Ngjarjet e 7 tetorit 2023 sollën vdekjen e Rripit të Gazës. Do të duhen vite që të rikthehet në jetë, nëse kjo do të jetë e mundur ndonjëherë. Por këto ngjarje dhe sulmi izraelit që pasoi, vranë gjithashtu edhe shpresën për një Izrael ndryshe. Ende është shumë herët për t’i matur përmasat e dëmeve që kjo luftë ka shkaktuar brenda shoqërisë dhe shtetit izraelit. Por ndryshimi është, pa dyshim, rrënjësor. Edhe këtu, pastrimi i rrënojave dhe rindërtimi do të zgjasin me vite, nëse ndonjëherë ndodhin. Gaza dhe Izraeli janë shkatërruar — ndoshta në mënyrë të pakthyeshme — secili në mënyrën e vet. Shkatërrimi i së parës shihet me sy të lirë, në kilometra të tëra përreth; ai i së dytës mbetet ende i fshehur nën sipërfaqe.
7 tetori përbën një pikë kthese historike. Atë ditë, Hamasi pushtoi Izraelin dhe kreu një masakër të paparë më parë në vend. Dhe po atë ditë, Izraeli ndryshoi fytyrë. Ndoshta kjo fytyrë e re kishte qenë deri atëherë e fshehur pas një maske, duke pritur vetëm momentin për t’u zbuluar. Ose ndoshta ndryshimi ishte më i thellë. Sido që të jetë, demonët dolën nga kutia dhe nuk duket se do të rikthehen. Rripi i Gazës është tani i pabanuar. Por, për ata që aspirojnë një jetë të lirë dhe demokratike, edhe Izraeli është bërë një tokë armiqësore.
Në fakt, një interpretim i caktuar i ngjarjeve u imponua menjëherë, duke ndryshuar vetëdijen politike dhe ekzistenciale të vendit. Udhëheqësit, mediat dhe komentuesit e quajtën menjëherë sulmin “katastrofa më e madhe që i ka goditur hebrenjtë që nga Holokausti”.
Holokausti dhe 7 tetori, të përmendur në të njëjtën frymë, sikur të ishin të krahasueshëm, sikur të kishin ndodhur dy shfarosje… Një ekzagjerim absurd, pa asnjë bazë – përmasat, objektivat, mjetet, gjithçka ndryshon – por i përsëritur pa pushim, në mënyrë të përsosur për t’i shërbyer propagandës qeveritare. Sepse ky krahasim nuk ishte aspak i rastësishëm.
Ajo buron nga viktimizimi që e shoqëron Izraelin që prej themelimit të tij në vitin 1948, mbi rrënojat e gjenocidit ndaj popullit hebre; një viktimizim që, në sytë e shumë izraelitëve, i jep vendit të drejtën të veprojë ashtu siç askush tjetër nuk lejohet të veprojë.
E pohuar që në fillim si diçka e vetëkuptueshme në debatin publik, kjo analogji përbënte dritën jeshile që Izraeli i dha vetes për të nisur sulmin: nëse 7 tetori ishte një Holokaust, atëherë gjenocidi që do të pasonte do të ishte legjitim.
‘E çfarë duhej të bënim ne?’
Kësisoj ndryshoi gjendja shpirtërore e vendit; ose të paktën u zbulua pa filtra, si i liruar nga çdo korrektësi politike. Shumë izraelitë, mundësisht shumica e tyre, tani mendojnë se ‘nuk ka të pafajshëm në Gaza’. Sipas një sondazhi të qendrës Achord, e lidhur me Universitetin Hebraik të Jerusalemit (gusht 2025), një bindje të tillë e besojnë 62% të izraelitëve dhe madje 76% e hebrenjve izraelitë. Pohimi i përsëritur me ngulm prej dy vjetësh është përhapur gradualisht dhe është bërë e zakonshme të dëgjohet edhe se ‘nuk ka palestinezë të pafajshëm’. Do të thotë se edhe palestinezët e Bregut Perëndimor meritojnë të ndëshkohen. Një ideologji e tillë hap rrugën për ëndrrën e vjetër të së djathtës izraelite: të vendosë një tokë hebraike ‘nga lumi në det’, etnikisht të pastër.
Masakrat e kryera nga Hamasi më 7 tetor u perceptuan në Izrael si prova e një etjeje të lindur për gjak te palestinezët. Çdo përmendje e rrethanave historike, politike apo sociale të këtij sulmi u konsiderua si përpjekje për ta justifikuar dhe, për pasojë, si tradhti. António Guterres, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ishte një nga zërat e parë të mëdhenj ndërkombëtarë që përmendi këtë kontekst. Tel Avivi e cilësoi menjëherë antisemit. Si guxoi? Ashpërsia e reagimit shpjegohet lehtësisht: çdo përpjekje për ta vënë ngjarjen në kontekst minon legjitimitetin e “përgjigjes” izraelite. Prandaj duhet të shpërfillet jeta pa shpresë e rrethimit që u është imponuar banorëve të Gazës, por edhe braktisja e palestinezëve nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë vendet arabe që janë afruar gradualisht me Izraelin.
