Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Revolucioni kubanez i detyruar t’i hapë rrugë sipërmarrjes së lirë

Më 13 korrik, Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi sanksione ndaj dhjetë kompanive dhe institucioneve shtetërore kubane, përfshirë Ministrinë e Turizmit. Uashingtoni vijon strategjinë e mbytjes ekonomike të ishullit. Të gjendura nën trysni, autoritetet në Havanë përpiqen të shmangin kolapsin. Basti i tyre? Një liberalizim i gjerë i ekonomisë dhe mbështetja për ngritjen e një borgjezie sipërmarrëse.

Gusht 2026

Në një Havanë të rraskapitur, një shtëpi ngjyrë bruzi, e restauruar rishtazi, bie në sy mes ndërtesave të lagjes Vedado. Dy pemë frutore i bëjnë hije oborrit. Një lëkundëse i jep gjallëri lëndinës artificiale. Xhamat e errësuar të fasadës sigurojnë njëfarë privatësie. E ulur në një karrocë me rrota, një grua shumë e moshuar flet me vete përballë derës së hyrjes. Ajo është një nga banoret e TaTamanía-s, shtëpisë së parë private të të moshuarve që hapi dyert në Kubë në pranverën e vitit 2026. Deri atëherë, revolucioni nuk i lejonte institucione të tilla. Por prej disa vitesh, institucionet publike të kujdesit ndodhen në një gjendje kritike për shkak të mungesës së burimeve.

Yadira Álvarez, ish-pediatre, dhe bashkëshorti i saj, informaticien, krijuan këtë NVM (ndërmarrje e vogël ose e mesme). Krijimi i këtyre ndërmarrjeve u autorizua nga shteti në vitin 2021 dhe, që prej asaj kohe, ato janë shtuar me mijëra. Pas pandemisë së Covid-19, Havana zgjodhi liberalizimin e ekonomisë me shpresën për të shmangur kolapsin, përballë efekteve të kombinuara të embargos amerikane, në fuqi që prej vitit 1962, politikës së « presionit maksimal » të ndjekur nga Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë – me 243 masa shtrënguese kundër ishullit –, krizës shëndetësore dhe reformës monetare që shkaktoi shpërthimin e inflacionit.

Ky kthim i parë i madh ndodh në një kohë kur lëvizja më e madhe e protestës kundër qeverisë, që nga revolucioni i vitit 1959, po trondit pushtetin, i cili u përgjigjet demonstruesve me represion të ashpër.

Që nga rikthimi i presidentit republikan në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025, Havana është më shumë se kurrë në shënjestrën e Uashingtonit. Donald Trump ka premtuar vazhdimisht se do ta « rimarrë » ishullin. Më 29 janar 2026, tri javë pasi kërkoi – dhe arriti – që autoritetet venezueliane, të cilat mbetën në pushtet pas rrëmbimit të presidentit Nicolás Maduro, të ndërprisnin të gjitha furnizimet me naftë drejt Kubës, ai deklaroi se vendi përbënte një « kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm (…) për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara ». Që atëherë, asnjë shtet nuk lejohet t’i shesë apo t’i furnizojë Kubës hidrokarbure, përndryshe rrezikon të përballet me tarifa doganore amerikane. Rrethimi ekonomik, tregtar dhe financiar po shtrëngohet gjithnjë e më shumë, ndërsa spektri i sanksioneve amerikane vazhdon të zgjerohet. Që nga 1 maji, ato kanë në shënjestër drejtuesit kubanë të akuzuar për « shkelje të rënda të të drejtave të njeriut », por edhe çdo qeveri, individ apo entitet që mban marrëdhënie biznesi me Havanën ose me kompanitë e saj. Pak ditë më vonë, më 20 maj, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti padi kundër Raúl Castros për « komplot me qëllim vrasjen e shtetasve amerikanë » në çështjen Hermanos al Rescate (« Vëllezërit e Shpëtimit »), e cila daton nga viti 1996.

