Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Projekti Neom, kjo kështjellë rëre teknologjike në shkretëtirën saudite

Projekti Neom është konceptuar si një sipërmarrje gjigante, e destinuar të kurorëzohet si realizimi më mbresëlënës në shkallë globale i gjysmës së parë të këtij shekulli. Me qytetet e tij futuriste, premtimet për energji të ripërtëritshme dhe një mori risish teknologjike, ai synon të mishërojë ambiciet modernizuese të princit trashëgimtar të Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman (MBS). Por, të paktën për momentin, përplasja mes vizionit dhe realitetit, mungesa e koherencës dhe e realizmit, e kanë reduktuar këtë projekt faraonik në një kështjellë rëre që rrezikon të shembet para se të marrë formë.

Dhjetor, 2025

Rruga e gjatë që lidh qytetin saudit të Tabukut me Detin e Kuq është pothuajse e zbrazët. Shtrirje të pafundme tokash të thata i lëshojnë vendin, dalëngadalë, masiveve shkëmbore. Vendbanime dhe ferma beduine shfaqen në stepa të rralla, ku vetëm pak tufa bari arrijnë t’i bëjnë ballë nxehtësisë. Nën një diell përvëlues, shihen tufa dromedarësh të drejtuara nga deveçarë, me kokën dhe fytyrën të mbështjella me kefije. Për shekuj me radhë, mbijetesa ka qenë e lidhur ngushtë me blegtorinë nomade dhe shfrytëzimin e burimeve të detit. Beduinët dikur e përshkonin shkretëtirën në kërkim të ujit, duke ndjekur ritmet e një jete nomade të përcaktuar nga mbijetesa. Sot, ata po vendosen gradualisht në fshatra, por ambiciet faraonike të mbretërisë po u sjellin tronditje të reja. Kjo trevë e veriperëndimit të Arabisë Saudite është shndërruar në epiqendrën e transformimit ekonomik dhe urban të vendit, të projektuar nga princi trashëgimtar 40-vjeçar, Mohammed bin Salman – i njohur si « MBS » –, biri i mbretit Salman bin Abdulaziz Al Saud.

E quajtur Neom, kjo zonë e re zhvillimi shtrihet nga Gjiri i Akabës deri në malet e brendshme, duke mbuluar një sipërfaqe prej 26 500 kilometrash katrorë, sa një Belgjikë e tërë e vendosur mes rërës dhe shkëmbinjve. Emri i saj, tashmë i regjistruar si markë, premton « një të ardhme të re » – një pleonazëm i ndërtuar nga parashtesa greke neo- dhe shkronja e parë e fjalës arabe mustaqbal, që do të thotë « e ardhme ».

Një nga kantierët më të mëdhenj të botës

Këtu mbretëria synon të ngrejë një megapol ultrateknologjik, në zemër të një kompleksi urban që pretendohet të tejkalojë, për nga inovacioni, qytete të lidhura dhe me arkitekturë futuriste si Songdo në Korenë e Jugut apo Woven City në Japoni. Aeroporte, marina, hotele luksoze, trena me shpejtësi të lartë, kulla prej xhami dhe çeliku për të strehuar kompani dhe qendra biznesi, baza logjistike dhe kanale detare: asgjë nuk parashihet të mungojë. 

Për momentin, peizazhi mbetet i shterpë: ekskavatorët çajnë tokën, ndërsa kamionë të rëndë shkojnë e vijnë pa pushim, duke ngritur re pluhuri. « Më shumë se 2500 kamionë qarkullojnë këtu ditë e natë », shpjegon një punonjës egjiptian i Neom-it, përballë asaj që i ngjan njërit prej kantierëve më të mëdhenj në botë. Rreth 140 000 punëtorë ndodhen aktualisht në këtë zonë. Ne gjendemi në kampin NC1, më i madhi i Neom-it, një enklavë ku punojnë afro 5000 persona të ardhur nga të katër anët e botës: Brazili, Shtetet e Bashkuara, Spanja, Italia, India, Pakistani, Sri Lanka…

Sa i përket popullsisë vendase, asaj iu kërkua të largohej. « Ata i rrafshuan fshatrat beduine për të ndërtuar këtë kamp », konfirmon një punonjës evropian. Sipas shifrave zyrtare, autoritetet kanë zhvendosur rreth 6000 anëtarë të fisit Huwaitat, të vendosur prej shekujsh në këtë rajon. « Në vitin 2020, kur u shpall Neom-i, banorët vendas refuzuan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Për shumicën e sauditëve, ky projekt nuk ishte prioritet », shpjegon zonja Lina Al-Hathloul, aktiviste saudite për të drejtat e njeriut, e mërguar në Bruksel.

