Paniku shpërtheu në mediat kryesore në Shtetet e Bashkuara, që nga fillimi i zgjedhjeve për kandidaturën e Partisë Demokratike. Në New York Times, ekonomisti dhe kolumnisti Paul Krugman risolli një praktikë të përdorur më 2016, e cila barazon kandidatin “demokrat socialist” Bernie Sanders dhe z.Donald Trump. Po aq të shqetësuar sa demokratët konservatorë dhe centristët janë edhe republikanët neokonservatorë, ithtarë të luftërave perandorake dhe të “gjithçka tjetër përveç Trump”.
“Bernie nuk mund të fitojë“, shkruan David Frum në The Atlantic (27 janar, 2020). “Fushata ‘à la Trump’ e Bernie Sanders është shkatërruese për demokratët“, pohon Jennifer Rubin nga Washington Post (27 janar 2020). Think tanku blerist Third Way i financuar nga Wall Street është shumë i angazhuar, me mbështetjen e medias, për ta frenuar ngritjen e Bernie Sanders.
Ai dërgoi një “paralajmërim” për votuesit e Iowa: “Për shkak të neglizhencës së mediave, nuk keni parë ndonjë analizë të vërtetë të së kaluarës dhe ide rë rrezikshme të kandidatit në krye të sondazheve”. Pasoi një listë e gjatë e sulmeve që zoti Trump mund të përdorte kundër zotit Sanders; një listë e hartuar më lehtë pasi anëtarët e këtij think-tanku ndajnë me republikanët shumë kritika drejtuar kandidatit demokrat, veçanërisht për faktin se ai pretendon se është socialist dhe se propozimi i tij për sigurime shoqërore në vend të sigurimeve private (“Medicare for all“) do të ishte jopopullor.
Mediat shtrinë tepihun e kuq për sulme ndaj Sanders. Washington Post së fundmi i besoi Third Way një faqe nga rubrika e saj e “opinioneve” në mënyrë që të mund të përhapte tezën e saj se “programi i Bernie Sanders e bën atë krejtësisht të pazgjedhshëm” (15 janar 2020).
Po kështu, USA Today hapi rubrikat e tij : “Demokratët po luajnë me zjarr duke e mbështetur Bernie Sanders. Idetë e tij mund ta frikësojnë elektoratin e moderuar i cili do të vijë në peshore” (29 janar 2020). Think Tanku kontribuoi gjithashtu në shkarkimin e fundit të artikujve të qendrës, të nënshkruar edhe nga z.Rahm Emanuel, ish-këshilltar i afërt i z.Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë, apo nga z.James Carville, strateg i fushatës elektorale fitimtare të z.William Clinton në 1992. Burimet e establishmentit bëjnë pretendime të pabaza që gazetarët ribotojnë pa komente.
“Këmishat brune”
Shpesh e gjejmë idenë që z.Sanders i ka shpëtuar kritikës dhe kontrollit të rreptë nga kundërshtarët e tij dhe gazetarët. “Është më në fund koha të zgjohen demokratët dhe që mediat të fillojnë me bërë punën e tyre duke kundërshtuar një pretendent serioz për presidencën”, thotë Matt Bennett nga Third Way. Në Politico, ai madje thotë: “Mediat e lejojnë të mbizotërojë pa ndëshkueshmëri. E lëjnë t’i shmanget pyetjeve të vështira”.
Me këtë lloj përfundimi nuk pajtohen megjithatë të gjithë edhe në redaksitë e lajmeve. Washington Post botoi dy artikuj në të njëjtën ditë duke nxjerrë përfundime të kundërta: “Bernie Sanders përballet me ofansivën e rivalëve” dhe “Rivalët e Sanders nuk e pengojnë shumë rrugëtimin e tij” (26 janar 2020).
Në të dytën, David Weigel shënonte se disa kritika nuk kishin ndikuar shumë: shumë votues “qëndruan të pandikueshëm” kur z.Joseph Biden dhe senatorja e moderuar e Minesota, znj.Amy Klobuchar, akuzuan z.Sanders se po e “vë në dyshim trashëgiminë e Obamës“.
Dhe Weigel sqaron: “Të gjithë rivalët e Sanders marrin kohë, ndonjëherë me kërkesë të votuesve të shqetësuar, për të shpjeguar se si do t’i financojnë projektet e tyre pa e flakur buxhetin. Nuk bëjmë këso lloj pyetjesh për Sanders. Ai kalon muaj me radhë në sallat e komunave duke i kërkuar votuesve të flasin për problemet e tyre, për shpenzimet e tyre të kujdesit shëndetësor, borxhin e tyre studentor, për të shpjeguar se vetëm padrejtësia e politikave ekonomike është burimi i të gjitha këtyre problemeve”.
Siç e vuri në dukje David Sessions, “ideja që Sanders po lundron drejt një fitoreje të garantuar në zgjedhjet për kandidim, pa pasur përballë askë dinjitoz që t’i parashtrojë pyetje në lidhje me bilansin e tij ose pranueshmërinë e tij, është një gjurmë e zgjedhjeve për kandidim të vitit 2016, kur Hillary Clinton dhe përkrahësit e saj acarroheshin që ai mbeti kaq gjatë në garën për kandidaturën e demokratëve. Sipas tyre, popullariteti i Sanders ishte vetëm një mirazh për shkak të mungesës së analizave kritike” (The New Republic, 28 janar 2020).
Në realitet, kandidati ishte subjekt i vëmendjes së vazhdueshme dhe i armiqësisë së pakursyer të mediave katër vjet më parë, gjatë zgjedhjeve të fundit të demokratëve, kur ai përballej me znj.Clinton.
