Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Realiteti i ashpër i tregtisë së butë

Qershor, 2026

Pasi akuzoi pesë rafineri kineze se furnizoheshin me naftë iraniane, Departamenti Amerikan i Thesarit i shtoi ato, më 24 prill, në listën e pafund të kompanive të sanksionuara. Në pamje të parë, një veprim rutinë. Prej dekadash, Uashingtoni ka marrë përsipër të vendosë se kush mund të tregtojë me pjesën tjetër të botës. Nga frika se mos përjashtohen nga sistemi financiar ndërkombëtar, i dominuar nga dollari, shumica e shteteve dhe kompanive u janë nënshtruar këtyre diktateve.

Por kësaj radhe gjërat nuk shkuan sipas skenarit të zakonshëm. Pekini, i cili deri më tani ishte mjaftuar me protesta verbale dhe mënyra diskrete për t’i anashkaluar sanksionet, njoftoi se nuk do t’u nënshtrohej masave amerikane. Madje paralajmëroi se çdo kompani kineze që do t’i zbatonte ato do të ndiqej penalisht nga gjykatat kineze.

Vendimi u arsyetua me nevojën për të « mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat zhvillimore të vendit ». E thënë ndryshe: të mos lejohet që sanksionet amerikane të prishin flukset energjetike, të cilat janë bërë thelbësore për ekonominë kineze. Rafineritë e goditura furnizojnë disa vende me benzinë dhe karburant aviacioni. Vendosja e tyre në listën e zezë do të trondiste të gjithë zinxhirët e furnizimit të një kontinenti që funksionon si një fabrikë e vetme: hidrokarbure nga Gjiri, komponentë të prodhuar në Kinë ose Korenë e Jugut, montim në Vietnam apo Bangladesh…

Në këtë sistem të ndërlidhur, një ndërprerje e zgjatur e flukseve energjetike – tashmë të brishta për shkak të tensioneve rreth Ngushticës së Hormuzit – do të mjaftonte për të çrregulluar të gjithë aparatin prodhues. Përballë këtij rreziku, Pekini po e ashpërson tonin, aq më tepër që tashmë disponon instrumente që i lejojnë të zbusë ndikimin e sanksioneve financiare amerikane: sistemin ndërkufitar të pagesave, përdorimin gjithnjë e më të gjerë të juanit në tregtinë e naftës, marrëveshjet mes bankave qendrore, si edhe projektet për monedha dixhitale të ndërveprueshme. Në këto rrethana, edhe llogaritë strategjike të Kinës kanë ndryshuar: një përplasje me Shtetet e Bashkuara kushton tashmë më pak sesa një ndërprerje e zgjatur e flukseve tregtare.

Ky episod i jep një goditje të re një sistemi sanksionesh që përdoret gjithnjë e më shpesh, por që po rezulton gjithnjë e më pak efektiv. Ai mund t’i hapë rrugë strategjive më të sistematizuara për anashkalimin e tyre, të lehtësuara nga shfaqja e alternativave të mbështetura nga Kina. « Epoka kur Uashingtoni vendoste i vetëm se me kë mund të tregtonte bota dhe kur vendimet e tij zbatoheshin pa kundërshtim po i vjen fundi », shprehet, ndoshta me pak nxitim, një analist kritik ndaj Shteteve të Bashkuara (The Morning Star, 16 maj 2026). Mbetet për t’u parë se çfarë rendi ekonomik synon të ndërtojë e të konsolidojë vetë Kina.

Reagimi i Kinës ndaj Ligjit për Përshpejtimin Industrial, të prezantuar nga Brukseli në fillim të marsit, jep një ide të qartë për këtë qasje. I paraqitur nga Komisioni Evropian si një kundërpërgjigje ndaj deindustrializimit, ky plan synon ta kushtëzojë mbështetjen publike me kërkesa për përmbajtje vendore dhe transferim teknologjie, veçanërisht në sektorët e baterive, automjeteve elektrike dhe paneleve diellore. Pekini reagoi menjëherë, duke e cilësuar këtë politikë si një devijim « proteksionist », në kundërshtim me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). « Nëse Bashkimi Evropian e miraton këtë legjislacion dhe cenon interesat e kompanive kineze, Kina nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të marrë masa hakmarrëse », paralajmëroi qeveria kineze.

Megjithatë, këto instrumente janë të së njëjtës natyrë me ato që Kina ka përdorur prej dekadash për të ndërtuar fuqinë e saj industriale dhe që edhe Shtetet e Bashkuara po i zbatojnë me gjithnjë e më shumë vendosmëri gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Duke sfiduar hegjemoninë amerikane, Pekini mbron vazhdimësinë e një rendi të tregtisë së lirë, konturet e të cilit për një kohë të gjatë i ka përcaktuar vetë Uashingtoni. Në fund të fundit, ai përvetëson të njëjtën logjikë: në tregtinë botërore, rregullat peshojnë më pak sesa fuqia e atyre që i imponojnë.

Botime të tjera