Nigel Farage po argëtohet mirë. ‘Reform nuk ka për qëllim të mbledhë të gjithë deputetët konservatorë që po dalin prej rruge!’ (The Telegraph, 17 janar 2026). Që nga zgjedhjet e përgjithshme të korrikut 2024, njëzet e tre deputetë ose ish-deputetë konservatorë janë bashkuar me radhët e kësaj force të djathtë radikale, e cila renditet e para në sondazhe. Të gjithë këta të ardhur – mes tyre Suella Braverman apo Nadhim Zahawi, ish-ministra të brendshëm dhe të ekonomisë – është dashur fillimisht ta pranojnë rolin e partisë së tyre të mëparshme në shkatërrimin e vendit.
Raporti i forcave po anon gjithnjë e më qartë në favor të Farage. Më në fund i zgjedhur në House of Commons, pas shtatë përpjekjesh nën ngjyrat e UK Independence Party (UKIP) dhe më pas të Brexit Party – që prej vitit 2021 mban emrin Reform UK –, kjo figurë e pazakontë ka ndryshuar si statusin, ashtu edhe stilin e tij. Janë zhdukur xhaketat prej tweed-i dhe e qeshura sarkastike; në vend të tyre kanë ardhur kostumet klasike dhe buzëqeshjet e përmbajtura. Por a mjafton kjo për të hyrë në 10 Downing Street (kryeministri)?
Fillimisht, synimi ishte ai i shpallur në konferencën e partisë në shtator 2025: zgjerimi i elektoratit. Në Birmingham, Farage u kërkoi zyrtarëve të tij të “marrin shembull nga Liberal Demokratët, të cilët kanë krijuar degë territoriale”. Kjo forcë ua ka mundësuar t’i vëjnë gjithë fuqitë në komuna të synuara. Në një sistem mazhoritar me një raund, kjo strategji rezultoi vendimtare për 72 centristë që fituan në 2024, ndërsa Reform, pavarësisht mbështetjes më të madhe në rang kombëtar, siguroi vetëm 5 mandate.
Në zgjedhjet e ardhshme nacionale, partia mund të mbështetet tashmë në 677 asambleistë komunalë dhe rajonalë të zgjedhur në maj 2025, që përfaqësojnë 42% të ulëseve të mundshme (një e katërta e tyre rinovohet çdo vit). Në të njëjtat zgjedhje, konservatorët humbën 676 mandate, edhe në zona tradicionalisht të favorshme.
Rënia po vazhdon: në korrik 2024, ata humbën 244 nga 365 vendet në House of Commons dhe morën vetëm 23,7% të votave, rezultati më i keq në historinë e tyre. Me 1,9% të votave në Gorton and Denton, në periferi të Manchester, ata thyen një rekord tjetër negativ. Sondazhet kombëtare tashmë ia parashohin vetëm 16% të votave.
A po ndodh një përmbysje e ngjashme me atë të pas Luftës së Parë botërore, kur laburistët zëvendësuan liberalët si rivalët kryesorë të konservatorëve? Këta të fundit po vuajnë pasojat e një dekade të gjatë kursimesh, skandalesh dhe premtimesh të pambajtura, sidomos për zbatimin e Brexit. Rritja e partisë së Farage lidhet me këtë zhgënjim.
Baza e saj sociale ka ngjashmëri me atë të së djathtës tradicionale shumë gjatë dominuese. Sipas Luke Tryl, drejtues i think tank-ut More in Common, votuesit e Reform janë “94% të bardhë dhe jetojnë në periferi ose qytete të vogla si votuesit konservatorë”. Siç tregon një shënim mbi përbërjen e partisë, dy të tretat e tyre janë pronarë shtëpish, sikurse konservatorët. Por një element sociologjik i ndan dukshëm: mbi 80% nuk e kanë ndjekur universitetin apo nuk kanë ndonjë përgatitje profesionale ose teknike. Dhe 26% nuk ia dalin ta përthekojnë muajin ekonomikisht ».
