Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Diplomacia e Dromedarit

Figurë emblematike e Gjirit para epokës së naftës, "deva e arabisë" po e përjeton tani një entuziazëm sportiv të shoqëruar me një interes të lartë politik nga monarkët e gadishullit, veçanërisht ata të Emirateve të Bashkuara Arabe. Si

Gusht 2025

Flamujt valëviten në erën e ngrohtë. Garat po përfundojnë dhe më në fund është koha për çmimet. Jemi në muajin maj 2025 në Tan-Tan, një qytet në jug të Marokut. Një poster që kremton miqësinë midis familjes mbretërore dhe Emirateve të Bashkuara Arabe qëndron mbi podium, ku pronarët e deveve fituese marrin secili nga një trofe që mban imazhin e kësaj kafshe emblematike të shkretëtirës. Sipër, flamujt e dy vendeve ndërthuren. Personi që shpërndan këto çmime është Gjeneral Major Fares Khalaf Al-Mazrouei, Komandant i Përgjithshëm i Policisë së Abu Dhabit [apo ish i zëvendësuari nga Ahmed Saif bin Zaitoon Al Muhairi në janar]. Prania e kësaj figure të shquar dëshmon faktin se eventi nuk i përket vetëm fushës sportive. Është një mundësi për monarkinë e pasur me naftë të Gjirit që të forcojë ndikimin e saj në mbretërinë Cherifiane, ku ajo organizoi këto gara për herë të parë në vitin 2016 gjatë një festivali që festonte kulturën nomade në prani të rreth tridhjetë fiseve.

Në këtë “kamelodrom”, më i gjati në Afrikë me pistën e tij prej 4000 metrash, garat zhvillohen me shpejtësi gati 40 kilometrash në orë dhe ndjekin të njëjtin model si ato të Khaleej (“Gjiri”). Arti i garave tradicionale me dyluftime, ku ende mund të vërehet në disa gara shkathtësia e kalorësit të ulur mbi kafshën e tij, tani është zëvendësuar nga robotizimi i kalërimit, një zhvillim thelbësor për të shmangur rëniet e kalëruesve. Deri në vitin 2002 nuk ishte e pazakontë që kafshët të drejtoheshin nga fëmijë për shkak të peshës së tyre të lehtë. Praktika është ndaluar që atëherë, dhe robotët, të cilët peshojnë mesatarisht dhjetë deri pesëmbëdhjetë kilogramë, janë të pajisur me një kamxhik që operohet nga distanca me telekomandë. Një tjetër shenjë e modernizimit: pistat shoqërohen në të dyja anët nga pista ku qarkullojnë automjete për të gjitha terrenet, nga ku mbarështuesit dhe trajnerët inkurajojnë kafshët dhe kontrollojnë makinat. Inovacioni teknologjik nuk e ka zbehur entuziazmin popullor që rrethon këto gara, të cilat përbëjnë një sport të vërtetë kombëtar në të gjitha vendet e Gjirit dhe veçanërisht në Abu Dhabi.

Në Marok, emirati financoi lokacionin “Sheikh Zayed Bin Sultan Al-Nahyan” – i emëruar sipas themeluesit të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) – me një shumë prej 18 milionë dirhemësh marokenë (1.6 milionë euro). I inauguruar në formën e tij përfundimtare në vitin 2017, ky objekt simbolizon ambiciet e Abu Dhabit, i cili synon të forcojë ndikimin e tij përmes rrugëve të shumta dhe ndonjëherë të papritura.

Për t’i kuptuar themelet e kësaj diplomacie të devesë, duhet të kthehemi në vitin 2016, kur Lindja e Afërt dhe Afrika e Veriut përjetuan një kthesë kundërrevolucionare ku merrte pjesë Abu Dhabi. Fryma e Pranverave Arabe të vitit 2011 ishte zhdukur dhe autoritarizmi po rikthehej. Nën udhëheqjen e klanit Bani Fatima të udhëhequr nga Princi i Kurorës Mohammed bin Zayed Al-Nahyan, më i njohur me nofkën “MBZ”, linja e ashpër mbizotëroi dhe udhëhoqi politikën e jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe. Abu Dhabi ishte atëherë në një pozicion force brenda federatës, ku mbante presidencën tashmë. Si rezultat i krizës së kredive të ulëta subprime, emirati tregtar i Dubait, i cili kishte bërë investime gjigante në pasuri të paluajtshme, ishte pranë falimentimit në vitin 2009. Duke shlyer borxhet e tij, fqinji dhe rivali i tij, pasuria e të cilit vjen kryesisht nga hidrokarburet, parandaloi përhapjen e katastrofës financiare në të gjithë rajonin. Që nga ajo kohë, Abu Dhabi është afirmuar si garant i qëndrueshmërisë ekonomike të federatës, mbi të cilën rriti kontrollin e tij. Në vitin 2014, aksidenti kardiovaskular i Emir Khalifa Bin Zayed Al-Nahyan, gjysmëvëllai i MBZ, e përshpejtoi këtë marrje të pushtetit. Si princ i kurorës, ky i fundit mbështeti një emir të sëmurë i cili gradualisht u reduktua në rangun e një figure formale. Si oficer ushtarak i rangut të lartë në shpirt, sundimtari de facto imponoi një projekt politik ku dinamizmi ekonomik i bazuar në diversifikim shoqërohej me forcimin e fuqisë ushtarake të Emirateve. Autoritarizmi i brendshëm dhe kërkimi për lidership rajonal kanë qenë ndër shtyllat e politikës së burrit të ri të fortë që nga maji 2022, kur ai mori fronin e Abu Dhabit dhe u bë president i Emirateve të Bashkuara Arabe. Lindja e Mesme dhe Magrebi janë bërë kështu zonat për zgjerimin e ndikimit të vendit të tij.

