Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Prehja e fundit e emigrantit

Gjithëprania që karakterizon jetën e emigrantit – të ndarë mes këtu dhe atje – merr fund me vdekjen. Atëherë lind nevoja për një zgjedhje përfundimtare: shprehjen e vullnetit të fundit dhe përcaktimin e vendit të prehjes, në vendin pritës apo në tokën e prejardhjës. Sot, gjithnjë e më shumë persona të lindur jashtë vendit, e madje edhe më shumë pasardhësit e tyre, varrosen në Francë. Megjithatë, ky akt i fundit i përkatësisë dhe lidhjes me shoqërinë pritëse përballet ende me pengesa të shumta administrative, kulturore dhe simbolike.

Dhjetor, 2025

Vdekja në migrim shfaqet si një “moment i së vërtetës”, kur del në pah ambivalenca e jetës së emigrantit, “as këtu as atje”, e ndarë mes mungesës dhe përkatësisë së dyfishtë, siç e përshkruan Abdelmalek Sayad. Sociologu ka formuluar konceptin e “vdekjes së dyfishtë”: vetë emigrimi përbën një vdekje të parë, shoqërore dhe qytetare, një këputje nga qytetaria dhe solidaritetet fillestare; ndërsa vdekja fizike vjen më pas për ta mbyllur këtë vdekje të parë, atë të një qenieje tashmë të gjymtuar nga një pjesë e vetvetes.

“E kam humbur shëndetin këtu. Nuk kam kursyer para. Nuk kam shtëpi: është turp të kthehesh në këto kushte”, na tregonte z. Rachid R., një chibani (i moshuar), i lindur në vitin 1957 në Algjeri dhe i shtruar në spital në Lion. Në intervistat e zhvilluara me migrantë magrebianë në fund të jetës, rikthehet vazhdimisht i njëjti ndjenjë faji: moskthimi, mungesa ndaj familjes, dështimi për ta përmbushur “premtimin” e kthimit.

Si pasqyra e fundit e gjendjes migrante, vdekja shndërrohet në momentin e shlyerjes së një borxhi simbolik për këtë “faj të brendësuar”. Ndjenja e borxhit përshkon të gjithë ekonominë e kthimeve: valixhe të mbushura me dhurata, bujari gjatë pushimeve, riatdhesimi i trupit si ofertë e fundit. Në mitologjinë e hapësirave mortore, të vdesësh “atje” bëhet një mënyrë për t’u riintegruar në komunitet. Zgjedhja e vendit ku prehen paraardhësit mishëron edhe një dëshirë të heshtur për të qëndruar pranë familjes, një refleks i fundit sigurie dhe qetësimi.

Borxhi simbolik shfaqet edhe në sferën fetare, në formën e pendesës dhe të kërkimit për një “dalje të mirë nga kjo botë”. Rrëfimi, kërkimi i faljes, kryerja e riteve: të gjitha këto janë gjeste që synojnë ta bëjnë vdekjen të pranueshme, për veten dhe për të tjerët.

Për brezat e parë, riatdhesimi i trupave mbetet në zemër të projektit migrator. “Të gjithë migrantët nisen me idenë se një ditë do të kthehen, të paktën kështu e besojnë dhe kështu e thonë”, shkruante Françoise Lestage. Për ata – shumica – që nuk kthehen të gjallë, kthimi pas vdekjes shndërrohet në formën përfundimtare të besnikërisë ndaj premtimit fillestar, në vullnetin e fundit të të ndjerit.

Për një mysliman, varrosja në vendin e prejardhjes e lehtëson respektimin e fesë dhe të traditave: ndalimi i kremacionit dhe i zhvarrimit, thjeshtësia e ritit, një trup i vetëm për varr, i orientuar nga Meka dhe i varrosur drejtpërdrejt në tokë. Disa zakone përplasen me rregullat ose me organizimin francez, të cilat, për shembull, imponojnë një afat minimal prej 24 orësh, ose nxisin grumbullimin e varrimeve në një varr të përbashkët. Për më tepër, koncesionet e përhershme, zakonisht falas në vendet myslimane, në Francë bëhen përjashtim dhe zakonisht u rezervohen figurave historike. Shumë komuna nuk i ofrojnë më dhe kufizohen në një afat maksimal prej 30 vitesh, më së shumti 50, duke u kujdesur njëkohësisht që varret të mirëmbahen.

