Në korrikun e kaluar, thellë brenda makinës burokratike të Pentagonit, ushtria amerikane sakrifikoi në heshtje një aspekt thelbësor të sovranitetit të saj nën maskën e racionalizimit administrativ. Marrëveshja prej 10 miliardë dollarësh, një grumbull prej shtatëdhjetë e pesë kontratash të ndara, të nënshkruar me Palantir Technologies është një nga më tronditëset në historinë e Departamentit të Mbrojtjes. Transaksioni vulos transferimin e funksioneve ushtarake jetike te një kompani private, themeluesi i së cilës, Peter Thiel, deklaron hapur se “liria dhe demokracia nuk janë më kompatibile“. Vendimet në lidhje me përcaktimin e objektivave, lëvizjet e trupave dhe analizën e inteligjencës do të merren gjithnjë e më shumë duke përdorur algoritme të drejtuara jo nga komanda ushtarake, por nga një bord drejtorësh që i përgjigjet aksionarëve të saj. Ushtria nuk po blen thjesht softuer; ajo po e dorëzon autonominë e saj operacionale te një platformë pa të cilën së shpejti nuk do të mund të funksionojë tutje.
Përtej Palantir-it, një koalicion i tërë kompanish, investitorësh dhe ideologësh të bashkuar nën flamurin e “patriotizmit” po punon për të ndërtuar një sistem global të kontrollit tekno-politik: “stack-u autoritar“, në analogji me “stack-un teknologjik“, i cili i referohet të gjitha teknologjive të përdorura për të ndërtuar një aplikacion. Ky sistem kontrolli është një grumbull platformash të serverëve në distancë, modelesh të inteligjencës artificiale (IA), rrugësh pagesash, rrjetesh të dronëve dhe konstelacionesh satelitore. Aty ku autoritarizmi tradicional mbështetet në mobilizimin masiv dhe dhunën shtetërore, kjo formë pushteti bazohet në infrastrukturën teknologjike dhe koordinimin financiar, duke e bërë rezistencën konvencionale jo vetëm të vështirë, por edhe në mënyrë organike të vjetëruar. Në krye janë figurat më të djathta të Big Tech – z. Thiel, Elon Musk, Marc Andreessen, David Sacks, Palmer Luckey dhe Alexander Karp – investimet e të cilëve i shërbejnë një axhende të qartë politike: ripërcaktimi i sovranitetit si një klasë asetesh private. Kjo kapje e infrastrukturës kritike shtetërore manifestohet në pesë fusha strategjike: të dhënat personale, monedha, mbrojtja, komunikimet satelitore dhe energjia.
Gjithçka fillon me marrjen nën kontroll të strukturës softuerike. Kontrata prej 10 miliardë dollarësh e vulosur në fund të korrikut konfirmon atë që personat e brendshëm e dinin tashmë: Palantir – kompania në të cilën thuhet se z.Stephen Miller, Zëvendës-Shef i Kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, zotëron aksione me vlerë rreth 250.000 dollarë – tani shërben si sistemi operativ i parazgjedhur nga qeveria amerikane. Në fushën ushtarake, Palantir është e përfshirë në fushëbetejë, në zinxhirin logjistik, në menaxhimin e personelit dhe në inteligjencën. Platforma e saj Foundry, e cila është zhvilluar fillimisht për kundërkryengritjen në Irak, ia ka plotësuar dëshirën Departamentit të Efiçencës Qeveritare (DOGE) duke automatizuar, përmes algoritmeve të anshme politikisht, hartimin e buxhetit, të drejtën për ndihmë sociale, rimbursimet mjekësore dhe pensionet e veteranëve. Një tjetër mjet i Palantir-it, ImmigrationOS, ia mundëson policisë t’i lokalizojë emigrantët në situatë të parregullt dhe ta menaxhojë fluksin e arrestimeve dhe dëbimeve.
