Për herë të parë, ekipet kombëtare të Kepit të Gjelbër, Jordanisë, Uzbekistanit apo Curaçaos do të marrin pjesë në Kupën botërore për meshkuj, e cila do të mbledhë 48 përfaqësuese, kundrejt 32 në edicionet e mëparshme. Nga pikëpamja sportive, zgjerimi i formatit do t’u sjellë përfitime të gjitha kontinenteve. Kështu, nëntë ose dhjetë përfaqësuese afrikane do të jenë të pranishme në këtë ngjarje. Ato ishin vetëm tri në mesin e njëzet e katër përfaqësueseve në edicionin e vitit 1994, i pari i organizuar në Shtetet e Bashkuara. Për të pritur të gjitha këto ekipe, dy stadiume kanadeze dhe tre meksikane do t’u shtohen këtë vit njëmbëdhjetë stadiumeve amerikane të përzgjedhura.
Në Guadalajara, një nga tre qytetet pritëse në Meksikë, z.Raúl Alvarez dhe z.Julio Medrano luajnë futboll çdo të shtunë në mëngjes. Ata jetojnë dhe punojnë pak larg stadiumit në formë vullkani, i cili do të presë katër ndeshje të turneut. Ky impiant modern, i rrethuar nga parkingje, është ndërtuar përtej unazës së qytetit, larg stadiumit të vjetër Jalisco, i ndërtuar në zemër të qytetit. Ky i fundit ishte skena e kryeveprave të Pelé-s, Tostão-s, Gerson-it dhe Jairzinho-s gjatë Kupës së Botës 1970, dhe më pas e Brazilit të Sócrates-it dhe e “Bluve” të Platini-t në vitin 1986.
Tepër të rinj për t’i pasur të gdhendura këto kujtime në mendje, dy dyzetvjeçarët – teknikë në një agjenci federale për ruajtjen e pyjeve – kishin shënuar në axhendë datën e hapjes së shitjes së biletave, në shtator 2025. “Të gjithë meksikanët, po t’i pyesësh, do të të thonë se kishin ndërmend të ndiqnin të paktën një ndeshje”, dëshmon z.Medrano. Por u desh të përballeshin me realitetin. “Gjeografikisht jemi shumë afër, por materialisht shumë larg”, ankohet z.Alvarez.
Duke u mbështetur në pamje ekrani të dërguara nga persona të përzgjedhur me short gjatë fazës së parë të shitjeve, faqja The Athletic ka evidentuar këtë vjeshtë të gjitha çmimet. Për kategoritë 1 dhe 2, që përfaqësojnë shumicën dërrmuese të vendeve, çmimet variojnë nga 260 deri në 805 dollarë në raundin e parë (rreth 223 deri në 691 euro), dhe më pas rriten deri në 6 370 dollarë (rreth 5 470 euro), ndërkohë që paga mesatare në Meksikë është rreth 350 euro. Do të duhet të paguhen minimalisht 2 790 dollarë (2 396 euro) për person për të parë finalen në kategorinë 3, pra në majë të stadiumit të Nju Jorkut, ose edhe shumë më tepër përmes platformës zyrtare të shkëmbimit dhe rishitjes.
“Po mendoj të shes një veshkë”
Si organizatore e ngjarjes, Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka hequr dorë nga sistemi i vjetër që rezervonte një kuotë biletash me çmime të favorshme për banorët vendas. Institucioni nuk ka komunikuar një listë zyrtare çmimesh, por ka përdorur një hile duke folur për bileta të disponueshme “duke filluar nga 60 dollarë”. Në fakt, këto çmime i përkasin kategorisë 4, pra një pjese shumë të vogël të vendeve, të cilat mezi dallohen në planet e stadiumeve.
Federatat e vendeve të kualifikuara disponojnë secila 8 % të kapacitetit të stadiumeve. Këto bileta të destinuara për tifozët garantojnë atmosferën dhe, rrjedhimisht, rrisin vlerën e “produktit” televiziv. Por edhe tifozëve u imponohen çmime marramendëse. Një rrjet europian ka bërë llogaritë: “Nëse një tifoz dëshiron të ndjekë ekipin e tij nga ndeshja e parë deri në finale, kjo do t’i kushtojë minimalisht 6 900 dollarë, pra gati pesë herë më shumë se gjatë Kupës së Botës në Katar.” E pamundur për një familje të klasave popullore.
President i “Irrésistibles Français”, shoqata kryesore e tifozëve të ekipit francez, z.Hervé Mougin nuk ka humbur asnjë kampionat ndërkombëtar prej pesëmbëdhjetë vitesh. Ai nuk ka hequr dorë nga ideja për të shkuar në Shtetet e Bashkuara. “Por, – thotë ai me ironi – po mendoj të shes një veshkë.” Nëse Franca arrin sërish në finale, z.Mougin parashikon një kosto totale udhëtimi midis 20 000 dhe 25 000 eurove, më shumë se dyfishi i asaj që shpenzoi në Katar në vitin 2022.