Strategjia e Donald Trumpit synon të mbysë monopolin shtetëror për ta detyruar qeverinë kubane të lejojë zhvillimin e një sektori privat të udhëhequr nga logjika e fitimit. Kjo përbën një tronditje të thellë për një ekonomi që deri më tani ka qenë ndër më të shtetëzuarat në botë. Reforma agrare e vitit 1959, shtetëzimet masive të viteve 1960 dhe « ofensiva revolucionare » e vitit 1968 – gjatë së cilës autoritetet e Havanës shtetëzuan të gjitha bizneset e vogla, strukturat e fundit private të mbetura në ishull – e çuan Kubën drejt një centralizimi ekstrem dhe krijuan një burokraci të stërmadhe dhe paralizuese. Të marra së bashku, efektet e embargos, forcimi i sanksioneve që nga fundi i viteve 2010 dhe ky centralizëm e rëndojnë ndjeshëm jetën e popullsisë. Larg përplasjes së vazhdueshme mes qeverisë së tyre dhe fuqisë më të madhe në botë, kubanezët përpiqen t’i mbijetojnë krizës më të rëndë ekonomike dhe sociale që nga revolucioni. Çdo ditë përballen me ndërprerje të gjata të ujit dhe energjisë elektrike. Transporti publik është rralluar, sistemi shëndetësor po shembet, çmimet po rriten me shpejtësi, ndërsa kompanitë e huaja po largohen nga vendi nën presionin amerikan. Turizmi, një nga sektorët kyç të ekonomisë kombëtare, është pothuajse i paralizuar. Numri i vizitorëve ka rënë nga 4,2 milionë në vitin 2019 në më pak se 360 mijë gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Në këto rrethana, liberalizimi i ekonomisë shfaqet njëkohësisht si shpresa e fundit për të shmangur kolapsin ekonomik dhe si preludi i një epoke të re.

Si produkt i sistemit të centralizuar, holdingu Grupo de Administración Empresarial S.A. (Gaesa) është një nga entitetet e goditura nga sanksionet amerikane. Raúl Castro dhe Forcat e Armatosura Revolucionare (FAR) e themeluan atë në fillim të viteve 1990, gjatë « Periudhës Speciale në Kohë Paqeje », që pasoi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe fundin e Luftës së Ftohtë. Luis Alberto Rodríguez López-Calleja, ish-dhëndri i Raúl Castros, e drejtoi holdingun deri në vdekjen e tij, në vitin 2022. Sot, ai kontrollon dhjetëra kompani në sektorët e turizmit (Gaviota), financës (Rafin, Banco Financiero Internacional), tregtisë me pakicë (Cimex), import-eksportit, transfertave të parave, ndërtimit, peshkimit e shumë sektorëve të tjerë.

Një dollarizim i pjesshëm i ekonomisë?

Një pjesë e madhe e popullsisë e konsideron sot këtë konglomerat si krahun financiar të ushtrisë dhe të pushtetit. Ai kritikohet veçanërisht për ndërtimin dhe financimin e plotë të një numri të madh hotelesh luksoze – rreth pesëdhjetë që nga viti 2016, pothuajse të gjitha bosh sot për shkak të krizës ekonomike dhe sanksioneve amerikane – ndër to edhe Iberostar Selection, i njohur si Torre K (Kulla K). Përurimi në vitin 2025 i kësaj ndërtese gjigante prej xhami me dyzet e katër kate, e ngritur mes ndërtesave të rrënuara, ngjalli zemërim. Shumë banorë të Havanës nuk e kuptojnë se si u siguruan materialet e nevojshme për ndërtimin e këtij hoteli me pesë yje, pavarësisht embargos, e aq më pak arsyet e këtyre shpenzimeve. « Është një absurditet », thotë i revoltuar një banor i lagjes. « Është simboli i përbuzjes së udhëheqësve tanë, i ngulur në mes të qytetit. Dhe jemi të detyruar ta shohim çdo ditë, sepse duket pothuajse nga çdo cep i Havanës! » Në mars të këtij viti, autoritetet vendosën mbylljen e hotelit, i cili, megjithëse pa turistë, vazhdonte të ndriçohej çdo mbrëmje, ndërsa qyteti vuante nga ndërprerjet e energjisë elektrike.

