A do ta kishin njohur njëri-tjetrin po të ishin takuar atë vjeshtë në Broadway? Të dytë sapo kishin mbërritur në Botën e Re (SHBA), ndonëse nëpërmjet rrugëve dhe për arsye të ndryshme. Megjithëse kishin kaluar disa netë së bashku jo shumë kohë më parë.
Largimi nga Evropa drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 1938 nuk kishte qenë i lehtë për njërin dhe tjetrin. Ajo ia kishte dalur, nga Vjena duke kaluar nëpër Londër, falë affidavits, atyre dokumenteve që dëshmonin se do të përkujdeseshin për ju dhe se do të kishit një dobi për vendin pritës. Njëri nga vëllezërit e saj tashmë ishte vendosur në New York dhe po përpiqej me çdo mënyrë të shpëtonte familjen e mbetur në Austri nga kthetrat naziste. Ishin hebrenj, natyrisht.
Për të, gjërat kishin ndodhur në një mënyrë edhe më të çuditshme: fillimisht një luftë me kohën për të arritur nga Parisi në anijen transoqeanike SS Montclare që nisej nga Cherbourgu me destinacion Montrealin, pastaj marrja, nën një identitet dhe funksion të rremë, të një vize përpara se të hynte në territorin e Shteteve të Bashkuara. Pasi kaloi kufirin, ai do të shkonte në New York, ku, ashtu si ajo, mund të llogariste mbi ndihmën e familjes, por edhe aty, për arsye të tjera dhe në një mënyrë edhe më të çuditshme. Ai ishte hebre, por nuk ishte kjo arsyeja pse po ikte dhe, në çdo rast, për aq sa dihet, kjo nuk kishte luajtur asnjë rol në marrëdhënien e tyre.
Ajo është Eva Stricker. E lindur në Budapest më 1906, në një familje të pasur, e cila përfshinte shumë shkencëtarë të shquar, ndër ta vëllezërit Karl dhe Michael Polanyi. Ajo është artiste, por nëna e saj nguli këmbë që ajo të mësonte një zanat që do t’i mundësonte të fitonte jetesën. Ajo do të bëhej qeramiste. Eva u aftësua në punimin e qeramikës fillimisht në Hungari dhe pastaj në Gjermani, ku nga viti 1930 deri në vitin 1932, jetoi një jetë boheme në Berlin, ndërkohë që aty zhvilloheshin përleshje rrugësh. Ajo banonte në studion e piktorit Emil Nolde, para se të bashkohej në Kharkov/Kharkiv me të dashurin dhe të ardhshmin e saj bashkëshort, inxhinierin Alex Weissberg.
Alex bënte pjesë në ata shkencëtarë që Bashkimi Sovjetik i kishte tërhequr për të kontribuar në industrializimin e tij. Megjithëse jokomuniste, Eva ishte kureshtare për përvojën sovjetike. Asaj do t’i propozohej të mësonte prodhimin e serviseve të bukura të çajit, të cilat i takonin proletariatit. Çfarë mund të ishte më eksituese se kaq? Ajo nuk do të kthehej nga atdheu i socializmit veçse pas pesë vjetësh e nëntë muajsh, prej të cilëve një vit e katër muaj i kaloi në burg.
Arrestimi i saj ndodhi, si zakonisht, në orën e qumështores, një ditë të bukur maji të vitit 1936 në Moskë. Ajo e rrëfen kështu në kujtimet e saj “Memoaret e një burgu sovjetik” të shkruara në fund të jetës për t’u lënë gjurmë fëmijëve të saj:
“Dëgjo, ka disa njerëz këtu që duan të të shohin”. Hodha sytë përreth dhe pashë një grua dhe, më duket, kujdestarin e ndërtesës.
“Çfarë duan ata?”
“Oh, duan të flasin me ty”.
