Disa tinguj kitarre dëgjohen nga një shkurre në zemër të stepës pranë Pokrovskit, në rajonin e Donetskut, në lindje të Ukrainës. Në këtë mëngjes të majit 2024, të ulur mbi disa stola prej druri të improvizuar, në hijen e një rrjete kamuflazhi të shtrirë mes pemëve, një grup prej rreth pesëmbëdhjetë burrash me uniformë, të të gjitha moshave dhe me fytyra të lodhura, presin vaktin e tyre. Disa të shtëna artilerie të forta, të ndjekura nga një helikopter që kalon me shpejtësi, na kujtojnë se vija e frontit ndodhet vetëm njëzet kilometra më tej.
Z.Oleksii Chouryga është duke përgatitur ushqimin. Për të është e rëndësishme të jetë pranë ushtarëve që kthehen nga misionet luftarake. Bashkë me Dmytro-n dhe Tetiana-n, ata janë pjesë e një njësie mbështetjeje psikologjike të brigadës së 47-të të mekanizuar të ushtrisë ukrainase – një prej njësive më të angazhuara në front. “Djemtë do të kenë mundësi të qetësohen, të pastrohen dhe të lajnë rrobat e tyre”, thotë Dmytro, duke treguar një kamion të vjetër ngjyrë kaki që shërben si sauna lëvizëse. “Është shumë e rëndësishme për moralin e tyre”.
Ankth, çrregullime përshtatjeje dhe sjelljeje, pagjumësi, ankth i thellë… Z.Chouryga vëren përhapjen e problemeve post-traumatike. Përveç frikës nga vdekja dhe traumave të shkaktuara nga shpërthimet, ky oficer i lartë i atribuon presionit ekstrem mbi ushtarët edhe faktorë të tjerë: « Me përdorimin e teknologjive dixhitale, kontrollin ajror dhe dronët, burrat ndihen sikur po vëzhgohen vazhdimisht. Janë të rraskapitur. Numri i psikologëve ushtarakë po rritet, por sistemi i formimit nuk i përgjigjet nevojave të një lufte të tillë ».
Vëzhgimi i parë i “kontuzisë”
Që nga fillimi i luftimeve, në shkurt 2022, shëndeti mendor është bërë një çështje e dorës së parë: edhe pse një e treta e ukrainasve të anketuar mendojnë se problemet e tyre nuk kërkojnë trajtim të veçantë, më shumë se nëntë nga dhjetë shfaqin të paktën një simptomë të çrregullimeve ankthioze, ndërsa gjashtë nga dhjetë mund të zhvillojnë sëmundje serioze mendore. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sulmet ndaj zonave civile kanë shkaktuar, njëkohësisht, simptoma stresi – nga të moderuara në të rënda – tek rreth 3,9 milionë persona, si edhe kanë shkatërruar infrastrukturat që do të mund t’i trajtonin ata. Bashkëshortja e presidentit, Olena Zelenska, ka nisur një fushatë të gjerë sensibilizimi. E quajtur « Si jeni? », ajo synon zhvillimin e një kulture përkujdesjeje në fushën e shëndetit mendor.
Ukrainasit dhe rusët ndajnë një histori të gjatë të psikiatrisë së luftës. Brenda Perandorisë, vëzhgimi i parë i “kontuzisë” (tronditje cerebrale ose traumë në kafkë e shkaktuar nga një goditje e fortë apo shpërthim) daton që nga lufta ruso-turke e viteve 1877–1878, një nga konfliktet e para në Evropë ku u përdorën armët moderne – artileria dhe minat.
Gjatë luftës ruso-japoneze (1904–1905) lind koncepti i “psikiatrisë së vijës së parë”. I ideuar nga gjenerali dhe psikiatri Piotr Mikhaïlovitch Autocratov, ai konsistonte në identifikimin sa më pranë frontit të ushtarëve të plagosur psikikisht, që të mund të merrnin ndihmën e parë nga ekipe mobile infermierësh dhe psikiatrësh. Në të njëjtin kontekst, psikiatri gjerman Georg Honigmann – i angazhuar në Kryqin e Kuq rus – krijoi kategorinë e “neurozës së luftës”.