Ata që refuzuan të largoheshin, edhe kundrejt dëmshpërblimit, u arrestuan; disa u dënuan me burgim ose me dënim me vdekje. Abdul Rahim Al-Huwaiti, një fshatar që i denoncoi publikisht këto dëbime, u vra nga policia. Një ish-oficer i shërbimeve të inteligjencës, koloneli Rabih Alenezi, ka zbuluar se Ministria e Brendshme kishte urdhëruar evakuimin me forcë dhe eliminimin e çdo forme rezistence. Një dhunë që të kujton atë që përshkruan shkrimtari i madh saudit Abdul Rahman Munif në pentalogjinë e tij letrare Qytetet e kripës (Sindbad/Actes Sud), ku përshkruhen tronditjet e thella që përjetoi shoqëria beduine saudite nga shpimet e para të naftës, në mesin e shekullit XX. Nga jashtë, NC1 duket si një bazë ushtarake e rrethuar me tela me gjemba. Regjimi i hyrje-daljeve është i rreptë: roje sigurie, sisteme të identifikimit me njohje fytyre dhe disa nivele sigurie kontrollojnë lëvizjet. Në hyrje, slogani « I love NEOM » dhe logoja e zonës evokojnë estetikën e një kompanie gjigante të Silicon Valley-t. Një pankartë reklamash deklaron: « Rinia saudite mishëron frymën e NEOM-it, që na ofron një hapësirë fizike. » Në brendësi, ambienti të kujton një botë distopike, të ngjashme me universin e filmit The Truman Show: radhë barakash të pajisura me panele diellore dhe kopshte të vogla, të mirëmbajtura me kujdes. Kamera të vendosura kudo garantojnë një mbikëqyrje të vazhdueshme. NC1 strehon kryesisht kuadro drejtuese, me mensa që ofrojnë ushqim ndërkombëtar, palestra dhe pishina në natyrë. Jeta e përditshme e punonjësve ndjek një regjim strikt: zyrë, mensë, aktivitet fizik, fjetore.

Zyrat, disa prej tyre pa dritare, janë të gjitha të klimatizuara — një domosdoshmëri, kur jashtë temperaturat mund të arrijnë deri në 50°C nga qershori në shtator. « Këtu paratë rrjedhin pa kursim, pa asnjë kontroll », rrëfen një punonjës, teksa vë në dukje se çdo ndërtesë ka gjeneratorin e vet. Në periferi të kampit, ndërtesa të reja po ngrihen për të strehuar të sapoardhurit. Një aeroport i ri, rreth gjysmë ore larg me makinë — i pari që ka hyrë në funksion nga katër të planifikuarit — e lidh zonën me Dubain, Dohën dhe Londrën.

Pas kësaj fasade high-tech, punonjësit e Neom-it përshkruajnë një kulturë menaxheriale shtypëse, të shënuar nga presioni i vazhdueshëm dhe kushte të vështira pune. Ata nuk hezitojnë të shprehin dyshimet e tyre mbi qëndrueshmërinë e projektit. « Jetojmë në një kafaz të artë », pranon një evropian. « Por sapo marrim rrogat, depresioni zhduket. » Drejtuesit e lartë përfitojnë shpesh dhjetëra mijëra euro në muaj, ndërsa shpërblimi për drejtuesit kryesorë mund të arrijë deri në 1,1 milion dollarë në vit, pa taksa. « Të gjithë bosët e mëdhenj këtu po e ndërtojnë karrierën e tyre mbi gënjeshtra. I thonë vetes: “Mirë, unë do të marr 50 milionë për dy vjet, shtrëngoj dhëmbët dhe pastaj iki” », rrëfen një punonjës.