Deri në fund të viteve 1990, riatdhesimi i trupit të pajetë ishte ende pothuajse sistematik për shtetasit e Magrebit, siç dëshmojnë veçanërisht arkivat konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Tunizisë. Ky transferim i të vdekurve vizatonte një vijë të qartë ndarëse mes traditave të ndryshme funerale. Qarkullimi i trupave të pajetë vazhdon edhe sot të ushqejë një ekonomi të udhëhequr nga përkatësia kombëtare dhe të mbështetur në rrjete solidariteti: tontina, shoqata fshatare, “kasa të të vdekurve” në Afrikën Perëndimore. Këto mekanizma komunitarë zëvendësojnë mungesën e institucioneve publike të përshtatura.

Por ligji francez bie ndesh me traditat duke përcaktuar që, për këtë udhëtim të fundit, të përdoret patjetër një arkivol. Ky “mobilim” i vdekjes dikton rite mortore që zhvillohen pa të ndjerin, i dukshëm vetëm përmes një dritareje të vogël, pa përqafime dhe pa shpërthime emocionale. Në një zhvendosje të tillë, gjithçka kontribuon në keqkuptim dhe në ndjenjën e moskuptimit.

“E si do të vijmë pastaj te varri yt?”

Një shëtitje e thjeshtë nëpër një varrezë mjafton për të vërejtur ndryshimet që kanë ndodhur gjatë tri dekadave të fundit. Në fund të jetës, gjithnjë e më shumë njerëz dëshirojnë të lënë gjurmë ndryshe: të rrëfejnë rrugëtimin e tyre, të trashëgojnë vlera, të zgjedhin varrosjen në Francë për t’u ofruar fëmijëve të tyre një vend kujtese të arritshëm. Z.Mohamed Rabah, i lindur në Algjeri në vitin 1952, rrëfente: “Gjithmonë kam thënë se doja të varrosesha në vendlindje. Por fëmijët e mi më thanë: ‘Po ne, si do të vijmë të të vizitojmë te varri?’ Atëherë e ndryshova mendjen. Rrënjët e mia, tani, janë ata”.

Ndërsa brezi i parë pothuajse gjithmonë privilegjonte kthimin pas vdekjes, pasardhësit zgjedhin gjithnjë e më shpesh një varr në Francë. Z.Moussa T., me prejardhje marokene, tregon: “E kam varrosur babanë tim në Algjeri, sipas dëshirës së tij. Por për mua do të jetë në Francë. Fëmijët e mi janë këtu; këtu do të vijnë të përulen”. Ky gjest shënon një formë integrimi përfundimtar: të vdesësh në Francë do të thotë të pohosh se rrënjët tani janë këtu, edhe pse vazhdojnë të ushqehen nga një pasuri kulturore dhe shpirtërore që vjen nga gjetkë. Do të thotë të pohosh se migrimi nuk përfundon në një mërgim të vetmuar, por në mundësinë për ta shndërruar borxhin në kujtesë, fajin në trashëgimi, mungesën në transmetim.

Në fund të jetës, migrantët dalin nga “e përkohshmja që zgjat” dhe e rishqyrtojnë rrugëtimin e tyre. Takimi me vdekjen shndërrohet në një moment pajtimi me veten dhe me fëmijët. “Babai im nuk ka folur kurrë për prindërit e tij, për fshatin e tij, – kujton z.Salem D., në Marsejë. – Por në spital, nisi të rrëfente, sikur donte të na jepte atë që e kishte mbajtur thellë brenda vetes.” Ky është çasti për të hapur një hapësirë fjale që u lejon fëmijëve të pozicionohen, ta mendojnë veten si trashëgimtarë të një historie të fragmentuar.

