« Dikur prodhonim gjëra të dobishme, që shërbenin për transportin e njerëzve. Tani prodhojmë gjëra që do t’i vrasin ata. » Tony Menzel, mekanik me profesion, kujton se si iu mbushën sytë me lot ditën kur fabrika e « tij » në Görlitz, një qytet i vogël në Saksoni, pranë kufirit me Poloninë, u shndërrua në fabrikë armatimesh. Prej 176 vjetësh, aty prodhoheshin vagonë hekurudhorë, ndërsa gjatë pesë viteve të fundit fabrika kishte qenë nën kontrollin e shumëkombëshes franceze Alstom. Produkti i saj, një tren rajonal dykatësh me ngjyrë të kuqe, ishte kthyer në simbol të udhëtimeve hekurudhore në distanca të shkurtra pothuajse në të gjithë Gjermaninë. « Ishim të gjithë krenarë për të », rrëfen Menzel.
Tashmë, nën kontrollin e grupit franko-gjerman KNDS, nga 700 punëtorët që punonin dikur në fabrikë, vetëm 300 deri në 400 janë mbajtur në punë dhe prodhojnë pjesë për tanket e rënda Leopard 2 dhe mjetet luftarake të këmbësorisë Puma, të dyja të dërguara në Ukrainë. Menzel punon në këtë fabrikë prej njëzet vjetësh, ashtu si prindërit e tij para tij. Në kohën kur fabrika ishte nën kontrollin e Alstom, ai ishte përfaqësues i punëtorëve. « Besoj se për mua ky kalim ishte më i lehtë sesa për të tjerët, sepse, si përfaqësues i punëtorëve, kisha marrë pjesë në negociata dhe e dija se çfarë na priste. »
Që në vitin 2024, Menzel, anëtar i sindikatës IG Metall, u ftua në një takim në Frankfurt me drejtuesit e Alstom dhe KNDS. « Gjithçka ishte vendosur paraprakisht. Na thanë: “Do ta mbyllim fabrikën. Por këtu është dikush që mund t’ju ofrojë një perspektivë për të ardhmen.” Që nga ajo ditë, për mua çështja ishte e mbyllur. » Një pjesë e vogël e popullsisë e shprehu kundërshtimin ndaj këtij transformimi përmes protestave.
Një vit më vonë, në fillim të vitit 2025, Olaf Scholz, asokohe kancelar i Gjermanisë, vizitoi Görlitz së bashku me Florian Hohenwarter, drejtorin e përgjithshëm të KNDS në Gjermani. Ishte një vizitë e rëndësishme për këtë qytet me 56 mijë banorë, ende të shënjuar nga privatizimet dhe papunësia masive e viteve 1990. Këtu, sapo largohesh nga rruga kryesore, dyqanet e mbyllura, me fasada të mbuluara nga grafite me ngjyra të ndezura, pasojnë njëra-tjetrën. Në zgjedhjet federale të vitit 2025, pak kohë pas vizitës së Scholz, partia e ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland (AfD) fitoi 48,9% të votave. Kjo forcë politike mbajti një qëndrim të rezervuar ndaj shndërrimit të fabrikës, por nuk iu bashkua lëvizjes protestuese.
Ata që kundërshtojnë transformimin e fabrikës, deklaroi kancelari, « janë po ata që e relativizojnë luftën agresore të [Vladimir] Putinit dhe nuk shohin asnjë problem që burra, gra dhe fëmijë të vriten çdo ditë nga raketat ruse ». Për të « garantuar paqen në Evropë », shtoi ai, « duhet ta pajisim ushtrinë federale me gjithçka që i nevojitet për mbrojtjen tonë ».
