Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Ballkani në shënjestër të përvetësimit

Tetor, 2026

I magjepsur nga malet e përshkuara nga përrenjtë, fushat pjellore dhe mikpritja e banorëve gjatë udhëtimit të tij në jug të Shqipërisë në vitin 1809, Lord Bajroni lëvdoi një natyrë edhe më të bukur « në format e saj të egra », ku « asgjë njerëzore nuk guxon t’ia ndotë strehët ». Duke udhëtuar me kalë, ai mbërriti në Tepelenë, në brigjet e Vjosës, ku Ali Pasha, një guvernator që sfidonte autoritetin osman, i rezervoi një pritje madhështore.

Dy shekuj më vonë, në korrik 2021, znj.Ivanka Trump (vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara) dhe bashkëshorti i saj, z.Jared Kushner, zbuluan nga ana e tyre rajonin, duke zbarkuar në ishullin e Sazanit nga jahti i mikut të tyre, financierit britanik Nathaniel Rothschild. Ky ishull me rëndësi strategjike, i vendosur në hyrje të Adriatikut dhe të Gjirit të Vlorës, dikur një post pararojë osman dhe venecian, mundëson kontrollin e Ngushticës së Otrantos. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, aty u vendosën forca italiane dhe gjermane, ndërsa më pas ishulli strehoi nëndetëse sovjetike deri në vitin 1961, kur u ndërprenë marrëdhëniet me regjimin komunist të Enver Hoxhës (në pushtet nga viti 1944 deri në vdekjen e tij më 1985). Pas kësaj, regjimi e mbushi ishullin me fortifikime të vogla betoni.

Në anën tjetër të gjirit shtrihet zona e mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila përfshin lagunën, vijën bregdetare dhe grykëderdhjen e Vjosës, një prej lumenjve të fundit të egër të Evropës, i shpallur park kombëtar në vitin 2023. Të vendosura në një rrugë të rëndësishme migrimi mes Afrikës dhe Evropës, këto pellgje ujore, duna, pyje me pisha dhe plazhe strehojnë rreth 250 lloje shpendësh, ndër të cilët flamingot rozë dhe pelikanët.

Gjatë kthimit drejt Korfuzit, kryeministri shqiptar, z.Edi Rama, iu bashkua në bord këtyre vizitorëve të shquar dhe u foli për zhvillimin e Shqipërisë, të cilin synon ta mbështesë te turizmi. Znj.Trump nuhati një mundësi fitimprurëse: ndërtimin e komplekseve luksoze me plazhe private në ishull dhe përgjatë bregdetit. Një vit më vonë, z.Kushner eksploroi më tej rajonin e Vlorës, ku po ndërtohej një aeroport i ri. Ai u takua sërish me z.Rama në Davos dhe i propozoi të investonte në Shqipëri. Z.Rama nisi menjëherë përpjekjet për të hequr pengesat ligjore.

« Ishte sezoni i folezimit. Po monitoronim shpendët folezues kur një kolege na njoftoi për praninë e makinerive në atë zonë », tregon z.Joni Vorpsi, ornitolog pranë Shoqatës për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri. Më 6 maj, në prani të përfaqësuesve të rrjetit BirdLife International, ai zbuloi një kantier ku punimet kishin përparuar tashmë: dunat ishin çarë, pemët ishin prerë, ishte hapur një rrugë dhe ishte ndryshuar kanali që lidh lagunën me detin. « Në një zonë të mbrojtur, pa leje mjedisore, kjo përbën një shkelje të rëndë: i gjithë ekosistemi është i kërcënuar », denoncon z.Olsi Nika, drejtor i Qendrës për Mbrojtjen e Ekosistemeve në Shqipëri, EcoAlbania. Më 16 maj, rreth treqind banorë dhe aktivistë u mobilizuan në vend.

Nëntë fshatrat përreth jetojnë nga peshkimi, bujqësia dhe turizmi veror. Banorët e tyre nuk pranojnë të bëhen shërbëtorë të klientëve të pasur të hoteleve të ndërtuara në këto vende të veçanta. Kur gardhet bllokojnë qasjen në toka dhe plazhe, disa përpiqen të shkulin rrjetat metalike. Rojet e sigurisë godasin një protestues dhe e tërheqin zvarrë përtokë, para syve të policisë. Kryeministri Rama zbulon më pas se ky projekt është i lidhur me familjen Trump. Por, në vend që t’i zbusë kritikat, ky mbiemër e ndez edhe më shumë zemërimin.

« Ai ndoshta mendonte se, në një vend shumë proamerikan, njerëzit do të hezitonin ta kundërshtonin projektin. Por ndodhi e kundërta », vëren Ola Xama, gazetare e MCN TV, një televizion privat në Tiranë. Emërtuar « Revolucioni i flamingove rozë », kjo kryengritje mbledh disa qindra mijëra njerëz në rrugët e kryeqytetit, përpara se të përhapet edhe në diasporë, nga Shtetet e Bashkuara deri në Australi.