Projekti Neom, kostoja fillestare e të cilit vlerësohet në 500 miliardë dollarë, bën pjesë në kuadrin e Vision 2030, një plan reformash tejet ambicioz i nisur nga MBS në vitin 2016, me synimin për të nisur tranzicionin energjetik, për të ulur varësinë nga nafta dhe për t’u shkëputur nga imazhi ultrakonservator i vendit. Në vitin 2024, eksportet e naftës të Arabisë Saudite arritën rreth 217 miliardë dollarë, duke përbërë 90% të të ardhurave nga eksporti, 80% të të ardhurave buxhetore dhe 40% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Objektivi i shpallur i princit trashëgimtar është që kjo peshë të ulet në vetëm 10% të PBB-së deri në vitin 2030. Për ta arritur këtë, mbretëria synon të rrisë të ardhurat jonaftore në 265 miliardë dollarë deri në atë afat. « Ne kemi një hapësirë bosh dhe duam të strehojmë aty 10 milionë njerëz », deklaronte MBS në një fushatë promovuese të nisur në vitin 2017.

Ndër të gjitha projektet spektakolare të Neom-it, më shumë jehonë ka pasur The Line (« Linja »). Ky qytet linear i gjatë 170 kilometra duhej të dilte nga rëra dhe të përshkonte shkretëtirën nga lindja në perëndim, si një çarje në hapësirën e pafund aride. Projekti, me një buxhet prej 200 miliardë dollarësh parashikonte ndërtimin e tij mes dy mureve 500 metra të larta – 170 metra më shumë se Kulla Eifel – të ndara mes tyre nga 200 metra, me fasada pasqyrë që do të reflektonin qiellin dhe oqeanin e rërës. Në brendësi, një tren me shpejtësi të lartë do të mundësonte lidhjen nga njëri skaj në tjetrin për vetëm njëzet minuta. The Line – 34 kilometra katrorë shkretëtirë të shndërruar – ishte menduar të bëhej një « qytet-botë » me nëntë milionë banorë. Për krahasim, Parisi brenda kufijve administrativ, me 105 kilometra katrorë, numëron rreth dy milionë banorë. Përveç studiove të mëdha të arkitekturës (Morphosis, Pei Cobb Freed & Partners, HOK), The Line ka tërhequr dhjetëra kompani perëndimore të inxhinierisë dhe ndërtimit.

Arka të Noesë për elitat globale

Mjerisht, pak është e mundshme që ky projekt të marrë jetë, të paktën jo në përmasat spektakolare të paraqitura fillimisht. Më 16 shtator, fondi publik i investimeve i Arabisë Saudite njoftoi pezullimin e tij, pasi që tashmë kishte vendosur të ulte ndjeshëm ambicien në vitin 2024 (3 kilometra në vend të 170 kilometrave dhe 300.000 banorë në vend të dy milionëve të parashikuar për fazën e parë). Në fillim të nëntorit, Financial Times zbuloi se si vështirësitë financiare, por edhe vetë ligjet e fizikës, i kanë rënë kambanës për disa prej komponentëve të The Line, mes tyre edhe një kullë tridhjetëkatëshe që duhej të qëndronte e varur mbi një kanal detar të hapur në mes të shkretëtirës për kalimin e anijeve turistike. Një katastrofë e sigurt, sipas inxhinierëve.

Por pse gjithë kjo përmasë e tepruar? Duke folur për projektet në Gjirin Persik, Davide Ponzini, profesor i urbanistikës në Politecnico di Milano dhe i deleguar për marrëdhëniet ndërkombëtare me Lindjen e Afërt, vëren se « legjitimimi i pushtetit po mbështetet gjithnjë e më shumë te inovacioni dhe jo te tradita. Nuk është më vazhdimësia me të shkuarën ajo që e themelon autoritetin, por aftësia për të projektuar një vizion të së ardhmes ». Një orientim që na e konfirmon edhe Amal D., arkitekte e punësuar në një nga kantierët. « Në fillim, një ekip i vogël arkitektësh dhe urbanistësh po mendonte një strukturë rrethore, përpara se të mbërrinte te ky koncept i formave gjeometrike të thjeshta, si gjashtëkëndëshi apo The Line, të cilat menjëherë e kapën vëmendjen », shpjegon ajo. « Një këshilltar i projektit na tha se imaz  hi i Neom duhej të përfaqësonte të ardhmen, dhe jo një vazhdimësi të kulturës saudite. Nuk duhej të kishte asgjë të përbashkët me arkitekturën tradicionale ».

