Në vitin 1983, Stuart Hall mbajti disa ligjërata në Illinois mbi ‘cultural studies’ (“studimet kulturore”). Hall ishte një nga figurat qendrore të së Majtës së Re britanike. Ai shpjegonte arsyet që në vitet 1950 i shtynë intelektualët ta kthenin vështrimin drejt realiteteve kulturore (feja, ideologjia, artet, letërsia…): “Koncepti i kulturës u hodh përpara jo si përgjigje ndaj ndonjë çështjeje të gjerë teorike, por si zgjidhje për një problem dhe një pyetje shumë konkrete politike: çfarë i ndodhi klasës punëtore në një kontekst prosperiteti ekonomik?”
Në fakt, çështja shtrohet në terma shumë më të saktë: përse lëvizja punëtore, aq luftuese në periudhën midis dy luftërave botërore, u përthith kaq lehtë nga sistemi? Edhe pse ndryshimet ekonomike luanin, pa dyshim, një rol përcaktues, Hall kujton se “transformimet kryesore nuk ishin, në mënyrë të dukshme, aq politike dhe ekonomike sa kulturore dhe shoqërore”. Vështirësia qëndronte, pra, në shpjegimin se si faktorët “kulturorë dhe shoqërorë” të shoqërisë moderne kontribuonin në mbajtjen e klasës punëtore brenda sistemit dhe, për pasojë, në zbutjen, madje në shuarjen, e antagonizmit midis klasave.
Siç kujton Hall, ata që, si ai vetë, merreshin me këto çështje ishin figura në ngjitje të së Majtës së Re, për të cilët zgjidhja e kësaj enigme ishte preludi i një angazhimi politik më efektiv. Marksizmi ishte korniza e tyre natyrore për analizën e kontekstit politik. Por shumë shpejt ata e gjykuan atë të papërshtatshëm, aq sa ai mohonte pothuajse çdo ndikim të fenomeneve kulturore.
Rryma të tjera, ndër më ndikueset në teorinë shoqërore, morën këtë “kthesë kulturore” dhe konsideruan se riprodhimi i kapitalizmit e kishte burimin te ideologjia. Dy nga tekstet më të shquara të shkollës së Frankfurtit, Dialektika e Iluminizmit (1944) e Max Horkheimer dhe Theodor Adorno, si edhe Njeriu njëdimensional (1964) i Herbert Marcuse, trajtonin pikërisht mjetet përmes të cilave kapitalizmi kishte arritur ta përthithte kulturalisht klasën punëtore.
Pika e dallimit qëndronte te mekanizmat në veprim: kur Horkheimer dhe Adorno denonconin veprimin e industrisë kulturore, Marcuse thërriste në ndihmë nevojën psikike kompensuese për të konsumuar. Por, në të dy rastet, shpjegimi duhej kërkuar te “superstruktura”, siç do të thoshte Hall, dhe jo te vetë struktura ekonomike.
Vetëm përmes forcës së ideologjisë?
Këta intelektualë gjetën te Antonio Gramsci burimin e tyre kryesor të frymëzimit. Në interpretimin që i bënë shkrimeve të komunistit italian, ishte përmes kulturës që klasat dominuese duhej të siguronin pëlqimin e grupeve të nënshtruara. E mbështetur në udhëheqjen e saj intelektuale dhe morale, klasa dominuese mund të ishte më shumë sesa ajo që thjesht shpreh ose koordinon interesat e klasave të nënshtruara: ajo shndërrohej në atë që i formëson interesat dhe nevojat e tyre. Ndërsa, për materialistët, ideologjia është më tepër një medium përmes të cilit shprehen interesat, ky lexim i Gramscit e përmbyste këtë raport, në atë mënyrë që interesat vetë konstituohen nga ideologjia.
Kultura vendoset kështu në zemër të vetë një teorie të stabilitetit shoqëror: hegjemonia bazohet në pëlqim, pëlqimi fitohet përmes kulturës. Kjo tezë hapi rrugën për një fushë kërkimi tejet pjellore, në të gjitha shkencat shoqërore, e përqendruar te mënyra se si mediat, strukturat arsimore ose feja kontribuojnë në krijimin, përhapjen dhe përjetësimin e ideologjive që bëjnë që sistemi t’i asimilojë aktorët. Megjithatë, pyetja mbetet: a është kjo teori bindëse?
