Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Pamundësia e një filmi

Protagonisti izraelit i filmit Sinonime (2019) vendosi të jetoj në Paris. Në Gjurin e Ahed (2021), një regjisor plot mendimesh të mundueshme braktisi përgatitjet e një filmi për një aktiviste palestineze. Muzikanti në filmin Po duhet të kompozojë një himn patriotik pas 7 tetorit. Si të ikësh nga Izraeli? Si të mos i ikësh më përgjegjësive? Puna e ndërlikuar e Nadav Lapid përballet me këto pyetje.

Nëntor, 2025

Një regjisor izraelit ngjitet në skenën publike franceze. Me vete ka një film të quajtur Po, i cili në mënyrë të pashmangshme flet për Izraelin. Që nga krijimi i këtij kombi, dhe akoma më shumë në dy vitet e fundit, cilën temë mund ta trajtojë denjësisht një regjisor izraelit, përveç Izraelit, Palestinën, situatën palestineze?

Shoqëria nuk i lë atij asnjë zgjedhje, dhe nuk do të donte për asgjë në botë të privohej një ushqim i tillë që i servohet. Konflikti izraelito-palestinez është një temë e rëndë – serioze si një temë, e rëndë si një top hekuri të lidhur për këmbe–, dhe shoqërisë i pëlqejnë filmat me temë, sepse ato ia mundësojnë të flasë për temën dhe jo për filmin.

Kështu që në shtatorin e kaluar, regjisori Nadav Lapid, 48 vjeç, që ka realizuar pesë filma artistikë deri më sot, qe i ftuari kryesor, jo në një emision për filmin (nëse ka mbetur ndonjë i tillë), por në emisionin debati “C ce soir”, ku e rrethonte, madje e ngushtonte, një panel njerëzish të arsyeshëm, të etur të sigurohen se mendimi i tij, ashtu si i tyre, bën pjesë në rrethin e së arsyeshmes.

Po, ky mendim hynë në rrethin e së arsyeshmës. Lapid gjithmonë do ta ndez panelin e komenteve sociale duke folur për Izraelin si një shoqëri thellësisht të sëmurë, pastaj duke pohuar se problemi shkon shumë më larg se Netanyahu dhe klika e tij, por në fund të fundit, natyra abstrakte e diagnozës së tij ia jep atij përfitimin e dyshimit. Por nga cila sëmundje vuan saktësisht kjo shoqëri? Kur filloi saktësisht katastrofa? A filloi me Nakbën, me Luftën Gjashtëditore, me Intifadën e parë? Këtë nuk do ta dimë, dhe të arsyeshmit që nxitojnë të mos e dinë do ta lënë me kaq.

Nuk do ta dijmë më shumë duke parë filmin Po. Është e vërtetë që Lapid përmend aty këtu 7 tetorin, i cili ndodhi një ditë para ditës së parë të xhirimeve, lajmi e zë filmin si një hajn i kapur për jake. Por çka do të thotë saktësisht 7 tetori? Përdorimi i kësaj date është bërë gjithnjë e më të paqartë nëse kjo datë i referohet sulmit të përgjakshëm të luftarve palestinezë në Izraelin jugor, apo masakrës në trajtë gjenocidale të popullsisë së Gazës që pasoi. Filmi Po ruan këtë ambiguitet, një litani e gjatë tmerresh të kryera atë ditë që kundërbalancojnë disa aludime kalimtare për një tjetër bombardim barbar nga Tsahali, ushtria izraelite. Ky nocion i trubulltë i paanshmërisë – të cilin Godard e talli me thënien e tij të famshme “pesë minuta për hebrenjtë / pesë minuta për nazistët” – kulmon në një pamje të largët të qiellit të Gazës të nxirë nga tymi, që nga paqartësia e tij i lejon të gjitha llojet e interpretimeve emocionale: përballë kësaj pamjeje, shikuesi mund si të don të ndiejë se ushtria izraelite po bën punën e saj ose se po e bën një punë shumë të ndyrë. Në këtë film të supozuar politik, secila palë do të gjejë diçka që i konvenon, ose s’do të gjej asgjë. Prandaj ky receptim i çuditshëm, si ai i Schrödingerit, i një filmi të lavdëruar kudo dhe I kritikuar nga të gjitha anët.

