Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Ç’është një paqe e mirë?

Në një botë që po dilte nga Lufta e Ftohtë, shpërbërja e ngadaltë dhe e përgjakshme e ish-Jugosllavisë frymëzoi shumë zgjidhje diplomatike. Shpesh të ndërtuara mbi negociata të fshehta dhe të udhëhequra nga obsesioni për të vizatuar kufij “etnikë”. Megjithatë, për të bërë paqe ekzistojnë edhe mënyra të tjera që funksionojnë. Asgjë nuk na ndalon të frymëzohemi prej tyre.

Nëntor, 2025

Negociatat dhe marrëveshjet kanë qenë gjithmonë pjesë e artit të luftës, por jo të gjitha konfliktet përfundojnë me traktate paqeje. Ishte një “marrëveshje teknike për armëpushim”, e negociuar dhe nënshkruar në një kazermë në Kumanovë, në Maqedoni, në emër të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) nga gjenerali britanik Michael Jackson, dhe në emër të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) nga gjeneralët Svetozar Marjanović dhe Obrad Stevanović, ajo që i dha fund më 9 qershor 1999 luftës së Kosovës dhe bombardimeve ajrore të Aleancës.

Marrëveshja parashikonte ndërprerjen e luftimeve, vendosjen e Forcës së NATO-s për Kosovën (KFOR), tërheqjen e forcave jugosllave, përcaktimin e një zone sigurie prej pesë kilometrash rreth kufijve tokësor të krahinës dhe një zone sigurie ajrore, si dhe vendosjen e forcave civile dhe të sigurisë të Kombeve të Bashkuara (OKB). Por ajo nuk thoshte asgjë për statusin e territorit. Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar një ditë më vonë, formalizoi këtë ndërprerje zjarri, duke riafirmuar parimin e integritetit dhe sovranitetit territorial të RFJ-së, ndërkohë që parashikonte vendosjen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara (MINUK).

Armëpushimi i Kumanovës ishte një kompromis: ai ia hiqte Kosovës administrimin e Jugosllavisë, ndërsa njëkohësisht garantonte sovranitetin e kësaj të fundit mbi territor. Kjo kontradiktë vazhdon t’i rëndojë të ardhmes së këtij vendi të vogël, i cili në vitin 2008 shpalli pavarësinë që Beogradi refuzon ta njohë, duke iu referuar rezolutës 1244, e cila mbetet në fuqi derisa të zëvendësohet nga një tjetër rezolutë e Këshillit të Sigurimit. Marrëveshja nuk ishte pa përfitime për Beogradin. NATO-ja u detyrua ta pranonte atë pas 78 ditësh bombardimesh që nuk kishin dëmtuar ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse të Jugosllavisë. Aleanca përjashtonte mundësinë e një ofensive tokësore, kostoja njerëzore e së cilës do të ishte shumë e lartë.

Para fushatës së bombardimeve ajrore të NATO-s, delegacionet serbe dhe shqiptare të Kosovës u “mbyllën” në shkurt 1999 në fshehtësinë e kështjellës në Rambouillet, por nuk bëhej fjalë për një negociatë të mirëfilltë: të dyja palët duhej të pranonin një kornizë zgjidhjeje të hartuar nga Perëndimorët, gjë që Serbia refuzoi ta bënte, duke ofruar pretekstin për bombardimet. Të fuqishmit gjithmonë ushqejnë iluzionin se do t’u mjaftonte të merren vesh mes tyre, larg zhurmës së turmës, larg syve të mediave dhe kontrollit të përfaqësuesve të zgjedhur, për të zgjidhur mosmarrëveshjet më të ndërlikuara. Izolimi luksoz i një kështjelle apo i një vile gjuetie, bisedat pranë zjarrit, një gotë alkool i vjetër në dorë: ja, ky do të ishte, sipas tyre, kuadri ideal për të rregulluar punët e botës.

