Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Donald Trump kundër rrezikut të kuq

Fuqizimi i kandidatëve të majtë në Shtetet e Bashkuara e ka shtyrë Donald Trumpin ta shndërrojë luftën kundër komunizmit në një nga temat kryesore të mobilizimit të tij. Retorika ka nuanca fashiste, ndërsa sulmet e mëparshme terroriste të së djathtës ekstreme lihen në heshtje. Duke shpërfillur këtë kontekst, të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian morën pjesë në Uashington në një konferencë zyrtare kundër « terrorizmit të majtë ».

Shtator 2026

Në pamje të parë, asgjë nuk po shkon siç duhet për presidentin e Shteteve të Bashkuara. Lufta kundër Iranit, të cilën ai e nisi së bashku me Izraelin, ishte jopopullore që nga dita e parë. Gjashtë muaj më vonë, ajo është bërë edhe më e papëlqyer, teksa po zhytet gjithnjë e më shumë në një situatë pa rrugëdalje, pa arritur asnjërin prej objektivave të saj dhe pasi ka shkaktuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. Por, për amerikanët, ky konflikt përkthehet para së gjithash në rritje të çmimeve, veçanërisht të benzinës (+35% që nga shkurti i kaluar). Dy vjet më parë, Donald Trump ishte rizgjedhur me premtimin për të përmirësuar fuqinë blerëse dhe për t’u dhënë fund « luftërave pa fund ». Në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, që do të mbahen më 3 nëntor, bilanci nuk është aspak i mirë.

Kjo ka ndikuar edhe në rënien e popullaritetit të presidentit. Po si të reagojë? Mundësia e parë është të ulë kokën e të presë derisa të kalojë kjo periudhë e vështirë, me shpresën se ndonjë ngjarje sportive, ndonjë lajm sensacional apo ndonjë uragan do ta shpërqendrojë opinionin publik nga një luftë që, sa u përket amerikanëve, nuk ka shkaktuar shumë viktima (tetëmbëdhjetë ushtarë të vrarë). Mundësia tjetër është të dramatizojë rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme, duke krijuar figurën e një përbindëshi që duhet mposhtur. Meqenëse qëndrueshmëria strategjike nuk është ndër cilësitë kryesore të Trumpit, ai herë zgjedh njërën qasje, herë tjetrën. Në mëngjes, gjithçka shkon për mrekulli falë sukseseve të mia, që e gjithë bota m’i ka zili; në mbrëmje, kujdes nga terroristët komunistë që komplotojnë për ta shkatërruar vendin tonë të dashur.

Terroristë komunistë në Shtetet e Bashkuara? Po, madje kjo është bërë tema kryesore e mobilizimit të Partisë Republikane. Vrasja, në dhjetor 2024, e drejtuesit të një kompanie sigurimesh, ajo e influencuesit të së djathtës ekstreme Charlie Kirk në shtator 2025, si dhe zgjedhja e papritur, dy muaj më vonë, e socialistit Zohran Mamdani në krye të Bashkisë së Nju Jorkut: këto ngjarje të ndryshme, në pamje të parë, nuk paralajmërojnë as shkatërrimin e Wall Street-it, as ndonjë përsëritje të marrjes së Pallatit të Dimrit. Por, në vendin e makartizmit dhe të përgjithësimeve më të çuditshme, renditja e njëpasnjëshme e këtyre ngjarjeve krijon një klimë të caktuar. Dhe ofron material për të gjallëruar një fushatë elektorale.

Stephen Miller e kishte përcaktuar tonin gjatë ceremonisë mortore të Kirkut. Në vend që të përpiqej ta bashkonte vendin në dënimin e një vrasjeje politike, këshilltari special i presidentit të Shteteve të Bashkuara e shfrytëzoi tragjedinë për t’i demonizuar edhe më shumë kundërshtarët e Trumpit. Dhe për t’u bërë të ditur se kishin « zgjuar dragoin » ultrakonservator. I dhunshëm, plot urrejtje dhe rrëqethës, fjalimi i tij përkujtimor bëri edhe më shumë kontrast me atë të vejushës së viktimës, e cila citoi Ungjillin dhe fjalët e Jezusit në kryq: « Atë, fali ata, sepse nuk dinë çfarë bëjnë ». Duke iu referuar vrasësit të bashkëshortit të saj, Erika Kirk kishte shtuar madje: « Këtij njeriu, këtij të riu, unë ia fal ».