Por u shqetësova kur zbulova se donin të kontrollonin banesën. Nuk më shkonte në mendje që mund të kisha bërë diçka të keqe. Një keqkuptim, pa dyshim. (…) Papritur, disa burra ndodheshin në dhomë. (…) Ata gjetën edhe fotografinë e një pistolete, një zmadhim që e kisha bërë kur bleva aparatin tim të bukur fotografik. Ishte modë atëherë të bëheshin zmadhime pjesore të objekteve për t’i bërë të ngjanin me diçka tjetër. (…) Nuk ishin të pasjellshëm. Përkundrazi, ishin shumë të sjellshëm. Pas pak kohe, thanë: “Mirë, do të duhet të vish me ne.” Më treguan një fletë letre, urdhrin për arrestimin tim. Aty shkruhej: “Arrestimi i Eva Aleksandrovna Stricker”.
Njeriu që e shantazhoi Stalinin
E akuzuar se kishte marrë pjesë në një komplot për ta vrarë Stalinin, ajo do të lirohej në vjeshtën e vitit 1937 nën presionin e familjes së saj, të vëllezërve Polanyi dhe të burrit të saj, Alex Weissberg (para se ky i fundit të binte vetë nën akuzë). Por, sipas saj, siç do të shihet, kjo nuk ishte arsyeja e vetme. Pasi kishte ikur nga një Hungari e përkulur nën regjimin autoritar të regjentit Horthy, të afërmit e saj kishin shkuar në Vjenë, ku ajo u bashkua me ta. Aty e takon sërish edhe mikun e fëmijërisë dhe, ndoshta, ish-të dashurin e saj Arthur Koestler – Eva ishte një grua e lidhjeve të shumta. Thuhet, dhe edhe vetë ai e ka thënë, se u frymëzua nga rrëfimi që ajo i bëri për burgimin e saj në BRSS për të shkruar librin e tij kryesor, Zero dhe Pafundësia.
Ai është Alexandre Orlov. Të paktën ky është emri nën të cilin ai shfaqet në librat e historisë, në dëshmi apo në rrëfime letrare. Sepse ky njeri është shndërruar në një legjendë. Me këtë emër do të nënshkruajë librin e tij mbi “historinë sekrete të krimeve të Stalinit” botuar në prill të vitit 1953. Sipas periudhave, misioneve dhe vendeve, ai do të quhej Lev Lazareviç Nikolski, Alexander Mihajlloviç Orlov, Igor ose Alexandre Berg, William Goldin, pa harruar edhe emrin Koornick e të tjerë, por për ata që e njihnin mirë, ishte Svetch. Ndërrimi i identitetit, një lojë fëmijësh për dikë që ishte trajnuar nga shërbimet e fshehta. Dhe ky ishte rasti i tij: përkatësisht NKVD-ja, e cila më vonë do të bëhej KGB.
Në jetën e vërtetë, Lev Lazarevitch Feldbine ka lindur më 21 gusht 1895 në Bobruisk, një qytet i vogël i Bjellorusisë. Në moshën 20-vjeçare ai u nis për të studiuar drejtësi në Moskë. I rekrutuar në ushtrinë e Carit gjatë Luftës së Parë Botërore, ai iu bashkua bolshevikëve në vitin 1917 dhe ndryshoi emrin. Nikolski do të tingëllonte “më pak hebre”. Ai u martua me Marian, anëtare e Partisë Komuniste të Ukrainës që nga mosha 16-vjeçare. Në vitin 1923 lindi vajza e tyre, Vera. Kur iu propozua të shkonte jashtë vendit për t’u marrë me tregtinë e jashtme (një mbulesë për agjentët), Maria dhe ai e shfrytëzuan rastin për të parë botën.