Problemi më themelor mbetet të shpjegohet se si punëtorët do të pranonin vullnetarisht, vetëm përmes forcës së ideologjisë, dëmet dhe poshtërimet që lidhen me marrëdhënien e punës, duke i konsideruar ato si legjitime thjesht sepse u është thënë se janë të tilla. Kulturalistët gjenden kështu në pozitën e ndërlikuar të pohojnë, pa e thënë shprehimisht, se nëse ata vetë janë të aftë ta dallojnë shfrytëzimin, aktorët që e jetojnë atë dhe që vuajnë pasojat e tij të rënda nuk e vërejnë fare. Nuk vihet shumë në dyshim që pëlqimi aktiv i punëtorëve merr pjesë në ndërtimin e hegjemonisë. Megjithatë, mbetet e diskutueshme pretendimi se ata e pranojnë vendin e tyre në strukturën e klasave vetëm ngaqë ideologjia dominuese u thotë ta pranojnë.
Në të vërtetë, Gramsci në Fletoret e burgut pohon se “nëse hegjemonia është etiko-politike, ajo nuk mund të mos jetë edhe ekonomike”. Është kontrolli i forcave prodhuese nga klasa dominuese që i mundëson asaj të ketë dorën e sipërme në politikë. Meqenëse ajo është e aftë të prodhojë një normë të lartë rritjeje, përmirëson njëkohësisht në mënyrë të vazhdueshme edhe gjendjen ekonomike të aleatëve të saj. Qasja e Gramscit ndriçon bazën materiale të pëlqimit. Megjithatë, ajo nuk mjafton për të shpjeguar qëndrueshmërinë e kapitalizmit.
Ajo ndeshet veçanërisht me dy pengesa të mëdha. Së pari, punëtorët mund të vazhdojnë të ndihen të dëmtuar edhe nëse rritja ekonomike përkthehet në rritje pagash. Puna mbetet gjithmonë potencialisht një përvojë e rëndë, edhe kur plotësohet kushti i hegjemonisë sipas Gramscit, pra përparimi i forcave prodhuese. Prandaj marrëdhënia e punës do të mbetet konfliktuale, pavarësisht rritjes së nivelit të jetesës. Mbi të gjitha, përparimet e bëra në një fushë të vetme shpesh arrihen me çmimin e një intensifikimi të dëmeve në fusha të tjera.
Midis viteve 1968 dhe 1973, Evropa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara u tronditën nga greva masive dhe në Shtetet e Bashkuara, këto trazira lidheshin drejtpërdrejt me rritjen e produktivitetit. Sepse, edhe pse pagat rriteshin, shtimi i prodhimit mbi të cilin ato mbështeteshin ishte rezultat i një intensifikimi spektakolar të ritmeve të punës. Natyrisht, nuk bëhet fjalë të mohohet lidhja midis dinamizmit ekonomik dhe pëlqimit të punëtorëve. Është e qartë se paqja sociale është më e lehtë të ruhet në një ekonomi dinamike, por, edhe në këtë rast, rendimenti i “fabrikës së pëlqimit” mbetet i pabarabartë.
Arsyetimi gramscian shtron një problem tjetër, edhe më themelor: edhe nëse rritja mjafton për të nxitur pëlqimin, nuk është e sigurt se ajo është në origjinë të qëndrueshmërisë së kapitalizmit. Arsyetimi i Gramscit mbështetet në idenë se klasat dominuese e sigurojnë pëlqimin e klasës punëtore për aq kohë sa mund t’ia përmirësojnë nivelin e jetesës. Por çfarë ndodh nëse kapitalizmi hyn në një periudhë pa perspektivë për klasën punëtore? Një situatë e tillë do të duhej të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurimin e pëlqimit, gjë që, nga ana e saj, do të duhej të trondiste status quo-në politike.
