Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Kush e urren Jane Austen?

Historitë që ajo rrëfen flasin për para, rënie shoqërore, keqkuptime dashurore dhe obsesion për statusin shoqëror. Ajo ka një ironi të hollë, por therëse, një ndjenjë të gjallë për satirën elegante dhe një shije për çrregullimet e shtypura. Për një kohë të gjatë e konsideruar si “elitare”, tani prej disa vitesh është bërë mrekullisht në modë. Jane Austen apo konsensusi?

Gusht 2025

« Kur dëshirojmë ta urrejmë dikë, nuk na mungojnë kurrë arsyet ».
Jane Austen, Lady Susan

Jane Austen ka lindur më vitin 1775 në Hampshire, në Angli, dhe vdiq dyzet e një vjet më vonë, në vitin 1817, në të njëjtin qark. Ata që kanë jetuar në një shpellë deri më sot, do të mësojnë këtu se ajo ishte romanciere.

Jeta e Jane Austen është e lehtë për t’u përmbledhur: ajo e kaloi tërësisht brenda një familjeje të bashkuar të shtresës së gentry. Në këtë mjedis fshatar, modest e intelektual, ajo përfitoi një arsim të mirë, por e pati gjithmonë të vështirë financiarisht, nga fillimi deri në fund të jetës. Dhe nuk u martua, gjë që i la kohë të shkruajë një vepër të përqendruar në artin e zgjedhjes së bashkëshortit. Nga ky lulëzim letrar i lindur në fshehtësi dallohen romanet Sense and Sensibility, botuar në vitin 1811, Pride and Prejudice në 1813, Mansfield Park në 1814 dhe Emma në 1816. Ata patën njëfarë suksesi tregtar dhe i sollën asaj 631 paund sterlina, as edhe një penny më shumë. Dy romane të tjera, Northanger Abbey dhe Persuasion (Bindja), u botuan pas vdekjes së saj në vitin 1818. Ndërsa Sanditon, i nisur në janar 1817, mbeti i papërfunduar.

Vepra e Jane Austen-it ka marrë një mori përcaktimesh, disa prej të cilave përsëriten më shpesh se të tjerat: « mjeshtri e ligjërimit indirekt të lirë », « realizëm shoqëror » dhe « humor i ashpër ». Një linjë e gjatë romanesh sentimentale e ka joshur publikun për shumë kohë, ndërsa ajo vetë ka dashur të jetë një kritike ironike e tyre. Ajo përbën një urë që çon drejt lëvizjes së njohur si realizmi letrar. Bukuritë e shkrimit të saj janë të shumta; për këtë çështje ia lë fjalën Virginia Woolf-it, në The Common Reader (1925, L’Arche, Paris, 2004): « Shpirti i Jane Austen nuk ka të barabartë veçse me përsosmërinë e shijes së saj. Tek ajo, një idiot është një idiot, një snob është një snob, sepse largohet nga modeli i arsyes dhe i sensi të shëndoshë që ajo ka në mendje, dhe që na e përcjell pa ekuivok, edhe kur na bën të qeshim. Asnjëherë një romancier nuk ka treguar një sens kaq të patëmetë të vlerave njerëzore. ».

Secili nga romanet e saj ndjek të njëjtën strukturë: pengesa të shumta rreth dashurisë, parasë, statusit shoqëror – derisa të arrihet te martesa përfundimtare. Sepse gjithçka mbyllet gjithmonë me një martesë. Por le të shkojmë përtej këtij modeli të thjeshtuar. Eseistja Sheryl Craig pohon: « Në këto romane, personazhet bëjnë atë që të gjithë dëshirojmë: kanë besim te vetja dhe i rezistojnë atyre që i përçmojnë. ». Edhe nëse nuk është plotësisht e sigurt se ajo prek një pozicion politik radikal, padyshim që ajo përkrah një individualizëm të heshtur, por të qëndrueshëm, si mënyrë çlirimi në femërore. Mbi të gjitha, ajo paraqet një gjendje njerëzore – jo vetëm femërore – të shtrënguar nga shqetësimet ekonomike. Këshilla e saj është të kesh guximin të mos martohesh vetëm për para. Varfëria është ferr, por ta kalosh jetën me një shoqërim të gabuar është një ferr tjetër.

