Godina të shkatërruara në mes të Teheranit, kolona tymi në horizont. Më 13 qershor, sulmi që i trembeshin prej vitesh sapo ka filluar. Që në orët e para, më të pasurit largohen nga kryeqyteti iranian për t’u strehuar në vilat e tyre buzë detit Kaspik. Radhët zgjaten para pompave të karburantit dhe dyqaneve ushqimore. Punëtorët e shumtë ditorë humbin të ardhurat e tyre të pakta dhe zhytën në varfëri, ndërsa shefi i policisë u bën thirrje dëshmitarëve të ndihmojnë për të zbuluar « terroristët » të fshehur mes popullsisë.
Shumë shpejt, aviacioni izraelit merr kontrollin e qiellit Iranian. Shkatërron të paktën në sipërfaqe qendrat e kërkimit bërthamor dhe bazat e lëshimit të raketave. Sulmi merr një karakter spektakolar me eliminimin e shkencëtarëve, si dhe me prerjen e kokës së komandës së ushtrisë dhe të « gardianëve të revolucionit » (pasdaranëve), organizata paramilitare që varet drejtpërdrejt nga Udhëheqësi Suprem. Infiltrime të guximshme dhe kapacitete teknologjike jashtë normales duket se i japin një përparësi të madhe dhe të shpejtë Izraelit i cili mund të llogarisë edhe në përfshirjen, një javë më vonë, të mbrojtësit të tij amerikan që, sipas presidentit Donald Trump, është në gjendje t’u shkaktojë « dëme monumentale » objekteve bërthamore.
Me një popullsi dhjetë herë më të vogël dhe një territor tetëdhjetë herë më të vogël, Davidi do ta kishte mposhtur Goliathin për dymbëdhjetë ditë. Por këto suksese tregojnë gjithashtu ekzagjerimin e kërcënimit. Shpenzimet ushtarake të Iranit përfaqësonin vetëm 14% të atyre të Izraelit në vitin 2024. Dhe kjo përqindje ka prirje të ulet. Goditjet kundër përfaqësuesve të Teheranit – Hezbollahut në Liban, forcave aleate të Bashar Al-Assadit në Siri, houthistëve në Jemen – tregonin tashmë se shumë nga deklaratat luftënxitëse të « boshtit të rezistencës » ishin thjesht mburrje. Ndonëse pretendonte që « zotëronte plotësisht skenën e kësaj lufte hibride dhe të plotë » pas bombardimeve amerikane, Korpusi i Gardianëve të Revolucionit e kishte të vështirë t’i shkaktojë goditje të mëdha shtetit që zotëron armë bërthamore dhe që gëzon mbështetjen perëndimore dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara.
Vetëcensura nuk është më në fuqi
Tronditja që ndjehet në rrugët e Teheranit kujton atë të shkaktuar nga pushtimi irakian në shtator 1980. Vendi ishte atëherë në një dinamikë të plotë revolucionare dhe kishte arritur të mobilizonte popullsinë për të rimarrë tokat e pushtuara nga trupat e Saddam Husseinit. Por vetëm një pakicë e iranianëve të sotëm e ka përjetuar shoqërinë e asaj kohe, kryesisht rurale dhe analfabete. Tani, 80% e popullsisë jeton në qytete, shumica e fëmijëve shkon në shkollë dhe shumë të rinj, veçanërisht vajza, ndjekin universitetin.
Irani nuk ka sot më shumë mbështetës të islamizmit politik sesa që kishte komunistë entuziastë ndaj Bashkimit Sovjetik në fund të viteve 1980. Pavarësisht stabilitetit të tij, kjo mullarki kushtetuese – një pushtet me pamje demokratike, por i kontrolluar në fund nga kleri– ka humbur shumë nga legjitimiteti i saj. Shtypja e egër e lëvizjes « Grua, jetë, liri » tronditi vendin në vitin 2022 duke iu shtuar asaj që kishte shuar protestuesit kundër varfërisë në vitin 2019.
Por vetëcensura nuk është më në fuqi. Iranianët nuk hezitonin të shprehnin mendimin e tyre javët para agresionit izraelit. Qeveria u detyrua të lëshojë penj. Më 15 dhjetor, Irani pezulloi një ligj të ri shtypës mbi « shaminë dhe moralin ». Në rrugët e qyteteve, më shumë se një e treta e grave nuk mbajnë më shami. Më befasuese është se kjo vihet re edhe në disa administrata.