Takimet sekrete shënjuan dhjetë vitet e luftës që përçanë Ballkanin. Stalla e kuajve në Karagjorgjevë, në Vojvodinë, në zemër të një prone prej 500 hektarësh të mbushur me pyje dhe pellgje, ishte dikur e preferuara e mbretit Aleksandar I të Jugosllavisë. Aty qëndronte edhe Tito, si një gjuetar i madh para të Përjetshmit. Dhe pikërisht aty, më 25 mars 1991, presidenti serb Slobodan Milosheviq u takua me homologun e tij kroat, Franjo Tudjman. Hrvoje Shariniq, këshilltari i presidentit kroat, ka pohuar gjithmonë se nuk ishte arritur asnjë marrëveshje, por, edhe pa qenë e formalizuar me shkrim, një ndarje e Bosnjë-Hercegovinës midis Kroacisë dhe Serbisë ishte diskutuar vërtet mes dy burrave, duke e lënë vetëm “një copë të vogël të Bosnjës për Myslimanët”, sipas shprehjes së Franjo Tudjmanit.

Çdo distrikt ka një komunitet

Në nëntor 1991, komisioni i arbitrazhit i Konferencës së Paqes për Jugosllavinë, kryesuar nga Robert Badinter, vendosi se kufijtë e ish-Republikave federale mund të shndërroheshin në kufij ndërkombëtarë, por jo kufijtë e njësive të rendit më të ulët, si provincat apo rajonet autonome. Megjithatë, ideja për të negociuar dhe garantuar paqen përmes rishpërndarjes “etnike” të territoreve u bë më pas një motiv i përsëritur.

Plani i parë i paqes i përgatitur para se Bosnje-Hercegovina të zhytet në luftë nga diplomatët Peter Carrington dhe José Cutileiro, përkatësisht britanik dhe portugez, u paraqit në shkurt 1992. Ai parashikonte ndarjen e vendit në “distrikte” myslimane, kroate dhe serbe, të cilave do t’u delegoheshin kompetencat kryesore ekzekutive. Çdo distrikt duhej t’i “caktohej” një komuniteti, edhe kur ky komunitet kishte vetëm një shumicë relative në atë zonë.
Në janar 1993 u paraqit një plan i ri nga diplomati britanik David Owen dhe ish-diplomati amerikаn Cyrus Vance, të mandatuar nga OKB-ja. Ai plan e ndante Bosnje-Hercegovinën në dhjetë kantone gjysmë-autonome, sërish të përcaktuara në baza etnike. Më 30 korrik, një version i ri shkonte edhe mëtej, duke parashikuar krijimin e tri republikave të pavarura.

Më 1994, amerikanët dhe rusët angazhohen më drejtpërdrejt në negociata. Të parët i propozojnë një “pazar” qeverisë së Zagrebit: të bindë paramilitarët kroate të Bosnje-Hercegovinës — të cilët kishin hyrë në konflikt me forcat boshnjake, duke shtuar mizoritë dhe krimet e luftës — të arrinin një marrëveshje me Sarajevën. Në këmbim, Shtetet e Bashkuara do ta ndihmonin Kroacinë të rimerrte rajonet që ende kontrolloheshin nga separatistët serbë.
Marrëveshja e Uashingtonit e 18 marsit krijoi Federatën kroato-boshnjake të Bosnje-Hercegovinës, shkalla e parë e “raketës” që do të përfundonte 18 muaj më vonë në Dejton (Ohio).

Grupi i ri i Kontaktit, që bashkonte Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, propozoi një ndarje duke i atribuuar 49% të territorit Republikës Serbe të Bosnje-Hercegovinës dhe 51% Federatës kroato-boshnjake. Kjo u morr për bazë në negociatat e zhvilluara në nëntor 1995 në bazën ushtarake të Dejtonit. Traktati i paqes që rezultoi prej tyre u nënshkrua në Paris më 14 dhjetor.

Kjo marrëveshje paraqitet shpesh si prototipi i një “paqe të keqe”, sepse thuhet se i ka bërë shumë lëshime palës serbe, ndërkohë që forcat kroato-boshnjake, të pajisura nga Perëndimorët, do të kishin qenë në gjendje ta “çlironin” tërë Bosnje-Hercegovinën.