Nga ana e tij, Hohenwarter u shpreh i kënaqur me « garancitë për porosi » të shpallura nga autoritetet publike. Tre vjet pas fondit prej 100 miliardë eurosh, që synonte të konkretizonte « ndryshimin e epokës » (Zeitenwende) të shpallur nga kancelari Scholz në vitin 2022, Parlamenti gjerman vendosi, në mars 2025, të hiqte kufizimin kushtetues të huamarrjes për shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Rasti i Görlitz pasqyron një prirje më të gjerë. Ndërsa buxhetet për armatim po fryhen, industria gjermane e automobilave po përjeton një krizë të thellë. Në verën e vitit 2026, Volkswagen njoftoi mbylljen e katër fabrikave në Gjermani dhe shkurtimin e 100 mijë vendeve të punës në mbarë botën. BMW planifikon të shkurtojë edhe 8 mijë vende pune. Përballë konkurrencës së makinave elektrike kineze, motori i industrisë gjermane po humbet fuqinë. Gjithnjë e më shumë prodhues po largohen nga ky sektor. Rheinmetall, prodhuesi më i madh gjerman i armëve (lexoni artikullin në faqen 20), ka hequr dorë nga prodhimi i pjesëve për automobila në filialin e tij Pierburg dhe ka ngritur një linjë prodhimi për dronë kamikazë në qytetin Neuss.
Ashtu si shumë anëtarë të IG Metall, sindikatës më të madhe në Gjermani për nga numri i anëtarëve, Menzel e di mirë se kjo organizatë sindikale, e themeluar në vitin 1949, angazhohet në statutin e saj « për paqen, çarmatimin dhe mirëkuptimin mes popujve ». Por çfarë ka mbetur sot nga këto parime të pasluftës? Ndonëse qëndrimet ndryshojnë nga një rajon në tjetrin, po mbizotëron një orientim i përbashkët: « Ne e pranojmë se kërcënimet e reja kërkojnë një ushtri federale të pajisur mirë dhe forcimin e kapaciteteve ushtarake gjermane dhe evropiane », shpjegonte në vitin 2025 dega e sindikatës në Duisburg.
Ulrike Eifler, bashkëthemeluese e Lëvizjes së Sindikatave Gjermane kundër Riarmatimit të Tepruar dhe Luftës, nga Konfederata Gjermane e Sindikatave (DGB), është tejet kritike ndaj shndërrimit të industrive civile në industri ushtarake. « Të heqësh dorë nga prodhimi i automjeteve të punës apo i mjeteve të transportit publik është një absurditet, pikërisht në një kohë kur më në fund po fillojnë të pranohen mangësitë në investime. Këto mangësi shfaqen në mungesën e pajisjeve, të personelit dhe të mirëmbajtjes së mjeteve në qytetet dhe rajonet tona. Ato ushqejnë problemet e funksionimit dhe vonesat kronike që vërehen te Deutsche Bahn », kompania gjermane e hekurudhave, vonesat e së cilës janë bërë po aq proverbiale në Gjermani sa edhe salsiçet e pjekura me salcë kërri.
« Prapë protesta, prapë trakte për të na shpjeguar se sa keq është të prodhosh armë »
Në fabrikën e Görlitz, punëtorët e intervistuar gjatë ndërrimit të turneve, mes orës 14:00 dhe 15:00, janë të ndarë mes lehtësimit që u sjell siguria e pagës dhe shqetësimit moral për natyrën e re të prodhimit. Menzel, i cili do të kishte parapëlqyer të prodhonte trena « deri në pension », shprehet më prerazi: « Le të më tregojë dikush se si mund të ruheshin ndryshe vendet e punës. Po të mos ishte KNDS, fabrika do të ishte mbyllur. »
Megjithatë, në qytete të tjera, anëtarët e thjeshtë të sindikatës vazhdojnë të bëjnë qëndresë, ndonëse të ndrojtur. Në Këln, punëtorët e fabrikës Ford, edhe ata anëtarë të IG Metall, kanë publikuar një deklaratë me titull « Jo ekonomisë së luftës ». « Nuk duam të prodhojmë vdekje në Volkswagen », deklarojnë nga ana e tyre punëtorë të këtij prodhuesi automobilash, gjithashtu anëtarë të sindikatës së metalurgjisë.
Volkswagen po shqyrton mundësinë e shndërrimit të fabrikës së tij në Osnabrück, një qytet i madh në Saksoninë e Poshtme, ku punojnë rreth 2 300 persona. Ishte shqyrtuar krijimi i një ndërmarrjeje të përbashkët me grupin izraelit Rafael, për të prodhuar, duke nisur nga viti 2027, pjesë të sistemit të mbrojtjes ajrore Iron Dome (« Kupola e Hekurt »). Por projekti duket se po dështon. Jo për shkak të presionit të mobilizimit sindikal, por për arsye gjeopolitike: fondi sovran i investimeve Qatar Investment Authority (QIA), një prej aksionarëve kryesorë të Volkswagen, me 17% të aksioneve dhe dy vende në këshillin mbikëqyrës, thuhet se e kundërshton këtë projekt.
