Misteri i muzikës kubaneze. Rrënjët e saj shtrihen shumë shekuj mbrapa, por ajo mbetet moderne. Ajo ngjan me një embëlsirë shumëpetesh stilesh, dhe megjithatë zbulon tinguj unikë dhe të shumëanshëm. Për shkrimtarin Blaise Cendrars, ajo nuk ishte vetëm “një formë e re arti, por një arsye e re për të jetuar”. A duhet të habitemi që, nga Alejo Carpentier te Leonardo Padura, përfshirë Nicolás Guillén, të gjithë shkrimtarët e ishullit e kanë rrëfyer ose kënduar muzikën secili në mënyrën e vet ?
Ky rrëfim i veçantë bashkon përzierjen dhe qëndrueshmërinë e formave. Ai fillon me indianët Taïnos, që kryenin ceremoni rituale me tambure dhe marakasa — instrumente që i gjejmë tek soni, salsa apo bolero të sotme. Prej vitit 1511, kolonizimi spanjoll nisi shfarosjen e atyre popullatave, ndërkohë që Kuba kaloi nën Perandorinë Hispanike për katër shekuj. Traditat muzikore të kolonëve, me kitarën si instrument kryesor, hynë në fshatra, që ishin vendet e para të jetës dhe të punës. Vallëzimi i asaj kohe — punto — u bë shprehja poetike e natyrshme për ta përshkruar jetën në ara. Ai solli guajirën, ku një prej shembujve më të njohur është kënga e vitit 1928 Guantanamera, me tekst që kujton një vepër të José Martí, poetit dhe luftëtarit për pavarësi. E ardhur po kështu nga Spanja, guaracha lindi rreth fundit të shekullit XVIII, me origjinë në teatrin buf, me ritëm të shpejtë dhe fillimisht me tekste satirike, dhe më vonë politike. Zhanri u bë gjithnjë e më i vallëzueshëm.
Tregtia e skllevërve filloi në fillim të viteve 1520 për t’i furnizuar plantacionet e sheqerit dhe duhanit me fuqi punëtore. Shumë shpejt, muzikat “e bardha” do të bashkëjetojnë me ato të sjella nga skllevërit prej Afrikës Perëndimore dhe Qendrore. Afërsisht një milion prej tyre u shitën në Kubë gjatë katër shekujve. Ata përbëjnë pothuajse gjysmën e popullsisë gjatë dhëniës së fund të skllavërisë në 1886. Fillimisht, bashkëjetesa mes popullsive ishte e përzier për shkak të mosbesimit dhe frikës së të bardhëve. Të detyruar nga kolonët që të mblidheshin në bazë të etnisë ose gjuhës, skllevërit praktikonin në “kabildos”at e tyre — që ishin shoqëri të hierarkizuara me një mbret ose një mbretëreshë — lloje të ndryshme muzike dhe kërcimi, disa të shenjta e disa profane. Gradualisht, ato dalin përpara popullsisë së bardhë, sidomos gjatë karnavaleve të lejuara në festa katolike. Në këtë kontekst, në fund të shekullit XVII, lindën comparsa‑t: grupe muzikantësh, këngëtarësh dhe valltarësh të përbërë nga skllevër të maskuar.
Kjo përzierje zhanresh shoqërohet nga një sinkretizëm fetar, ku perënditë afrikane (orishas) nga etnia Yoruba e Afrikës Perëndimore bashkohen me shenjtorët e Kishës Katolike për të krijuar santería‑n, që vazhdon të praktikohet edhe përtej popullatës së zezë (dhe që mund të krahasohet me vodun në Haiti ose candomble dhe macumba në Brazil). Në planin profan, një lloj marshimi ritmik në rresht paraqitet që nga gjysma e shekullit XVI: conga, që do bëhej modë si vallëzim salloni në vitet 1930, sidomos në SHBA.
