Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Izrael-Palestinë, një plan lufte

I hartuar nga Uashingtoni pa përfshirjen e palestinezëve, plani i Donald Trump për paqen në Lindjen e Mesme plotëson kërkesat kryesore të Izraelit. Përveç ratifikimit të aneksimit të të gjitha kolonive, si dhe të Luginës të Jordanit (dispozitë kjo në kundërshtim me rezolutat e Kombeve të Bashkuara), "marrëveshja e shekullit" e privon një shtet të mundshëm palestinez nga çdo atribut të sovranitetit.

Më 28 janar 2020, në Shtëpinë e Bardhë, Kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu, i vetëm në tribunë afër Presidentit amerikan të cilin e dëgjon me ëndje, shfaq një pamje të lumtur. Z.Donald Trump zbulon më në fund “marrëveshjen e shekullit” përpara një auditori të përvetësuar: një audiencë hebrenjësh ultranacionalistësh ose fetarë dhe të krishterë ungjillorë në ekstazë, të cilët bashkohen shpirtërisht në një zjarr mistik kur përmenden Bibla, vendet e shenjta të judaizmit dhe mrekullinë që përfaqëson ekzistenca e Izraelit.

Simbioza është e plotë midis dy vendeve : kur Presidenti Trump përshëndet një nga arkitektët e planit, z.David Friedman, duke thënë “ambasadori juaj“, nuk është shumë e qartë se a e përcakton si ambasador amerikan në Jeruzalem ose si ambasador i Izraelit në Uashington.

Gjatë kësaj ceremonie flitet shumë për palestinezët. Sigurisht, pasi që bëhet fjalë edhe për të ardhmen e tyre dhe për tokat e tyre. Por, jo vetëm se nuk është i pranishëm asnjë nga përfaqësuesit e tyre, por edhe Plani është hartuar pa ta. Plani është përpiluar nga amerikanët – të gjithë sionistë të bindur – dhe nga izraelitët, që në rastin më të mirë i injorojnë kërkesat palestineze dhe në rastin më të keq i përçmojnë ato, siç edhe e konfirmon dhënia e një të tretës së Bregut Perëndimor për Izraelin. Ky lloj manifestimi i lartë na rikthen një shekull mbrapa, në një kohë kur derisa popujt vendorë nuk kishin mundësi të jepnin mendimin e tyre, diplomatët me kostume dhe kapela të larta e copëtonin Lindjen e Mesme si djath.

Kështu, më 2 nëntor 1917, Arthur James Balfour, Ministër i Punëve të Jashtme të Perandorisë Britanike, e zotonte Palestinën duke nënshkruar një letër ku shpallte se : “Qeveria e Madhërisë së saj po konsideron me mirësi [të krijoj] një Shtëpi Kombëtare për popullin hebre”. Më pak e cituar, pjesa e dytë e këtij premtimi për lëvizjen sioniste veçonte: “Kuptohet se asgjë nuk do të bëhet që do të mund t’i cenojë (…) të drejtat civile dhe fetare të komuniteteve johebraike që ekzistojnë në Palestinë“. Pavarësisht nga kjo klauzolë, 90% e popullsisë privohet nga të drejtat politike dhe kombëtare. Si dje, ajo nuk pyetet as sot, si dje as sot nuk i njihet identiteti kombëtar. Ky vizion ka një emër: kolonializëm. Mjerë të mposhturit!

Në vitin 1917, norma ishte e tillë. Perandoritë britanike dhe franceze mund të besonin se ishin të përjetshme dhe depozitues të së drejtës së pakontestueshme për ta caktuar fatin e popujve “inferiorë” të Azisë ose Afrikës. Një shekull më vonë, sistemi kolonial u shemb, duke lënë kujtime të mira vetëm tek disa nostalgjikë të kësaj “detyre të civilizimit” që e kërkonte Jules Ferry, apo të “barrës së njeriut të bardhë“, siç kremtonin vargjet e Rudyard Kipling.