Arkitekti i politikës së imigracionit të Trumpit, Stephen Miller, nuk njeh mëshirë. Fjalimet e tij riprodhojnë retorikën fashiste deri në atë pikë sa kundërshtarët e tij sugjerojnë me ironi se ato janë përkthyer nga gjermanishtja. Kur mori fjalën para një stadiumi të mbushur plot në Arizonë, ku ishin mbledhur edhe udhëheqësit e vendit për të nderuar kujtimin e Kirkut – presidenti, zëvendëspresidenti, sekretari i Shtetit etj. –, Miller nuk i kurseu goditjet:

« Ne jemi stuhia. Armiqtë tanë nuk mund ta kuptojnë forcën tonë, vendosmërinë tonë, këmbënguljen tonë, pasionin tonë. (…) Drita do ta mposhtë errësirën, ne do të triumfojmë mbi forcat e së keqes. Ata nuk mund ta përfytyrojnë ushtrinë që po ngrihet, sepse ne mbrojmë atë që është e mirë, e virtytshme dhe fisnike. Po ju që nxisni urrejtje kundër nesh, çfarë keni? Nuk keni asgjë, nuk jeni asgjë. Ju jeni e keqja, ju jeni zilia, ju jeni lakmia, ju jeni urrejtja. Ju nuk jeni asgjë. Nuk mund të ndërtoni asgjë, të prodhoni asgjë, të krijoni asgjë. Ne jemi ata që krijojmë, që e lartësojmë njerëzimin. Ju menduat se duke vrarë Charlie Kirkun do ta zhduknit, por e bëtë të pavdekshëm. (…) Zoti është në anën tonë. Mikut tim, vëllait tim Charlie, i premtoj këtë: do të të bëjmë krenar. Do ta çojmë punën deri në fund ».

A ishte kjo thjesht një predikim i një fundamentalisti të ekzaltuar? Zhvillimet e mëvonshme do të dëshmonin se jo.

Gjashtë javë më vonë, fitorja e Mamdanit dëshmon fuqizimin në Shtetet e Bashkuara të një të majte të aftë të triumfojë në qytetin më të madh të vendit. Vrasja e Kirkut, e kryer nga një individ pa përkatësi të qartë ideologjike, nuk ishte lehtësisht e shfrytëzueshme për qëllime politike. Ndërkaq, triumfi në zgjedhjet bashkiake i një socialisti të deklaruar, një antiimperialisti të buzëqeshur dhe të shkëlqyer, në metropolin më të pasur të botës, kishte një domethënie të veçantë. Aq më tepër që pas tij pasuan disa fitore të tjera zgjedhore, në Nju Jork, por edhe në Miçigan, Kolorado, Minesota dhe Florida, ku kandidatë në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike triumfuan pas fushatave që kishin vënë në plan të parë mbështetjen për Palestinën, kundërshtimin ndaj qendrave të të dhënave dhe kërkesën për sigurim shëndetësor universal.

Pra, armiku, të cilin Miller e kishte paraqitur si të paaftë për të « ndërtuar, prodhuar, krijuar », nuk ishte një « ujk i vetmuar » pa të ardhme, por një ushtri aktivistësh të majtë, të vendosur për ta përmbysur establishmentin demokrat, duke shkaktuar humbjen elektorale të disa prej figurave të tij kryesore. Steve Scalise, kreu i shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, e krahasoi situatën me një « marrje të kontrollit nga bolshevikët » të partisë kundërshtare. Një përsëritje e parullës « Komunizmi, ja ku është armiku ». Vazhdimi i këtij filmi ishte edhe më i lehtë për t’u marrë me mend, pasi në Shtetet e Bashkuara të gjithë e njohin rrjedhën e tij.

Në veçanti Trumpi. Mentori politik i atij që në atë kohë ishte vetëm një sipërmarrës i ri i pasurive të paluajtshme në Nju Jork ishte njëfarë Roy Cohn. Ky i fundit ishte njohur me presidentin e ardhshëm pasi kishte shërbyer si këshilltar i senatorit republikan Joseph McCarthy, i njohur gjatë viteve 1950 për përndjekjen e « komunistëve », qofshin ata të vërtetë apo të imagjinuar. Cohn kishte qenë prokuror në procesin gjyqësor që dënoi Ethel dhe Julius Rosenbergun me vdekje në karrigen elektrike. Ai i mësoi dishepullit të tij të ri marifetet e fitimit të famës mediatike, të mosmirënjohjes dhe të përndjekjes gjyqësore.