Ky koncept u zhvillua më tej pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore – ndonjëherë njihej me emrin “obusitë” – dhe përshkruante çrregullimet e shfaqura nga ushtarët në front ose në prapavijë. Simptomat përfshijnë manifestime të ndryshme fizike dhe psikike, shpesh pa dëmtime të dukshme: dridhje, të vjella, paraliza, mungesë të të folurit, ngrirje të fytyrës, shurdhim, verbëri, humbje kujtese… Por këto simptoma shpesh i atribuoheshin gabimisht histerisë, madje edhe frikacakërisë apo dobësisë. Për një vetëdijesim të vërtetë do të duhej të pritej Lufta e Dytë Botërore – dhe veçanërisht fundi i luftës së Vietnamit.
Në atë periudhë, psikiatrit amerikanë formuluan termin “sindroma e stresit post-traumatik” (post-traumatic stress disorder, PTSD) dhe e përfshinë atë në klasifikimin zyrtar të sëmundjeve mendore në vitin 1980. Francezët e ndoqën shembullin në vitin 1992. Kjo diagnozë është zgjeruar që atëherë edhe për civilët, si dhe për kontekste të tjera të dhunës traumatike.
Çështja e traumave mendore të shkaktuara nga luftimet rikthehet në vëmendje gjatë gjysmës së dytë të viteve 1990, në revistat shkencore ruse. Ato botojnë artikuj të përkushtuar pasojave psikike të ndërhyrjes në Afganistan (1979–1989) dhe të luftës së parë në Çeçeni (1994–1996), në një Rusi që asokohe ishte shumë e hapur ndaj bashkëpunimeve me ekspertë perëndimorë. Kthimi i veteranëve nga Afganistani dhe ngjashmëritë me simptomat pas-Vietnamit bëjnë që koncepti i PTSD-së (çrregullim i stresit post-traumatik) të hyjë në fjalorin psikiatrik sovjetik. Nga 620 000 ushtarë të përfshirë në këtë konflikt, 150 000 ishin ukrainas, prej të cilëve tre mijë humbën jetën.
Një ekip kërkuesish ukrainas dhe të huaj kanë evidentuar në një raport “çrregullimin e sistemeve familjare” që është vërejtur që nga 24 shkurt 2022. Pas dy vitesh në vijën e frontit si mjek ushtarak, z.Andriy Zholob e di se vuan nga sindroma e stresit post-traumatik. Bashkëshortja e tij, Irena, kujton makthet e tmerrshme pas kthimit nga lufta, shpërthimet e befta të agresivitetit dhe ndjesinë e fortë të të qenit jashtë vendi mes civilëve të cilët dukeshin të pakujdesshëm. Ky katërdhjetëvjeçar i ri tashmë është angazhuar në një shoqatë veteranësh në Lviv, qyteti i madh në perëndim të vendit. “Një ish-ushtar që vuan nga PTSD i rëndë mund të jetë një kërcënim i mundshëm. Kam dëgjuar për veteranë që përdorin thika për të zgjidhur problemet e tyre… Duhet vepruar”, paralajmëron z.Zholob. Përndryshe, dhuna mund të përhapet në shoqëri.
Një peizazh terapeutik i rrënuar para luftës
« Në fillim nuk kishim asnjë ide se si t’i qasemi personave që vuanin nga PTSD apo nga tronditjet e trurit », kujton profesori Oleh Berezyuk, i cili drejton shërbimin e psikiatrisë pranë spitalit komunal të Lvivit. Në ambientet e tij të saporikonstruktuara, takohen të rinj me paterica, në karroca me rrota, të pajisur me proteza ose me lëndime në kokë.