Përderisa Palantir është shtylla kurrizore e shtetit autoritar në fushën e të dhënave, Anduril është krahu i tij i armatosur. Kjo kompani e bashkëthemeluar nga z.Luckey (krijuesi i Oculus) dhe Trae Stephens (një ish-anëtar i Palantir) e shndërron zotërimin e informacionit në fuqi luftarake autonome. Vlerësuar në 30.5 miliardë dollarë – një shumë që pasqyron suksesin e saj tregtar si dhe ndikimin e saj në rritje mbi infrastrukturën thelbësore ushtarake – ajo zotëron më shumë se 22 miliardë dollarë në kontrata të fushës së mbrojtjës. Platforma e saj Lattice kombinon transmetimet satelitore, imazhet me radar dhe fotot e terrenit brenda një sistemi unik komandimi që mund të planifikojë dhe të ekzekutojë operacione me shpejtësinë e rrufesë. Anduril krenohet me arritjen e autonomisë së “nivelit 5”: ngritje, identifikim objektivi, goditje dhe kthim në bazë pa ndërhyrje njerëzore. “Autonomia” është gjithashtu fjala kyçe e iniciativës “Unleashing U.S. Military Drone Dominance / Çlirimi i Dominimit Ushtarake të SHBA-së në fushën e Droneve “, e lansuar në korrik nga Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, e cila synon integrimin e plotë të sistemeve të armatimit autonom deri në vitin 2027.
Më lart në qiell, Starshield, konstelacioni i satelitëve ushtarakë sekretë të SpaceX, shënon privatizimin e një fushe që deri tani i përkiste ekskluzivisht shtetit: komunikimet në orbitën e ulët të Tokës. I promovuar si një “infrastrukturë sovrane”, ai në fakt mbetet në pronësi dhe kontrollë të kompanisë së z.Musk. Kur komunikimet në zonat e luftës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) varen nga një njeri që mbështet hapur partitë evropiane të ekstremit të djathtë, autonomia e mbrojtjes bëhet thjesht një iluzion. Pentagoni po studion mundësinë e përdorimit të Starship, raketës së SpaceX, si një platformë logjistike për të zhvendosur trupa dhe pajisje në të gjithë globin në më pak se një orë.
Zgjidhje të tjera, siç janë GovCloud i Amazon Web Services ose Azure Government i Microsoft – në partneritet me OpenAI, Meta dhe Anthropic – tashmë janë pjesë integrale e operacioneve të fshehta ushtarake dhe të inteligjencës. Edhe këtu, “sovraniteti” që ata premtojnë përkthehet kryesisht në më shumë opacitet për qytetarët, të cilët humbasin çdo të drejtë për mbikëqyrje, e në varësi të qeverive, të cilat janë gjithnjë e më shumë të kapura nga infrastrukturat private industriale.
Takime interesash dhe marrëveshje të heshtura
Furnizimi me energji i fermave të serverëve që përdorin këto mjete kërkon një rrymë të qëndrueshme dhe të fuqishme e cila mund të ofrohet në shkallën e duhur vetëm nga teknologjitë e avancuara bërthamore. Fabrika e pasurimit të uraniumit e General Matter – objekti i parë në pronësi private në tokën amerikane që nga viti 2013 – financohet pjesërisht nga Founders Fund i z.Thiel (i cili është anëtar i bordit) dhe menaxhohet nga ish-inxhinierë të SpaceX. Kjo konvergjencë nuk është rastësi. Për Sekretarin e Energjisë Christopher Wright, energjia bërthamore e së ardhmes ka të bëjë shumë më tepër me dominimin teknologjik se me pavarësinë energjetike: “IA është një industri që kërkon shumë energji. Sa më shumë energji të investosh, aq më shumë inteligjencë prodhon“. Për të kuptuar sesi kjo kapje mund të ketë ndodhur kaq shpejt, mjafton të shikosh protagonistët.