Që nga gushti i vitit 1926, ata do të jetojnë kryesisht jashtë vendit. Fillimisht në Paris, ku kaluan shtatëmbëdhjetë muaj, pastaj në Berlin ku ai punoi në ambasadën e BRSS për më shumë se dy vjet. Në vitin 1932, ai bëri, i vetëm, një qëndrim të parë në Shtetet e Bashkuara për dy muaj, duke përfituar për të mësuar anglishten dhe për t’u takuar me familjen. Nga prilli deri në korrik 1933 ai ishte në Vjenë, pastaj në Londër, ku thuhet se kontribuoi në rekrutimin e të famshmëve “Cambridge Five”, mes tyre Kim Philby, qytetarë britanikë nga familje të mira që spiunuan në shërbim të BRSS-së. Nëse qëndronte ende jashtë vendit, kjo ishte edhe për shkak të shëndetit të Verës. Në moshën 3-vjeçare, vajza u prek nga një sëmundje që trajtohej më mirë në Evropën Perëndimore. Ai nuk do të kthehej në Moskë veçse në tetor të vitit 1935, për t’u larguar sërish në shtator të vitit pasues, dhe për të mos u kthyer më kurrë. Ndërkohë kishte ushtruar detyrën e instruktorit të NKVD-së.
Është në këtë periudhë që fatet e Eva Stricker dhe Alexandre Orlov – i cili ende nuk ishte “Orlov” – u kryqëzuan në atë që pëlqehet të quhet “bodrumet”, në këtë rast zyra e atij që Eva do ta quante Nikoultsev, e vendosur në Bolshoi Dom. Në Leningrad, ku ajo ishte transferuar, ky ishte emri i burgut ekuivalent me Lubiankën në Moskë.
“Herën e parë që u thirra, kujton ajo, më çuan në një zyrë të madhe elegante ku ndodhej z.Nikoultsev, i cili më foli në gjermanisht. Ishte shumë i qetë dhe i sjellshëm. Nuk ishte aspak lajkatues, nuk luante një lojë mashtrimi. Mendoj se filloi të më pyeste se kush ishin miqtë e mi. E pashë çdo ditë për rreth një javë, vonë në mbrëmje. Rreth mesnatës, ai bënte të sillnin çaj dhe zakonisht një sanduiç me djathë e havjar.”
Në përfundim të atyre netëve të marrjes në pyetje, Nikoultsev do të bindet për pafajësinë e saj. Duhet kuptuar, ashtu siç do ta kuptojë edhe ajo më vonë, se fajësia e saj dukej, në një farë mënyre, e besueshme. Përveç fotografisë së revoles, në dhomën e saj – e marrë me qira nga një komunist hungarez – ishin gjetur edhe dy revole të vërteta, për ekzistencën e të cilave ajo nuk dinte asgjë. Kur më vonë, pas luftës, do të takohej me qiradhënësin e saj, Hevesi Gyula, i cili tashmë ishte bërë anëtar i Akademisë së Shkencave të Hungarisë dhe i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Hungareze, ai do t’ia konfirmonte se ato revole të vjetra, të ruajtura si kujtime, i kishin përkitur atij. Ata biseduan për të kaluarën mbi një filxhan çaji në shtëpinë e tij të bukur në rrethinat e Budapestit.
« Më vjen me të vërtetë keq, – kishte thënë Eva, – që ju shkaktova këto telashe me ato revole ».
« Oh, e dashur, ju lutem, – ia ktheu ai me një ton qetësues, – nga nëntë vitet që kalova në burgun e NKVD-së, vetëm dy prej tyre kishin lidhje me revolverët. »
Kështu, ne po kërkonim ndjesë me mirësjellje ndaj njëri-tjetrit mbi një çaj elegant, secili duke i thënë tjetrit: « Ju lutem, ju lutem ».
Nëntë vjet burg, një gjë e vogël, pothuajse si një rit kalimi në Bashkimin Sovjetik të atyre viteve. Por periudha në të cilën Eva dhe Nikoultsev pinin çaj bashkë ishte krejt jashtë rregullit. Jemi në verën e vitit 1936, dy vjet pas vrasjes së Sergueï Kirov, sekretarit të parë të Partisë në Leningrad, vrasje që konsiderohet si shkas i terrorit të ushtruar brenda Partisë. Në atë moment zhvillohej gjyqi i parë i asaj që do të quhej “spastrimi i madh”, në përfundim të të cilit Lev Kamenev dhe Grigori Zinoviev, dy bolshevikë të hershëm, do të dënoheshin dhe do të pushkatoheshin menjëherë pas shqiptimit të vendimit.