Diplomacia e devesë duhet të kuptohet në dritën e kësaj periudhe. Në psikologjinë e sundimtarëve të Gjirit, deveja arabe, ose camelius dromadarius, më e njohur në frëngjisht si dromedar, rimon me stabilitetin. E çmuar prej kohësh nga fiset e mëdha baritore për qëndrueshmërinë e saj, duke u ofruar njerëzve mbështetje të çmuar përballë thatësirës kaq karakteristike të mjedisit të saj shkretinor, kjo kafshë, të cilën Kurani e citon me rreth pesëmbëdhjetë emra të ndryshëm, ka gjithashtu një karakter të fuqishëm. Nderimet që i janë dhënë mund të lexohen në shprehjen që përkufizon këto gara: “sporti i chouyoukh-eve” (shumësi i sheikh në arabisht). Deri në mesin e shekullit të 20-të, në këto gara përballëshin figura të larta gjatë festave fetare. Por zhvillimi i industrisë së naftës pas Luftës së Dytë Botërore, dhe më pas përhapja e makinës gjatë viteve të ’60-ta, gradualisht zvogëluan nevojën e përdorimit të deveve si mjet transporti. Bumi i naftës, përmirësimi marramendës i kushteve të jetesës dhe fuqisë blerëse, tërheqja e trupave të protektoratit britanik në fillim të viteve 1970, krizat e shumta rajonale dhe kërcënimet e jashtme (Egjipti, Iraku, Irani) i trazuan shoqëritë e Gjirit. Në një kontekst ku monarkët kishin në mendje imperativin e rishpërndarjes së të ardhurave të papritura nga nafta dhe gazi, kësaj kafshe iu caktua një rol i dyfishtë, ekonomik dhe simbolik, duke marrë pjesë në afirmimin e sovranitetit pushteteve ekzistuese. Në Emiratet e Bashkuara Arabe, si në Katar, Oman, Bahrein dhe Kuvajt, deveja u shndërrua kështu në një nga elementet kryesore e narrativave kombëtare të formuara nga figura mbretërore dhe princërore. Garat e para u organizuan gjatë viteve 1970. Deveja rifitoi fisnikërinë e saj dhe u bë një atribut për të shkëlqyer në shoqëri. Garat me shpërblime të larta – ndodh që çmimi i parë të kalojë 100,000 dirhemë (23,500 euro) – ia rrisin vlerën  kafsheve më të mira. Sa i përket tregjeve gjithnjë e më dinamike të deveve, ato po modernizohen gjithashtu, ndër të tjera, me kurse dhe ankande javore që tani transmetohen nëpërmjet telefonisë mobile. Megjithatë, ligji islamik i ndalon bastet. Por kjo në asnjë mënyrë nuk e pengon entuziazmin që rrethon këto gara, ku nuk është e pazakontë që publiku të brohorasë emrin e ndonjë deve, nën syrin e kamerave televizive që e transmetojnë ngjarjen drejtpërdrejt çdo të premte. Vitet e fundit, këto gara u kanë ofruar turistëve perëndimorë një ndjesi autenticiteti të ngrohtë e mikpritës.

Promovimi i dromedarit synon gjithashtu t’ia rikthejë një rol shoqëror grupeve beduine të margjinalizuara nga modernizimi i shpejtë. Me kalimin e kohës, po krijohet një ekonomi e vërtetë, që shtrihet nga arenat prestigjioze të kryeqyteteve deri te “kamelodromet” më të vegjël të rajoneve periferike. Ndërsa kafsha shërben për të kultivuar madhështinë e figurave princërore, ajo mbush gjithashtu portofolet e mbarështuesve më modestë. Sot, kafshët pesëvjeçare, pasi kanë provuar vlerën e tyre, mund të arrijnë shpejt vlerën 90.000 euro. Pronarët e tyre ia japin vetës luksin të sfidojnë kokat me kurorë mbi rërën e pistave të njohura. Kështu ndodhi në finalën e edicionit të vitit 2018 të festivalit Taif, kur deveja e mbarështuesit Mohammed Ben Salem Al-Wahibi e mundi kalin e MBZ për një fije floku.