Megjithatë, çdo paragraf i “vizionit” të propozuar më 28 janar nga Presidenti Trump shpërfaq të njëjtën mendësi. Sigurisht se Presidenti amerikan nuk mund ta injorojë faktin se nuk jetojmë sot në epokën koloniale. Kjo edhe është arsyeja pse ai pretendon se pozicioni i tij është i barazpeshuar, pasi që përfshin të drejtën e palestinezëve për ta pasur shtetin e tyre. Asgjë e re: Presidenti George W. Bush ia kishte njohur këtë të drejtë më 25 qershor 2002 dhe vetë z.Netanyahu e kishte pranuar këtë ide gjatë një fjalimi në vitin 2009. I kishte përcaktuar kornizat, të njëjtat që janë përfshirë në planin Trump: shteti i ardhshëm palestinez, pavarësisht nga sipërfaqja dhe ndarja e tij, nuk do ta ketë asnjë atribut të shtetit, duke filluar nga sovraniteti.

Për t’u arsyetuar, hartuesit shpjegojnë, pa dashje me humor, se “sovraniteti është një koncept i përpunueshëm [“amorf”] i cili ka evoluar me kalimin e kohës. Me ndërvarësi në rritje, çdo komb zgjedh të ndërveprojë me kombet e tjera duke bërë marrëveshje që vendosin parametra thelbësorë për secilin“. Parim paradoksal kur vjen nga dy shtete që pretendojnë të veprojnë vetëm sipas interesave kombëtare të tyre vetanake!

Derisa Uashingtoni i ka dhënë Tel-Avivit të drejtën për të aneksuar pjesë të mëdha të territoreve të pushtuara pas luftës së qershorit 1967 – kolonitë, pa përjashtim, si dhe Luginën e Jordanit – ky shtet palestinez do të mbulojë vetëm dy të tretat e Bregut Perëndimor, gjë që është një koncesion i jashtëzakonshëm sipas “vizionit Trump”

Shteti palestinez i demilitarizuar nuk do ta ketë asnjë kontroll mbi kufijtë e tij, as mbi hapësirën e tij ajrore ose detare. Edhe tunelet dhe urat që do t’i lidhin enklavat e ndryshme që supozohet ta sigurojnë “vazhdimësinë e territorit palestinez” do të jenë nën mbikëqyrjen e Izraelit. Dhe çdo vendim i palestinezëve do të kushtëzohet me “sigurinë e Izraelit“.

Derisa Uashingtoni i ka dhënë Tel-Avivit të drejtën për të aneksuar pjesë të mëdha të territoreve të pushtuara pas luftës së qershorit 1967 – kolonitë, pa përjashtim, si dhe Luginën e Jordanit – ky shtet palestinez do të mbulojë vetëm dy të tretat e Bregut Perëndimor, gjë që është një koncesion i jashtëzakonshëm sipas “vizionit Trump”. “Tërheqja nga një territor i pushtuar në një luftë mbrojtëse është një gjë e rrallë historike. Duhet pranuar që shteti i Izraelit tashmë është tërhequr nga të paktën 88% e territorit që e pushtoi në vitin 1967. Ky vizion parashikon bartjen e territoreve të rëndësishme nga shteti i Izraelit – territore mbi të cilat vendi kishte pretendime legjitime ligjore dhe historike, të cilat janë pjesë e atdheut stërgjyshor të popullit hebre”. Në mendësinë e z.Trump dhe z.Netanyahu, një hajn që ju ka vjedhur 300 euro dhe ju premton se do t’ju kthejë 200 euro, tregon shpirtbardhësinë e tij.