Një tjetër kënd sulmi është të diskreditohet fushata e tij duke pretenduar se mbështetësit e tij janë kryesisht burra të bardhë seksistë dhe veçanërisht agresivë në rrjetet sociale. Kjo kritikë, e lindur edhe gjatë fushatës 2016, vazhdon pavarësisht mungesës së argumenteve përtej anekdotave.
Gazetarët, si pothuajse të gjithë, e dinë që Interneti është plot me gjuhë të urrejtjes nga të gjitha palët, jo vetëm nga një nëngrup i vogël i mbështetësve të senatorit Sanders. “Çdo opinion polemik i shprehur në internet, rikujtonte më 2016 gazetari Glenn Greenwald, për shembull një kritikë ndaj tenorëve të Partisë Demokratike si Hillary Clinton dhe Barack Obama, do të çojë në mënyrë të pashmangshme në një përmbytje zemërimi dhe fyerjesh…Të pretendosh se sjelljet fyese ose mizogjene janë karakterstikë e veçantë e simpatizuesve të Sanders është një gënjeshtër dhe manipulim“ (The Intercept, 31 janar 2016). Një studim i botuar në mars 2016 madje tregonte se mbështetësit e z.Sanders perceptoheshin si më pak “agresivë dhe kërcënues në internet” (16%), se ata të znj.Klinton (30%) dhe shumë më pak se ata të z.Trump ( 57%).
Sidoqoftë, mediat i përmbahen eshtrave të tyre. Më 27 janar, New York Times ia kushtoi ballinën një hetimi të ndjekjes penale: “Bernie Sanders dhe ushtria e tij në internet: në fillim të fushatës së tij për vitin 2020, senatori i Vermontit i kujtoi përkrahësve të tij se ai dënonte sjelljet agresive. A është faji i tij nëse shumë prej tyre nuk e dëgjojnë?” (27 janar 2020).
Sipas të përditshmes, kandidati kishte ushqyer “helmin” e mbështetësve të tij. Deklarata të tilla si: “Unë nuk shkoi në Hamptons [një zonë e pasur periferike ku jeton borgjezia e Nju Jorkut] për të mbledhur para nga miliarderët”. Disa ditë më parë, Daily Beast (22 janar 2020) titulloi: “Përkrahës të rinj meshkuj të Bernie janë të egër, arrogantë dhe po e dëmtojnë fushatën e Sanders”.
Në një rast të ngjashëm, NBCNews i barazoi ata me aktivistët pro-Trump: “Ata kanë një taktikë të famshme të përbashkët: Militantët e Sandersit veprojnë duke pretenduar se janë progresistët e vërtetë të Internetit. Por taktikat e tyre të ngacmimit janë gjithçka përpos progresiste” (19 janar 2020).
Këto artikuj të njëanshëm ngrisin pa dallim kërcënime me vdekje dhe shembuj të fyerjeve që nuk janë vërtet të këqija. Kështu, New York Times përfundon aktakuzën e tij me këtë “provë”: “Ju milionerët duhet të kuptoni se shumë prej nesh kanë vërtet nevojë që Bernie Sanders t’i fitoj këto zgjedhje presidenciale, thotë një mbështetës i z.Sanders. Ne nuk mund të rrimë të qetë”. Ose, lidhur me disa karrige që dyshohet se u rrëzuan gjatë një tubimi në Nevada: “Dhuna është shmangur, siç duket, por pati disa mosmarrëveshje të vogla“. Nuk i duhet më shumë gazetarit yll të NBC për t’i krahasuar aktivistët e senatorit Sanders me “këmishat brune“.
Zonja Hillary Clinton zbriti po ashtu në arenë e armatosur deri në dhëmbë. Në Hollywood Reporter (21 janar 2020) i cili e pyeti nëse ajo do ta mbështeste z.Sanders nëse ai fitonte kandidaturën, ajo dha një përgjigje duke sugjeruar që ajo do të bënte çdo gjë për ta kundërshtuar një hipotezë të tillë : “Nuk do të thellohem për momentin. Ne jemi akoma në një fazë shumë dinamike të kandidaturave. Unë do të thoja, megjithatë, se nuk bëhet fjalë vetëm për të, por për kulturën që e rrethon. Ekipën e tij. Mbështetësit e tij potencial. Përdoruesit e internetit që e mbështesin atë dhe sulmet e tyre të vazhdueshme kundër shumë kundërshtarëve të tij, veçanërisht grave … Unë mendoj se nuk është në interesin tonë të biem në të njëjtin kurth, gjegjësisht të bëjmë fushatë duke ofenduar dhe sulmuar. Ndoshta përpiqeni të distancoheni nga kjo, por ose nuk e dini se çfarë po bën ekipi juaj dhe mbështetësit e fushatës, ose ju mbyllni syrin dhe dëshironi të sulmojnë Kamala [Harris, senatore nga Kalifornia që hoqi dorë nga kandidimi i saj] ose Elizabeth [Warren]. Unë mendoj se kjo është një sjellje për t’u marrë parasysh kur merrni vendimin tuaj”.
Menjëherë në Washington Post, Jennifer Rubin rrëmbeu këtë citim për të pretenduar se z.Sanders kishte një “makinë lufte” të ushqyer nga një “mizogjeni që po zbulohet” e cila “po kthehet në mbështetje” (21 janar 2020).
“Makina e vërtetë e luftës” nuk është ajo – imagjinare – e vendosur nga senatori Sanders për t’i rrëzuar kundërshtarët e tij, por ajo që po e ngrit elita e demokratëve dhe lidhjet e tyre të shumta në media, me qëllim të eliminimit të tij. Pa sukses, për momentin.