Mosbesues, hakmarrës dhe pa mëshirë, Stalini nuk ishte ende krejtësisht ai individ paranojak që do të bëhej pas luftës. Ai kishte, megjithatë, arsye të forta të ndihej i kërcënuar. Vendi gjendej keq, marshimi i detyruar i planit të parë pesëvjeçar (1928-1932) ishte bërë në kurriz të një populli tejet të lodhur; lufta kundër fshatarëve, kulmi i së cilës qe uria e tmerrshme në Ukrainë dhe në Kuban më 1933, nuk kishte gjetur miratim të gjithanshëm, madje as mes vetë bolshevikëve. Dhe pastaj, padyshim, në BRSS-në e viteve 1930 kishte spiunë të huaj (pse Perëndimi të mos i kishte dërguar?) ose rusë të bardhë që shpresonin ende për hakmarrje, pa përmendur, për aq sa nuk ishin “likuiduar” tashmë, kundërshtarët, qofshin ata trotskistë apo jo. Ata që kishin besim te Stalini e shihnin BRSS-në në rrezik. Nikoultsev ishte me gjasë ndër ta. Edhe Eva, sipas tyre, mund të kishte qenë pjesë e një komploti. Ajo që sot duket krejt irracionale, atëherë mund të mos ketë qenë e tillë.
Por fakti që Nikoultsev u bind për pafajësinë e Evës nuk mjaftoi. Ajo do të dilte para një komisioni, ku do të mësonte edhe emrin e akuzuesit të saj: një farë Bykhovski, inxhinier teknik me të cilin kishte punuar në fabrikën e porcelanit Lomonosov, kur ishte në Leningrad. A ishte vallë për ta shpëtuar? Iu sugjerua të thoshte se e kishte refuzuar atë në planin sentimental. Ai, nga mllefi, do të kishte dashur t’i bënte dëm – gjë që ajo e mohoi. Nikoultsev, sidoqoftë, nuk i sugjeroi të gënjente. Ai vetëm i këshilloi të mos përmendte emra, veçanërisht të njëfarë Jascha, një oficer i lartë i NKVD-së, të cilit ajo ia kishte besuar se kishte qenë i dashuri i saj, por që ndërkohë kishte rënë në disfavor pa dijeninë e saj: « Mos e përzieni këtë me problemet tuaja, do të jetë më mirë për ju. »
Me sa duket, takimet e tyre kishin marrë edhe një kthesë intime. Rojet e burgut që e shoqëronin pas marrjes në pyetje do ta kujtonin këtë më vonë.
Një mbrëmje, Nikoultsev e paralajmëron: duhet të marrë trenin dhe të kthehet në Kremlin. “Pse nuk merrni edhe për mua një biletë?” – e pyeta. Ai nuk u përgjigj (…) dhe më pyeti çfarë mund të bënte për mua. I thashë se isha alergjike ndaj ujit të ftohtë dhe ai urdhëroi që të më sillnin çdo ditë ujë të ngrohtë për t’u larë. Pastaj më dha një gazetë dhe më tha: “Do t’ju duhet të keni nerva të forta”. Nikoultsev më braktisi. Unë mbeta aty, me ujin e ngrohtë dhe gazetën.
Sipas fjalëve të tij, të konfirmuara nga arkivat e NKVD-së, Nikoultsev bënte pjesë në rrethin e ngushtë të Stalinit. Ky i fundit i beson një mision me rëndësi të jashtëzakonshme: Spanja republikane në kulmin e luftës civile. Që nga ky moment, ai do të quhej Alexandre Orlov. Maria dhe ai marrin pasaporta me këtë emër. Edhe ajo ishte anëtare e NKVD-së. Në kujtimet e tij të treguara më vonë oficerit që do ta drejtonte në FBI dhe biografit të tij, Edward Gazur, ai kishte për detyrë transferimin e arit spanjoll drejt BRSS-së. Spanja nuk do ta shihte më kurrë atë ar të ashtuquajtur të shpëtuar nga frankistët në Moskë.