Enklava luksoze

Me malet, ullishtat dhe plazhet e egra të Adriatikut, si dhe me gjurmët e periudhave romake, bizantine dhe osmane, Shqipëria deri më tani ka tërhequr kryesisht turistë aventurierë, larg atyre që kërkojnë rehati, të veçuar në enklava luksoze. « Pavarësisht mungesës së infrastrukturës, ndonjëherë edhe të rrugëve, banorët vendas kanë zhvilluar një turizëm të mbështetur te mikpritja, produktet bujqësore dhe traditat. Komplekset e mëdha luksoze e kërcënojnë këtë ekonomi të brishtë », thekson Doriana Musaj, arkitekte dhe urbaniste.

Projekti i çiftit Kushner mbështetet në ligjin e vitit 2015 për investimet strategjike, i cili lejon procedura të përshpejtuara, qasje të privilegjuar në tokat publike dhe përjashtime nga taksat. Shteti financon ndërtimin e rrugëve, furnizimin me ujë, kanalizimet dhe infrastrukturën elektrike. Investitorët privatë i rikuperojnë kostot e punimeve përmes shitjes paraprake të apartamenteve ose vilave. Afërsia me pushtetin lehtëson përparimin e procedurave.

Në Durrës, për shembull, kompania Eagle Hills, e drejtuar nga zhvilluesi imobiliar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohamed Alabbar, po shndërron një pjesë të portit në një marinë dhe kompleks banimi, hotelerie e tregtie. Grupi zotëron 67% të projektit, kundrejt 33% që i takojnë shtetit, i cili vë në dispozicion tokën dhe ofron lehtësime tatimore. I kundërshtuar më parë në Mal të Zi, z.Alabbar po përballet tashmë me kundërshtime edhe në Shqipëri, ku ndërtesat e para janë fundosur në rërë deri në 28 centimetra në disa vende. Por ajo që po ndodh në Durrës është vetëm një pjesë e një politike të përvetësimit të hapësirave më të lakmuara nga investitorë të afërt me pushtetin. Një investigim i përbashkët gazetaresk ka identifikuar, gjatë një periudhe dhjetëvjeçare, 252 vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit, të kryesuar nga z.Rama, që përfshijnë gjithsej 11,27 milionë metra katrorë tokë dhe 5,49 milionë metra katrorë sipërfaqe të përgjithshme të kateve të ndërtesave, pra gati një herë e gjysmë më shumë se sipërfaqja e zyrave në lagjen La Défense, pranë Parisit.

Në qershor 2026, pas protestave, Parlamenti Evropian, në raportin e tij për Shqipërinë, kërkoi një moratorium për të gjitha punimet e reja ndërtimore dhe rikujtoi, duke përmendur Vjosë-Nartën, se respektimi i standardeve mjedisore përbën kusht për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ku Shqipëria synon të anëtarësohet. Megjithatë, vetëm disa ditë më parë, z.Rama kishte deklaruar se projekti « nuk do të anulohej për sa kohë që [ai do të ishte] kryeministër ». Sot, ai përpiqet mbi të gjitha të fitojë kohë, duke u thirrur në respektimin e fjalës së dhënë.

Pas projektit Vjosë-Nartë fshihet një skemë financiare e errët. Duke filluar nga viti 2021, South Adriatic Development, e kontrolluar në atë kohë nga biznesmeni shqiptar Redi Struga, bleu rreth 1,2 milionë metra katrorë tokë, një pjesë e së cilës ndodhet brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë. Kufijtë dhe regjimi i mbrojtjes së kësaj zone u ndryshuan nga qeveria. Tokat dhe lejet e ndërtimit u shpërndanë më pas ndërmjet disa kompanive që janë pjesë e Sazan Real Estate Development (SRED). Me seli në Katar, kjo kompani kontrollohet në masën 70% nga vëllezërit Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat. Përfituesit përfundimtarë të 30% të mbetur, të zotëruar përmes kompanive në Luksemburg dhe në shtetin amerikan të Delauerit (Delaware), mbeten të panjohur.

Prokuroria Speciale heton në këtë periudhë koncesionin e aeroportit të Vlorës, punimet e të cilit nisën në nëntor 2021, brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, përpara se ajo të humbiste statusin e mbrojtjes në vitin 2022. Punimet vazhduan pavarësisht kundërshtimeve evropiane, ndërkohë që një mosmarrëveshje përfshin koncesionarët, z.Behgjet Pacolli, ish-president i Kosovës (nga 22 shkurti deri më 1 prill 2011), dhe z.Valon Ademi, ish-konsull nderi i Shqipërisë në Kosovë.

