Vendet arabe nuk do t’i vijnë në ndihmë Gazës. Asnjëri prej tyre nuk ka ndërmarrë ndonjë iniciativë diplomatike të rëndësishme për ta penguar ripushtimin e enklavës dhe për t’i dhënë fund përmbytjes izraelite me zjarr e hekur, të cilën ajo e vuan prej gati dy vitesh. Pavarësisht një bilanci njerëzor tronditës (70 000 të vdekur, prej tyre 70% gra dhe fëmijë, sipas vlerësimeve) dhe një urie të denjë për rrethimet më të këqija mesjetare, nuk ka asnjë kryeqytet në Magreb apo në Mashrek që të kërkojë sanksione kundër Tel Avivit ose t’i kërcënojë partnerët e tij perëndimorë me masa për mbështetjen e tyre të palëkundur ndaj zotit Benyamin Netanyahou dhe qeverisë së tij. Ndryshe nga ajo që ndodhi gjatë luftës së tetorit 1973, Organizata e Vendeve Arabe Eksportuese të Naftës (OAPEC) nuk po përpiqet të bindë prodhuesit e tjerë që të kufizojnë furnizimet me “arin e zi” në mënyrë që Uashingtoni të ushtrojë presion mbi të përkëdhelurin e vet. Disa ngjarje simbolizojnë në mënyrë të përsosur këtë ndryshim epoke: ndërsa armët amerikane vazhdojnë të derdhen në Izrael dhe Kongresi voton kredi pas kredie në favor të Tel Avivit, USS Forrest Sherman, një shkatërrues i marinës luftarake të Shteteve të Bashkuara, bën qetësisht një ndalesë në Algjer, në maj.
Së fundmi i liruar pas dyzet e një vjetësh burgim në Francë, militanti komunist George Ibrahim Abdallah kritikon popujt po aq – në mos më shumë – se udhëheqësit e tyre. « Fëmijët e Palestinës po vdesin nga uria, deklaroi ai në mbërritjen e tij në Bejrut. Është një turp për historinë. Një turp për masat arabe, edhe më shumë se për regjimet. Regjimet i njohim. Sa dëshmorë kanë rënë në demonstrata? Duke tentuar t’i kalojnë kufijtë e Gazës? Asnjë. Askush nuk ka rënë. Gjithçka varet nga populli i Egjiptit, më shumë se nga çdo palë tjetër ».
Udhëheqësit egjiptianë nuk e shohin kështu. Pa asnjë hezitim, ata forcojnë bashkëpunimin ekonomik me Tel Avivin. Për Kairon, nuk bëhet fjalë të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike, edhe pse çdo ditë vdesin dhjetëra banorë të Gazës. Është e vërtetë se 40 000 ushtarë egjiptianë janë të vendosur në veri të Sinait, por misioni i tyre nuk është të hapin një korridor për ndihmat humanitare, por të pengojnë një vërshim refugjatësh. Sikur të mos ishte pa erë, mund të thuhej se ky pasivitet mban erë metan. Në fillim të gushtit, kompania izraelite NewMed paralajmëronte nënshkrimin e një kontrate “historike” prej 35 miliardë eurosh për furnizimin e Egjiptit me gaz natyror që nxjerret nga vendburimi detar Léviathan duke filluar nga viti 2026. Sasia e parashikuar – 135 miliardë metra kub për pesëmbëdhjetë vjet – i përgjigjet 20% të konsumit vjetor të vendit. Që nga viti 2019, me përfundimin e një kontrate të parë për blerjen e 60 miliardë m³, Kajroja ka pranuar pra që siguria e saj energjetike të varet nga fqinji. Kjo ndoshta shpjegon pse shërbimet e saj të sigurisë kanë penguar, shpesh me forcë, pjesëmarrësit e marshit botëror drejt Gazës që të përqendroheshin në Sinai në qershor.
Një shembull tjetër: Emiratet e Bashkuara Arabe normalizuan marrëdhëniet e tyre me Izraelin në vitin 2020, në kuadër të marrëveshjeve të Abrahamit. Edge Group, një nga krenaritë e industrisë së tyre të mbrojtjes, shpalli në janar se dëshironte të investonte 10 milionë dollarë për të blerë një pjesëmarrje prej 30% në kompaninë izraelite Thirdeye Systems, e specializuar në zbulimin e dronëve përmes inteligjencës artificiale. Në Egjipt, në Emirate apo në Marok si një tjetër vend nënshkrues i marrëveshjeve të Abrahamit, normalizimi me Izraelin shkon dorë për dore me fitime të mira. Çka edhe mund të frymëzojë Sirinë dhe Arabinë Saudite, që shumëfishojnë kontaktet me armikun e palestinezëve.