Retorika mbi « të çmendurit e Zotit » dhe ushqimi i fantazmave nga mediat perëndimore nuk duhet të nxisin harresën se regjimi nuk është aspak i painformuar për raportet e forcave dhe se di të tregojë pragmatizëm. Në vitin 1988, Udhëheqësi i parë i Revolucionit, Ruhollah Khomeini, kishte pranuar një armëpushim me Irakun. Në vitin 2015, pasardhësi i tij Ali Khamenei firmosi marrëveshjen e Vjenës për çështjen bërthamore me pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Gjermaninë dhe Bashkimin Evropian. Në mars 2023, Kina ndërmjetësoi normalizimin e marrëdhënieve diplomatike mes Iranit dhe Arabisë Saudite. Në korrik 2024, Udhëheqësi nuk iu kundërvu zgjedhjes në postin e presidentit të Republikës të « reformatorit » Masoud Pezeshkian, i cili kishte meritën të përfaqësonte dy pakica etnike të rëndësishme, me një nënë kurde dhe një baba azer.
Duke justifikuar luftën e tij me çështjen e programit bërthamor iranian, Benyamin Netanyahou ka marrë disa rreziqe, ndër të cilat nuk është më i vogli ai i kontaminimit të gjithë rajonit. Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), Rafael Mariano Grossi, ka kujtuar se infrastruktura bërthamore nuk duhet të jetë kurrë shënjestër sulmi : « Këto sulme kanë pasoja të rënda për sigurinë teknike, sigurinë fizike dhe garancitë bërthamore. Dëmtojnë gjithashtu rëndë paqen dhe sigurinë rajonale e ndërkombëtare ».
Qëllimi i shkatërrimit të kapaciteteve të prodhimti të një bombë ka pak gjasa të arrihet në afat të mesëm. Goditjet në thellësi mund të kenë shkatërruar disa instalime, por jo edhe rezervat e uraniumit të pasuruar. Vetëm një mekanizëm ndërkombëtar kontrolli mund të garantojë përfundimin e një programi të tillë. Nëse synimi ishte të detyroheshin iranianët të uleshin në tryezën e negociatave, përse atëherë iu kërkua Donald Trumpit që ta minonte në vitin 2018 marrëveshjen bërthamore të Vjenës dhe pastaj të sulmohej vendi në mes të bisedimeve?
Mbështetja blanko ndaj Izraelit nga ana e anëtarëve të G7 duket krejtësisht e papërgjegjshme në lidhje me përhapjen bërthamore. Njëzet vendet kryesore të zonës arabo-muslimane, përveç Iranit, kanë kujtuar në një deklaratë të përbashkët « urgjencën e krijimit të një zone të lirë nga armët bërthamore dhe armë të tjera të shkatërrimit në masë në Lindjen e Afërt, e cila do të vlente për të gjitha shtetet e rajonit, pa përjashtim ». Kjo aludon, sigurisht, për Izraelin, që nuk është nënshkrues i traktatit të mosproliferimit (TNP). Fuqitë si Turqia, Arabia Saudite ose Egjipti mund të pyesin veten për mënyrën më të mirë për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet e vazhdueshme të fqinjit të tyre.
« Të mbështetesh te forca dhe jo te negociatat është mënyra më e sigurt për ta shkatërruar TNP. Kjo i dërgon një mesazh të qartë shumë vendeve, se siguria e tyre përfundimtare është te zhvillimi i armëve bërthamore! », paralajmëronte Mohamed El-Baradei, ish-drejtori i përgjithshëm i AIEA-së, në X më 18 qershor. Iranianët, që amerikanët i paraqesin prej tridhjetë vitesh në « pragun » e zotërimit të armës bërthamore, mund ta ndryshojnë zyrtarisht doktrinën dhe të heqin dorë nga nënshkrimi i tyre në TNP. « Zgjimi i luanit » : emri që zgjodhën izraelitët për ta emërtuar ofensivën e tyre tregon qartë synimin. « Luani diellor » ishte simboli i Persisë mbretërore që u hoq nga flamuri iranian pas revolucionit të vitit 1979. Kjo përpjekje për ndërrimin e regjimit kujton grushtetin e vitit 1953, të organizuar nga shërbimet britanike dhe amerikane, për t’i dhënë fund nacionalizimit të naftës dhe për ta rikthyer në fron Mohammad Reza Shah Pahlavi (5). Sigurisht, i biri i tij, strehuar në Shtetet e Bashkuara dhe mbështetur prej kohësh nga Izraeli, ka lidhje të forta në diasporë dhe në televizionet satelitore. Por kujtimet makabre që ka lënë shahu dhe policia e tij famëkeqe politike, Savak, e dëmtojnë legjitimitetin e tij. Për më tepër, aleanca që kanë pasur dikur Muxhahedinët e Popullit, shtylla tjetër e opozitës iraniane, me Saddam Husseinin i diskrediton ende. Edhe pse shumë forca me ndikim të huaj janë aktive për ta destabilizuar një shtet të dobësuar, asgjë nuk tregon se ai është në prag të shembjes.