Sepse edhe në këtë ‘bantustan’ të ardhshëm (që do të njihet si shtet vetëm pas katër viteve, me kusht që Izraeli ta jap dritën e gjelbër), palestinezët do të duhet t’i respektojnë kërkesat e zotërve të tyre. Një shembull i vetëm përmbledh logjikën e planit të detyrimit ndaj veprës. Që nga pushtimi i vitit 1967, palestinezët nuk mund t’i ndërtojnë lirshëm shtëpitë e tyre. Qindra shtëpi të tyre shkatërrohen nga ushtria izraelite me pretekste të ndryshme. Edhe nëse në “shtetin” e tyre të ardhshëm, autoritetet palestineze do të mund të lëshojnë leje ndërtimi, banesat që gjinden “në zonat ngjitur me kufirin midis shtetit të Izraelit dhe shtetit të Palestinës, përfshirë kufirin midis Jeruzalemit dhe Al-Qods, do t’i nënshtrohen përgjegjësisë kryesore të shtetit të Izraelit në çështjet e sigurisë“. Mjafton të shikohet harta për të kuptuar që nuk do të ketë zona që nuk janë “ngjitur me shtetin e Izraelit”.

Natyrisht se këto kufizime bëhen në emër të “sigurisë” (një fjalë që paraqitet 167 herë në tekst, ose mesatarisht dy herë në faqe), por vetëm të Izraelit. Vendi ka ushtrinë më të fuqishme në rajon; ka armën bërthamore; forca e saj ajrore mund ta bombardojë Libanin, Sirinë, tani Irakun dhe natyrisht Gazën. Në vitin 2019, 133 Palestinezë u vranë, prej të cilëve 28 të mitur, krahasuar me 10 izraelitë, prej të cilëve një i mitur. Megjithatë, dokumenti Trump shpjegon se “është joreale të kërkosh nga shteti i Izraelit të bëjë kompromise në çështje të sigurisë që mund ta rrezikojnë jetën e qytetarëve të tij”.

Në rishkrimin e tij të historisë, teksti përmend vetëm “luftërat mbrojtëse, disa prej të cilave të llojit ekzistencial, të bëra nga Izraeli“. Mbrojtës edhe pushtimi i njëanshëm i Egjiptit në vitin 1956? Lufta e vitit 1967 e denoncuar asokohe nga gjenerali de Gaulle, sepse Izraeli kishte “gjuajtur i pari”? Pushtimi i Libanit në vitin 1982?

Shprehja Vae victis! (“Mjerë të mposhturit!”) mund të përmbledhë “vizionin Trump”. Edhe pas paqes nuk do të lirohen të burgosurit politikë palestinezë, nëse kanë kryer krime gjaku, ose edhe nëse thjesht kanë komplotuar për t’i kryer ato. Refugjatët nuk do të mund të kthehen në shtëpitë e tyre, nuk do të dëmshpërblehen dhe do të mund të vendosen në shtetin palestinez vetëm se me pëlqimin e Izraelit. Udhëheqësia palestineze do të duhet gjithashtu ta “edukoj” popullin e tij për t’i dhënë fund “gjuhës së urrejtjes” (që nuk ekziston në Izrael, natyrisht).

Në fund, palestinezët do të duhet ta njohin Izraelin si “shtetin-komb të popullit hebre“, duke legjitimuar vizionin sionist të historisë, idenë se ata janë ndërhyrës në këtë tokë biblike – duke brishtësuar gjendjen e afro dy milion “palestinezëve të vitit 1948”, shpesh të quajtur “arabë izraelitë”, qytetarë të rendit të dytë në një shtet hebre. Një shkëmbim territoresh do t’i shtyjë gjithashtu 400,000 prej tyre jashtë kufijve, duke e fuqizuar ëndrrën e “pastërtisë etnike” që po rritet në Tel Aviv.

Në një artikull tingëllues të titulluar “Mos e quani këtë plan paqeje”, z.Daniel Levy, një ish-negociator izraelit i Marrëveshjeve së Oslo-s, shkruan: “Ekziston një dallim midis kapitullimit dhe një plani të  paqes. Por edhe kushtet e kapitullimit kanë më shumë të ngjarë të jenë të qëndrueshme nëse ndërtohen në mënyrë që ta ruajnë një lloj dinjiteti të palës së mposhtur”. “Vizioni i propozuar nga Uashingtoni është një “plan urrejtje“, përfundon ai.