Nga ana e saj, qeveria e mbrojti holdingun në faqet e Granma-s më 2 qershor: « Gaesa nuk ka asgjë të fshehtë; nuk u krijua nga elitat dhe aq më pak si një projekt për pasurimin e një pakice ». Në të njëjtën deklaratë thuhej se fitimet ishin riinvestuar « në termocentralin Lidio Ramón Pérez », në provincën Holguín, si edhe « në punimet e rinovimit të poliklinikave, qendrave të mjekësisë familjare dhe shkollave ».

A po mbështeten presidenti amerikan dhe sekretari i tij i Shtetit, Marco Rubio, te « revoltat e urisë » për ta çuar pushtetin kuban në një rrugë pa dalje, madje për të shkaktuar rrëzimin e tij? I gjendur në një ngërç dhe përballë përshkallëzimit të kërcënimeve për ndërhyrje nga Uashingtoni, regjimi në Havanë miratoi në qershor 176 masa për « transformime ekonomike dhe shoqërore ». Ky plan përbën një revolucion të vërtetë kopernikan. Në tregti, shërbime, bujqësi, prodhim, energji e sektorë të tjerë, ai shënon rikthimin e kapitalizmit. Ndër masat e paraqitura nga kryeministri Manuel Marrero Cruz janë lejimi i pjesëmarrjes së kapitalit të huaj në sektorin tregtar, krijimi i bankave dhe institucioneve private të kreditit, si edhe hapja e llogarive në valutë të huaj për individët. Qeveria synon gjithashtu një dollarizim të pjesshëm të ekonomisë dhe hapjen e rrugës për shndërrimin e ndërmarrjeve publike në shoqëri tregtare.

Shteti po ripërcakton rolin dhe funksionet e tij, duke hequr dorë nga monopoli në sektorin energjetik në favor të investitorëve privatë. Liberalizohet tregtia e jashtme, ashtu si edhe përcaktimi i çmimeve të produkteve bujqësore. Libreta – libreza e furnizimit që për dekada u garantonte të gjithë kubanezëve akses në ushqime me çmime shumë të ulëta – pritet të zhduket në formën e saj aktuale, me synimin që solidariteti kombëtar të orientohet drejt «personave në nevojë», sipas fjalëve të presidentit Miguel Díaz-Canel para Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kubës më 18 qershor.

Nën presionin e pandërprerë të Uashingtonit, i cili i konsideron këto reforma « sipërfaqësore », Kuba po kalon një periudhë vendimtare. Ndërkohë, NVM-të po marrin hov të ri. Tashmë ato do të mund të punësojnë më shumë se njëqind persona dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre pa kufizime. Pronarët e tyre do të lejohen gjithashtu të zotërojnë disa ndërmarrje njëkohësisht.

Ky është një lajm i mirë për themeluesit e TaTamanía-s. Institucioni ofron akomodim të përhershëm, por edhe kujdes ditor për të moshuarit. Për kujdesin ndaj një të afërmi, familjet paguajnë nga 1000 deri në 1200 dollarë në muaj, ndërkohë që paga mesatare mujore në Kubë është rreth 15 dollarë. Yadira Álvarez shpjegon: « Tregu ynë nuk janë kubanezët që jetojnë në Kubë, por ata që kanë emigruar dhe kanë lënë këtu një të afërm ». Ajo zbulon edhe ambiciet e saj: « Kemi hapur një degë në Republikën Domenikane dhe synojmë të shtrihemi në të gjithë Amerikën Latine, të zgjerojmë tregun dhe të bëhemi liderë të kujdesit për të moshuarit në kontinent ».