Të thuash po, të thuash jo

Djalit të tij të mitur, të cilin e shëtit nëpër Tel Aviv, antiheroi, i quajtur shkurt Y, i mëson se ka vetëm dy fjalë: po dhe jo. Nuk ka nevojë të specifikojmë po ose jo për çka: tashmë të mësuar me mënyrën binare të këtij filmi, e kuptojmë shumë mirë. Po, do të thotë po për Izraelin, për çmendurinë e këtij vendi, për dhunën e tij endemike. Kushdo që thotë po është një frikacak, në rastin më të mirë një servil – një personazh të cilit Y na ofron, në minutën e fundit, një përfaqësim hiperbolik duke lëpirë me lakmi këpucët e aktorit-diplomat-oligark që e paguan për të shoqëruar deklaratat e tij nacionaliste gjakatare në piano.

Për hir të mbijetesës, Y i tha po kësaj pune dhe agjentit mefistofel që ia gjeti. Por ai i thotë jo kësaj po-së. Ai nuk e duron dot të jetë i nënshtruar. E megjithatë ai nënshtrohet. Ai nuk ka zgjidhje tjetër. A është vërtet i detyruar? Dilemë, ankth, shqetësim.

Një film moral ndryshon nga një film politik në atë që dramatizon një dilemë morale. Ai portretizon mundimet e një ndërgjegjeje fajtore, jo situatën objektive që i prodhon ato. Stuhi brenda kokës, jo kaos nën bomba.

Lapid e xhiron pak Izraelin, edhe më pak Gazën. Ai xhiron veten. Ai e inkuadron, e riinkuadron dhe e riinkuadron alter egon e tij Y, vetë një kopje e Y në Gjurin e Ahed, e cila u paralajmërua nga Yoav në Sinonime, versioni i fëmijërisë së të cilit u eksplorua në filmin e tij të mëparshëm, Mësuesi. Koka e Y-së është filmuar nga çdo kënd dhe në çdo gjendje: e shtrembëruar nga objektivat me kënd të gjerë, me grimasa, e hapur, e revoltuar, me konvulsione, në prag të shpërthimit. Ka një kakofoni aty brenda.

Ky ferr i brendshëm është mbi të gjitha një zhurmë e padurueshme. Me tingullin që lëshon, bota torturon kokën e Y-së të gjorë. Çdo njoftim në smartphone për një masakër të re në Gaza shoqërohet me një përzierje shurdhuese tingujsh lufte (shpërthime, të shtëna me armë, aeroplanë, britma për ndihmë, të qara). Metafora klasike akustike e indiferencës ndaj fatkeqësive të të tjerëve kuptohet fjalë për fjalë: duke mos dashur të dëgjojë asgjë nga tragjedia dhe britmat fashiste që e mbështesin atë, i nënshtruari Y i jep vetes dy mënyra simetrike për t’i mbyllur veshët: duke vënë kufje për të dëgjuar “Love me tender” ose Mozartin për të mbytur zhurmën e skëterrës; duke e mbuluar korin kërcënues të zyrtarëve me gurgullima të mprehta gjatë një beteje epike këngësh.