Punët e pista – eliminimi i anarkistëve dhe anëtarëve të POUM-it, të urdhëruar nga Stalini – nuk do të kishin qenë në kompetencën e tij. Ai mohon të ketë marrë pjesë në vrasjen veçanërisht mizore të themeluesit të POUM-it, Andreu Nin, më 20 qershor 1937, ndryshe nga sa tregojnë dosjet e tij në arkivat e NKVD-së. Po ashtu mohon pjesëmarrjen në vrasje të tjera: të agjentit të NKVD-së që po përgatitej të denonconte Stalinin, Ignace Reiss, më 4 shtator 1937 në Lozanë; atë, shumë të mundshme, të djalit të Trotskit, Lev Sedov, më 16 shkurt 1938 në Paris; dhe atë të mikut të këtij të fundit, Rudolf Klement, trupi i copëtuar i të cilit u gjet në Senë më 12 korrik 1938. Është e vërtetë se në ato data Orlov jetonte zyrtarisht në Spanjë, por të shkonte në Francë nuk do të ishte ndonjë problem i madh. Madje në shkurt 1937 ai u shtrua në spital në Paris pas një aksidenti automobilistik në Spanjë, rast në të cilin mori lajme aspak të mira për Moskën, ku qarkullonin thashetheme për tradhti. Dyshimet që kishte filluar të ushqente pas dënimit të Kamenevit dhe Zinovievit u thelluan. Ai pa se oficerët e NKVD-së të ftuar të ktheheshin në Moskë nuk dilnin më prej saj. Të ekzekutuar, si më pas edhe gazetari Koltsov, që mbulonte luftën e Spanjës për Pravda dhe portreti i të cilit përfshihet në romanin “For Whom the Bell Tolls” të Ernest Hemingway-t, libër që Orlov e vlerësonte. Ai e ndjente lakun që po shtrëngohej rreth tij, forcoi rojen e tij të afërt dhe vendosi në siguri Marian dhe Verën në Amélie-les-Bains, një vend pranë kufirit spanjoll.
Më 22 qershor 1938, ai mori një telegram nga NKVD: duhej të shkonte në Antwerpen për të hipur në anijen sovjetike S/S Svir më 13 ose 14 korrik. Ai e dinte se ishte kurth. Nuk kishte pasur kurrë marrëdhënie të mira me Nikolai Jezhov, shefin e NKVD-së që udhëhoqi “spastrimet”.
Mëngjesin e 13 korrikut, duke bërë sikur bindet, Orlov, gruaja dhe vajza e tij mbërrijnë me trenin e natës në Paris. Maria shkon të tërheqë paratë e depozituara në bankë – shuma të mëdha, sepse të dy, do të thoshte ai, paguheshin me rroga të larta si agjentë. (Më vonë do të thuhej se ai kishte marrë para edhe nga arka e delegacionit sovjetik në Barcelonë.) Ndërkohë, ai shkon në ambasadën e Kanadasë dhe kërkon viza si diplomat sovjetik. Ai zgjodhi këtë vend sepse Kanadaja nuk kishte marrëdhënie diplomatike me BRSS, ndryshe nga SHBA, që prej 1933, dhe ambasada amerikane në Paris do të kishte mundur të verifikonte nëse ai ishte me të vërtetë pjesë e trupit diplomatik në Washington.
