Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Arkitektët e kaosit

Korrik 2025

Tash radha e Iranit. Pas Gazës, Bregut Perëndimor, Libanit, Sirisë dhe Jemenit. Së shpejti do të jetë më e lehtë hartimi i listës së vendeve dhe territoreve në Lindjen e Afërt që Izraeli nuk i ka bombarduar në vitin 2025. Për ta justifikuar ofensivën e fundit, Tel Avivi, si zakonisht, u referua te e drejta për « mbrojtje legjitime ». Po ashtu, si gjithmonë, drejtuesit perëndimorë e mbështetën menjëherë. « Pohojmë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe ritheksojmë mbështetjen tonë për sigurinë e Izraelit », reaguan krerët e shteteve dhe qeverive të G7[1].

Megjithatë, faktet nuk lënë pothuajse aspak vend për dyshim. Ishte Izraeli i cili më 13 qershor filloj armiqësitë, kur në mënyrë të njëanshme dhe pa paralajmërim, goditi sidomos lagje banimi duke vrarë civilë. Me dritën jeshile nga Uashingtoni i cili zhvillonte njëkohësisht bisedime me Teheranin. «T’i lejosh kryeministrit izraelit Benyamin Netanyahut të sulmojë Iranin, pikërisht në momentin kur të dërguarit amerikanë ishin të angazhuar në negociata me Teheranin, e bën presidencën amerikane po aq të pabesueshme sa Al Capone ose Joaquín “El Chapo” Guzmán », thotë gazetari David Hearst[2].

Tel Avivi pohon se ka vepruar në mënyrë parandaluese, kundër një sulmi « të menjëhershëm » që vetëm përdorimi i forcës mund ta ndalte. Por « thjesht nuk ekziston asnjë mënyrë e besueshme për të pohuar se Irani ishte gati të sulmonte Izraelin me një bombë bërthamore që as nuk e zotëron », vëren juristi Marko Milanović[3]. Para se të përdorte armët, Izraeli kishte në dispozicion shumë opsione diplomatike dhe juridike. Si mjet i fundit, ai mund t’i kërkonte Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lejen ligjore për ta përdorur forcën. Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, ofensiva e tij e 13 qershorit konsiderohet pra një agresion.

Sikurse edhe bombardimet amerikane të 21 qershorit kundër tre objekteve bërthamore iraniane. Z.Netanyahu për gati tridhjetë vjet kërkonte ta siguronte përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në një luftë kundër Iranit. Ai ia arriti me një President që kishte bërë fushatë kundër « luftërave të pafundme » dhe që tri ditë para se të urdhëronte këtë sulm të paligjshëm ankohej se nuk kishte fituar Çmimin Nobel për Paqe. Kur bëhet fjalë për Lindjen e Afërt, pikëpyetja se çfarë dëshiron Uashingtoni ndërlidhet gjithnjë e më shumë me pikëpyetjen se sa larg do të shkojë Tel Avivi. «Zoti e bekoftë Lindjen e Afërt, Zoti e bekoftë Izraelin dhe Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara», përfundoi z.Trump duke njoftuar sulmin e tij.

Sjellja e Bashkimit Evropian nuk është aspak më e lavdishme: sjellje e një shërbëtori të bindur pas një superfuqie mafioze e cila vetë është e rreshtuar pas një shteti kolonialist. Evropa jo vetëm që u tregua e paaftë të dënojë shkeljen flagrante të së drejtës ndërkombëtare të cilën bën sikur e mbron gjetkë, por madje e justifikoi nëpërmjet qëndrimeve të kancelarit gjerman me retorikën e « punës së pistë » që Izraeli (dhe në mënyrë të tërthortë Shtetet e Bashkuara) gjoja po e kryen për mbarë njerëzimin duke e sulmuar Iranin.

Pak më shumë se njëzet vjet më parë, Franca duartrokitej nga shumica e popullsisë botërore. Ajo i kundërvihej atëherë – krah për krah me Gjermaninë, Belgjikën, Greqinë, Luksemburgun… – një « lufte parandaluese » të paligjshme të nisur nga Shtetet e Bashkuara me pretekstin e një kërcënimi imagjinar nga Iraku. Me Emmanuel Macron, ky zë i pavarur po shkon drejt shuarjes. Franca po i ndjek me plot bindje dy kombet autoritare që kanë vendosur t’ia nënshtrojnë Lindjen e Afërt vullnetit të tyre. Dhe të shtypin me urinë dhe bombat këdo që iu del përpara.

[1] Gjermania, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar. Deklaratë e përbashkët e datës 17 qershor.

[2] David Hearst, « By allowing Israel to bomb Iran, Trump is pushing Tehran to go nuclear », 15 qershor 2025, www.middleeasteye.net

[3] Marko Milanović, « Is Israel’s use of force against Iran justified by self-defence? », Blog of the European Journal of International Law, 13 qershor 2025, www.ejiltalk.org

Botime të tjera