Për breshkat gjigante dhe biodiversitetin detar, atoli Aldabra është një strehë natyrore. Pak milje larg këtij xhevahiri të shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO, në Ishullin Assumption, New Delhi ëndërronte të ngrinte një bazë ushtarake për t’iu kundërvënë Pekinit. Në vitin 2017, India madje kishte paraqitur një propozim në këtë drejtim. Por qeveria në Sejshelle vendosi në fund të ndërtonte aty një kompleks hotelier me gjashtë yje prej 51.000 metrash katrorë, me 37 vila, katër restorante (francez, japonez, organik dhe me shërbim të vazhdueshëm), duke kërkuar edhe zgjatjen e pistës së uljes për të mundësuar lidhje të drejtpërdrejta ajrore me pjesën tjetër të botës. Kush qëndron pas këtij projekti? Miliarderë siriano-kataras, të përfshirë edhe në disa projekte të ngjashme gjetkë. Nga Sejshelle në Shqipëri, duke kaluar përmes Egjiptit, z.Ramez dhe Moutaz Al-Khayyat po i shndërrojnë pikat nevralgjike të planetit në asete private.
Për ta kuptuar këtë gjeopolitikë, ku hoteleria shërben si kali i Trojës, duhet të ndalemi edhe pak te rasti i Oqeanit Indian. Ky rajon përqendron 40% të tregtisë detare botërore dhe 80% të eksporteve energjetike nga Gjiri Arabo-Persik drejt Azisë. Sot aty përplasen tre aktorë: Kina, India dhe, së fundmi, monarkitë e Gjirit. Që nga viti 2013, Pekini ka financuar porte në ujëra të thella në Pakistan (Gwadar), Sri Lanka (Hambantota) dhe Xhibuti, duke siguruar furnizimin e vet me hidrokarbure përmes strategjisë së njohur si « Vargu i Perlave ». Këto infrastruktura i kanë mundësuar Kinës të zgjerojë praninë e saj ushtarake, siç dëshmon baza detare në Xhibuti, funksionale që nga viti 2017. Kina po vendos gjithashtu sisteme mbikëqyrjeje dhe dronë për të kontrolluar rrugët detare. Për Pekinin, objektivi është i qartë: ta shndërrojë Oqeanin Indian në një « det kinez ».
Përballë këtij zgjerimi, India u kundërpërgjigj me doktrinën e saj të « Vargut të Diamanteve », një rrjet bazash detare dhe marrëveshjesh bashkëpunimi me Maldivet, Mauriciusin, Sejshelle dhe Sri Lankën. Projekti për ngritjen e një baze në Ishullin Assumption – që synonte mbikëqyrjen e rrugëve detare në perëndim të Oqeanit Indian – dështoi nën presionin e opozitës vendase dhe shqetësimeve për sovranitetin kombëtar. Por në mars 2026, Sejshelle rihapën më në fund një postë të rojës bregdetare në ishull… me mbështetjen e Indisë. New Delhi nuk mund të tolerojë që Pekini ta zgjerojë ndikimin e tij në atë që e konsideron mare nostrum-in e vet.
Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Arabia Saudite synojnë, nga ana e tyre, të diversifikojnë ekonomitë dhe ta zgjerojnë ndikimin përtej Lindjes së Mesme. Krahasuar me dy fuqitë rivale aziatike, ato gëzojnë një përparësi të rëndësishme. Fondet e tyre sovrane – Qatar Investment Authority (QIA), Mubadala dhe Public Investment Fund (PIF) i Arabisë Saudite – së bashku me rrjetet e tyre të biznesit, u mundësojnë të mobilizojnë shuma kolosale, në një kohë kur shtetet ishullore të Oqeanit Indian, ekonomia e të cilave varet në më shumë se 30% nga turizmi, kanë nevojë jetike për kapital të huaj.
Katari, në veçanti, dallohet për një strategji veçanërisht agresive. Që nga mesi i viteve 2010, ai e ka shndërruar hotelerinë luksoze në një instrument kyç të diplomacisë së vet ekonomike. Ndërsa Riadi mbështetet te investimet industriale dhe Abu Dabi te infrastruktura logjistike, Doha ka zgjedhur të investojë te turizmi luksoz. Në Oqeanin Indian, por jo vetëm.