Sipas Tryl, dy faktorë kryesorë e përcaktojnë dinamikën e Farage brenda këtyre sektorëve të së djathtës : perceptimi se « partitë tradicionale kanë dëshmuar se janë të paafta »; qëndrimet e tij për emigracionin, me premtimin për të dëbuar 600.000 azilkërkue gjatë mandatit të tij. Në këtë fushë, konservatorët kanë humbur çdo formë kredibiliteti pas rritjes së migracionit në vitet pas hyrjes në fuqi të Brexit.
Sipas politologut Tim Bale, edhe liderja aktuale konservatore Kemi Badenoch përdor një gjuhë të ngjashme me Reform. Kështu ajo i legjitimonrivalët e saj dhe luan në fakt lojën e tyre.
Më 13 shtator, Stephen Yaxley-Lennon, më i njohur me emrin Tommy Robinson, bashkëthemelues i English Defence League, mblodhi nga 110.000 deri në 150.000 njerëz në qendër të Londrës kundër një kinse “vale migratore”. Ky tubim ishte sigurisht protesta më e madhe të ekstremit të djathtë në historinë e Britanisë së Madhe. Shfaqja e këtij radikalizmi pa kufizim i jep lëvizjes Reform një imazh të së moderuares.
Me 23 shkurt, gjatë prezentimin të planit të tij kundër migrantëve, vetë Farage e ka paraqitur lëvizjen e tij si të vetmen që mund ta ndalë “rritjen e një etnonacionalizmi të rrezikshëm”. Reform po tërheq edhe financime të mëdha si lëvizje e respektueshme dhe e besueshme. Në gusht, investitori në kriptovaluta Christopher Harborne i vendosur në Tajlandë dhuroi 9 milionë paund (10,4 millions euro), donacioni më i madh individual në historinë politike britanike, si dhe 3 milionë të tjera në dhjetor. Në fund të 2025, partia mori 5,4 millions euro. Kishte mbledhur më shumë fonde se Labour Party dhe konservatorët. (Respektivisht 1,9 dhe 2,4 million).
Mjaftueshëm për t’u përgatitur me qetësi për zgjedhjet lokale të majit 2026, dhe më pas për një triumf kombëtar? Por Farage e di që rruga drejt pushtetit mbetet e vështirë. Mediat po e vëzhgojnë nga afër Farage dhe ekipin e tij, ndërsa disa skandale dhe kalime nga kampi konservator kanë dëmtuar imazhin e partisë.
Marrja e pushtetit lokal do t’i detyrojë votuesit ta gjykojnë mbi rezultate konkrete. Dhe situata ndërkombëtare e ekspozon Farage më shumë ndaj kritikave, qoftë për admirimin e tij për Donald Trump – shumë pak i pëlqyer ngas britanikët – qoftë për mbështetjen e tij për Benjamin Netanyahu ose jostabiliteti i tij në çështjet gjeopolitike. Pasi fillimisht mbështeti agresionin e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, mungesa e popullaritetit të luftës në vendin e tij e shtyu përfundimisht ta denonconte atë.
Një fitore në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2029 nuk është e sigurt. Rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme e tregojnë këtë: kandidati i mbështetur nga Farage i cili ishte favoriti në sondazhet në zonën zgjedhore uellsiane të Caerphilly mori vetëm 36% të votave në tetor, ndërsa kandidati nga partia nacionaliste Plaid Cymru mori 47%. Në Gorton and Denton, fituan të Gjelbrit.
Për momentin, më shumë se zëvendësimi i Partisë Konservatore, ngritja e Reform UK konfirmon sidomos fragmentimin politik që ka përparuar prej dekadash. Në 1997, laburistët dhe konservatorët merrnin 73,8% të votave. Më 2024, vetëm 57,4%.