Trumpi i përdor aq më me dëshirë metodat e gjuetisë së shtrigave, pasi dy nga paraardhësit e tij në Shtëpinë e Bardhë, Richard Nixon dhe Ronald Reagan, i kishin shfrytëzuar gjerësisht ato për t’u afirmuar në skenën publike. I pari, duke përndjekur me këmbëngulje një zyrtar të lartë, Alger Hiss, të akuzuar për spiunazh në favor të Bashkimit Sovjetik. I dyti, duke denoncuar kolegët e tij, shkrimtarë apo aktorë komunistë, përpara Komisionit për Veprimtari Antiamerikane. Pikërisht atij komisioni që ua ndaloi Charlie Chaplinit, Orson Wellesit, Arthur Millerit, Dashiell Hammettit, Jules Dassinit dhe shumë të tjerëve ushtrimin e profesionit të tyre, duke i dërguar, në disa raste, edhe në burg.

Më 3 korrik të kaluar, në prag të festës kombëtare, përpara malit Rushmore dhe portreteve të gdhendura në shkëmb të katër presidentëve të shquar amerikanë, Trumpi iu rikthye kësaj tradite, me rastin e përkujtimit të 250-vjetorit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Ai i kushtoi gati një të katërtën e fjalimit të tij « rikthimit të kërcënimit komunist », duke shpalosur me këtë rast të gjitha nuancat e artit të tij të të shprehurit me nënvlerësim:

« Komunizmi është një rrezik vdekjeprurës për lirinë amerikane. Madje më i rëndë se Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore, Pearl Harbori apo 11 Shtatori. Ai është vdekja, tirania dhe ndjekja e së Keqes. (…) Ata nuk e duan Zotin dhe nuk e duan praninë e Zotit. Nuk e duan fenë dhe nuk duan të ketë fe. Por ne nuk do t’i lejojmë të fitojnë. Kjo është ideologjia e vjedhjes, gënjeshtrës, kontrollit dhe vrasjeve masive. Nuk duhet të ketë asnjë vend për këto doktrina në një demokraci. (…) Mund të jeni besnikë ndaj Karl Marxit, ose mund të jeni besnikë ndaj Amerikës. Mund të jeni komunistë, ose mund të jeni patriotë. (…) Amerika nuk do të jetë kurrë një vend komunist ».

Duke zbuluar ndoshta ndikimin e Millerit, presidenti i Shteteve të Bashkuara shtoi se « Partia Komuniste Amerikane », për të cilën shumica e amerikanëve me gjasë zbuluan se ekzistonte ende, përbëhej nga « imigrantë të paligjshëm, kriminelë dhe të gjithë ata që nuk duan të punojnë ». Që atëherë, Trumpi është aq krenar për këtë fjalim, saqë e përmend ose e citon gjatë tubimeve elektorale në mbështetje të kandidatëve republikanë. Ndonjëherë, ai i shton edhe hollësi të reja mjaft pikante, siç është pretendimi se « komunistët duan ta hedhin në erë malin Rushmore ».

« Një dështak komunist që i urren hebrenjtë »

Këto trillime, që mund të shërbejnë për të justifikuar masa të reja që kufizojnë liritë ose për të kontestuar rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme, nuk janë të destinuara vetëm për konsum të brendshëm. Dhe meqenëse, sipas presidentit të Shteteve të Bashkuara, « paraardhësit tanë amerikanë nuk e derdhën gjakun e tyre në Midway dhe në Normandi që një bandë hajdutësh, radikalësh dhe të çmendurish të vijë e ta plaçkitë kombin tonë », nuk është aspak për t’u habitur që ai ua përcolli këtë paralajmërim edhe aleatëve të tij të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), gjatë samitit të Ankarasë, më 8 korrik të kaluar, ndërkohë që ata po e mbulonin me komplimente.

Komunizmi, u kujtoi ai, nënkuptonte njëkohësisht premtimin për « qira falas gjatë gjithë jetës, por pas dymbëdhjetë muajsh varfëri të skajshme dhe papastërti », « vrasje kudo » dhe « një katastrofë ». Sipas tij, kjo ishte dëshmuar « prej mijëra vjetësh, nën emërtime të ndryshme. E dini, qofshin radikalë, socialistë apo komunistë, nuk ka ndonjë dallim të madh mes tyre ».