Vetëm pak vite më parë, askush nuk do të kishte folur në këtë mënyrë në Kubë. Masat e liberalizimit të miratuara në vitin 2021 kishin sjellë tashmë në skenë një klasë të re sipërmarrësish, kultura e së cilës po përhapet gradualisht në qytetet e mëdha, ndërkohë që pabarazitë, tashmë të dukshme në jetën e përditshme, po thellohen. NVM-të ndodhen në qendër të këtij transformimi. Rreth dhjetë mijë ndërmarrje të tilla janë sot aktive dhe punësojnë afro 900 mijë persona, nga rreth 4 milionë punëtorë që numëron vendi.

Në mbarë Kubën, mijëra oborre janë shndërruar në dyqane të vogla. « Më parë u jepja me qira dhoma turistëve. Prej vitesh kanë mbetur bosh, prandaj hapa këtë dyqan të vogël ushqimor poshtë apartamentit tim », tregon një banore e Vedados. Restorante, punishte për riparimin e telefonave, prodhimin e mobilieve, ndërtim, dyqane të produkteve të pastrimit dhe pajisjeve kompjuterike: bizneset e vogla po shumohen me shpejtësi. Kanë lindur gjithashtu edhe shumë aplikacione për shpërndarjen e ushqimit. Ndërsa La Nave, ekuivalenti kubanez i Uber-it, funksionon sipas të njëjtit model.

Po shfaqen edhe embrione të kompanive financiare, sidomos në fushën e pagesave elektronike, me ambicien për t’u « dhënë kubanezëve liri financiare », siç na shpjegon themeluesi i njërës prej tyre. Një sipërmarrës tjetër thotë se synon të krijojë « Amazonin kubanez », një platformë ku do të përqendrohen shitjet e NVM-ve.

E drejta për të importuar, e njohur që nga viti 2021 – ndërkohë që më parë këtë të drejtë e kishte vetëm shteti – përbën një levë të rëndësishme për zhvillimin e sektorit privat. Mario, drejtues i një NVM-je të specializuar në furnizimin me pajisje bujqësore, viziton një nga klientët e tij në provincën Artemisa, në perëndim të Havanës. Në një parcelë prej tre hektarësh, disa fermerë janë mbledhur rreth një traktori të vogël të kuq, të blerë së fundmi dhe të pajisur me një rimorkio.

« Problemi është se nuk kemi gjithmonë naftë »

« Pra, a punon mirë? », pyet Mario.

« Po. Është jashtëzakonisht praktik. Për tridhjetë minuta bëj atë që më parë e bëja me qe për gjysmë dite», përgjigjet njëri prej fermerëve.

Traktori shërben për pastrimin e shkurreve, gërmimin, lërimin, spërkatjen e kulturave bujqësore dhe transportimin e të korrave.

« Na ndihmon në çdo fazë të punës sonë. Është i mrekullueshëm. Problemi është se nuk kemi gjithmonë naftë », thotë ai, me një buzëqeshje që fsheh dëshpërimin.

Mario e themeloi kompaninë e tij në vitin 2024. « Ne importojmë gjithçka nga Kina. Bujqësia ka potencial të jashtëzakonshëm në vendin tonë. Kuba duhet të kalojë drejt një prodhimi agroindustrial. Ky është synimi i kompanisë sonë ». Në telefon ai shfleton me krenari fotografi dhe video të hangarëve gjigantë në Kinë, ku rreshta të tërë makinerish bujqësore presin të nisen drejt Kubës. Kjo mund të ketë ndikim të rëndësishëm në prodhimin ushqimor të vendit, i cili është rrënuar pas dekadash rënieje: vetëm nëntë mijë ton mish derri u prodhuan në vitin 2024 — një sasi krejtësisht e pamjaftueshme për një vend me njëmbëdhjetë milionë banorë. Po atë vit, prodhimi i orizit arriti vetëm 30 % të nivelit të vitit 2018.