Por pse kjo përmasë e skajshme? Duke iu referuar projekteve në Gjirin Persik, Davide Ponzini, profesor i urbanistikës në Politecnico të Milanos dhe i deleguar për marrëdhëniet ndërkombëtare me Lindjen e Afërt, thekson se « legjitimimi i pushtetit po mbështetet gjithnjë e më pak te tradita dhe gjithnjë e më shumë te inovacioni. Nuk është më vazhdimësia me të shkuarën ajo që e themelon autoritetin, por aftësia për të projektuar një vizion të së ardhmes ». Këtë drejtim na e konfirmon edhe Amal D., arkitekte e angazhuar në një nga kantierët. « Fillimisht, një ekip i vogël arkitektësh dhe urbanistësh po shqyrtonte një strukturë rrethore, përpara se të mbërrinte te ky koncept i formave gjeometrike të thjeshta – si gjashtëkëndëshi apo The Line – që e tërhoqën menjëherë vëmendjen », shpjegon ajo. « Një këshilltar i projektit na bëri të qartë se imazhi i Neom duhej të mishëronte të ardhmen, e jo një vazhdimësi të kulturës saudite. Nuk duhej të kishte asgjë të përbashkët me arkitekturën tradicionale ».

Arkitektët dhe urbanistët e projektit The Line janë frymëzuar nga koncepti i “qytetit të 15 minutave”, i zhvilluar nga studiuesi i Sorbonës, Carlos Moreno. Në thelb, ky model promovon afërsinë dhe jetën e përditshme në shkallë njerëzore: puna, shkollat, shërbimet shëndetësore, kultura dhe tregtia të jenë të arritshme në këmbë ose me biçikletë, përmes përzierjes shoqërore dhe qarkullimit të shkurtër të burimeve. Por, në rastin e The Line, kjo filozofi duket se është reduktuar pothuajse vetëm në çështjen e lëvizshmërisë. Dimensioni i saj humanist – ideja e qytetit si hapësirë marrëdhëniesh, solidariteti dhe bashkëndarjeje – është lënë në hije, ndërsa në qendër është vendosur një vizion teknologjik, ku qyteti mendohet të funksionojë i organizuar nga sistemet digjitale. “Këto qytete gjigante, të ndërtuara nga hiçi, janë artificiale”, paralajmëron Moreno. “Në fillim admirohen për spektaklin e arritjeve teknike, pastaj lind pyetja thelbësore: kush do të jetojë aty? Shpesh, përgjigjja është dështimi.” Sipas tij, harrohet ajo që është thelbësore: ndarja e burimeve dhe qasja reale në arsim, kulturë dhe tregti – themelet mbi të cilat ndërtohet një qytet i gjallë, jo thjesht një makineri urbane.

“Pas gjithë kësaj fshihet një mendësi post-apokaliptike”, vlerëson Alain Musset, studiues në Shkollën e Studimeve të Larta në Shkencat Shoqërore (EHESS) dhe autor i një eseje mbi The Line. Imagjinari i projektit, që luhatet mes Magjistarit të Oz-it dhe Blade Runner-it, i detyrohet në masë të madhe edhe drejtorit artistik hollivudian Olivier Pron, i specializuar në superprodhime kinematografike. Një univers që nuk kishte si të mos joshte MBS-në, pasionant i lojërave video dhe i fantastikës shkencore ashtu siç e konceptojnë studiot Marvel. “Përballë çrregullimeve klimatike, po kërkohet të ndërtohen arka të Noes për elitat globale”, vijon Musset. “Neom është një ëndërr për arkitektët, por një makth për gjeografët dhe sociologët”.

Në terren, utopia është përplasur me realitetin. “Në letër duket spektakolare, por sfidat teknike janë kolosale: erërat, temperaturat ekstreme, kufizimet strukturore”, rrëfen një inxhinier evropian. Ndërsa një koleg i tij prek thelbin e problemit: “Gjithçka mbështetet mbi vizionin e një njeriu të vetëm – dhe askush nuk guxon ta kundërshtojë”.