Logjikisht, është një tjetër çështje zanore që e mundon kryesisht Y-në: i ftuar të kompozojë një version të përpunuar të himnit të vitit 1947, ai pranon, e përçmon veten që pranon, i përlyen fjalët e shtypura të himnit me gjakun e tij dhe përfundon duke i vjellë vargjet shfarosëse, duke ia ulëritur ato hënës. Një ulërimë shlyese, e nxjerrë për askënd, vetëm për atë që e nxjerr. I luajtur nga Ariel Song, një artist performues, Y është njëkohësisht aktori kryesor dhe marrësi i lojërave të vogla që ai performon. Kur improvizon lojën ku sillet si qen në një festë të pasurish, elita ushtarake dhe financiare i hedh copa mishi për t’i gëlltitur pa e shikuar fare atë. Ashtu si Y e shikon veten që e luan qenin, Lapid ia ka dhënë vetes dy orë kohë për ta nxjerrë ndërgjegjen e tij fajtore përmes kllounëve. Vetë-fshikullim ose auto-erotizëm, këtu është “auto”-ja që ka rëndësi. Është lloji i udhëtimit që bëjmë brenda vetes, mundësisht nën efektin e kokainës.

Udhëtimi me makinë nga Tel Avivi në Gaza që ndodh në të tretën e fundit të filmit është gjithashtu një udhëtim brenda vetes: në fund të rrugës, nuk shohim asgjë ose shumë pak nga Gaza, por personazhi duhet të ketë menduar se duhet ta bëjë këtë udhëtim, dhe regjisori duhet të ketë ndjerë se filmi i tij kishte nevojë për këtë shëtitje. Dhe kur mbaron spektakli, mund të vazhdojmë.

Në anijen me emrin Po që po lëkundet, Y është pasagjeri i vetëm. Jasmina, gruaja e tij, nuk është një personazh, por një engjëll mbrojtës, një zë që gudulis në veshin e tij, që e kthen kah guximi kur shoqërohet me turmën sunduese. Në fakt, Jasmina nuk është gjallë, ashtu siç nuk është gjallë nëna e ndjerë e Y, një tjetër autoritet moral dhe qiellor që lëshon një shi ndëshkues gurësh mbi djalin e saj të humbur.

Nëse dilemat do të mund të zgjidheshin, nuk do të ekzistonin. Y është i zënë midis dy pamundësive. T’i thuash “po” vendit tënd është krejtësisht e pamundur – nëna do ta shihte këtë si një heqje dorë nga ideali origjinal – dhe t’i thuash “jo” po ashtu. Në qytet, do ta quanin këtë luhatje të një sionisti të krahut të majtë. Në ekran, kjo paraqitet me një personazh i cili, duke pranuar se nuk ka asnjë vend ku mund të strehohet, ndërmerr një ikje të parashkatërruese, me rrugës, siç ndodh, vdekje të vogla: Y fut kokën në tre enë sallate të njëpasnjëshme, Y shpallet i mbytur në një pishinë ku është zhytur, i çmendur pas saj, Y duke u shembur pas një transi të vullnetshëm, Y duke u rrokullisur poshtë një kodre shkëmbore dhe duke u alivanosur në këmbët e saj, i këputur dhe i përkulur. Pastaj ngrihet në agim. Gjithmonë ngrihet. Nuk arrin kurrë të vdesë. Për dy orë, Po na fton të shikojmë një individ që nuk vetëvritet.

Sepse të vdesësh do të ishte akt frikacak. Ashtu siç do të ishte të jetosh. Ashtu siç do të ishte të largohesh, ose të qëndrosh. Të bësh një film për Izraelin është po aq e pamundur sa të mos e bësh. Për Lapidin, pra, do të jetë çështja e mosbërjes së një filmi.

Gjë që nënkupton të mos bëhen kuadro. Për shembull, të tundet kuadri sa më shpesh të jetë e mundur për t’i turbulluar linjat e tij. T’i shmanget xhirimit statik ashtu si Y i ik pasivitetit të tij duke kërcyer vazhdimisht. Të lodhen sytë tanë me dekore të ngarkuar. Të mbushet rrëfimi me elemente të panevojshme – plan i afërt i një cigareje, lëvizje e kamerës në një makinë që xhiron një rresht dritash rruge. Të lëndohet imazhi, të keqtrajtohet, të zhveshet, të mbushet me filtra, të përmbytet me ngjyra të ndezura dhe ndriçim të tepruar. Të mos bëhen skenat që fillimisht ishin menduar. Të ndërpritet e tëra para se realiteti dhe moria e tij të rrugëve pa krye t’i depërtojnë. Mbi të gjitha, mos të ndalesh në asgjë. Asgjë të mos shihet.