Të sulmosh komunizmin gjatë samitit të një organizate ushtarake që e ka Moskën si kundërshtare të shpallur nuk është diçka që kuptohet vetvetiu, pasi udhëheqësit rusë e urrejnë këtë ideologji po aq sa ata të Uashingtonit, Berlinit apo Parisit. Prandaj, armiqësia e Trumpit, si dhe referimi i tij ndaj çmimeve të qirave, mund të shpjegohen ndoshta me një arsye më lokale: njoftimin për vendosjen në Nju Jork të një takse mbi « banesat e dyta », që do të rëndojë mbi pronarët e rezidencave dytësore me vlerë mbi 5 milionë dollarë.

Sipas Mamdanit, kjo taksë, e cila synon pjesërisht të financojë mbrojtjen sociale të fëmijëve, është « projektuar posaçërisht për më të pasurit ndër të pasurit, të cilët investojnë pasurinë e tyre në pasuri të paluajtshme në Nju Jork, pa jetuar aty ». Kjo masë e ka tërbuar një ish-sipërmarrës të pasurive të paluajtshme në Nju Jork, mandati i të cilit në Shtëpinë e Bardhë përfundon në janar 2029: « Kryebashkiaku Mamdani po e SHKATËRRON Nju Jorkun! … KËTO POLITIKA TË TAKSAVE, TAKSAVE, TAKSAVE janë KAQ TË KËQIJA ».

Kur ia shprehu zemërimin e tij një miku miliarder, ky i fundit e këshilloi presidentin t’i cilësonte si « xhihadistë » këta përfaqësues të zgjedhur të së majtës, të cilët, sipas fjalëve të Trumpit, « po zgjidhen gjithandej, janë njerëz që kanë dështuar dhe që vijnë nga shtete të dështuara për të na treguar se si ta qeverisim vendin tonë ». Më 4 gusht të kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara e përshëndeti fitoren e Abdul El-Sayed në zgjedhjet paraprake të demokratëve në Miçigan, duke e quajtur « dështak komunist që i urren hebrenjtë ». Megjithatë, ky « dështak » kishte triumfuar pavarësisht një fushate reklamuese prej 30 milionë dollarësh, të financuar nga lobi proizraelit.

« Komunist », « xhihadist », « terrorist »: të gjitha këto janë akuza krejt të zakonshme në një luftë politike që mbështetet vazhdimisht në përzierjen e qëllimshme të koncepteve, diskreditimin e kundërshtarit dhe akuzat për tradhti. Kësaj gjuetie shtrigash i mungonte ende një bazë intelektuale dhe një akt themelues. Një konferencë e organizuar më 16 korrik të kaluar nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i dha asaj edhe një legjitimim ndërkombëtar.

E organizuar me synimin për të « luftuar rikthimin e terrorizmit të majtë », kjo konferencë mblodhi në Uashington përfaqësues të gjashtëdhjetë e gjashtë shteteve, përfshirë të njëzet e shtatë vendet e Bashkimit Evropian. Dy muaj më parë ishte bërë publike « Strategjia kundër terrorizmit e Shteteve të Bashkuara ». Duke u shkëputur nga strategjitë e mëparshme, dokumenti nuk e përmendte as edhe një herë terrorizmin e së djathtës ekstreme. Sipas tij, ekzistonin vetëm « tri lloje kryesore të grupeve terroriste »: « narkoterroristët dhe bandat transnacionale », « islamistët » dhe « terrorizmi i majtë, përfshirë anarkistët dhe antifashistët ».

Megjithatë, përparësi i jepej « neutralizimit të grupeve të dhunshme jofetare, ideologjia e të cilave është antiamerikane, radikalisht trans dhe anarkiste ». Një parathënie e presidentit Trump e sqaronte kuptimin e termit « neutralizim »: « Nëse lëndoni amerikanë ose nëse planifikoni ta bëni këtë, ne do t’ju vrasim ».