Hotelet në qytetet pritëse rrisin çmimet mesatarisht mbi 300% gjatë turneut. Këtyre shpenzimeve u shtohen edhe kostot e transportit. Në vitin 2022, stadiumet ishin të përqendruara në një qytet. Në vitin 2026, ato do të shpërndahen në një kontinent të tërë.
Për shumëkënd, kostoja totale e udhëtimit përbën një pengesë të pakapërcyeshme. Për të tjerë, pyetja as që shtrohet. “Në përgjithësi, ndjekja e një ndeshjeje në stadium është luks në Afrikë, përveç rasteve kur qeveria merr përsipër avionët”, kujton z.Pascal Mulegwa, gazetar në Republikën Demokratike të Kongos. Në këtë vend, ku tre nga katër banorë jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë – pavarësisht burimeve të mëdha natyrore – megjithatë ëndërrohet për një kualifikim të “Leopardëve” gjatë mini-turneut të repeshazhit në mars.
Mbeten diasporat e Amerikës së Veriut për të dhënë një pamje të pjesshme të diversitetit. Në vitin 2022, Maroku u mbështet nga dhjetëra mijëra emigrantë gjatë rrugëtimit të tij të jashtëzakonshëm deri në gjysmëfinale. “Në Doha, kisha takuar tifozë që vinin nga San Francisko, Sidnej, Xhakartë…”, numëron z.Amine el Amri, gazetar sportiv në Grupin Le Matin. Sipas tij, “të apasionuarit” do të jenë sërish të pranishëm. Si provë, ai përmend Kupën e Botës për Klube 2025: kontingjenti i tifozëve të Wydad-it – një nga dy klubet kryesore të Kazablankës – kishte ngjyrosur me të kuqe tribunat amerikane.
Të pasurit mjete të konsiderueshme ekonomike dhe fat në short janë kushte të nevojshme, por jo të mjaftueshme. Mbetet për t’u marrë viza në Amerikën e Donald Trump-it, i cili ka zgjeruar ndalimet e hyrjes për shtetasit e shtatëmbëdhjetë vendeve që nga 1 janari dhe kufizimet e vizave për njëzet e dy të tjera. Në nëntor, FIFA njoftoi se “ata që kanë bileta do të përfitojnë nga intervista prioritare për marrjen e vizës për hyrje në Shtetet e Bashkuara”… por pa asnjë garanci për marrjen e saj. “Kjo logjikë do të funksionojë për qytetarët e vendeve të pasura, – parashikon z.Jean-Baptiste Guégan, pedagog i gjeopolitikës së sportit – por për shumicën e shtetasve të vendeve afrikane dhe latino-amerikane, kjo do të jetë e vështirë, përveç nëse paraqesin garanci të forta bankare.” Aq më tepër që administrata e re dëshiron tashmë të kushtëzojë autorizimet e udhëtimit (ESTA) për turistët pa vizë me një inspektim të historikut të rrjeteve sociale.
Sara (ajo ka kërkuar të mbetet anonime) është militante e Open Stadiums, një shoqatë e grave iraniane që lufton kundër diskriminimeve. Ajo ishte e pranishme në Katar si vëzhguese, kur një pjesë e spektatorëve iranianë shfrytëzuan Kupën e Botës për të denoncuar represionin në vendin e tyre, në vazhdën e kryengritjes “Grua, Jetë, Liri”. Sara nuk do të shkojë në Shtetet e Bashkuara, me keqardhje. Ajo nuk e ka llogarinë bankare të kërkuar, as pasaportën e nevojshme, sepse qytetarët iranianë janë të ndaluar të hyjnë në territorin amerikan që nga një dekret i nënshkruar nga z.Trump në qershor 2025. Ironia e situatës për Sarën: “Gratë u desh të luftonin pothuajse njëzet vjet për të pasur qasje në stadiume në Iran dhe sot një shtet tjetër na e ndalon këtë.”
Ndër vendet e prekura nga ndalimet e fundit të hyrjes në Shtetet e Bashkuara janë Senegali dhe Bregu i Fildishtë, dy vende të kualifikuara, ashtu si edhe Haiti. Ndërsa Shtëpia e Bardhë parashikon përjashtime për anëtarët e delegacioneve sportive, administrata “nuk do të japë asnjë derogim të veçantë për tifozët haitianë të futbollit që dëshirojnë të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara”, konfirmon Departamenti i Shtetit.
