Izraeli ka humbur mbështetjen e opinionit publik amerikan. I vetëdijshëm për rrezikun, kryeministri Benjamin Netanjahu ka njoftuar hapjen e një “fronti të tetë”, atë të “betejës për të vërtetën”, me synim rifitimin e zemrave dhe mendjeve. Tel Avivi kurrë nuk e ka neglizhuar këtë terren, por përpjekjet e tij janë përqendruar kryesisht te mediat tradicionale. Megjithatë, siç e shpjegoi z. Netanjahu gjatë një takimi me influencues amerikanë në Nju Jork më 26 shtator, “armët ndryshojnë me kalimin e kohës. (…)”.
“Sot, më e rëndësishmja janë rrjetet sociale.” Edhe pse nuk janë të paprekshme nga censura, platformat Instagram, TikTok, X, Facebook apo YouTube kanë parë gjithsesi të qarkullojnë mijëra mesazhe dhe video që i shmangen diskursit zyrtar. Gazetarë të pavarur, dëshmi të palestinezëve, pamje trupash të gjymtuar: kur informohen ndryshe, qytetarët e kanë më të vështirë ta pranojnë se gjithçka lejohet në emër të “të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur”.
Tel Avivi ka vendosur ta rimarrë kontrollin. Ai ka ngarkuar kompaninë Clock Tower X që të përmbytë rrjetet sociale amerikane me përmbajtje “të kalibruara për brezin Z”. Kjo agjenci duhet gjithashtu të krijojë një mori faqesh interneti me synimin për të orientuar përgjigjet e ChatGPT ose Grok. Operacionin e plotësojnë influencues të paguar deri në 7 000 dollarë për postim. Por po aq e rëndësishme është edhe zhdukja e asaj që publiku nuk duhet ta shohë më. Këtu, gjithçka bëhet çështje algoritmi.
Sa i përket X-it, z.Netanjahu nuk shfaq shqetësim (“Elon [Musk] është mik, do të flasim me të”). Problemi kryesor, sipas tij, vjen sidomos nga TikTok-u. Në pronësi të një kompanie kineze, por i përdorur si burim informacioni nga katër në dhjetë të rinj amerikanë, kjo platformë akuzohet se favorizon përmbajtjet propalestineze. Në të vërtetë, siç ka treguar një hetim i Washington Post, nëse këto përmbajtje janë më të dukshme sesa publikimet pro-izraelite në TikTok, kjo ndodh thjesht sepse përdoruesit prodhojnë shtatëmbëdhjetë herë më shumë përmbajtje të tilla.
Sidoqoftë, kjo nuk ka rëndësi: mbrojtësit e Izraelit e shohin TikTok-un si një “Al Jazeera me steroide”, një “fentanil digjital të prodhuar nga Kina”, një makineri për “larjen e trurit të të rinjve amerikanë duke u treguar video masakrash në Gaza”. Madje, një statistikan tepër i zellshëm ka llogaritur se kalimi i tridhjetë minutave në ditë në këtë rrjet rrit me 17 për qind gjasat për t’u bërë antisemit.
Fatmirësisht, z. Netanjahu mund të llogarisë te miku i tij Donald Trump. Presidenti amerikan sapo ka miratuar marrjen e mundshme të kontrollit të 80 për qind të TikTok USA nga një konsorcium i udhëhequr nga z.Larry Ellison, pasuria e dytë më e madhe në botë dhe donatori privat kryesor i ushtrisë izraelite. Te Oracle, kompania e tij — e cila furnizon, ndër të tjera, qendrat e të dhënave dhe infrastrukturat e mbikëqyrjes të përdorura nga autoritetet izraelite — filozofia është e qartë: “Nëse disa punonjës nuk pajtohen me misionin tonë për të mbështetur Shtetin e Izraelit, ndoshta kjo nuk është kompania e duhur për ta” (sipas ish-drejtoreshës së përgjithshme, Safra Catz).
Z.Ellison ëndërron ta mbulojë hapësirën publike me kamera, flukset e të cilave do të analizoheshin në kohë reale nga inteligjenca artificiale. Kështu, shpjegon ai, “qytetarët do të adoptojnë sjelljen e tyre më të mirë, sepse gjithçka do të regjistrohet dhe analizohet”. Duke marrë nën kontroll TikTok-un, z.Ellison do të siguronte qasje në një minierë kolosale të dhënash personale, sociale, kulturore dhe politike — mjaftueshëm për të mundësuar një mbyllje edhe më efikase të debatit publik amerikan. Përveç rastit kur brezi që kishte hapur, qoftë edhe pjesërisht, dritaren e informacionit, refuzon që t’i mbyllen sërish grilat. Dhe kërkon rrugë të tjera.