Ky rast, si shumë të tjerë, nxjerr në pah kaosin në çështjet e pronësisë. E shfuqizuar gjatë regjimit të Enver Hoxhës, prona private i është nënshtruar që nga viti 1993 një procesi ende të papërfunduar të kthimit të pronave, të minuar nga korrupsioni dhe ekzistenca e dokumenteve të pronësisë që bien ndesh me njëra-tjetrën. Reforma në drejtësi, e nisur në vitin 2016, largoi më shumë se gjysmën e magjistratëve që iu nënshtruan verifikimit, për shkak të pasurisë së pajustifikuar ose lidhjeve me krimin e organizuar. Megjithatë, mosplotësimi i vendeve të mbetura bosh si pasojë e luftës kundër korrupsionit ka paralizuar gjykatat, të cilat nuk arrijnë të trajtojnë të gjitha mosmarrëveshjet pronësore.

Në fund të majit, ndërsa zemërimi i shqiptarëve po shfaqej gjithnjë e më shumë në rrugë, vajza e z.Donald Trump deklaronte ende se po punonte me « disa nga arkitektët më të mëdhenj të kohës sonë » për zhvillimin e Sazanit, projekt që e cilësonte si « kulminacionin e gjithë përvojës [së saj] në fushën e pasurive të paluajtshme ». Por, ndërsa polemikat u intensifikuan, Affinity Partners, fondi i z.Kushner, u distancua nga projekti, duke deklaruar se investitorët e lidhur me të vepronin « në cilësi personale ».

Para ardhjes së çiftit Trump-Kushner, mobilizimet kundër përvetësimit të bregdetit shpërfilleshin në masë të madhe nga mediat, pronarët kryesorë të të cilave kanë edhe vetë interesa në sektorët e ndërtimit dhe turizmit. Sot, në vendin ku u rrëzua statuja e Enver Hoxhës në vitin 1991, protestuesit brohorasin me radhë: «  Rama në burg, Berisha [ish-president dhe ish-kryeministër, Partia Demokratike] në burg», « Shqipëria nuk është në shitje ».

« Ky mobilizim shpreh tridhjetë e pesë vjet zemërim. Demokracia dhe liberalizmi i premtuar duhej ta përmirësonin jetën; shqiptarët zbuluan një sistem nga i cili ndihen të përjashtuar », shpjegon Gresa Hasa, doktorante në Qendrën e Studimeve të Evropës Juglindore të Universitetit të Gracit.

Partia Demokratike e z.Sali Berisha, forca kryesore opozitare, konsiderohet gjithashtu një nga shtyllat e sistemit. Mbështetja e saj për projektet e lidhura me familjen Trump e zbeh edhe më tej dallimin mes pushtetit dhe opozitës. « Partia Socialiste është ish-Partia Komuniste, e riemërtuar pas rënies së regjimit. Për shumë shqiptarë, ajo është vazhdimësi e nomenklaturës së vjetër, e cila ka ruajtur privilegjet e saj », vlerëson z.Redi Muçi, deputeti i parë i Lëvizjes Bashkë, një lëvizje e majtë e angazhuar në mobilizimet në Zvërnec.

Rezistenca e popujve të vegjël

​Zemërimi ndaj politikave neoliberale që ushqejnë korrupsionin dhe krimin e organizuar përshkon sot Ballkanin. Kryengritja shqiptare të kujton atë që ka përfshirë Serbinë që nga nëntori i vitit 2024. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po ngjallin një mosbesim gjithnjë e më të madh për shkak të mbështetjes së tyre të pakët ndaj lëvizjeve popullore dhe marrëveshjeve me udhëheqësit vendas, si z.Rama, i cili ka shtuar gjithashtu gjestet e afrimit ndaj z.Trump.

Këto lëvizje protestuese po krijojnë një dinamikë të re në një rajon të ndarë prej kohësh. Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, të cilët dominojnë skenën politike të vendeve të tyre prej më shumë se një dekade, përdorin në fakt metoda të ngjashme. « Përtej etiketave të tyre ideologjike, këta udhëheqës i përdorin projektet e mëdha urbanistike dhe të pasurive të paluajtshme si instrumente të pushtetit politik dhe ekonomik », vëren z. Lutfi Dervishi, pedagog në Universitetin e Tiranës. Nga këto mobilizime kanë lindur lidhje mes organizatave studentore, sindikale dhe mjedisore në mbarë rajonin.

Në entuziazmin e tij romantik për shqiptarët, Bajroni lartësonte rezistencën e popujve të vegjël ndaj fuqive të mëdha. Dy shekuj më vonë, kjo aspiratë mbetet e gjallë në Ballkan.

Botime të tjera