I mërguar prej tetë vitesh në Montreal, z.Paul-Addly Dorizan ishte i vetëm në banesën e tij më 18 nëntor 2025, gjatë ndeshjes Haiti–Nikaragua, me sytë e ngulur para televizorit dhe me frymën pezull. “Në fund, qava pothuajse të gjitha lotët e trupit tim”, kujton ky punonjës në një shoqatë për marrëdhënie biznesi. Atë mbrëmje, fitorja paralajmëroi rikthimin e përfaqësueses haitiane në Kupën e Botës, më shumë se pesëdhjetë vjet pas pjesëmarrjes së fundit. Duke mos pasur shtetësinë kanadeze, z.Dorizan nuk ka të drejtë të hyjë në Shtetet e Bashkuara. Dëshira e tij më e madhe ishte që “Grenadierët” – nofka e ekipit kombëtar – të luanin një ndeshje në Toronto. Kjo dëshirë nuk u realizua: Haiti do t’i luajë tri ndeshjet e fazës së parë në Boston, Filadelfia dhe Atlanta.
Si një shishe e hedhur në det, Grenadier Fan Club i ka dërguar FIFA-s një letër të hapur, pa mbështetjen e federatës haitiane. Letra kërkonte një ndërhyrje pranë qeverisë amerikane për t’i “kujtuar parimet themelore të futbollit, njëri prej të cilëve është universaliteti dhe bashkimi i popujve”. Por a kanë ekzistuar ndonjëherë këto parime përtej fjalimeve?
“Qasja në Kupën e Botës është vetëm një mit: ajo është bërë një produkt i globalizuar i destinuar për një elitë të lëvizshme”, shprehet prerazi z.Abderrahim Bourkia, sociolog maroken që ka studiuar ultrasit. “Publiku i ekipeve kombëtare ka përgjithësisht më shumë para se ai i klubeve”, vëren z. Paul Dietschy, historian i futbollit, i cili ka studiuar veçanërisht edicionin e vitit 1934, të organizuar në Italinë fashiste. “Në tribunat popullore të stadiumit të Torinos, biletat kushtonin 10 lira, dy herë më shumë se për një ndeshje kampionati në atë kohë”, kujton ai.
“Unë jam këtu për të shitur një produkt të quajtur futboll”, kishte paralajmëruar João Havelange gjatë zgjedhjes së tij në krye të FIFA-s në vitin 1974. Nëse në vitin 1986 Kupa e Botës ishte ende e përballueshme për klasat e mesme lokale (biletat shiteshin nga 3 deri në 50 dollarë), çmimet janë rritur ndjeshëm që atëherë. Në vlerë reale, çmimi mesatar për të ndjekur një ndeshje të raundit të parë është trefishuar që nga edicioni i vitit 1994, i fundit i organizuar në Shtetet e Bashkuara. Në të njëjtën periudhë, çmimi i biletave më të shtrenjta të finales është gjashtëfishuar. Kështu, futbolli “premium” nuk ka kushtuar kurrë kaq shtrenjtë.
I mposhtur në vitin 2010 nga Katari – mes akuzave për korrupsion – për organizimin e edicionit 2022, Shtetet e Bashkuara bënë aleancë me Meksikën dhe Kanadanë për të kandiduar për edicionin pasardhës, duke mbajtur për vete të gjitha çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalen e turneut. Tashmë president i FIFA-s, z.Gianni Infantino kishte nxjerrë nga kapelja një komision vlerësimi për të zgjedhur mes kësaj kandidature dhe asaj të Marokut në vitin 2018. Vendimi i tij mbi infrastrukturat? Nga njëra anë një kolonë në të gjelbër, nga ana tjetër në të kuqe ose portokalli. Dhe nëse mesazhi nuk ishte ende mjaftueshëm i qartë, z.Trump e kishte përforcuar disa javë para votimit: “Do të ishte për të ardhur keq që vendet që ne i mbështesim gjithmonë të kundërshtonin kandidaturën amerikane. Pse duhet t’i mbështesim këto vende kur ato nuk na mbështesin (përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara)?”
Më 5 dhjetor 2025, në Uashington, z.Infantino nuk i dha vetëm një “çmim paqeje” z.Trump-it me rastin e shortit të ndeshjeve. Atë mbrëmje, poligloti zviceran këndoi edhe refrenin e tij të preferuar, që ishte dëgjuar tashmë në 2018 dhe 2022: “Do të jetë Kupa e Botës më e madhe e të gjitha kohërave.” Për financat e FIFA-s, kjo nuk vihet në dyshim. Çmimet që përjashtojnë klasat popullore nuk i kanë penguar organizatorët të thyejnë “të gjitha rekordet e shitjes së biletave”, siç u mburr presidenti amerikan në margjinat e shortit. Për ciklin 2023–2026, organizata parashikon të ardhura – jashtë Kupës së Botës për Klube – prej 11 miliardë dollarësh (9,4 miliardë euro). Ajo thekson megjithatë në një komunikatë se “90%” e të ardhurave do t’u shpërndahen 211 federatave kombëtare. Sipas formularëve fiskalë të FIFA-s, shpërblimi i z.Infantino në vitin 2024 arriti në 5,27 milionë euro.