Brenda një dekade, investitorët kataras kanë nisur disa megaprojekte, vlera e kombinuar e të cilave arrin në dhjetëra miliarda dollarë: resorti Atlantis The Royal në Maldive, në ishullin Vaaredhdhoo Faru (270 dhoma hoteli dhe 223 vila, 20 restorante, dy klube plazhi dhe një park ujor prej 70.000 metrash katrorë me 15 atraksione); komplekse luksoze që ndërthurin hotele të kategorisë së lartë, fusha golfi dhe marina në Alam Al-Roum, në bregdetin mesdhetar të Egjiptit…
Në Maldive dhe në Sejshelle, këto projekte synojnë të tërheqin një klientelë ndërkombëtare të pasur në ishuj të privatizuar pjesërisht ose tërësisht. Kjo qasje paraqet disa përparësi: investimet turistike zakonisht ngjallin më pak kundërshtime sesa ngritja e bazave ushtarake. Mbi të gjitha, partneritetet me zinxhirë ndërkombëtarë hotelesh (si Rosewood në Sejshelle apo Kerzner në Maldive) dhe koncesionet afatgjata krijojnë marrëdhënie varësie ekonomike dhe politike në dobi të Dohas dhe përfaqësuesve të saj.
Vëllezërit Al-Khayyat janë figurat kryesore të kësaj ofensive katarase. Me prejardhje nga një familje me ndikim në Damask, këta dy vëllezër kanë ndërtuar një konglomerat gjigant me veprimtari në ndërtim, pasuri të paluajtshme, industrinë agro-ushqimore dhe hotelerinë luksoze. Suksesi i perandorisë së tyre – që shtrihet nga Afrika në Azi, përmes Lindjes së Mesme e deri në Evropë – mbështetet në qasjen e privilegjuar që kanë në qarqet e pushtetit në Katar, falë nënës së tyre, znj.Sumaya Hamsho, e afërt me emirin Tamim bin Hamad Al Thani, si edhe në aftësinë e tyre për të ndërtuar skema të sofistikuara financiare të mbështetura mbi një rrjet të dendur kompanish offshore.
Metoda e tyre është e thjeshtë
Metoda e tyre është e thjeshtë: identifikojnë zona strategjike, shpesh të mbrojtura, dhe aty ndërtojnë komplekse hoteliere ultraluksoze. Në këtë mënyrë, marrin nën kontroll pika kyçe për mbikëqyrjen detare dhe kontrollin e rrugëve tregtare, duke e shtrirë ndikimin e tyre në rajone ku fuqitë e mëdha rivalizojnë për epërsi.
As fuqinë e parë botërore, Shtetet e Bashkuara, nuk e lënë pas dore. Vëllai i madh, Mohamad, thuhet se i kishte propozuar z.Trump, disa vite më parë, ndërtimin e një fushe golfi në Siri, pranë Latakias. Ky projekt, i paraqitur si simbol i rimëkëmbjes së vendit, synonte të siguronte heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Damaskut. Për vëllezërit Al-Khayyat, të cilët ndërkohë kishin siguruar kontrata fitimprurëse për rindërtimin e Sirisë (aeroportin e Damaskut, centralet elektrike dhe blerjen e rezidencave historike në qytetin e vjetër të kryeqytetit), heqja e sanksioneve do t’u hapte rrugën një fluksi masiv kapitalesh. Më 18 dhjetor të vitit të kaluar, z.Trump miratoi më në fund një ligj në këtë drejtim, vetëm disa javë pasi vëllezërit Al-Khayyat u kishin dhuruar disa ligjvënësve republikanë « gurthemelin » e projektit të fushës së golfit Trump, simbol i mundësive të ardhshme ekonomike amerikane në Siri.
Ky model veprimi nuk i ka shpëtuar as Ivanka Trump, vajzës së presidentit amerikan, e as Jared Kushner, dhëndrit dhe ish-këshilltarit të tij. Çifti është bashkuar në mënyrë diskrete me vëllezërit Al-Khayyat për të zhvilluar dy projekte kontroverse resortesh gjigante në Shqipëri: njërin në bregdetin e Zvërnecit, përballë lagunës Vjosa–Nartë, dhe tjetrin në ishullin përballë. Znj.Trump, sipas saj, u dashurua me Sazanin, të cilin e zbuloi gjatë një lundrimi me jaht. « Ne duam të ndihmojmë që potenciali i tij të vihet në pah dhe ta zhvillojmë », shpjegonte ajo më 31 maj për drejtuesin e podcast David Senra, « por me shumë përmbajtje dhe kujdes, sepse ky territor është jashtëzakonisht i bukur ».