Mirëpo, fakti më domethënës i kapitalizmit në epokën neoliberale është se ai përkon me një stagnim të vazhdueshëm të nivelit të jetesës së klasave të nënshtruara. Në Shtetet e Bashkuara, rritja e pagave është pothuajse zero prej dy brezash dhe në Gjermani e në Mbretërinë e Bashkuar, prej gati dy dekadash. Megjithatë, edhe pse niveli i jetesës ka rënë dhe kushtet e punës janë përkeqësuar, pothuajse nuk ka pasur trazira në ujërat politike. Duke gjykuar nga treguesit standardë, rezistenca e klasës punëtore madje është zbehur.
Në të njëjtën kohë, për aq sa mund t’u besohet sondazheve të opinionit, pëlqimi aktiv ndaj rendit shoqëror ka vazhduar të zbehet. Punëtorët janë thellësisht të pakënaqur me status quo-në dhe, në veçanti, me hendekun në rritje midis zotëruesve të kapitalit dhe pjesës tjetër të popullsisë.
Si mund të kuptohet atëherë qëndrueshmëria e sistemit? Një shpjegim tjetër, më i besueshëm, është se stabiliteti politik i kapitalizmit nuk qëndron në faktin që klasa punëtore e pranon gjendjen e saj, por në atë që ajo pajtohet me të. Pëlqimi do të ishte parësor për stabilitetin politik nëse punëtorët do të kishin në çdo moment një rrugë reale daljeje: nëse do të kishin lirinë të tërhiqeshin nga kapitalizmi, mekanizmi i vetëm i besueshëm për t’i penguar do të ishte pikërisht sigurimi i pëlqimit të tyre ndaj sistemit.
Mirëpo, ekzistojnë vetëm dy mënyra që mund t’i çonin ata të dilnin vullnetarisht nga sistemi. Së pari, që të kishin mundësinë të largoheshin nga tregu i punës. Por punëtorët marrin pjesë në marrëdhënien e pagës jo sepse e konsiderojnë atë një raport shoqëror në vetvete të dëshirueshëm, por sepse pozita e tyre strukturore i detyron të shesin forcën e tyre të punës.
Mjeti tjetër është ai që ka përshkruar Karl Marx: ndryshimi i sistemit përmes veprimit kolektiv. Por kjo teori i nënvlerëson gjerësisht pengesat për formimin në klasë. Kapitalizmi prodhon gjithashtu një shpërndarje të pabarabartë të pushteteve klasore: punëtorët duhet të organizohen për të mbrojtur interesat e tyre, ndërsa një kapitalist, në përgjithësi, mund t’i mbrojë të vetat pa pasur nevojë t’u afrohet të ngjashmëve të tij. Për më tepër, meqenëse nuk ka pse t’i angazhojë burimet e veta në krijimin e organizatave të klasës, kapitalisti ka gjithë mundësinë t’i përdorë ato për të penguar, ose për të shpërbërë, organizatat e krijuara nga punonjësit e tij — nëse këta arrijnë t’i ngrejnë ato.
Si rrjedhojë, nëse rezistojnë, punëtorët do të zgjedhin “racionalisht” një mënyrë rezistence individuale më shumë sesa një mënyrë kolektive. Ata mund ta nisin luftën e klasave vetëm pasi të kenë kapërcyer pengesat ndaj veprimit kolektiv. Sistemi, pra, nuk varet nga pëlqimi aktiv i punëtorëve. Sigurisht, klasa dominuese do të dijë të përfitojë prej tij, nëse paraqitet rasti. Një klasë që arrin të rrisë nivelin e pëlqimit brenda popullsisë aktive mund ta forcojë më mirë sundimin e saj. Por themeli i riprodhimit të sistemit nuk qëndron aty: mekanizmi më themelor, ai që mbetet edhe kur pëlqimi zhduket dhe që i shtyn punëtorët të kthehen çdo ditë në vendin e punës — dhe kështu të riprodhojnë sistemin — është ajo që Marx e quan te ‘Kapitali’ : “presioni i heshtur i marrëdhënieve ekonomike”.