Gjatë muajve të fundit, shumë iranianë dukeshin të gatshëm të bënin gjithçka për ta ndryshuar epokën. Por agresioni izraelit mund të sjellë një përmbysje të opinionit publik. Të njëjtët profile në rrjetet sociale që para 13 qershorit sulmonin mullahët, të nesërmen shfaqnin një hartë të Iranit. « Më mirë i vdekur se tradhtar », deklaroi ish-futbollisti i njohur dhe kritiku i regjimit, Ali Daei, duke refuzuar çdo bashkëpunim me forcat e huaja.
Pa asnjë aleat shtetëror
Të ndjekur nga policia dhe të vendosur në arrest shtëpiak që nga « lëvizja e gjelbër » e vitit 2009, pas kontestimeve të zgjedhjeve presidenciale, drejtuesit kryesorë të kampit reformator e kanë dënuar ofensivën me terma të qartë. « Dora kriminale dhe natyra agresive e Netanyahut, në shkelje të hapur të të gjitha rregullave ndërkombëtare, e godasin kombin tonë me sulme ushtarake që prekin infrastrukturën, shkencëtarët dhe madje edhe jetën e civilëve të pafajshëm, burra, gra dhe fëmijë », shkruan në një deklaratë dërguar agjencisë zyrtare IRNA, znj.Zahra Rahnavard, bashkëshortja e Mir Hossein Moussavi, ish-kryeministër dhe kandidati që humbi në zgjedhjet e vitit 2009.
Nga burgu ku mbahet i dënuar për idetë e tij, z.Mostafa Tajzadeh, Ish-zëvendësministër i Brendshëm gjatë presidencës Khatami (1997–2005), ka arritur të përcjellë një mesazh: « Të mbështetësh një agresion ushtarak të huaj, të urdhëruar nga dikush i akuzuar për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, është politikisht dhe moralisht i pajustifikueshëm. Edhe sikur kjo luftë të çonte në rrëzimin e këtij regjimi fetar të dështuar, Irani do të mbetej në rrënoja, ku me shumë gjasë do të mbizotëronin anarkia dhe kaosi ». Ai propozon një tranzicion paqësor drejt demokracisë përmes formimit të një asambleje kushtetuese. Agresioni i jep gjithashtu autoriteteve aktuale pretekste për të forcuar shtypjen e brendshme dhe për të mbytur lëvizjet shoqërore. Por një anekdotë flet shumë: pas vërejtjeve të dërguara me mesazhe tekst për gratë që nuk mbanin shami pas 13 qershorit, kreu i shërbimit të informacionit të qeverisë kërkoi menjëherë falje për këtë « gabim të sistemit ».
Disa organizata të pavarura shoqërore, përfshirë një sindikatë e shoferëve të autobusëve dhe një tjetër e pensionistëve në grevë, kanë denoncuar gënjeshtrat izraelite: « Ne (…) nuk ushqejmë asnjë iluzion mbi një vullnet të mundshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për të sjellë liri, barazi dhe drejtësi —siç edhe nuk mashtrohemi as për natyrën dhe veprimin shtypës, ndërhyrës, aventurier dhe anti-punëtor të Republikës Islamike ».
Në anën tjetër të perëndimorëve të mbledhur për G7 në Kanada, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan konsideron se « Netanjahu tregoi edhe një herë se ai është kërcënimi më i madh për sigurinë e rajonit. (…) Është një e drejtë shumë natyrore, legjitime dhe ligjore për Iranin të mbrohet kundër brutalitetit dhe terrorizmit shtetëror të Izraelit ». Pesëdhjetë e shtatë shtetet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, të lodhura nga politika e « dy standardeve » në të drejtën ndërkombëtare, shfaqen të bashkuara, të mbështetura edhe nga shumë vende të « Jugut global ». Por, edhe pse këto qëndrime mund t’i japin iranianëve një farë qetësie morale, duket qartë se vendi i tyre ka disa miq, si Rusia ose Kina, por asnjë aleat shtetëror që mund ta ndihmojë ushtarakisht.
Pas panikut të ditëve të para, jeta vazhdon nën bomba, mes lodhjes dhe shqetësimit. Produktet e nevojës së parë nuk duket se mungojnë, por Interneti ka pësuar ndërprerje të shpeshta. Ti bësh presion edhe më shumë regjimit mund ta kishte shpier atë në vendime radikale, tashmë të përmendura në Parlament: bllokimin e ngushticës së Hormuzit, daljen nga TNP. Një rikthim te negociatat pas armëpushimit do të mund të sillte vetëm lehtësim për popullsinë.
*Respektivisht drejtor dhe gazetare-përkthyese e botimit në persisht (farsi) të Le Monde diplomatique, si dhe me kontributin e Philippe Descamps.