Sidoqoftë, përvoja e viteve të fundit do të duhej ta kishte shtyrë udhëheqjen saudite drejt një qasjeje më të kujdesshme. Në Abu Dabi, qyteti “zero karbon” i Masdarit, i konceptuar si një mrekulli teknologjike dhe urbane e fillimit të shekullit XXI, sot paraqitet vetëm si një version i zbehur i ambicieve fillestare. E njëjta gjë vlen edhe për projektet e mëhershme të ashtuquajtura “qytete ekonomike”, të nisura përpara ardhjes në pushtet të Mohammed bin Salmanit.

“Ka edhe eksperimente në shkallë më të vogël, si King Abdullah Economic City (KAEC) pranë Xhedës”, thekson Ponzini. “Por afatet e ndërtimit janë zgjatur shumë përtej parashikimeve, me vonesa të njëpasnjëshme”. Filluar në vitin 2005 me nismën e mbretit Abdallah, ky megaprojekt me vlerë rreth 100 miliardë dollarë ishte menduar të strehojë dy milionë banorë deri në vitin 2035, por sot numëron vetëm rreth dhjetë mijë.

Një tjetër projekt emblemë i asaj periudhe mbetet i papërfunduar: Kulla e Xhedës, qendra simbolike e Djeddah Economic City, e nisur gjithashtu në vitin 2005. Ndërtimi i saj, që synonte të tejkalonte Burj Khalifa-n e Dubait, atëherë ndërtesa më e lartë në botë, u pezullua pas spastrimit të ndërmarrë nga MBS në vitin 2017. Mes të arrestuarve ishte edhe Bakr bin Laden, gjysmëvëllai i Osama bin Ladenit dhe drejtues i Saudi Binladin Group, kompania përgjegjëse për projektin. Shteti mori kontrollin e grupit në vitin 2018, përpara se ta lironte një vit më vonë. Punimet rifilluan në vitin 2024 me të njëjtin kontraktor, ndërsa përfundimi parashikohet për vitin 2028.

Modernitet teknologjik dhe model konsumist

Një pjesë e madhe e të rinjve të angazhuar në Neom, veçanërisht sauditë dhe punonjësit nga vendet arabe, vazhdojnë të besojnë në projekt. “Edhe në Katar ishte e njëjta histori: dy vjet para Kupës së Botës, shumë projekte nuk kishin nisur fare. Më pas gjithçka u përshpejtua. Disa kantiere hasin vështirësi, të tjerat ecin përpara. Nëse nuk beson, nuk ke pse të jesh këtu”, thotë me vendosmëri Youssef, ndihmës i një drejtuesi projekti.

Edhe Amal, arkitekte në projekt, mbetet optimiste, pavarësisht dyshimeve që e rrethojnë. “Jemi ende në fazat e para. Sot, objektivat e matshme më duken më të arsyeshme se më parë. Është një nismë jashtëzakonisht ambicioze, por askush nuk ka pretenduar se gjithçka do të përfundojë në vitin 2030. Prindërit e mi më kujtojnë se edhe për Dubain, në fillimet e tij, nuk besohej; askush nuk donte të shkonte të punonte atje”, shprehet ajo.

Mes kolegëve, kritikat që vijnë nga Perëndimi ndaj Neom-it shkaktojnë edhe zemërim. “Sapo një vend i Lindjes së Mesme synon të zhvillohet, ata e sulmojnë pa mëshirë”, thotë një prej tyre. Një tjetër shton me ironi: “Çfarë hipokrizie! Shtetet e Bashkuara flasin për të drejtat e njeriut, ndërkohë që e lënë një pjesë të popullsisë së tyre në varfëri”.

Ndërkohë që një lloj perëndimorizimi i sjelljeve dhe i stileve të jetesës është qartësisht i pranishëm, reagimi shovinist shfaqet me shpejtësi sapo preken tema të ndjeshme, si kritika ndaj mbretërisë. “Një pjesë e madhe e rinisë ka përqafuar modernitetin teknologjik dhe modelin konsumist, duke e pranuar njëkohësisht autoritarizmin – ashtu siç ndodhi në Kinë tridhjetë vjet më parë”, vëren Hamit Bozarslan, historian dhe studiues në EHESS. “Adoptohet estetika hollivudiane, përzierja shoqërore dhe kultura globale, ndërkohë që konsolidohet edhe një nacionalizëm i fortë: ‘Ne jemi nacionalistë, jemi myslimanë’. Autoritarizmi pranohet sepse princi perceptohet si mishërim i modernitetit. Por autoritarizmi nuk është një tipar kulturor: ai është një zgjedhje politike e regjimeve ose e shoqërive”.