Sot, “pantouflazh” nuk kufizohet më në një lëvizje të thjeshtë vajtje-ardhje midis qeverisë dhe industrisë; këto dy botë janë të ndërthurura brenda një strukture të re pushteti. Ndihmëspresidenti James D. Vance me gjasë nuk do të kishte përjetuar një ngritje politike kaq të vrullshme sikur z.Thiel nuk do ta kishte ndihmuar ta fitonte vendin e tij si senator i Ohajo në vitin 2022 me një kontribut prej 15 milionë dollarësh – donacioni individual më i madh i bërë ndonjëherë për një kandidat për Senat. Michael Kratsios, ish-shefi i kabinetit të Thiel, tani drejton Zyrën e Politikave të Shkencës dhe Teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë. Michael Obadal i emëruar Nënsekretar i Ushtrisë në maj (posti i dytë civil më i lartë në hierarkinë e Pentagonit), mbante një postë drejtues në Anduril dhe ende zotëronte 1 milion dollarë aksione të kompanisë kur edhe u konfirmua nga Senati në shtator.
Z.Gregory Barbaccia ka kaluar dhjetë vjet në divizionin e inteligjencës së Palantir para se të bëhej drejtor i sistemeve të informacionit të qeverisë federale, ku mbikëqyr programet e integrimit të të dhënave prej të cilave përfiton drejtpërdrejt ish-punëdhënësi i tij. Clark Minor, homologu i tij në Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve sociale, ishte një zyrtar i lartë në Palantir, kompani që ka përfituar gati 300 milionë dollarë në kontrata nga i njëjti departament midis viteve 2021 dhe 2024. Ndoshta kulmi është Detachment 201, një njësi e krijuar në qershor nga Pentagoni për të nxitur “inovacionin”, e cila përfshin katër personalitete të rëndësishëm të Palantir, Meta dhe OpenAI të promovuar në gradën e nënkolonelit. Kjo qëllimisht i turbullon vijat ndarëse midis nënkontraktorëve dhe komandantëve, midis kërkimit të fitimit dhe mbrojtjes kombëtare.
Tani, ndiqni kapitalet dhe plani zbulohet.
Struktura e fondit është Founders Fund, projekti kryesor i z.Thiel me 17 miliardë dollarë asete. Në qershor, ajo dominoi raundin e fundit të financimit të Anduril me një participim prej 1 miliard dollarësh. Duke u pozicionuar herët në sektorët e inteligjencës dhe komunikimeve satelitore, ai është aksionari më i madh institucional në Palantir dhe SpaceX. Në dallim nga kapital-risku tradicional, më pasiv, fondi ndërhyn drejtpërdrejt në vendimet strategjike të kompanive që po ripërcaktojnë fushëveprimin e shtetit. Z.Stephens është njëkohësisht president ekzekutiv i Anduril dhe partner në Founders Fund. Z.Delian Asparouhov, një tjetër partner, drejton Varda Space Industries, e cila synon të ndërtojë stacionin e parë hapësinor për përdorim industrial. Z.Scott Nolan, CEO i General Matter, gjithashtu ka ruajtur funksionet e tij brenda fondit.
Themeluar nga bashkëpunëtorët e z.Thiel dhe Vance, 1789 Capital, simbolizon ndryshimin dinastik në kapital-riskun dhe lidhjen midis pushtetit presidencial e fitimeve të industrisë së armatimit. Ardhja e z.Donald Trump Jr., djalit të presidentit, si partner në nëntor 2024, rezultoi në një ndryshim të madh shkalle. Me vlerë 150 milionë dollarë në fillim, fondi tani menaxhon mbi 1 miliard dollarë. Kampion i vetëshpallur i “investimit patriotik”, ai tashmë ka injektuar më shumë se 50 milionë dollarë në perandorinë e z. Musk (SpaceX për dominimin hapësinor, xAI për IA ushtarake).