Në studimin e tyre “Trajektore dhe prejardhje”, realizuar në vitet 2019 dhe 2020, Instituti Kombëtar i Studimeve Demografike (Ined) dhe Instituti Kombëtar i Statistikave dhe Studimeve Ekonomike (Insee) kanë ngritur një pyetje mbi synimet lidhur me vendin e prehjes pas vdekjes. Ndër personat e moshës 18 deri në 59 vjeç, të lindur jashtë Francës, 34,3 % shprehin dëshirën për t’u varrosur jashtë territorit francez. Kjo përqindje është më e ulët te aziatikët (21,9 %) ose te evropianët (27,5 % e spanjollëve dhe italianëve), dhe e afërt te portugezët (34,5 %). Ajo është më e lartë te magrebinët (45,1 % e algjerianëve, 46,5 % e marokenëve ose tunizianëve), por edhe te francezët nga territoret përtej detit (39,1 % e antillanëve), dhe sidomos te turqit (49,1 %) ose te personat e lindur në Afrikën saheliane (51,4 %). Në total, vetëm 18 % e emigrantëve shprehin synimin për t’u varrosur në Francë, ndërsa një numër i madh (29,8 %) shfaqen indiferentë ndaj kësaj çështjeje dhe 16,2 % nuk dinë çfarë të përgjigjen në momentin e pyetjes. Studimi i parë “Trajektore dhe prejardhje”, i realizuar në vitin 2008, jepte rezultate të krahasueshme për emigrantët e brezit të parë.

E njëjta pyetje, e drejtuar pasardhësve të drejtpërdrejtë, solli përgjigje dukshëm të ndryshme: vetëm 2% e fëmijëve të emigrantëve italianë dëshironin të varroseshin jashtë Francës, 6% e fëmijëve të portugezëve, 11% e fëmijëve prindërit e të cilëve vinin nga territoret franceze përtej detit, 23% e fëmijëve të algjerianëve dhe 31% e fëmijëve të marokenëve ose tunizianëve. Kjo përqindje mbetej megjithatë relativisht e lartë te fëmijët, prindërit e të cilëve vinin nga Afrika saheliane (32 %) dhe sidomos nga Turqia (48 %).

Në mungesë të burimeve publike mbi numrin real të riatdhesimeve dhe varrimeve jashtë Francës, matja e saktë e evolucionit të praktikave dhe e vullneteve mbetet e ndërlikuar. Megjithatë, disa studime të pjesshme konvergojnë. Që në vitin 2007, dy autorë vërenin se riatdhesimet kishin rënë nga 95% në 85% brenda një dekade. “Kam mundur të vlerësoj mesatarisht rreth 80% transport trupash drejt Magrebit dhe 20% varrime në sektorin mysliman të varrezës Veriore të qytetit Chalon-sur-Saône, përjashtuar periudhën e mbylljes së kufijve gjatë pandemisë së Covid-19”, vëren Valérie Cuzol në një tezë të mbrojtur në vitin 2024. Në Marsejë, që prej krijimit të Marbrerisë myslimane në vitin 1994, z.Sabry Delhoum konstaton një rritje prej 20 % të varrimeve të myslimanëve.

Në vitin 1990, z.Rachid Grabsi themeloi në Marsejë shërbimin funerale Al Janna, të cilin e drejtoi deri në vitin 2021. Ai dëshmon për këtë evolucion, i shoqëruar me krijimin e sektorëve konfesionalë: “Në vitin 1995, u realizua një projekt i parë me 200 koncesione me nga dy vende në Vaudrans, i ndjekur në vitin 1998 nga 260 koncesione në Aygalades dhe disa të tjera më pas: Saint-Pierre, sërish në Vaudrans, në Cannet, në Sainte-Marthe dhe në Saint-Henri – gjithsej 2660 koncesione”.