Pavarësisht vonesave, pengesave teknike dhe pasigurive që e shoqërojnë, Neom mbetet një laborator domethënës për të kuptuar transformimet e thella që po përjeton shoqëria saudite – veçanërisht brezi i ri i arsimuar, i ndarë mes magjepsjes nga moderniteti global dhe pranimit të një rendi autoritar që e shoqëron atë.

Pak larg kantierit, në një plazh të gjatë e të paprekur me rërë të artë, jo shumë larg rezidencës mbretërore në Sharma, një grup të rinjsh sauditë, punonjës të Neom-it, lahen në det nën tingujt e “Gloria”-s së Umberto Tozzi-t dhe ritmeve disco. Një djalë i ri me mjekër të rregulluar dhe i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë, rri ulur pranë të dashurës së tij me bluzë pa mëngë. Skena mund të ishte nga Miami, Cannes apo Jumeirah, bregdeti luksoz i Dubait. Vajzat veshin rroba banje. Njëra prej tyre tymos një cigare elektronike, ndërsa vështron qenin e saj që luan me një gaforre. Një pamje e paimagjinueshme vetëm pak vite më parë, në kohën kur gratë saudite nuk kishin të drejtë të drejtonin makinën, as të dilnin pa hixhab apo pa shoqërinë e një burri.

Sot, rinia e artë e Arabisë Saudite gëzon liri që brezi i mëparshëm nuk do t’i kishte imagjinuar kurrë. Gratë mund të udhëtojnë të vetme dhe nuk janë më të detyruara të veshin abajën, edhe pse kjo rrobë e gjatë mbetet ende e pranishme në hapësirën publike. “Jam i mahnitur nga shpejtësia e ndryshimit”, rrëfen një drejtues evropian kantieri. “Sot shohim fytyrat e grave. Vetëm dy vjet më parë do të ishte e paimagjinueshme të uleshim bashkë”.

Disa punonjëse të reja rreth nesh e pohojnë me kokë. Disa ndajnë historitë e tyre. Njëra i ka shpëtuar një martese të rregulluar, një tjetër sapo ka prishur fejesën me një burrë që i impononte hixhabin. “Martesa është një institucion për të kontrolluar gratë, për t’i kufizuar, për t’u diktuar të bëjnë fëmijë”, thotë njëra prej tyre. “Na thonë se gratë janë pengesë, por në fakt janë burrat ata që na mbajnë prapa. Unë jam e vetmja grua inxhiniere në ekipin tim”, shton ajo me krenari. “Kolegët e mi meshkuj janë të gjithë të martuar dhe shumë mizogjinë.”

Të diplomuara jashtë vendit, shpesh në Shtetet e Bashkuara ose në Evropë, gjithnjë e më shumë gra saudite po hyjnë në kompanitë ndërkombëtare, të cilat, përfshirë edhe ato të angazhuara në Neom, janë të detyruara të punësojnë shtetas vendas. Ambicia e princit të kurorës është krijimi i gjashtë milionë vendeve të punës deri në vitin 2030, për të përthithur rreth 300 mijë të rinj që çdo vit hyjnë në tregun e punës. Objektivi është i qartë: mbajtja nën kontroll e papunësisë në një vend me 35 milionë banorë, ku mbi 60 për qind e popullsisë është nën 30 vjeç. Sipas të dhënave zyrtare, gratë saudite përbënin tashmë 36 për qind të fuqisë punëtore në vitin 2024.

Në këtë kontekst, të rinjtë inkurajohen të pranojnë edhe punë që deri dje konsideroheshin “të huaja”: shitës, kamarierë, punonjës dyqanesh apo punëtorë ndërtimi, profesione që për dekada ishin lënë në dorë të migrantëve. Kjo politikë e “saudizimit” të vendeve të punës ka shoqëruar një shtrëngim të ashpër të politikave migratore, duke çuar në dëbimin e rreth dy milionë migrantëve vitet e fundit.

