë të tjera për ta infektuar njeriun. Toka bujqësore nuk mund të thithë sasinë enorme të jashtëqitjeve për pleh, atëherë shpesh ato barten në gropa të padepërtueshme – një vend i përshtatshëm për zhvillimim e bakteries Escherichia coli. Më shumë se gjysma e kafshëve të mbyllura për t’u majmur në stallat industriale amerikane e bartin këtë bakterie, e cila në trupin e tyre nuk bën  dëm8. Por, tek njerëzit, E. coli shkakton diarre të përgjakshme, ethe dhe mund të shkaktojë dështim akut renal. Dhe pasi që shpesh ndodh që mbeturinat e kafshëve të derdhen në ujin e pijshëm dhe në ushqimin, 90,000 Amerikanë infektohen çdo vit.

Kjo dukuri e mutacionit të mikrobeve të kafshëve në patogjene njerëzore nuk është e re, por tani po përshpejtohet. Shfaqja e saj e parë daton nga revolucioni neolitik, kur njerëzit filluan të shkatërrojnë habitatet e egra për të zgjeruar tokën e kultivuar dhe për t’i zbutur kafshët e egra për nevojat e tyre. Në këmbim, kafshët iu dhanë disa dhurata të helmuara: lopët na kanë sjellur fruthin dhe tuberkulozin, derrat kollën e mirë, dhe rosat na kanë sjellur gripin.

Procesi vazhdoi gjatë përhapjes së kolonizimit evropian. Në Kongo, gjatë ndërtimit të hekurudhave dhe qyteteve nga kolonët belgë, një lentivirus i bartur nga specia ‘macaque’ e këtij vendi u përshtat në trupin e njeriut. Në Bangladesh, britanikët u futën në zonën e gjerë të lagësht të Sundarbanëve për të zhvilluar kultivimin e orizit, duke i ekspozuar banorët ndaj bakterieve ujore që gjenden në këtë ujë të njelmtë. Pandemitë e shkaktuara nga këto zhvillime koloniale janë ende aktuale. Lentivirusi në specien macaque është shndërruar në HIV. Bakterja ujore e Sundarbanëve tani njihet si kolera dhe deri tani ka shkaktuar shtatë pandemi. E fundit ndodhi në Haiti.

Për fat të mirë, pasi që nuk kemi qenë viktima pasivë të këtij procesi, mund të bëjmë shumë për ta zvogëluar rrezikun e shfaqjes së këtyre mikrobeve. Mund t’i mbrojmë habitatet e egra në mënyrë që mikrobet mos të barten tek njeriu, por të qëndrojnë te kafshët, siç propozon Lëvizja One Health9.

Mund të mbikëqyrim me vëmendje mjediset ku ka më shumë gjasa që mikrobet e kafshëve të shndërrohen në patogjene njerëzore. Ato që duken më të prirura për t’u përshtatur me organizmin tonë duhet të eleminohen para se të shkaktojnë ndonjë epidemi. Studiuesit e programit Predict, të financuar nga Agjencioni i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (Usaid) e kanë bazuar veprimtarinë e tyre në këtë strategji për dhjetë vitet e fundit. Ata tashmë kanë identifikuar më shumë se nëntëqind viruse të reja të lidhura me aktivitetin njerëzor në planet. Në mesin e tyre gjinden lloje të panjohura më parë të koronavirusit, të ngjashme me virusin e SARS-it10.

Tani jemi të rrezikuar nga një pandemi e re dhe jo vetëm për shkak të Covid-19. Në Shtetet e Bashkuara, përpjekjet e administratës Trump që industritë përpunuese dhe të gjitha aktivitetet industriale të lirohen nga të gjitha rregulloret do ta përkeqësojnë humbjen e habitateve, duke promovuar bartjen e mikrobeve nga kafshët te njeriu. Në të njëjtën kohë, qeveria e SHBA-ve i zvogëlon shanset tona për t’i zbuluar mikrobet para se të përhapen: në tetor 2019 vendosi të ndërprej programin Predict. Në fillim të shkurtit 2020, njoftoi gjithashtu se do ta zvogëloj për 53% kontributin në buxhetin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sipas epidemiologut Larry Brilliant: “nuk mund të shmanget shfaqja e viruseve, por mund të shmangen epidemitë.” Sidoqoftë, do të kursehemi nga epidemitë vetëm nëse jemi po aq të vendosur për ta ndryshuar politikën sa që kemi qenë për ta ç’regulluar natyrën dhe jetën e kafshëve.

* Gazetare. Autore e Pandemic: Tracking Contagions, from Cholera to Ebola and Beyond, Sarah Crichton Books, New York, 2016 dhe The Next Great Migration: The Beauty and Terror of Life on the Move, Bloomsbury Publishing, Londër, i cili do të botohet në 2020. Ky tekst është botuar në: The Nation


1 Kai Kupferschmidt, « This bat species may be the source of the Ebola epidemic that killed more than 11,000 people in West Africa », Science Magazine, Washington, DC – Cambridge, 24 janar 2019.

2 Jonathan Watts, « Habitat loss threatens all our futures, world leaders warned », The Guardian, Londres, 17 nëntor 2018.

3 Katarina Zimmer, « Deforestation tied to changes in disease dynamics », The Scientist, New York, 29 janar 2019.

4 Carl Zimmer, « Birds are vanishing from North America », The New York Times, 19 shtator 2019.

5 BirdLife International, « Diversity of birds buffer against West Nile virus », ScienceDaily, 6 mars 2009, www.sciencedaily.com

6 « Lyme and other tickborne diseases increasing », Centers for Disease Control and Prevention, 22 prill 2019, www.cdc.gov

7 George Monbiot, « There’s a population crisis all right. But probably not the one you think », The Guardian, 19 nëntor 2015.

8 « What you get when you mix chickens, China and climate change », The New York Times, 5 shkurt 2016. Në Francë, gripi i shpendëve ka prekur fermat gjatë dimrit 2015-2016 dhe ministria e bujqësisë vlerëson se ekziston një rrezik këtë dimër për zogjtë me prejardhje nga Polonia.

9 Cristina Venegas-Vargas et al., « Factors associated with Shiga toxin-producing Escherichia coli shedding by dairy and beef cattle », Applied and Environmental Microbiology, vol. 82, n° 16, Washington, DC, gusht 2016.

10 « What we’ve found », One Health Institute, https://ohi.sf.ucdavis.edu

Botime të tjera