Një tjetër ‘e vërtetë e vetëkuptueshme’ u përhap me shpejtësi menjëherë pas 7 tetorit: ajo sipas së cilës Izraeli mund t’i lejojë vetes gjithçka. ‘E çfarë duhej të bënim ne?’ dëgjohet pa pushim, sikur gjenocidi të ishte e vetmja mundësi e mundshme. Ofensiva kundër Gazës paraqitet në mënyrë unanime si një akt vetëmbrojtjeje i lejuar nga e drejta ndërkombëtare. E djathta në pushtet, e cila kurrë nuk ka besuar në bashkëjetesë me palestinezët dhe që asnjëherë nuk i ka konsideruar si të barabartë si qenie njerëzore, arriti të nisë projektin e saj të paarritshëm të pastrimit etnik të Rripit të Gazës pa frikë nga një opozitë në të majtë apo në qendër. Idetë për paqe, për një zgjidhje politike, për diplomaci, për “zgjidhjen me dy shtete” janë shuar komplet nga diskursi politik. Në një marrëveshje thuajse unanime, partitë e ndryshme mendojnë se nuk ka më ‘partner palestinez’ — pasi nuk ka të pafajshëm — dhe se, për rrjedhojë, nuk ka më asgjë për të diskutuar përveç çlirimit të pengjeve izraelite.
Refuzimi i dialogut nuk mjaftoi, ndaj Izraeli e shtyu mëtej kufirin e tmerrit duke ndaluar çdo shenjë solidariteti ndaj palestinezëve. Çdo shprehje empatie, shqetësimi dhe, sigurisht, çdo përpjekje për të ndihmuar Gazën, u bë e dyshimtë në vend, e në disa raste edhe e paligjshme. Arabët izraelitë (20% e popullsisë) u heshtën dhe u detyruan ta mbyllin gojën. Shumë shpejt, disa prej tyre u arrestuan për shkak të mesazheve të dhembshurisë që kishin postuar në rrjetet sociale, ndërsa të tjerë u pushuan nga puna. Kjo krijoi frikë e nënshtrim…
Që prej atëherë, ministri i ekstremit të djathtë për sigurinë publike, Itamar Ben-Gvir, kujdeset të shtypë çdo veprim në favor të paqes. As popullsia hebreje nuk është kursyer: shumë aktivistë të majtë janë arrestuar për solidaritet me Gazën. Një perde heshtje ka rënë mbi vend.
Mediat izraelite, qofshin private apo publike, janë përputhur me këtë linjë me dëshirë, madje me entuziazëm. Prej dy vjetësh, pa ndonjë censurë të vërtetë (përveç asaj vetëcensurës), ato kanë vendosur të mos raportojnë mbi mizoritë që po kryhen në Gaza. Publiku i tyre mund të jetojë me përshtypjen se aty banojnë vetëm njëzet veta: njëzet pengjet izraelite ende të gjalla. Uria, shkatërrimet dhe masakrat ndaj civilëve fshihen çdo ditë, ose zhvendosen në skajet e lajmeve, si një lloj koncesioni simbolik ndaj së vërtetës.
Përndryshe, raportimet për pengjet dhe ushtarët izraelitë të vrarë janë të panumërta. Çdo francez, edhe ai më pak i informuar, me shumë gjasë është përballur me më shumë imazhe të vuajtjeve të Gazës sesa një izraelit mesatar… Mediat përqafojnë mohimin dhe fshehjen me aq më shumë përkushtim, sepse e dinë mirë se kjo përkon me pritjet e konsumatorëve të tyre. Izraelitët nuk kanë dashur kurrë të dinë asgjë për pushtimin; tani, nuk duan të dinë asgjë për gjenocidin: palestinezët e meritojnë fatin e tyre, prandaj pse të flitet për këtë?
Çdo informacion që vjen nga Gaza vihet menjëherë në dyshim: thuhet se numri i viktimave është i ekzagjeruar, se nuk ka pasur kurrë uri, e kështu me radhë. Në anën tjetër, gazetarët përcjellin në mënyrë servile rrëfimet e ushtrisë izraelite. Spitali Nasser u bombardua dhe 21 persona humbën jetën, mes tyre pesë gazetarë. Mos edhe aty strehohej një shtab i Hamasit…
Por çfarë të mendohet për një ushtri që ka vrarë gati njëzet mijë fëmijë për më pak se dy vjet? Dhe çfarë të thuhet për të dhënat, të mbledhura nga vetë ushtria izraelite, sipas të cilave 83% e palestinezëve të vrarë nuk kishin asnjë lidhje me Hamasin? Askush nuk pyet. Rrëfimi zyrtar është më i përshtatshëm për të gjithë: për qeverinë, për ushtarakët, për mediat dhe për publikun e tyre. Ajo që pengon, fshihet, dhe të gjithë mbeten të kënaqur. Vallë kështu mbrohet vendi? Nëpërmjet një sistemi të gjerë propagande dhe duke ia fshehur të vërtetën vetes? Dhe pak qytetarë ankohen për këtë.