Asgjë të mos shihet, asgjë të mos dëgjohet – ky është një program i çuditshëm për një regjisor.

Megjithatë, vjen një moment, fillimisht në restorant, pastaj në makinën që udhëton nga veriu në jug, kur tërbimi ndërpritet, filmi qetësohet, zhvillohet një sekuencë, vendoset një bisedë, vendoset një xhirim/një kundërxhirim. Në një skenë, Y-ja i pashmangshëm; përballë tij, pastaj pranë tij, Leah, ish-partnerja e tij. Çfarë po i thonë njëri-tjetrit? Gjëra të tilla si, “Zhgënjimi më i keq i jetës sime jam vetvetja” (ajo), ose “Po përjetoj një krizë morale, personale, artistike më të thellë se një krater” (ai). Gjëra që nuk i kuptojmë mirë. Nuk e kuptojmë plotësisht se çfarë po bën ky dialog dashuror ose post-dashuror në një film që supozohet se është i fokusuar në rrëmujën mut fare gjigante gjeopolitike që e rrethon atë.

Megjithatë është një lidhje: Leah nxjerr paren për jetesë duke përkthyer propagandën e pistë të kombit në luftë; edhe ajo ka thënë « po », është futur deri në fyt në këtë, duhet të bëjë një akt pendimi si bashkëbiseduesi i saj i çmendur. Por kjo nuk është ajo që Y nuk ia pranon. Nëse Leah ka tradhtuar diçka, nuk janë idealet e etërve themelues, vlerat e së majtës izraelite apo ndonjë litar tjetër nostalgjik shpëtimi për t’u kapur kur vendi po del jashtë kontrollit. Ajo ka tradhtuar muzikën, për të cilën ishte e talentuar dhe e cila duket se ka qenë thelbi i dashurisë së tyre të kaluar. Shpërthimi i papritur i energjisë rinore që do t’i ngrejë muzikantin dhe ish-muzikantin nga tavolina e tyre nuk i bën ata të bërtasin “Free Palestine”, por të ulen në piano dhe të luajnë së bashku një muzikë ritmike dhe të gjallë.

“Në këtë sekuencë narrative pothuajse autonome shfaqet antagonizmi që e përfton në të vërtetë Lapidin dhe kinemanë e tij. Nuk bëhet fjalë për një qytetar në përplasje me vendin e vet, por për një artist në përplasje me botën.”

Pse Yoavi i filmit Sinonime iku nga Izraeli i tij ku ka lindur për t’u vendosur në Francë? Pse refuzon të flasë hebraisht? Për këtë, na jepen vetëm dy pohime lakonike – një vend i lig, një vend brutal. Ajo që ka rëndësi këtu është se emigranti vullnetar mirëpritet nga dy artistë në një apartament të madh në bregun e majtë të lumit Sena në Paris: një muzikant klasik dhe një shkrimtar në zhvillim e sipër, me profil si një Lucien de Rubempré pak i rinuar, i vendosur të jetë gjeni apo të mos jetë fare.

Në zemër të filmit Mësuesja, fëmija Yoav është poet në moshën shtatë vjeçe. “Një Mozart”, thotë mësuesja e tij, që nga ajo kohë mundohet ta mbrojë këtë diamant të parakohshëm nga njollat e botës. Sepse, duhet ditur, dhe këtë e marrim vesh nga goja e një drejtuesi i një seminarit të shkrimit kreativ: “Të jesh poet në këtë botë do të thotë t’i kundërvihesh botës.” Por gjithashtu : “Ashtu sikur demi, poeti është i pabindur dhe lufton deri në vdekje.” Dhe fraza të tjera ku afirmohet një vizion i artistit që shekulli i njëzetë mendonte se e kishte hedhur poshtë: i talentuar gjenetikisht, që vuan deri në pikën e melankolisë, atipik deri në pikën e çmendurisë, një albatros i rënë në këtë botë të ngathët, margjinal, bohem, pa para (makarona për vakte, një dhomë si shtëpi), i mallkuar, në mënyrë të pashmangshme i mallkuar, ekscentrik, eks-qendre.