Më 11 korrik, njësitë e gjeneralit Mlladiq pushtuan enklavën boshnjake të Srebrenicës dhe kryen ekzekutimin e mbi 8 000 burrave. Masakra e vetme e luftërave jugosllave e njohur si gjenocid nga një sërë aktgjykimesh të përputhshme, si të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), ashtu edhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).
E vendosur në lindje të Bosnjë-Hercegovinës, pranë kufijve të Serbisë, Srebrenica “pengonte” ata që donin ta ndërtonin paqen mbi krijimin e njësive territoriale homogjene; megjithatë, ende sot nuk dihen as arsyet e sulmit të ndërmarrë nga forcat serbe, as përmbajtja e negociatave sekrete që mund ta kenë paraprirë atë.

Më 4 gusht 1995, me dritën jeshile të amerikanëve, ushtria kroate nisi një “blitzkrieg”, operacionin Stuhia (Oluja), i cili i mundësoi rimarrjen e gjithë territorit të Krajinës së Kninit, të pushtuar prej katër vitesh nga separatistët serbë. As Beogradi, as autoritetet serbe lokale — ndoshta të bindura më herët — nuk tentuan të jepnin as rezistencën më të vogël, por operacioni u shoqërua me shumë mizori dhe me eksodin e rreth 200 000 civilëve.

Brenda pak javësh, forcat boshnjake dhe kroate vazhduan rimarrjen e territoreve në Bosnjë-Hercegovinë, por vendet perëndimore deshën të shmangnin që skenari i spastrimit etnik i pranuar në Krajinë të përsëritej në Bosnjë-Hercegovinë dhe që vendi të mbetej bosh nga popullsia e tij serbe. Vija të kuqe ishin me gjasë të përcaktuara tashmë para zinxhirit të ngjarjeve ushtarake të verës 1995.

Sot, shembulli i Dejtonit përmendet ndonjëherë për të argumentuar se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Ukrainë pa një “disfatë të plotë” ushtarake të Rusisë. Përveç faktit që çdo krahasim midis Serbisë dhe një fuqie bërthamore si Rusia është i pasigurt, kjo qasje e sheh si të vetmen rregull të marrëdhënieve ndërkombëtare shkatërrimin e njërës palë nga tjetra, ose e vë ndryshimin e regjimit në Rusi si parakusht për çdo marrëveshje paqeje.
Përkundrazi, një “paqе e mirë” duhet të garantojë ndërprerjen efektive të luftimeve, por edhe të bëjë të mundur hapjen e rrugës për një dinamikë pajtimi — jo për një cikël hakmarrjeje dhe hakërrimi. Madje edhe regjime jo fort demokratike mund të jenë të interesuara për përfitimet që sjell një “paqе e mirë” e këtij lloji. Ndryshimi i regjimit ndonjëherë ka më shumë gjasa të ndodhë brenda dinamikes së procesit të paqes sesa kur vendoset si kusht paraprak për çdo marrëveshje.

Mangësia kryesore e marrëveshjeve të Dejton-Parisit nuk qëndron tek fakti se i kanë bërë shumë lëshime njërës palë — në këtë rast, asaj serbe — por tek fakti se e kanë marrë si “garantë” të paqes vetë përgjegjësit e luftës, të cilët kishin të gjithë interes që tensionet të mbeteshin të larta: Kroacinë dhe Serbinë, por edhe partitë etno-nacionaliste që pretendojnë të përfaqësojnë tre komunitetet kombëtare të Bosnjë-Hercegovinës, dominimi i të cilave sigurohet nga aneksi i marrëveshjeve, që shërben si kushtetutë “e përkohshme” e vendit.

Kjo pengon çdo mundësi të vërtetë ndryshimi politik dhe, tre dekada më vonë, vazhdon të jetë e pamundur të reformohet. E negociuar në fshehtësinë e një baze ushtarake, paqja e Dejtonit iu imponua qytetarëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe ende sot kufizon sovranitetin e tyre demokratik. Është një marrëveshje midis “kumbarëve” të tre bandave rivale, merita e vetme e së cilës ishte se arriti vërtet të heshtë armët.