Një fat i pabesueshëm: ata gjejnë vende në një anije që nisej po atë ditë nga Cherbourg për në Montreal. Për arsye sigurie, nga frika se mos NKVD-ja kishte mësuar destinacionin e tyre, zbresin në Québec. Sapo mbërriti, Orlov kontaktoi kushëririn e tij në Nju Jork, Nathan Koornick: ky duhej të shkonte në Paris dhe të dërgonte dy letra, një për Stalinin dhe tjetrën për Jezhovin, për t’i bërë të besonin se ai fshihej në Francë. Ai paralajmëroi se një kopje e krimeve të Stalinit, të cilat ai i njihte në detaje, si dhe lista e të gjithë agjentëve sovjetikë jashtë vendit, ishin të ruajtura në një kasafortë nën kujdesin e një avokati, i cili do t’i bënte publike dokumentet nëse i ndodhte gjë atij ose ndonjë anëtari të familjes së tij që kishte mbetur në Moskë.
Nathan e zbatoi planin dhe u nis për në Paris. Ndërkohë, Orlov, Maria dhe Vera kaluan në Shtetet e Bashkuara.
Ata mbërrijnë në New York pothuajse në të njëjtën kohë me Eva Stricker, tashmë e martuar dhe me mbiemrin Zeisel, por prej aty e tutje, fatet e refugjates dhe të dezertorit do të ndahen në mënyrë radikale.
Duke dëshmuar për një integrim të shpejtë në Shtetet e Bashkuara, Eva mëson që në vitin 1939 në institutinin e famshëm të artit të aplikuar, Pratt Institute, dhe nis një karrierë prestigjioze. Nëna e saj kishte pasur të drejtë: veprat e vajzës së saj sot ruhen në koleksionet e Museum of Modern Art në New York, si dhe në Metropolitan Museum of Art. E njohur për krijimet e saj në qeramikë, ajo eksploroi materiale të tjera, gjithmonë në kërkim të takimit mes të bukurës dhe të dobishmes, ashtu siç i ishte kërkuar të mësonte dikur në Bashkimin Sovjetik.
Nga sukseset e saj Orlov me gjasë nuk pati asnjë jehonë. Ndërsa talenti i Evës shpërfaqej hapur, ai kërkonte hijen. Largohet shpejt nga New York-u dhe, nga frika e hakmarrjes, vendos që prania e tij në Shtetet e Bashkuara duhet të mbetet e fshehtë. Një kushëri tjetër e lidh me John Finerty, një avokat që punonte në Komisionin Dewey, i cili ishte formuar në mbrojtje të Leon Trotskit më 1937. Vetëm ai do ta dinte si ta kontaktonte. Pasi u sigurua se kushëriri Nathan kishte kryer misionin e tij, Orlov ndërpreu çdo lidhje me familjen. Ishte përmes saj që NKVD mund ta lokalizonte. Përveç letrave dërguar Stalinit dhe Jezhovit, ai thoshte se i kishte dërguar një tjetër edhe Trotskit. Vdekja e Lev Sedov-it e kishte intriguar. Si mund të kishte vdekur djali i armikut të përbetuar të Stalinit nga një apendicit i thjeshtë, në një klinikë ku shkonin zyrtarët sovjetikë dhe ku edhe vetë Orlov ishte trajtuar pas aksidentit? Në dosjen e Orlovit gjendet ajo që mund të jetë gjurma e përfshirjes së tij në përgatitjen e një atentati kundër Trotskit. Në Spanjë, ai kishte qenë në kontakt me Caridad-in, nxitësen dhe nënën e vrasësit të ardhshëm, Ramon Mercader. Sidoqoftë, ai përpiqet ta paralajmërojë Trotskin se NKVD kishte infiltruar një agjent në rrethin e tij në Meksikë. Paralajmërimi do t’i arrinte atij përmes rrugësh të tërthorta. Trotski, i cili nuk pushonte së marrësh lajme të rreme, nuk i kushtoi vëmendje. Ai do të vritej më 20 gusht 1940.