Për një investim prej disa miliardë eurosh, aty parashikohet ndërtimi i një hoteli me 800 dhoma, restoranteve, qendrave spa, marinave, një fushe golfi dhe një kazinoje. Planet për Sazanin ende nuk janë bërë plotësisht publike, por ishulli përbën gjithashtu një pikë strategjike për kontrollin e hyrjes në Detin Adriatik dhe në Detin Jon. Ai strehon, ndër të tjera, ish-instalime ushtarake sovjetike, përfshirë 3.600 bunkerë antibërthamorë, 30 kilometra tunele dhe pika ankorimi për nëndetëse.
Korrupsion, klientelizëm dhe shantazh përmes borxhit
Përderisa fondi i investimeve private i z.Kushner, Affinity Partners, qëndron pas projektit në Sazan – duke pasur parasysh se ai financohet nga Qatar Investment Authority (QIA) dhe Public Investment Fund (PIF) i Arabisë Saudite – tokat janë siguruar përmes një skeme të ndërlikuar nga vëllezërit Al-Khayyat.
Projekti në bregdetin e Zvërnecit është edhe më pak transparent. Vëllezërit kanë ngritur një zinxhir kompanish guaskë që lidh Tiranën me Amsterdamin e më pas me Dohën, duke e bërë pothuajse të pamundur identifikimin e investitorëve të vërtetë. Kompania që ka marrë lejen e zhvillimit nga qeveria shqiptare quhet Zvërnec South Adriatic Development LLC, por përfituesit e saj përfundimtarë mbeten të panjohur për publikun. Tokat, ndërkaq, janë në pronësi të Albania Land Development, një shoqëri e kontrolluar nga vëllezërit Al-Khayyat.
Megjithatë, këtu lind një problem. Zona ku parashikohet ndërtimi i kompleksit hotelier në Zvërnec ishte e mbrojtur si pjesë e rrjetit evropian Natura 2000, derisa një ligj i miratuar në vitin 2023, me nismën e Kryeministrit z.Rama, e zbuti ndjeshëm kuadrin rregullator. Në pranverën e vitit 2026, gardhe rrethuan më shumë se një milion metra katrorë plazhe ku breza të tërë shqiptarësh janë rritur dhe kanë kaluar pushimet. Kundërshtimi u organizua dhe u shndërrua në një lëvizje popullore që sot mbledh çdo ditë dhjetëra mijëra njerëz në Tiranë. Që nga qershori 2026, ata marshojnë pas flamingove prej kartoni – « Revolucioni i flamingove rozë » – duke kërkuar dorëheqjen e z.Rama me thirrjen: « Shqipëria nuk është për shitje ». Më 2 korrik, policia u përgjigj me topa uji dhe gaz lotsjellës.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriu 127 milionë dollarë asete të Albania Land Development, të ardhura nga shitja e tokave, përpara se t’i zhbllokonte nën presion politik. Paralelisht, ndaj shitësit, z.Artur Shehu, po zhvillohet një hetim për trafik narkotikësh dhe pastrim parash. Megjithatë, në këtë fazë të procedurës, drejtësia nuk i atribuon kompanisë blerëse asnjë shkelje dhe nuk ka asnjë provë se investitorët kanë qenë në dijeni të këtyre fakteve.
Në Detin Adriatik, në Detin e Kuq dhe në Oqeanin Indian, kjo tablo të kujton metodat e kompanive tregtare evropiane të shekujve XVII dhe XVIII. Ashtu si kompanitë offshore të krijuara sot nga vëllezërit Al-Khayyat ose nga familja Trump, Kompania Britanike e Aventurierëve të Afrikës, Kompania e Francës së Re dhe Kompania Holandeze e Indive Lindore kërkonin të siguronin koncesione territoriale në këmbim të « mbrojtjes » ose « zhvillimit ».
A nuk kemi të bëjmë sot me një formë të re kolonializmi? Qoftë përmes shteteve (Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe), qoftë përmes aktorëve privatë, fuqi të huaja po përvetësojnë burimet dhe territoret e vendeve pritëse nëpërmjet korrupsionit, klientelizmit dhe borxhit. Në këtë sistem, shteti reduktohet në një elitë bashkëpunëtore të investitorëve të huaj. Pasuritë publike – ishuj, plazhe, pyje – privatizohen në dobi të një pakice të papërfillshme, ndërsa popullsitë vendase zhvendosen, ekosistemet shkatërrohen dhe sovraniteti braktiset.