Reputacioni letrar i saj mbeti i matur, por i favorshëm gjatë jetës. Më shumë se pesëdhjetë vjet pas vdekjes, nipi i saj, James Edward Austen-Leigh, botoi A Memoir of Jane Austen (Shtëpia botuese Richard Bentley and Son, 1869). Ishte një sukses i jashtëzakonshëm: lindi janeitizmi, ky « entuziazëm idhujtar, ndonëse paksa i ndrojtur, i ndjerë për “Jane” dhe për çdo detaj që lidhej me të ». Fillimisht kryesisht mashkullor në fillim të shekullit XX, « i përhapur mes botuesve, profesorëve dhe letrarëve ». Gjatë Luftës së Parë Botërore, ajo lexohej edhe nëpër llogore; Churchill-i gjithashtu do ta përdorte këtë “ilaç” gjatë Blitz-it.

Që prej atëherë, ky sukses i jashtëzakonshëm nuk ka bërë gjë tjetër veçse është rritur pa masë. Së pari shifrat: për Pride and Prejudice flitet për mbi 20 000 000 kopje të shitura. Por shitja e librave është vetëm pjesa e dukshme e ajsbergut Austen: si një shurup, vepra e saj përhapet në të gjitha mediat sapo ato shfaqen, veçanërisht në ekrane, me mbi tridhjetë përshtatje dhe filma të nxjerrë prej tyre. Sot, vala e pandalshme shpërthen edhe në platformat digjitale: « Jane Austen është bërë autorja më në modë në rrjetet sociale. Me anë të meme-ve, këtyre imazheve të ripërdorura në mënyrë ironike dhe videove që promovojnë veprat e saj, ajo po përjeton një rikthim të fuqishëm të popullaritetit falë gjeneratës Z », siguron gazetarja Auriane Guerithault.

Nga ana e klubeve të panumërta të fansave, të quajtura « shoqëritë austeniane (JAS) », mund të vizitoni Janeites France, që premtojnë një « Picnic Regency: Takim janeit! ». Ndërkohë Deezer ofron « një përzgjedhje të gjerë kolonash zanore të Pride and Prejudice për t’u dëgjuar, si edhe libra audio në frëngjisht dhe anglisht ».

Në ish-revistën javore falas për femra të grupit Marie-Claire Stylist, Mathilde Carton plotësonte arsenalin e “Janeite”-s së sotme, të pangopur dhe të pavarur: « Përveç The Jane Austen Cookbook (1995), i frymëzuar nga vaktet që shijoheshin në tryezën e Austen-ëve, mund të gjeni edhe Dinner with Mr Darcy (2013), ose Tea with Jane Austen (2004) (…). Por meqë heroinat e Austen-it janë më shumë “single-battantes” sesa amvise, ekziston edhe Jane Austen’s Guide to Thrift (2013), që do t’ju mësojë të investoni me zgjuarsi për të jetuar si një grua e pavarur. » (5 qershor 2017).

Në këtë koncert është e vështirë të gjesh zëra kundërshtues. Herë pas here, në Reddit, hasen disa komente thumbuese: « Pride and Prejudice, nuk është veçse një grumbull njerëzish që shkojnë vizitë tek njëri-tjetri ». Shpesh ndeshet shprehja « roman me ujë trëndafili » dhe komenti shumë mashkullor « i mungon aksioni ». Megjithatë, këto mendime negative mbeten të rralla dhe anonime – Janeites janë të panumërt, dhe një shitstorm shpërthen shumë shpejt… Prandaj nuk do të rrezikoj të jap ndonjë kritikë: do t’ua lë të tjerëve këtë detyrë.