Që nga ajo kohë, aq e çuditshme – dhe për shumëkënd e dyshimtë – sa mund të duket, Orlov do të kalonte pesëmbëdhjetë vjet nën radarin e FBI-së si edhe të NKVD/KGB-së, falë ndryshimeve të vazhdueshme të qytetit, banesës dhe identiteteve. Dezertori Walter Krivitzky, i cili ndryshe nga ai kishte kontaktuar FBI-në me rastin e arratisjes dhe kishte botuar një libër, do të gjendej “i vetëvrarë” në një dhomë hoteli në New York më 1941.
Familja Orlov jetonte në izolim, nuk krijonte lidhje me askënd, ndiqte zhvillimet aktuale dhe u tronditën nga lajmi për paktin gjermano-sovjetik të gushtit 1939; panë filmin Ninotchka të Lubitsch dhe shpërthyen në të qeshura në sallën e kinemasë. Ata e arsimuan vajzën e tyre në shtëpi. Ta fusnin në shkollë do të mund t’i zbulonte. Vera vdiq në korrik 1940, sëmundja e saj nuk u mposht dot.
Gjithnjë e më të tërhequr në vetvete, çifti do të përballej me vështirësi financiare. Punë të vogla përkthimi i ndihmonin të mbijetonin. Deri në botimin e veprës së tij Krimet sekrete të Stalinit, në prill 1953, një muaj pas vdekjes së udhëheqësit sovjetik, dhe publikimin e disa pjesëve të saj në Life Magazine, ata do të kënaqeshin vetëm me cornflakes. Ky është rrëfimi që Orlov do t’ia tregonte Edward Gazur-it.
Psika e agjentit të Moskës
Tashmë figurë publike, Orlov megjithatë nuk pushon së turbulluari gjurmët. Frika nuk e kishte lënë. Kur, vite më vonë, më 1969, një anëtar i delegacionit sovjetik në Organizatën e Kombeve të Bashkuara e gjen dhe e fton të kthehet në BRSS, është me revole në dorë që Maria e pret. (Versioni i revoles do të vihej në dyshim, por jo të gjitha masat e rrepta të marra për ta takuar.) «Roja më e mirë e trupit të burrit të saj», do të shkruante Gazur. Sipas dosjes së tij, Lavrenti Beria, i cili pasoi Jezhovin në krye të NKVD-së, kishte përcjellë urdhrin e Stalinit: të mos kërkohej Orlovi.
Për këtë çështje, shpjegimet ndryshojnë. Mund të mendohet, siç e sugjeron dosja e tij, se kërcënimi i Orlovit kishte funksionuar. Një dosje arkivash mund të jetë burim dezinformimi, por një funksionar i rëndësishëm i shërbimeve sovjetike si Pavel Sudoplatov e kishte konfirmuar ekzistencën e këtij urdhri. Mund të ndiqet përkundrazi edhe historiani ushtarak britanik, emigrant nga BRSS, Boris Volodarsky, autor i librit më të fundit mbi Orlovin. Sipas tij, Orlovi ia kishte dhënë vetes më shumë rëndësi dhe nuk kishte qenë kurrë një dezertor i vërtetë. Duke ikur për të shpëtuar lëkurën, ai do të kishte mbetur në shërbim të BRSS-së. Prova? Nuk kishte thënë asgjë para FBI-së dhe komisionit hetimor të Senatit amerikan, para të cilit dëshmoi më 1955, që këta të fundit të mos e dinin tashmë. Kim Philby, i zbuluar në vitin 1963, e pranoi në kujtimet e tij se Orlov nuk e kishte denoncuar. Shenjë besnikërie ndaj «rekrutëve» të tij? Mund të pyesësh ç’vlerë ka një agjent i privuar nga terreni i ndërhyrjes, një «mole» e lënë në gjumë për pesëmbëdhjetë vjet…
Po atëherë, çfarë do të thotë emri Orlov?