Y-ja i filmit Po i përshtatet portretit të tij në mënyrë të përkryer: edhe ai ka talent (piano, vallëzim, humor), ka veshjen e një dandy (xhaketë e bardhë mbi një këmishë të zezë të pandryshueshme, syze ngjyrë roze të palëvizshme me xham të mbyllët, me një lule të madhe plastike te gjoksi), shkëputjen tallëse, shijen për skandale, euforinë, qesharaken. Por ka një ndryshim thelbësor: ai thotë « po », kur artisti i hedh botës një “jo” të fuqishme dhe definitive.

Angazhimi si një kryq

Artisti, sipas Lapidit, është një krijesë thelbësisht e ndarë. Por Y është i ngulitur në shoqërinë e tij dhe i dënuar t’ia shitur talentin e tij djallit. Një përballje shumëshekullare për të cilën rasti Lapid ofron një version specifik dhe të vendosur: ajo që filmi Po bërtet, ajo që heroi emigrant i Sinonimeve bërtiste, është dëshira e tij për ta shkëputur artin e tij nga vendi ku një mallkim e solli në jetë. Pamundësia që po e dëmton ngadalë dhe në mënyrë dramatike filmin Po është pamundësia e të qenit një regjisor izraelit. Ta themi më qartë: pamundësia, duke qenë izraelit, jo vetëm të shihesh si frikacak, si i dorëzuar, si bashkëpunëtor objektiv, si kukull e Netanyahut, por edhe të jesh një regjisor i shtyrë vetëm nga kreativiteti pa pengesa dhe pa temë, që Lapidi ëndërron të jetë. Arti, sipas Lapidit, është secesionist, dhe Lapidi nuk mund të shkëputet me dinjitet.

Një lojë tragjike maceje me miun. Publiku shpreh interesim për të për atë që ai padyshim nuk dëshiron të jetë: një regjisor izraelit që përkulet nën peshën e përgjegjësive që vijnë me të. Moskuadrot e tij thonë se ai do të donte të ishte një Fellini, një Lynch, një Scorsese, një piktor ekspresionist, një regjisor i çmendur videoklipesh, një aksionist nihilist: gjithçka përveç asaj që kërkohet prej tij, dhe asaj që ai pranon të jetë, me ngurrim – ose me kokëfortësi, është e njëjta gjë – duke ofruar në fund të fundit një jo-film.

A është i detyruar një regjisor izraelit të bëjë filma për Izraelin, dhe mundësisht në mbështetje të popullit që Izraeli po e shfaros në mënyrë metodike? Një pyetje e përgjithshme, morale dhe e pazgjidhshme, të cilën aktivizmi i ethshëm, i pavullnetshëm të tolerojë më pak përfshirje politike sesa e vetja, e ka zgjidhur tashmë. Pyetje të cilës pamundësia e një Po i ofron të paktën një përgjigje teknike dhe estetike: nëse regjisori në fjalë mban peshën e angazhimit si një kryq, është më mirë për të dhe për ne që ta heqë qafe atë. Ne i premtojmë solemnisht se do ta falim këtë mosangazhim. Madje jemi gati ta inkurajojmë të bëjë pikërisht këtë. Nëse Lapid tundohet, për filmin e tij të radhës, të shmangë përmendjen e Izraelit ose krimeve të vazhdueshme kundër njerëzimit, le të mos hezitojë. Le të bëjë një film në zemër të Amazonës, nëse kjo është dëshira e tij. Arti i tij do të përfitojë nga të qenit i lirë nga politika, dhe politika do t’ia dalë mbanë pa artin e tij.

Botime të tjera