Në radhën e parë të të famshmëve që e urrejnë Jane Austen renditet shkrimtari amerikan Mark Twain, i cili e shpreh fuqishëm (Letër drejtuar Joseph Twichell, 13 shtator 1898): « Sa herë që lexoj Pride and Prejudice, më vjen dëshira ta nxjerr Austen-in nga varri dhe ta godas në kafkë me tibinë e vet. » Më pas, në A Room of One’s Own (1929), Virginia Woolf, e cila nuk e urren aq Jane Austen sa (që atëherë) Janeites e saj mendjemëdhenj: « Kushdo që ka pasur guximin të shkruajë mbi Jane Austen është i vetëdijshëm për dy fakte: së pari, nga të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, ajo është më e vështira për t’u kapur në flagrancë të madhështisë; së dyti, ka njëzet e pesë zotërinj të moshuar që jetojnë nëpër rrethinat e Londrës, të cilët e ndjejnë çdo kritikë ndaj gjeniut të saj si një fyerje ndaj virgjërisë së tezeve të tyre ».

Por ka edhe më serioze: vetë Charlotte Brontë, romanciere angleze e gjeneratës pasuese (1816-1855), autore e tepër romantikes Jane Eyre (1847), nuk e çmonte shumë Jane Austen. Dhe kishte argumente: « E mora librin dhe e studiova. Dhe çfarë zbulova? Një portret po aq i saktë sa një dagerotip i një fytyre të zakonshme, një kopsht i rrethuar me kujdes me gardhe dhe i kultivuar me përpikëri, me bordura të bukura dhe lule delikate, por pa asnjë gjurmë të një fizionomie të gjallë e të ndritshme, pa natyrë të egër, pa ajër të freskët, pa një kodër të gjelbër, pa një përrua të rrëmbyeshëm ». Këtu nuk bëhet fjalë aq për talent sa për guxim: Charlotte Brontë e akuzon Jane Austen-in se nuk pati mjaft “zorrë” për t’i rezistuar « detyrimit të imponuar një autori, për të merituar vlerësim, që të eliminojë jetën nën sipërfaqe, forcën e emocioneve, mes të cilave përvoja e errët e pasionit dashuror » dhe se kishte privilegjuar sistematikisht « pamjen e studiuar me kujdes të konvencioneve shoqërore ». Për Brontë-n, letërsia e saj është pa “stomak”, ndërsa vizioni i saj për botën tepër ngushtësisht borgjez. Duhet vënë re se librat e zhvillimit personal shpesh mbështeten mbi veprën e Austen-it.

Sigurisht, Janeites kanë përgjigjen e tyre gati: Jane nuk ka faj, është pjesa tjetër e botës që nuk e ka kuptuar. Kjo, sidomos për shkak të përshtatjeve filmike. « Në fakt, ato mbeten te historia dhe (…) përcjellin një imazh të lëmuar, atë të vajzave të bukura të dashuruara e të palumtura, por që në fund do të gjejnë lumturinë. (…) Ne e duam Jane Austen, por për arsyet e gabuara ose, në çdo rast, jo për atë që ajo është vërtet si shkrimtare. »

Më gjerë, disa e shohin aty feminizmin, të tjerë vlerat tradicionale – lexime të kundërta, siç dihet, një shkrimtar i madh u flet të gjithëve në gjuhën e tyre. Por ka edhe një tjetër kritikë, dhe kjo ka më shumë filozofi: « Versionet me zombie, përbindësha deti dhe tmerr (përfshirë këtë kryevepër të çuditshme që është Pride and Prejudice and Zombies (2016), e realizuar nga Burr Steers, ku Lily James dhe Sam Riley shkëmbejnë, mes dy goditjeve me shpatë, replikat e famshme të Elisabeth dhe Darcy-t) janë shprehja e pavetëdijshme e asaj që mungon në botën e vogël të këtij autori. Kjo ndjesi se ajo nuk e vë në pikëpyetje rendin moral të universit, dhimbjen e tmerrshme të qënies së dënuar dhe kuptimin e pranisë së njeriut në gjithë këtë ». Këtu nuk bëhet më fjalë për mungesë guximi, por për mungesë përmase. Apo thjesht është fjala për shijen e një maskuliniteti të caktuar për dhunën në të gjitha format e saj, përfshirë atë letrare? Një maskulinitet që ka vendosur ta përçmojë Jane Austen-in për faktin se nuk u mor me temat që atij i duken të përshtatshme?

Botime të tjera