Për shumë familje, ky zhvillim në rendin simbolik përmbyll një proces integrimi tashmë në rrugë e sipër, për të cilin dëshmojnë edhe shumë shenja të tjera, ende pak të pasqyruara në media. Kështu, për shembull, dalja në pension nuk është më pothuajse fare momenti i kthimit përfundimtar në vendin e prejardhjes. Vetëm 7% e emigrantëve në Francë e merrnin në konsideratë një gjë të tillë në studimin më të fundit mbi këtë çështje. Emigrantët që kanë ruajtur lidhjet më të forta me vendin e prejardhjes ishin portugezët: 10% dëshironin ta kalonin pensionin në vendin e tyre, krahasuar me 4,4% të magrebinëve, 3,1% të emigrantëve me prejardhje nga Evropa Veriore ose 4,2% të italianëve. Transmigrimi, me lëvizje të shpeshta “vajtje-ardhje”, prek ndërkohë gjithnjë e më shumë pensionistë nga të gjitha prejardhjet.

Në varësi të vullnetit të komunave

Familjet emigrante kanë gjithnjë e më pak të afërm në vendin e prejardhjes. Rrallimi i vizitave e thellon gradualisht largësinë mes brezave të rinj, të cilët shpesh nuk njihen mes vete. Shtimi i çifteve të përziera forcon rrënjosjen në vendin pritës, ku një prani pas vdekjes, e ruajtur në kujtesën e të afërmve, mundëson një lidhje mes të gjallëve dhe të vdekurve.

Megjithatë, ekzistojnë shumë pengesa. Në Francë, ashtu si edhe gjetkë në Evropë, sektorët myslimanë në varreza janë të rrallë, shpesh më shumë të toleruar sesa të institucionalizuar. Ligji i 14 nëntorit 1881 mbi lirinë e ceremonive funerale ka vendosur parimin e mosdiskriminimit në varreza dhe ka hequr detyrimin për të parashikuar një pjesë të veçantë të terrenit ose një vend specifik për secilin kult. Vetëm varret individuale mund të përmbajnë shenja të lidhjes me një fe, ndërsa varrezat duhet të mbeten hapësira publike, ku ndalohet çdo shenjë e identifikimit kolektiv. Pavarësisht tri qarkoreve të Ministrisë së Brendshme (në vitet 1975, 1991 dhe 2008), të cilat u rikujtojnë kryetarëve të komunave se ata mund të përcaktojnë vendndodhjen e çdo varri dhe, rrjedhimisht, të parashikojnë sektorë konfesionalë, siguria e tyre juridike mbetet e paplotë. Në dritën e parimit të neutralitetit, ndarje tepër të theksuara mund të bëhen objekt ankimimesh.

Në praktikë, ekzistenca e tyre varet kryesisht nga vullneti i komunave, dhe jo nga një vullnet kombëtar. Për shkak të mungesës së formimit të personelit, orientimi i varreve, afërsia komunitare dhe ritet specifike nuk respektohen gjithmonë. Këto hapësira funerale shndërrohen kështu në një pasqyrë të tensioneve mes laicitetit republikan dhe njohjes së një diversiteti kulturor.

Në mungesë të një politike publike të mirëpërcaktuar, oferta e sektorëve konfesionalë mbetet po ashtu e pamjaftueshme. Shumë prej tyre janë të mbushur, duke detyruar tejkalimin e parimit të varrit individual, drejt varreve të përbashkëta për çifte, madje edhe për familje. Popullsitë e besimit mysliman detyrohen kështu të pranojnë edhe parimin e “qirasë” së një varri, ndërkohë që, në vendin e prejardhjes, varret zgjasin deri në zhdukje ose fshirje. Ndalimi i zhvarrimit mund të hiqet për arsye të ligjshme, veçanërisht gjyqësore, dhe ai nuk zbatohet më kur trupi është shndërruar në pluhur, çka ka hapur gjithsesi rrugën për koncesione 30-vjeçare.

Vdekja mbetet një ftesë për të reflektuar mbi shoqëritë tona, për të përfytyruar lidhje të reja mes brezave, për të pranuar kalimin drejt një identiteti të ri, të pasuruar nga prejardhja, por të rrënjosur në vendin e jetës.

Botime të tjera