Tashmë, fermerët e pavarur, kooperativat dhe NVM-të lejohen t’i tregtojnë drejtpërdrejt produktet e tyre. Deri tani, ata ishin të detyruar t’ia shisnin shtetit, i cili merrej me shpërndarjen përmes ndërmarrjes Acopio. Vetëm një pjesë e vogël e tepricave mund t’u shitej drejtpërdrejt konsumatorëve vendas.

Në këto toka kultivohen fasule, kunguj, misër, maniok, banane dhe mango nën serra të gjata me mbulesë të zezë. Pasi ushqejnë rreth njëzet derrat e fermës dhe kontrollojnë rezervuarët e ujit, fermerët ndalen për të pushuar pak në hije.

« Tani do të mund t’u shesim tregjeve dhe hoteleve. Sikur ta kishim pasur këtë mundësi më herët, uria nuk do të ishte kaq e përhapur në këtë vend », thotë me zë të ulët Rolando.

Pasi kolegët e tij largohen, ai shton:

« Sistemi i mëparshëm e frenonte prodhimin. Acopio vinte e merrte të korrat. Shumë produkte kalbeshin nëpër magazina. Shtetit i mungonte karburanti për shkak të bllokadës, por kishte edhe mungesë interesi dhe vullneti nga ana e administratës. U investua shumë në turizëm dhe shumë pak në bujqësi. Ndërmarrjet private paguajnë më mirë dhe kanë shumë më pak burokraci ».

Kapaciteti prodhues mbetet ende i kufizuar, por rregullat e reja u japin fermerëve më shumë hapësirë për të prodhuar dhe investuar. Për sipërmarrësit privatë, sfida tani është ta shndërrojnë këtë hapje në përfitime të qëndrueshme dhe të dëshmojnë se janë në gjendje t’i sigurojnë vendit sigurinë ushqimore.

Profilet e pronarëve të NVM-ve janë shumë të ndryshme.

Pablo parkon SUV-in e tij Toyota, të importuar së fundmi nga Panamaja. Ulemi në tarracën e hotelit Roc Presidente, në Havanë. Në vitin 2021, ai themeloi një kompani për riparimin e automjeteve, e cila sot punëson rreth njëzet vetë. Para epokës së NVM-ve, filtrat, vajrat, gomat dhe pjesët e këmbimit ishin pothuajse të pamundura për t’u gjetur. Pablo sot siguron të ardhura të konsiderueshme.

Teksa pimë kafen, kalon një lypëse me foshnjën në krahë. Ajo zgjat dorën duke kërkuar para. Sipërmarrësi nxjerr nga xhepi një kartëmonedhë prej 1000 pesosh (rreth 1,70 euro në atë kohë) dhe ia jep. Ulet sërish dhe psherëtin.

« E sheh? Unë po kërkoj dikë që të kujdeset për nënën time të sëmurë. Do të paguaja pa problem 1200 pesos në ditë. Por nuk gjej askënd. Një grua si kjo lypëse mund ta bënte këtë punë! ».

Pastaj vazhdon:

« Ka gjëra që më tronditin te njerëzit me paga të ulëta. Shumë të rinj të fortë nuk duan të punojnë, për shembull në ndërtim. Nëse nuk ke studiuar, duhet ta pranosh një punë të tillë. Në vend që të ankohen, të gjithë duhet të jenë të gatshëm të bëjnë çdo lloj pune ».

Ai është mishërimi i kulturës së re sipërmarrëse. « Kur punonjësit e mi kthehen në shtëpi, unë vazhdoj t’u përgjigjem mesazheve. Ne sipërmarrësit flemë vetëm pesë ose gjashtë orë në natë. Vitin e kaluar pata vetëm dy ditë pushime ».

Si e sheh të ardhmen?

« Kam qenë në Kinë. Atje Uber-i mbërrin vetëm një minutë pasi e porosit! Dyqanet janë të hapura gjithë natën. Këtu sheh njerëz që enden rrugëve që nga ora dy ose tre e pasdites. Në Kinë pashë Kubën që ëndërroj ».