Në krah të negociatave të Dejtonit, një marrëveshje shtesë u arrit më 12 nëntor në Erdut, e cila zgjidhi çështjen e Sllavonisë Lindore, rajoni tjetër i Kroacisë i pushtuar nga separatistët serbë. Këtu, vendosja e një Autoriteti Kalimtar të Kombeve të Bashkuara (UNTAES) dhe një plan për rikthimin gradual të sovranitetit kroat mundësuan ruajtjen e një komuniteti të fortë serb. Pavarësisht traumës së konfliktit, rajoni i Vukovarit u shfaq në fillim të viteve 2000 si një shembull i rrallë i suksesit relativ të multietnicitetit të promovuar nga bashkësia ndërkombëtare, edhe pse sot rajoni po boshatiset për arsye ekonomike.

Krajina dhe Sllavonia Lindore ofrojnë kështu dy “modele” të kundërta për një rikthim të mundshëm të sovranitetit ukrainas në Donbas: një operacion ushtarak që dëbon popullsinë “armike”, ose një proces politik që garanton të drejtat e komuniteteve të ndryshme.

Ndërsa Bosnje-Hercegovina dhe Kosova vazhdojnë të perceptohen si fuçi baruti potenciale të Ballkanit, obsesioni etno-territorial nuk është zhdukur: ideja fantazmë e një ripërcaktimit të kufijve rikthehet rregullisht në Ballkan. Kjo hipotezë, e përmendur për Kosovën gjatë mandatit të parë presidencial të z.Donald Trump, mund të rikthehet sërish në skenë. Z.Milorad Dodik, drejtuesi nacionalist serb i Bosnjë-Hercegovinës, nuk e fsheh mbështetjen për presidentin e rizgjedhur të Shteteve të Bashkuara, duke shpresuar se ky i fundit mund të imponojë një zgjidhje të tillë.

Ky pasqyrim mashtrues mbështetet në iluzionin se kufijtë “të drejtë sepse etnikë” do të ishin të vetmit në gjendje të garantonin një paqe vërtet të qëndrueshme. Historianët dhe gjeografët e dinë mirë se kufijtë “e drejtë” nuk ekzistojnë, sepse ata janë gjithmonë territorializimi, në një moment të caktuar, i një raporti forcash. Dhe asnjë shembull nuk mund të mbështesë pretendimin se shtetet me popullsi të përzier, si Zvicra, janë më pak demokratike dhe më pak të begata se ato që përpiqen të jenë “mono-etnike”, si disa vende të Afrikës të përcaktuara nga kufijtë e vendosur nga kolonizatorët.

Modelë të tjerë janë të mundshëm. Në pranverën e vitit 2001, në Maqedoni u shfaq një guerilje që pretendonte të mbronte të drejtat e pakicës shqiptare — rreth një e katërta e popullsisë totale — e cila ishte kryesisht e përqendruar në veriperëndim të vendit. Shumëkush e mendonte atëherë “kantonizimin” e këtij shteti të vogël, derisa marrëveshjet e paqes të Ohrit përforcuan të drejtat kolektive të pakicave, pa parashikuar territorializimin e tyre. Nga frika se një ndarje e Maqedonisë do të hapte kutinë e Pandorës për një rishpërndarje rajonale të kufijve, u bë përpjekje që shteti të bëhej më funksional, gjë që nënkuptonte rritjen e legjitimitetit të tij në sytë e të gjitha komuniteteve.

Në “Letrën nga burgu i Birminghamit” (1963), Martin Luther King dallon paqen e vërtetë nga “paqja negative”, e cila nuk do të ishte gjë tjetër veçse mungesë konfliktesh. Një “paqе negative” është shpesh rezultat i negociatave të fshehta që ushqejnë iluzionin se bota është vetëm një lojë e madhe ngjyrosjeje, ku mjafton të ndash “etnitë”.
Nëse është e vërtetë, sipas formulës së famshme të Yves Lacoste, se “gjeografia shërben para së gjithash për të bërë luftë”, duhet pranuar gjithashtu se hartografia shërben, shumë shpesh, për të justifikuar paqe të këqija, të cilat, të negociuara pa dijeninë e popujve, vetëm sa shtrrojnë rrugën për konflikte të reja.

Botime të tjera