Pasiguria po rëndon edhe mbi gjendjen shpirtërore të Mark Feldmann, një punëtori 41-vjeçar të fabrikës, i cili për një kohë të gjatë kishte punuar te një nënkontraktor i këtij sektori. I ulur pranë banakut të një mense, disa rrugë larg fabrikës, ai vështron qoftet, sallatën me patate dhe fetat e bukës me sallam të vendosura përpara kolegëve të tij. Edhe ai përballet me të njëjtën dilemë si punëtorët e Görlitz: mes frikës nga papunësia dhe ngurrimit për të prodhuar pajisje që do të përdoren në luftë. « Disa nuk duan të punojnë për industrinë e armatimit », thotë ai. Vetë Feldmann mbetet i pavendosur.
Në rrugët e Osnabrück, aktivistët antimilitaristë shpërndajnë trakte dhe bisedojnë me kalimtarët. « Dy tanke kushtojnë sa një shkollë fillore: 50 deri në 70 milionë euro », shpjegon Lotte Herzberg. Feldmann thotë se e kupton kauzën e tyre. Por për disa nga kolegët e tij, kjo tashmë është bërë e tepërt. « Prapë protesta, prapë trakte për të na shpjeguar se sa keq është të prodhosh armë. Atmosfera këtu është e rënduar. Çdo ditë na pyesin: “A mund të flasim pak me ju?” Epo, jo. »
Në qershor të këtij viti, Fondacioni Rosa-Luxemburg, i lidhur me partinë e majtë Die Linke, publikoi një studim të hollësishëm mbi një tjetër projekt të mundshëm riorientimi të prodhimit: prodhimin e minibusëve në fabrikën e Osnabrück. Por mungon një element thelbësor: financimi publik, i cili derdhet me bollëk për industrinë e armatimit, por shteron kur bëhet fjalë për përmirësimin e transportit publik. Feldmann nuk beson se ky projekt mund të realizohet: « Industria e armatimit është një biznes tepër fitimprurës për ndërmarrjet, pikërisht për shkak të situatës aktuale ndërkombëtare. »
Gjatë një bisede të shkurtër, një studiues i Fondacionit Rosa-Luxemburg na rrëfen se lëvizja pacifiste nuk do të japë fryte për sa kohë që IG Metall nuk i bashkohet kësaj përpjekjeje. Mirëpo sindikata nuk e konsideron veten në gjendje të veprojë. « Po të kishim fuqi të mjaftueshme ekonomike – dhe kjo do të më gëzonte shumë – për të vendosur vetë se çfarë prodhohet në fabrikë, situata do të ishte ndryshe », na shpjegon Thorsten Gröger, përfaqësues i IG Metall në Saksoni dhe Saksoninë e Poshtme. Teksa e dëgjon të flasë, pothuajse harron se ai është pjesë e një organizate sindikale me më shumë se dy milionë anëtarë, e cila ka përfaqësues në këshillat mbikëqyrës të grupeve të mëdha industriale, është në gjendje të ushtrojë presion të konsiderueshëm dhe qëndrimet e së cilës kanë peshë për partitë politike.
Die Linke, e vetmja parti e majtë në Bundestag që kundërshton riarmatimin e Gjermanisë, nuk duket se ka fuqinë e nevojshme për të ndikuar në debatet politike. Ndikimi i saj në radhët e klasës punëtore mbetet i kufizuar, pavarësisht rezultatit të mirë (8,8%) në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Në ekstremin e djathtë, AfD, e cila për një kohë të gjatë kishte shfrytëzuar ndjenjat pacifiste në lindje të vendit – duke arritur deri aty sa të shtypte pëllumba të paqes në posterët e saj elektoralë në vitin 2024 –, votoi në favor të fondeve të pakufizuara ushtarake të propozuara nga qeveria dhe mbështet rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Sigurimi i shumicës absolute në zgjedhjet rajonale të 6 shtatorit në Saksoni-Anhalt do t’i jepte kësaj partie një mundësi të paprecedentë për të ushtruar ndikim politik. Dhe nëse një ditë do të vinte në pushtet, AfD do të drejtonte një Gjermani të armatosur.