Shifrat e vitit 2024 janë domethënëse: nga mbi 994 mijë të huaj të arrestuar, të paktën 573 mijë u dëbuan, shpesh pas ndalimesh në kushte të rënda dhe abuzive. Raportet flasin për tortura dhe në disa raste edhe për vrasje në kufij. Mes marsit 2022 dhe qershorit 2023, rojet saudite dyshohet se kanë vrarë qindra migrantë etiopianë. Ndërkohë, në Neom – si në shumë monarki të tjera të Gjirit – puna e përditshme mbështetet mbi migrantë nga Pakistani, Bangladeshi, Filipinet, India dhe Nepali, të pranishëm në kantiere, mensa, pas timonit apo në shërbimet e pastrimit.

“Filipinasit dhe indianët e mbajnë sistemin në këmbë, britanikët e drejtojnë”, thotë me një realizëm të hidhur një evropian nga Mesdheu. “Një britanik paguhet 15 mijë rijalë më shumë se unë për të njëjtat aftësi. Pakistani dhe indianët që bëjnë të njëjtën punë marrin edhe më pak. Nuk është çështje racizmi, është thjesht norma këtu – dhe askush nuk e vë në dyshim”, shton ai.

Megjithatë, akuzat për racizëm dhe seksizëm në majat drejtuese të Neom-it janë shtuar ndjeshëm. Wayne Borg, ish-kuadër i industrisë kinematografike në Hollywood, akuzohet se ka bërë vazhdimisht komente islamofobe dhe se ka quajtur punëtorët aziatikë të vdekur në kantierë “idiotë”, përpara se të shtonte: “Ja pse të bardhët janë në majat e shkallës”. Nga ana tjetër, ish-drejtori ekzekutiv Nadhmi Al-Nasr thuhet se ka deklaruar: “I trajtoj të gjithë si skllevër (…) Kur njëri prej tyre vdes, unë jam i kënaqur”, përpara se të zëvendësohej vitin e kaluar, pas gjashtë vitesh në krye të Neom-it.

Kushtet e jetesës për punëtorët aziatikë janë alarmante. Një situatë që të kujton kantierët e Kupës së Botës në Katar. Sipas një dokumentari të transmetuar nga televizioni britanik ITV, këta punëtorë strehohen në kampe informale, në kushte të mjerueshme, shpesh të detyruar të punojnë mbi 60 orë në javë, pa ditë pushimi, në shkelje të hapur të të drejtave të punës. I njëjti dokumentar raporton se që nga viti 2017, mbi 21 mijë punëtorë indianë, bangladeshas dhe nepalezë kanë humbur jetën në kantierët e lidhur me Vizionin 2030.

Në kontrast të fortë me këtë realitet, punonjësit e Neom-it me kualifikime të larta, ndonëse përballen edhe ata me orare të gjata pune, gëzojnë kushte shumë më të mira jetese dhe një shkallë lirie më të madhe. Shkretëtira e Bajdës, pranë Tabukut, është një nga vendet e tyre të preferuara për t’u shkëputur nga rutina. Duna të kuqe flakëruese shtrihen mes formacioneve të gurit ranor, të gërryera nga erozioni dhe që shpërbëhen nën këmbë. Për t’i arritur këto peizazhe me shkëmbinj okër dhe gryka të ngushta, nevojitet një automjet terreni dhe përvojë në drejtim.

Rreth zjarrit, bisedat nuk mungojnë. Disa punojnë për Neom-in prej vitesh, të tjerë sapo kanë mbërritur. Diskutohet për Rijadin, kryeqytetin që po çlirohet gradualisht nga konservatorizmi wahabit. “Rijadi po bëhet një Dubai i ri”, thotë Antonio, një inxhinier i ri, duke iu referuar lirshmërisë së qytetit emirat. Megjithatë, kryeqyteti saudit mbetet ende i ashpër, edhe pse alkooli mund të gjendet në ambasada dhe përfaqësi zyrtare perëndimore. “Bëni çfarë të doni, por në mënyrë diskrete”, e paralajmëron një koleg. “Ata duan të tërheqin turistë, por jeni të humbur nëse shkeljet bëhen shumë të dukshme”.

Në këto duna, ku vetëm beduinët ndihen vërtet si në shtëpinë e tyre, nën një qiell të mbushur me yje, biseda përfundon gjithnjë duke u ndalur te e njëjta pyetje thelbësore: çfarë do të mbetet, në fund të fundit, nga projekti faraonik Neom?

Botime të tjera