Më 2011, kur u intensifikuan protestat popullore në Tunis, Kajro dhe Manama, Abu Dhabi menjëherë e kuptoi rrezikun që një “infektim” i tillë do t’i sillte projektit të tij ekonomik dhe, në fund, qëndrueshmërisë së një regjimi monarkik që nuk toleron asnjë kundërpushtet. Për Emiratet, ishte çështje e ruajtjes së një ekuilibri rajonal të qeverisur nga autokratët dhe moslejimi i mbizotërimit të rrugës demokratike. Barinjtë e deveve më pas rezultuan të ishin aleatë të vlefshëm. Për këta barinj, ashtu si për pronarët e tokave, një sistem autoritar mund të garantonte vetëm stabilitetin e vendit dhe, rrjedhimisht, mbarëvajtjen e mirë të biznesit.

Për një milion dirhemë

Në këtë kontekst, kafsha bëhet një mjet ndikimi në shkallë rajonale. Prej pistave të Al-Wathba-s, kamelodromi historik i Abu Dhabit, i vendosur vetëm disa dhjetëra kilometra larg kryeqytetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, vullnetarizmi për garat me deve po prek shumë vende arabe. Sheshet që mbajnë emrin e sheikut Zayed po shtohen. Një lokacion është përuruar në Abu Jira, në periferi lindore të Khartumit (Sudan), gjithashtu me emrin e sundimtarit të ndjerë, themeluesit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Në Sharm El-Sheikh, në zonën bregdetare të Sinait egjiptian, një klub gjithashtu merr emrin e tij. Dhe në qarkun e Wadi Rum, në jug të mbretërisë jordaneze, mbahet një festival vjetor me të njëjtin emër. Rreth këtyre vendeve, Abu Dhabi vlerësohet për mbështetjen e tij ndaj kësaj praktike sportive dhe kulturore, popullariteti i së cilës mbetet, megjithatë, më i ultë se ai që gëzon në gadishull. Çmimet janë kështu më të vogla se ato të shpërndara në ngjarjet e mëdha të Gjirit, të cilat mund të arrijnë, për të gjitha garat – rreth dhjetë në ditë – një milion dirhemë emiratas (235,000 euro). Kontributi financiar i Abu Dhabit mbështet entuziazmin për këtë praktikë, duke promovuar institucionalizimin e saj. Në janar 2020, gjatë festivalit Sharm El-Sheikh, Presidenti egjiptian Abdel Fattah Al-Sisi, ngadhënjimtari i Vëllazërisë Myslimane, dhe MBZ, kundërshtar i ashpër i kësaj organizate, u takuan pranë pistës. Për këtë edicion, federata e Emirateve u premtoi pronarëve të deveve më të mira një total prej 66,000 dirhemësh emiratas, ose 16,000 euro, një shumë modeste krahasuar me çmimet e ofruara në Gjirin Persik, por e konsiderueshme krahasuar me standardin e jetesës në Egjipt.

Pas diplomacisë së devesë qëndrojnë edhe interesat ekonomike. Në luginën Wadi Rum të Jordanisë, prania e emiratit nuk është e rastësishme. MBZ zotëron tokë bujqësore në këtë zonë shkretinore të njohur për prodhimet bujqësore, falë burimeve të saj ujore nëntokësore. Dekada e fundit është karakterizuar nga një intensifikim i shkëmbimeve tregtare midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Jordanisë, të cilat janë rritur me 763% sipas shifrave të Ministrisë së Ekonomisë së Emirateve. Në jug të Sinait, Abu Dhabi synon të përfitojë nga potenciali turistik i Sharm El-Sheikh. Në Khartum dhe deri në shpërthimin e luftës civile, deveja është treguar si një element kyç në politikën e jashtme të emiratit. Sudani përfaqëson një lidhje kyçe në sigurinë ushqimore të Abu Dhabit. Në jug të Abu Jira është provinca e Al-Jazirah. Në fund të viteve 2000, autoritetet e Emirateve tashmë kishin 400.000 hektarë tokë të punueshme në vend, të cilësuara si një nga “hambaret” e Afrikës. Dhe investimet vazhduan të rriteshin në dekadën pasuese. Egjipti, Jordania, Maroku—deveja u bë kështu figura kryesore e diplomacisë emirate, që synon të ruajë status quo-në autoritare në botën arabe. 

Botime të tjera