Për një kohë të gjatë, dëshira për të penguar pasurimin e një pakice dhe për të garantuar barazinë shërbeu si justifikim për ndalimin e nismës private në Kubë. Por lejimi i saj është shoqëruar, në praktikë, me një thellim të dukshëm të pabarazive shoqërore gjatë viteve të fundit. Ndërsa fëmijët lypin në rrugë – një dukuri e shfaqur vetëm së fundmi –, male mbeturinash grumbullohen nëpër rrugët e Havanës, ndërsa përdorimi i drogës dhe prostitucioni po përhapen. Pabarazitë të bien menjëherë në sy.

Ndërsa dielli perëndon, një Tesla e bardhë rrëshqet në heshtje përgjatë bulevardit Línea, në Vedado. Në cep të një rruge është parkuar një Porsche Panamera. Pak më tej, janë hapur disa restorante ku shërbehen mish i importuar nga Shtetet e Bashkuara, peshk, verë dhe akullore. Kontrasti me restorantet shtetërore, të cilave u mungon gjithçka, është i fortë. Një vakt i plotë kushton nga 10 deri në 20 euro. Janë hapur gjithashtu shumë dyqane ushqimore; në disa prej tyre një kavanoz reçeli kushton 9,50 euro, një shishe vaj ulliri 13 euro, një shishe verë 30 euro, një pako makarona 3 euro dhe një kilogram parmixhano 40 euro.

Shumë nga sipërmarrësit që kanë ngritur bizneset më fitimprurëse kanë marrë, ose vazhdojnë të marrin, financime nga jashtë. Duke mbajtur llogaritë bankare të kompanive të tyre në Spanjë, Meksikë apo vende të tjera, disa prej atyre që kishin jetuar jashtë janë kthyer në Kubë për të shfrytëzuar mundësitë e reja dhe për të shijuar jetën.

Në periferi të Havanës, një shteg të çon drejt një prone me sipërfaqe disa hektarësh, buzë një liqeni të qetë. Në livadh, nën hijen e palmave, kamariere mirëpresin klientët në një bar-restorant luksoz. Një vakt kushton 40 euro, ndërsa një natë në një bungalow me pishinë private rreth 400 euro, çmim që përfshin edhe aktivitete si kajaku, kalërimi dhe masazhet.

El Patrón, biznesi i themeluar nga Roberto Carlos Chamizo González, nuk gëzon të njëjtin vlerësim nga të gjithë banorët e zonës. « Ky vend… është i turpshëm», thonë të revoltuar disa fermerë të takuar rrugës. Një nga nipërit e Fidel Castros e frekuenton shpesh vendin. Sandro Castro, i cili ka publikuar edhe fotografi të tij aty në rrjetet sociale, është gjithashtu pronar i një NVM-je. Në vitin 2019 ai hapi Bar EFE në Vedado. Në El Patrón haset edhe Dioniso Arranz, një sipërmarrës i njohur në sektorin e luksit në Havanë dhe djali i një ish-drejtuesi të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme. Ndërkohë, Chamizo González publikon në Instagram fotografi personale të realizuara në avionë privatë, restorante luksoze, në Dubai apo gjatë pushimeve në Itali. I konsideruar shumë pranë pushtetit, ai hapi restorantin e tij privat, Mia Culpa, në hotelin Iberostar Packard, pronë e Gaesa-s.

Rrjetet sociale nxjerrin në pah edhe sipërmarrës të tjerë, pronarë NVM-sh, që vijnë nga rrethet e pushtetit. Njëri prej tyre është Ángel David Fernández del Valle, nipi i gjeneralit Sergio del Valle Jiménez, bashkëpunëtor i ngushtë ushtarak i Fidel Castros. Kompania e tij, Sil26, shpërndan në Kubë produkte të Supermercado 23, një prej platformave më të mëdha të shitjeve online, e regjistruar në Florida, mallrat e së cilës blihen në Shtetet e Bashkuara dhe më pas dërgohen në ishull për ata që kanë mundësi t’i përballojnë. Një tjetër kompani e shpërndarjes, Gaia, drejtohet nga Lisa Titolo Castro, mbesa e Raúl Castros.