Në historinë e re, Presidentët amerikanë kanë propozuar shpeshherë “plane paqeje” – prej Planit të Ronald Reagan në vitin 1982 deri tek Plani i George H. Bush në vitin 1991. Me z.Trump, për herë të parë, një nga këto plane përjashton në mënyrë eksplicite tekstet e miratuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në veçanti rezolutën 242 të Këshillit të Sigurimit të nëntorit 1967, ku deklarohet “papranueshmëria e marrjes së territoreve me luftë“. Ndoshta ai nuk do t’i mbijetoj banorit aktual të Shtëpisë së Bardhë. Por, përveç se e njeh përfundimisht Jeruzalemin si “kryeqyteti i përjetshëm dhe i pandashëm” i Izraelit (një vendim që një president i ardhshëm do ta ketë të vështirë ta shfuqizojë), ai angazhohet gjithashtu (edhe para zgjedhjeve të nëntorit në Shtetet e Bashkuara) për themelimin e një komisioni amerikano-izraelit i cili do t’i përcaktoj saktësisht kufijtë e territoreve që Izraeli do të mund t’i aneksojë me pëlqimin e Uashingtonit.

Në këtë kontekst, çfarë mund të bëjnë palestinezët? Ata e kanë pranuar refuzimin unanim të Planit nga Lidhja Arabe, nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik dhe nga Unioni Afrikan. Shumë zëra publikë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre, si në Marok, ku dhjetëra mijëra protestues kanë kundërshtuar planin. Por pak kryeqytete arabe kundërshtojnë hapur Shtetet e Bashkuara, dhe disa të tjerë, veçanërisht në Gji, do të donin t’i bashkangjiten atyreve, siç shihet nga prania e ambasadorëve të tyre në prezantimin e Planit Trump. Disa qeveri perëndimore, përfshirë ajo e Francës, kanë  “përshendetur përpjekjet e Presidentit Trump“, duke iu bindur një urdhërit paraprak … madje edhe para se ta studionin dokumentin. Dhe palestinezët nuk kanë fituar mbështetje të mjaftueshme në Kombet e Bashkuara për miratimin e një rezolute nga Këshilli i Sigurimit që madje pa e dënuar planin së paku do të kujtonte parime një mijë herë të miratuara në dekadat e fundit.

Ndarjet palestineze, diskreditimi i dy pushteteve – në Ramallah si seli e autoritetit palestinez dhe në Gaza i kontrolluar nga Hamasi – e komplikojnë organizimin e një përgjigje. Pas kërcënimit për ta pezulluar koordinimin e sigurisë me Izraelin, Presidenti Mahmoud Abbas është kthyer sërish mbrapa. Ai mbyllet në palëvizshmëri vetëm se me disa veprime diplomatike, duke shpresuar se plani do të vdesë nga vdekja e tij e bukur, në mungesë të bashkëbiseduesve palestinezë.

Në vitin 1989, historiani amerikan David Fromkin botoi një libër me titull “Një paqe për t’i dhënë fund çdo ide paqeje”. Aty studioi mënyrën sesi fuqitë evropiane kishin copëtuar Lindjen e Mesme dhe ia kishin dorëzuar Palestinën kolonizimit hebre, në dëm të aspiratave të popujve të saj. Ai vuri në dukje se “fantazma kryesore britanike për Lindjen e Mesme – sipas të cilit ky rajon dëshiron të qeveriset nga Britania e Madhe ose me ndihmën e saj – është përplasur me murin e gurtë të realitetit”. Kjo “fantazmë” ka shkaktuar miliona vdekje. Një shekull më vonë, “vizioni” i z. Trump bazohet në të njëjtin iluzion dhe premton të njëjtat pasoja.

*Drejtor i gazetës online OrientXXI.info

Botime të tjera