Përballë vërshimit të të plagosurve me trauma të shumta, profesori Berezyuk dhe ekipi i tij u trajnuan nga ekspertë të qendrës Primo Levi – e cila mirëpret në Paris viktima torture –, nga mjekë ushtarakë të NATO-s, si dhe nga studiues amerikanë dhe izraelitë. Me një financim prej 20% nga donacionet e huaja, ata ofrojnë sot një “qasje multidimensionale” që përzien metoda të provuara me teknika terapeutike inovative, si EMDR (desensibilizim dhe ri-programim neuro-emocional me lëvizje të syve), art-terapi, terapi trupore, stimulim transkranial magnetik…
Në vitin 2024, qendra trajtoi më shumë se 15 000 persona, civilë dhe ushtarakë. Një ushtar nga tre paraqiste shenja depresioni, ankthi, çrregullime të gjumit ose impulse vetëvrasëse.
Por ky laborator-vitrinë përbën një përjashtim në peizazhin terapeutik të Ukrainës, i dëmtuar që para luftës, apo edhe para epidemisë së Covid-it. Në vitin 2016, shpenzimet totale për shëndetësi në Ukrainë ishin më pak se 7% e produktit të brendshëm bruto (PBB) – krahasuar me 11% në Francë. Kujdesi për shëndetin mendor përfaqësonte rreth 2 deri në 5% të kësaj shume tashmë të ulët, ndërkohë që në Francë kjo përqindje arrinte thuajse në 14%. Që nga viti 2022, shpenzimet publike për shëndetësi janë zvogëluar edhe më shumë, për shkak të krizës buxhetore të thelluar nga lufta. Shumica e ushtarëve dhe civilëve të traumatizuar – nëse marrin kujdes fare – duhet të përballen me infrastrukturë të vjetëruar ose të dëmtuar nga konflikti, me personel mjekësor të stërngarkuar e shpeshherë të paformuar siç duhet, si dhe me mjete shumë të kufizuara, që shpesh reduktohen vetëm në përdorimin e trajtimeve me barna.
I tillë është rasti i Vladislavit, një ish-minator 28-vjeçar, i shtruar prej disa muajsh në spitalin e vjetër psikiatrik të Kharkivit, pasi kishte qëlluar me armë një natë mbi fantazmat e tij, në mes të shokëve. Spitali ku qëndron akoma mban gjurmët e një sulmi rus. Sulmi, që ndodhi disa javë më parë, çoi në evakuimin e pacientëve tashmë të traumatizuar nga dhuna e konfliktit. Megjithëse me burime të pakta, aty bëhet gjithçka për t’u ardhur në ndihmë. Vladislavi kalon kohën duke luajtur me Maian, qenin e psikoterapistes së tij Iryna, e cila argëton pacientët përmes një forme të thjeshtë të terapisë me kafshë… Pavarësisht gjendjes së tij mendore, Vladislavi rrezikon në çdo moment të dërgohet sërish në vijën e frontit. Ukraina po përballet me mungesë të theksuar të burrave për të luftuar, në prag të vitit të katërt të mobilizimit. “Gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, asnjë konflikt nuk ka pasur një intensitet të tillë, sa i përket përmasës, dhunës, kohëzgjatjes… Gjithçka është e paprecedentë. Edhe mënyra e përkrahjes mjekësore…”, tregon profesori Berezyuk. Numri i të vdekurve dhe të plagosurve, nga të dyja anët e vijës së frontit, vlerësohet në një milion njerëz. Dhe ky psikiatër me përvojë ngre pyetjen: “çrregullimi post-traumatik zakonisht shkaktohet nga një traumë e vetme. Por çfarë ndodh kur një person përjeton pesë, dhjetë, pesëdhjetë trauma radhazi?”
(Autorja është gazetare. Ky reportazh është realizuar me Arnaud Bertrand, me mbështetjen e Fondit Belg për Gazetari).