Që nga shekulli XIX fillon një periudhë intensive krijuese, që prodhon zhanre të reja, pa i zhdukur të vjetrat – një bashkëjetesë mes të resë dhe të së vjetrës. Si për shembull tumba francesa, që mbërrin në 1791, kur kolonët – kryesisht francezë – me shërbëtorët, skllevërit dhe të liruarit e tyre iknin nga kryengritjet që çuan në 1804 në lindjen e Republikës së parë të zezë të pavarur q137 ishte Haiti. Në Kubë, ajo shndërohet në koreografi elegante me mjeshtër baleti, këngë në frëngjisht ose spanjisht dhe ritëm tamburësh afrikanë — dy variante të saj ende praktikohen sot.
Por mbi të gjitha, rumba e quajtur ‘cubana’, me origjinë afrikane dhe pa asnjë lidhje me ritmet e tjera sallone me të njejtin emër, e cila duke përfshirë edhe këngën, bëhet zhanri dominues në fillim të shekullit XIX. E pranishme edhe sot në rrugët dhe oborret e Kubës, ajo zhvillohet si një dialog mes një këngëtari solist dhe një kori, me një grup prej tre daullësh në formë harku që nxisin një ose dy valltarë në një lloj ritual dashurie që përmban edhe humor.
Një tjetër zhanër, me prejardhje nga Europa, contredanse angleze (pastaj franceze), krijohet në Kubë që në fillim të shekullit XIX si contradanza, apo thjeshtë danza. Vitet 1860–1870 shohin lindjen e veprës së parë koreografike kombëtare: danzón, që fillimisht u konsiderua skandaloze, por që dominoj deri në fund të viteve 1920. Instrumentet frymore,-klarineta, violina, kontrabas, timpani, güiro (kunguj i fërkuar me shkop) shoqërojnë çiftet e përqafuar në një ritëm të ngadaltë, të cilët, përmes variacioneve të ndryshme, i japin vetes lirinë që të shpikin hapa.
Universi politik ishte shumë i trazuar. Lufta e parë e pavarësisë (1868–1878) përfundoi me dështim. Lufta e dytë që përfundoi në 1898 me ndihmën e Uashingtonit, e vendosi ishullin nën tutelën amerikane. Por këto tronditje politike nuk e penguan danzonin të mbretëroj dhe të të ketë një pasardhës. Në 1937, violonçelisti Orestes López Valdés komponoi një danzón që e quajti “mambo”, duke paralajmëruar kështu lindjen mbi dhjetë vjet më vonë të një zhanri të ri, të inauguruar nga pianisti Pérez Prado dhe flautisti Antonio Arcaño. Me meloditë e tij të rafinuar dhe transformimet ritmike, mambo shfaqet në gjithë botën në vitet 1950 dhe 1960, falë orkestrave si ato të Raúl Gutiérrez Grillo, apo « Machito », apo të Tito Puente dhe instrumentet e tyre si tromba, tromboni, briri dhe tuba, të frymëzuar nga xhezi. Por ritmet e shpejtë dhe sinkopat komplekse detyrojnë valltarët — vetëm ose në çift — të ndjekin kurse për të vallëzuar si duhet. Ideja për një thjeshtim të vallëzimit merr formë: në fillim të viteve 1950 lind chachachá me regjistrimin e tij të parë – La engañadora nga violinisti Enrique Jorrín – që njeh një sukses botëror. Entuziazmi megjithatë nuk do të zgjat më shumë se një dekadë.
Pothuaj në të njëjtën kohë me danzón-in, zhvillohet son, të shqiptohet “sonne”. I sjellë nga ushtarët në garnizonet e Havanasë, ai rrjedh nga changüí, i shfaqur në fund të shekullit XIX, në pjesën lindore të ishullit. Luhet gjatë festave fshatare, me tres (kitare e vogël me tri çifte tela që bëhet instrumenti ikonë i zhanrit), bongo (dy tupana të vegjël)dhe kontrabasi që zëvendëson marímbula-n (lamellofonë që i përgjan sanza-s afrikane). Grupi pioner i son-it, Cuarteto Oriental (i lindur në 1916), e shton një këngëtar dhe perkusione si claves, dhe më 1927 një trompetist. Numri i grupeve rritet, me tema intime ose tema për jetën e përditshme. Nga viti 1940, son jeton përmes formacioneve të mëdha të quajtura conjuntos, si ato të Arsenio Rodríguez, Félix Chapottín, Casino ose La Sonora Matancera. Zhvillimi është më i lehtë pasi son-i ka variante dhe bashkohet në mënyrë të pandërprerë me zhanre të tjera. Benny Moré, i njohur si “Barbari i ritmit”, e interpreton son-in si askush tjetër, dhe bëhet në fund të viteve 1950 idhull në vendin e tij nga i cili nuk do të largohet, ndryshe nga shumë të tjerë pas revolucionit.