Gënjeshtra dhe fshehja janë të zakonshme në kohë lufte. Por rasti izraelit është i veçantë. Kur kritikoni mediat ruse për mënyrën si e mbulojnë konfliktin në Ukrainë, e dini mirë që në fakt ato nuk kanë mundësi të veprojnë ndryshe. Ndërsa gazetarët izraelitë janë të lirë. Ata kishin mundësi për të vepruar ndryshe, por vetëdijshëm hoqën dorë nga misioni i tyre.
Kur ju tregoj ndonjëherë miqve video të tmerrshme nga Gaza dhe ato nuk mungojnë, reagimi i tyre është pothuajse pavlovian: “Ndoshta është e rreme? Ndoshta është gjeneruar nga inteligjenca artificiale? Ndoshta është filmuar në Afganistan?”
Mohimi është një mburojë që e mbron shoqërinë izraelite nga përballja me realitetin.
Por kjo nuk mjafton më, sepse vendet e tjera po i shohin mizoritë që po kryhen në Gaza. Izraeli është në prag të shndërrimit në një shtet të përçmuar dhe qytetarët e tij po përballen me një armiqësi gjithnjë e më të madhe në pjesën tjetër të botës.
Dhe çfarë bëjmë ne? Ne fajësojmë botën: ajo është antisemite, ajo e urren Izraelin dhe hebrenjtë; gjithë planeti është kundër nesh, çfarëdo që të bëjmë.
Kjo këngë e vjetër e viktimizimit i bën qytetarët ta pranojnë përkeqësimin e statusit ndërkombëtar të Izraelit. Vendi ka hequr dorë nga opinioni publik botëror.
Që nga dita e parë e sulmit kundër Gazës janë organizuar protesta, ndonjëherë edhe masive. Por ato përqendrohen pothuajse tërësisht në kërkesën për kthimin e pengjeve dhe për rrëzimin e kryeministrit Benjamin Netanyahut. Kur protestuesit kërkojnë fundin e luftës, e bëjnë këtë vetëm duke iu referuar fatit të të rrëmbyerve dhe ushtarëve. Fati i Gazës mbetet i shpërfillur, përveç nga një grup i vogël, i vendosur dhe i admirueshëm aktivistësh për paqe, zëri i të cilëve mbytet.
Largimi i Netanyahut është, pa dyshim, thelbësor për t’i dhënë fund luftës. Por çështja palestineze shkon shumë përtej identitetit të kreut të qeverisë. Rrymat fashiste dhe fundamentaliste, që janë forcuar shumë gjatë dy viteve të fundit dhe që tashmë kanë depërtuar në të gjitha shtresat e shoqërisë, nuk do të zhduken bashkë me Netanyahun.
Rrethi po ngushtohet
Asgjë nga e gjitha kjo nuk do të ishte e mundur pa “dritën jeshile” që Shtetet e Bashkuara i dhanë Izraelit. Fillimisht Presidenti Joseph Biden, e tani Donald Trump. Jo vetëm që furnizon aleatin e tij me armë dhe i garanton mbrojtjen, por presidenti amerikan angazhohet edhe për të ndëshkuar këdo që guxon ta kritikojë Tel Avivin.
E pësuan edhe anëtarët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) në Hagë, të cilët kishin guxuar të lëshonin një urdhërarrest ndërkombëtar kundër Netanyahut. Zoti Trump nxjorri një dekret (dekretin 14203) për t’i vendosur sanksione personale.
Përballë këtij unilateralizmi amerikan, Bashkimi Evropian ka arritur kulme të frikës dhe dobësisë. Nga frika se mos po e zemëron Uashingtonin dhe megjithëse opinioni publik në disa vende të BE-së është shumë kritik ndaj Izraelit, BE refuzon të ndërmarrë masa konkrete për të ndihmuar Gazën, si për shembull, duke vendosur sanksione ndaj Tel Avivit.
BE po mjaftohet vetëm me deklarata formale, duke njohur një shtet palestinez që në të vërtetë nuk ekziston dhe që nuk do të krijohet në një të ardhme të parashikueshme.
Ajo që Evropa arriti të bëjë kundër regjimit të aparteidit në Afrikën e Jugut dhe kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, nuk është në gjendje ta bëjë kundër Izraelit.
Por izraelitët kanë filluar ta ndjejnë se rrethi po ngushtohet – gjatë udhëtimeve të tyre jashtë vendit, në kontaktet ekonomike, shkencore, tregtare, kulturore dhe madje edhe personale me botën. Po shtohet presioni mbi vendin dhe banorët.
Deri tani, asgjë nuk ka arritur ta ndalë valsin makabër të pastrimit etnik në Gaza. Të mbyllur në një botë më vete, të shkëputur nga realiteti, izraelitët nuk do t’i japin fund vetë.
Tani i takon pjesës tjetër të botës ta shpëtojë Gazën.