Zgjerimi i ekonomisë së tregut në Kubë nuk është shoqëruar me asnjë hapje politike. Kritikat ndaj orientimit të Partisë Komuniste vazhdojnë të mos tolerohen. Arrestimet e përsëritura ushqejnë një klimë frike. As opozita e majtë, ende në embrion, nuk i shpëton represionit.

Historiani Alexander Hall Lujardo, i cili e konsideron veten marksist, shpreh rezervat e tij ndaj reformave të fundit: « Ardhja e NVM-ve është edhe bekim, edhe mallkim. Pa to, sot në Kubë nuk do të kishte ushqim. Por, njëkohësisht, borgjezia tregtare që po formohet do të përfundojë duke vënë interesat e veta mbi gjithçka tjetër ». Ai, nga ana e tij, mbron një alternativë të mbështetur te kooperativat, të cilat i konsideron të pajtueshme me një perspektivë socialiste.

Historiani nuk lejohet të largohet nga vendi. Sigurimi i Shtetit i ka kërkuar të nënshkruajë një deklaratë vetëinkriminuese të regjistruar me video – ku do të pranonte fakte që mund të përdoreshin më pas kundër tij – si edhe të heqë dorë publikisht nga çdo bashkëpunim me mediat, në këmbim të së drejtës për të udhëtuar. Ai refuzoi. « A është vallë më e lehtë të ulesh e të bisedosh me armikun historik të revolucionit sesa me vetë qytetarët ? »

Raymar Aguado përfaqëson një brez të ri kundërshtarësh të majtë në Kubë. Janë intelektualë të formuar në universitetet e ishullit, që mbajnë qëndrime anti-imperialiste dhe marksiste, por njëkohësisht kritikojnë pushtetin dhe kërkojnë mbylljen e epokës kastriste. Autor i një numri të madh shkrimesh, Aguado i boton tekstet e tij, nën mbikëqyrje të vazhdueshme, në disa media online. « Shumica e sipërmarrësve këtu duan të pasurohen. Hapja e ekonomisë ndaj sektorit privat nuk shoqërohet me asnjë politikë që të forcojë rolin e sindikatave ose pjesëmarrjen e organizuar të shtresave popullore në procesin e prodhimit », analizon ai. « Ne nuk kemi as liri të organizimit, as liri tubimi dhe as liri të shprehjes ».

Pasiguria ndihet kudo. Në tarracën e një kafeneje në lagjen Centro Habana, dy miq bisedojnë. Pyesin veten nëse duhet të qëndrojnë apo të largohen nga Kuba. « Çfarë do të bëhet me këtë vend? », pyet i pari. « Nuk e di se ku po shkojmë, vëlla. Unë besoj se ata lart do të gjejnë një mënyrë për t’i kthyer gjërat në favor të tyre ».

Shumë kubanezë kanë pritur prej kohësh të drejtën për nismë ekonomike private. Por, si në shumë vende që kanë kaluar nga një ekonomi e centralizuar në një model kapitalist, edhe në Kubë po shfaqen shenjat e para të formimit të një oligarkie vendase, e përbërë nga elitat aktuale të pushtetit. Çdo ditë, të njëjtat pyetje dominojnë bisedat: Çfarë do të ndodhë nesër? A do të shpërthejë një revoltë shoqërore? A do të ndërhyjnë Shtetet e Bashkuara? A do të zbatohen vërtet masat e liberalizimit, apo burokracia do t’i bllokojë ato? Mos vallë është tepër vonë? A nuk duhej të ishin ndërmarrë këto reforma tridhjetë vjet më parë? A do të mbijetojë sistemi shoqëror i ndërtuar mbi arsimin dhe shëndetësinë falas, apo po asistojmë në fundin e modelit kubanez të lindur nga revolucioni?

Botime të tjera