Në të njëjtën kohë, në Nju Jork lind një zhanër i ngjashëm, latin jazz, sidomos nga takimi në 1947 mes perkusionistit kuban Chano Pozo dhe trompetistit jazz Dizzy Gillespie. Kështu lindi cubop (nga fjalët “cubano” dhe “bebop”). Spektri i latin jazz vazhdon të zgjerohet duke përfshirë edhe bossa nova-n braziliane, pa përmendur shpërthimin e zhanrit në vetë Kubën.
Në v.1959, revolucioni i Fidel Kastros ndërpret renditjen e diktaturave të lindur pas pavarësisë (nga gjenerali Gerardo Machado deri te Fulgencio Batista) dhe i jep fund korrupsionit. Por ai nuk është pa pasoja për sferën artistike: shkëmbimet ndërkombëtare pakësohen, mbyllën lokale koncertesh si kabaretet ku ushtrohej një prostitucion zyrtar masiv për klientelën amerikane. Një nga lokalet më të famshëm, Tropicana, i hapur në 1939, mbijetoi. Megjithatë, në vitet 1970 shfaqen forma të reja të muzikës: mozambique, një muzikë për vallëzim ku trombi, tromboni, briri dhe tuba si dhe perkusionet përzihen; fili, më intelektual sepse interpretohet nga zërat e mëdhenj, që lidhet me traditën e vjetër të trubadureve (la trova) dhe që shpie te nueva trova me të cilën gitaristë-këngëtarësi Pablo Milanés dhe Silvio Rodríguez mundohen t’ia hapin repertoarin e tyre kërkesave sociale, madje edhe politike. Në fund të shekullit të kaluar, filmi Buena Vista Social Club i Wim Wenders dokumentoi bukurinë e këtyre zhanreve të panjohur (son, danzón, guajira …), duke nderuar veteranët mahnitës si Compay Segundo, Ibrahim Ferrer, Ruben Gonzáles dhe artistë më të rinj si Eliades Ochoa, gitarist dhe Ochoa që sot ende jeton.
Në prag të viteve ‘70, në komunitetet latino të Nju Jorkut shfaqet një lloj përzierjeje e të gjitha muzikave kubaneze: salsa. Gazetari venezualian César Miguel Rondón, autor i librit referencë për këtë zhanër, përkujton se për ta kuptuar salsan, “duhet ta kuptosh gjithashtu tërë spektrin social dhe kulturor për të cilin u krijua.” Ajo paraqitej si një kundërpërgjigje e muzikantëve latino‑amerikanë të Nju Jorkut ndaj rockut dhe pop-it në ngritje, dhe një rikonfirmim i identitetit muzikor. Drejtuar nga Fania Records të Jerry Masucci dhe Johnny Pacheco, salsa njohu kohën e saj të artë në Nju Jork në vitet’70, para se të përhapej në mbarë botën, duke marrë forma specifike në Porto Riko, Kolumbi e Venezuelë. Nëse do përmendej një emër të vetëm, do të ishte ai i Tite Curet Alonso, autor-kompozitor i dy mijë këngëve të stilit “salsa me ndërgjegje” të interpretuara nga pothuaj i gjithë repertori salsero. Mund të përmenden gjithashtu Cheo Feliciano, Celia Cruz, La Lupe, Willie Colón, Héctor Lavoe, Ray Barretto, Rubén Blades, Ismael Miranda… dhe bashkë me zhvillimin e saj në Nju Jork, salsa rishpiket në Kubë në vitet 1980, me zhanre si timba (NG La Banda, La Charanga Habanera, Los Van Van…). Që atëhere historia vazhdon.