Nëse pëlqimi i punëtorëve, kur dhe aq sa ndodh, nuk është rezultat i indoktrinimit ideologjik, por i presionit të rrethanave, ideologjia mbetet gjithsesi e rëndësishme si instrument arsyetimi. Ajo u jep aktorëve mjetet subjektive për të përballuar dhe zbatuar strategjitë që u imponojnë strukturat. Por kjo ideologji duhet të ketë mbështetje dhe të konfirmohet nga përvojat reale të jetuara; përndryshe rrezikon të humbasë shpejt besueshmërinë dhe të lihet mënjanë.
Punëtorët, kështu, do t’i racionalizojnë presionet që ushtrohen mbi ta si diçka që i përket rendit të gjërave: është e rëndë, e urrejmë, por nuk mund ta ndryshojmë. Kjo nuk do të thotë se ata e shohin sistemin si një forcë të pavarur nga veprimi njerëzor; në fund të fundit, ata e përjetojnë atë çdo ditë në vendin e punës. Por barra e pamëshirshme e presionit ekonomik, pabarazia dërrmuese e pushtetit mes tyre dhe punëdhënësit, si edhe kostot tepër të larta të veprimit kolektiv, bashkëveprojnë për t’i bërë strukturat të duken të pandryshueshme.
Të kërkosh pëlqimin në vendin e duhur
E njëjta gjë vlen edhe për punëdhënësit. Në fund të fundit, edhe ata janë fort të kushtëzuar nga pozita e tyre. Për rrjedhojë, mund të pritet që ta perceptojnë rolin e tyre si shprehje të realiteteve të thella dhe të pandryshueshme të shoqërisë. Me një dallim: përveçse i konsiderojnë rregullat e kapitalizmit si ligje natyrore, kapitalistët do të jenë gjithashtu shumë më të prirur t’i shohin ato si legjitime dhe të dëshirueshme.
Kështu, dhe kjo është ndoshta ironia e gjithë kësaj, pëlqimi aktiv ndaj kapitalizmit është tipar jo i klasës punëtore, por i klasës dominuese. Problemi i teorisë kulturore nuk qëndron aq te fakti që ajo thekson rëndësinë e pëlqimit, sesa te fakti që nuk e kërkon atë në vendin e duhur.
Reagimi natyralizues i punëtorëve do të shprehet përmes një cinizmi ndaj sistemit, ndaj korrupsionit të tij e të ngjashme, si edhe përmes një prirjeje të përgjithshme drejt pesimizmit sa i përket ndryshimit shoqëror; nga ana tjetër, kapitalistët do të priren më shumë të përshtaten me kapitalizmin, por edhe ta festojnë përputhjen e tij me natyrën njerëzore, të paralajmërojnë kundër çdo vënieje në pikëpyetje të asaj që shpreh kaq besnikërisht aspiratat e thella të qenieve njerëzore, ta konsiderojnë suksesin e tyre si provë të drejtësisë së sistemit…
Ripërtëritja e institucioneve të klasës punëtore kërkon që të merret në konsideratë me saktësi realiteti i kufizimeve që peshojnë mbi punëtorët, në mënyrë që të hartohet një mënyrë e qëndrueshme për t’i kapërcyer ato; por kjo është vetëm hapi i parë. Mbetet ende detyra ndër më të vështirat: të bëhen për vete familjet e panumërta punëtore për këtë program, të mobilizohet energjia e tyre dhe të forcohen organizatat që mbrojnë interesat e tyre.
Në këtë kuptim, është një kontribut modest, por thelbësor, të ringjallet dhe të thellohet tradita e analizës politiko-ekonomike që militantët e dikurshëm të çështjes punëtore e shihnin si diçka të vetëkuptueshme, duke kujtuar se kapitalizmi është një sistem i mbështetur mbi një strukturë klasore; se kjo strukturë u imponon kufizime reale aktorëve shoqërorë; se këto kufizime janë realitete konkrete dhe jo ndërtime simbolike; dhe se baza e çdo kundërshtimi politik është të mbështeten objektivat politike mbi interesa politike.
Nëse është e sigurt se rilindja e lëvizjeve progresiste kalon përmes transmetimit të kësaj tradite analize, do të duhet gjithashtu që teoria shoqërore të gjejë mënyrën për t’u rikthyer mbi teprimet e “kthesës kulturore”.