Me 600 milionë dollarë në asete, fondi American Dynamism, i lansuar nga Andreessen Horowitz (a16z), investon në teknologjitë e mbrojtjes dhe mbështet individët që po e “ndërtojnë” Amerikën. Vetë z.Andreessen kishte mbledhur miliarderët e Silicon Valley për të mbështetur fushatën presidenciale të z.Trump në vitin 2024. Ndërsa më pak të dukshëm, gjigantët 8VC dhe General Catalyst nuk janë më pak me ndikim. Z.Joseph Lonsdale, themelues i 8VC dhe bashkëthemelues i Palantir, punoi me z.Musk në America PAC, instrument jetik në fitoren e z.Trump. General Catalyst udhëhoqi një raund financimi prej 1.48 miliardë dollarësh për Anduril dhe 8VC investoi 450 milionë dollarë në kompaninë e mbrojtjes. Strategjia po jep fryte: në vitin 2025, Palantir kryeson indeksin e aksioneve S&P 500 me rezultate tremujore që kalojnë një miliard dollarë, të nxitura nga një rritje prej 53% në sektorin e kontratave publike.
Intelektualë-oligarkë
Me çdo kontratë të re, kurthi shtrëngohet. Kur shërbimet e shtetit nuk mund të funksionojnë më pa Palantir, kur dronët Anduril bëhen normë brenda NATO-s dhe kur modelet e inteligjencës artificiale që drejtojnë gjithçka tjetër fuqizohen nga centralet bërthamore, nuk ka kthim prapa. Ajo që shfaqet nuk është një kapje klasike industriale, por një ndryshim i thellë i sovranitetit: nga autoritet politik i ushtruar përmes institucioneve relativisht demokratike, ai transformohet në kapacitet teknik të kontrolluar nga interesa private. Përderisa Brukseli debaton për “sovranitetin digjital”, vendet evropiane po nënshkruajnë partneritete që hipotekojnë autonominë e tyre dhe kodifikojnë logjikën antidemokratike brenda vetë strukturave të pushtetit. Metamorfoza politike e Silicon Valley shënon pjekurinë e asaj që Evgeny Morozov quan “intelektualët-oligarkë “, këta “ligjvënës të rinj” që përdorin infrastrukturën teknologjike për të përhapur ungjillin e tyre dhe për të ndërtuar një qeverisje post-demokratike. Ajo që filloi si një tërheqje libertariane po shndërrohet në një marrje kontrolli autoritare. Ata që dikur kërkonin t’i shpëtonin autoritetit të shteteve duke krijuar kombe autonome në mes të oqeanit, tani zënë postet më të larta qeveritare. Pasi dështuan në ndërtimin e institucioneve paralele, ata gjetën diçka më efektive: të bëhen infrastrukturë shtetërore.
Ndoshta fusha ku suksesi i tyre është më i dukshëm është ajo e kriptomonedhave. Në kuadër të Genius Act të z.Trump, kriptomonedhat e qëndrueshme (stablecoins) tashmë janë ngritur në rangun e “infrastrukturës së sigurisë kombëtare”, që do të thotë se emetuesve privat iu jepen kompetenca të një banke qendrore. Në qershorin e kaluar, Sekretari i Thesarit Scott Bessent e vlerësoi kërkesën që rezultoi për bonot e thesarit në 2000 miliard dollarë.
Siç e kanë kuptuar mirë tekno-autoritarët, nuk ka nevojë të fitosh zgjedhje për të ushtruar pushtet; mjafton të marrësh kontrata. Çdo tender zvogëlon mëtej zgjedhjen demokratike, derisa të mbeten vetëm opsionet që mundësohen teknikisht nga një infrastrukturë që u shërben interesave të aksionarëve. E zhveshur nga substanca e saj, demokracia mbijeton vetëm si një relike, e ruajtur për hir të stabilitetit.
(Përkthyer prej anglishtës nga Élise Roy).