Terreni për konferencën e Uashingtonit ishte pastruar paraprakisht nga çdo kundërshtim i pakëndshëm për vendin pritës, pasi Ministria amerikane e Drejtësisë kishte hequr nga faqja e saj e internetit, një vit më parë, një studim të vitit 2024, i cili dëshmonte se, që nga viti 1990, ekstremistët e djathtë kishin kryer pesë herë më shumë sulme dhe kishin shkaktuar shtatë herë më shumë viktima sesa e majta ekstreme në Shtetet e Bashkuara. Një rikujtim i tillë ishte bërë i padëshirueshëm, përderisa i vetmi terrorizëm që i intereson politikisht Rubios duhet të mund të lidhet me Iranin ose, edhe më mirë, me « rrjetin e gjerë të inteligjencës dhe propagandës së regjimit kuban, i cili ka mundësuar krijimin e së majtës ekstreme në vendin tonë dhe në hemisferën tonë ».

Së shpejti « gulagu »?

Më 16 korrik të kaluar, sekretari amerikan i Shtetit, në fjalimin e tij, dënoi ashpër dhunën (e dikurshme) të Tupamarosve uruguaianë, Montonerosve argjentinas, Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), Shtegut të Ndritshëm peruan, Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe gjermane dhe Brigadave të Kuqe italiane, duke e lidhur atë me vrasjen e Kirkut dhe me vdekjen, disa muaj më parë në Lion, të militantit neonazist Quentin Deranque. Por asnjë fjalë për dhjetëra mijëra viktimat e diktaturave të së djathtës ekstreme në Amerikën Latine (shpesh të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara), as për 69 militantët e rinj të së majtës norvegjeze, të vrarë nga supremacisti i bardhë Anders Breivik në ishullin Utøya, madje as për 168 bashkëqytetarët e tij të vrarë në vitin 1995 nga një tjetër supremacist i së djathtës ekstreme, Timothy McVeigh.

Përpara të gjithë besnikëve të Shteteve të Bashkuara, që kishin nxituar t’i përgjigjeshin ftesës së Departamentit të Shtetit, Rubio shpjegoi natyrën e komunizmit dhe të « së majtës radikale »: « Është një revoltë e më të këqijve kundër më të mirëve, e të dobëtve dhe frikacakëve kundër njerëzve të mirë. Ajo ndërmerret nga ata që nuk janë të aftë të ndërtojnë, që nuk janë të aftë të krijojnë dhe që synojnë të hakmerren për mangësitë e tyre duke shkatërruar ata që janë të aftë ta bëjnë këtë ». Rezultati është « një botë pa krijimtari, pa ambicie, pa heronj, pa mrekulli ». A mjafton kaq? Jo, sepse « komunizmi përfytyron një botë pa Zot ».

Në këtë retorikë apokaliptike dhe paranojake të një Perëndimi të tmerruar dhe të një bote të lirë gjithnjë e më shumë të robëruar nga frika e saj, mungonte vetëm Milleri. Pasi përshkroi edhe ai me hollësi se çfarë do të ndodhte në rast të një humbjeje të mundshme të miqve të tij të së djathtës ekstreme – « gulagu », natyrisht –, ai shprehu keqardhje që e majta mund të përfitonte nga liritë publike për ta « mbrojtur dhunën e saj nga ndëshkimi penal ». Sepse, sipas tij, kur « qytetërimi juaj është shtëpia juaj, duhet ta mbroni me po aq pasion sa do ta mbronit nëse një armik do të ndodhej brenda shtëpisë suaj, aty ku jeton familja juaj ».

Duke vëzhguar fotografi të militantëve antifashistë, Milleri thuhet se kishte zbuluar fytyrën e « armikut »: njerëz që « nuk janë normalë, krejtësisht të shpërfytyruar në pamjen e tyre, veshjen dhe sjelljen e tyre ».

Ne e pyetëm Ministrinë franceze të Punëve të Jashtme për pjesëmarrjen e Francës në këtë operacion propagandistik të së djathtës ekstreme, të maskuar si konferencë ndërkombëtare. Shërbimet e ministrit Jean-Noël Barrot na konfirmuan se « Franca mori pjesë në aktivitetin e 16 korrikut në nivel nënministror. Ajo u përfaqësua nga i dërguari i posaçëm për luftën kundër terrorizmit. Ky takim u zhvillua në kuadër të strategjisë së re amerikane kundër terrorizmit, të publikuar në maj 2026 ».

Ne deshëm të dinim gjithashtu nëse kishte pasur konsultime ndërmjet pjesëmarrësve përpara ose pas samitit, nëse konferenca kishte qenë interesante dhe nëse do të kishte zhvillime të mëtejshme.

Përgjigjja e Ministrisë franceze të Punëve të Jashtme ishte: « Nuk do të bëjmë komente të tjera ».

Botime të tjera