Ai mishëron hijen më të frikshme, atë që prej pak kohësh ka nisur të rikthehet në shtyp: atë të spiunazhit sovjetik. Agjentët perëndimorë perceptoheshin më shumë si heronj ose, në rastin më të keq, si aventurierë. Kështu, në filmin e serisë James Bond Octopussy (1983), Orlovi luan një gjeneral sovjetik mizor e të korruptuar. Megjithatë, duke mos qenë në BRSS gjatë vitit të tmerrshëm 1937, Orlovi nuk kishte pasur si të merrte pjesë në spastrimet. Natyrisht, kishte plot për të bërë edhe jashtë vendit dhe, sidomos, në Spanjë.
Që ai kishte drejtuar NKVD-në në atë vend, e bën Orlovin fajtorin ideal të tragjedisë republikane dhe nuk ka dyshim që mori pjesë. Por shpesh mbështetja vjen nga të njëjtat burime, disa prej të cilave kërkojnë të shqyrtohen më thellë: ai mund të ketë shërbyer si mbulesë për ndihmësin e tij, Leonid Eitingon, te i cili nuk kishte vend dyshimi dhe që, ndryshe nga ai, kaloi më shumë nën radarin e gjuetarëve të spiunëve. Përkundrazi, Orlovi kishte prirjen të ngadalësonte ekzekutimet dhe u linte të tjerëve marrjet e ashpra në pyetje. Kur përmendet në kujtimet e brigadistëve, Orlovi del më shumë si një burrë i rehatshëm, i instaluar në rezidencën sovjetike në Barcelonë, jo në front. Dhe këtë e pranonte. Duke jetuar jashtë, ai kishte marrë zakone luksi. Një vrasës nga distanca?
Mungojnë dokumente, dhe jo të parëndësishmet; kërkimet duhen ende për të kuptuar psiken e agjentit sovjetik, i cili Nikoultsev-Nikolski-Orlov mund të ketë qenë një prototip i saj. Por ndërkohë, kujtimet e Eva Stricker-Zeisel sjellin një faqe të panjohur të personazhit: «Më dukej një njeri i mirë, dikush korrekt. Pyesja veten nëse ishte pushkatuar. Ishte shumë i mirë që të mos ishte pushkatuar. Kam menduar shpesh për të», shkruante ajo në kujtimet e saj, pa e ditur në çastin kur i shkruante këto rreshta, se ai mund të ndodhej vetëm disa blloqe më tej prej saj, në Upper West Side të New Yorkut ku ajo banonte.
Para se të niste shkrimin e kujtimeve të saj, Eva ishte drejtuar në bibliotekën publike të New Yorkut. Aty kishte hasur librin e Orlovit, në të cilin gjeti emrin e akuzuesit të saj, Bykhovski. Duke ndjekur kërkimet e nënës së saj, e bija, Jean Richards, kishte hyrë në kontakt me Edward Gazur. Eva Stricker? Po, Gazur e njihte… Orlovi i kishte folur për të. Tridhjetë e pesë vjet më vonë, ai kujtonte ende se sa tërheqëse ishte, një artiste me shpirt bohem. Ai ishte shqetësuar për fatin e saj, teksa ndodhej në Spanjë. E dinte që ajo kishte shpëtuar. A kishte ndërhyrë në favorin e saj pranë Stalinit? Eva ishte e bindur. Edhe e bija. Ajo ia detyronte jetën.
Rreth një gotë, dy agjentët u lanë pas dore në rrëfime intime. Orlovi kishte folur për Evën në një mënyrë të tillë, saqë Gazur kishte kuptuar se ata ishin dashuruar gjatë atyre netëve të marrjes në pyetje. A është kjo arsyeja pse Eva mbrojti gjithë jetën e saj Bashkimin Sovjetik, duke menduar se duhej kuptuar se shteti i ri kishte pasur nevojë të mbrohej? Deri në fund, Eva do t’i qortonte ish-të dashurit të saj, Arthur Koestler, antikomunizmin e tij…
Ata nuk duhej të shiheshin më kurrë. Orlov vdiq në vitin 1973, nga një vdekje e dyshimtë sipas një agjenti të FBI-së, ndërsa Eva ndërroi jetë në moshën 105-vjeçare, në vitin 2011.

