Antisemitizmi zë një vend të veçantë në debatin mbi racizmin dhe ksenofobinë që trazon Gjermaninë. Jehona e saj nganjëherë lëshon zë të lartë, si korrikun e kaluar, gjatë gjykimit të autorit të sulmit në sinagogën në Halle më 9 tetor 2019, i cili la të vdekur dy kalimtarë.
Halle gjindet në territorin e ish-Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ), kjo Gjermani komuniste e lindur në 1949 dhe që u zhduk më 1990. Edhe pse vrasësi lindi pas rënies së Murit, ky fakt ka përforcuar mbështetësit e një tezë në modë: nëse hebrenjtë janë përsëri në rrezik në Republikën Federale, faji është i RDGJ-së së vdekur, siç e pohon për shembull profesori i shkencave të edukimit gjerman (perëndimor) Micha Brumlik. Në një artikull të titulluar “Sa ishte RDGJ e kaftë?” “(do të thotë “naziste”), studiuesi paraqet disa elemente që shkojnë në drejtim të akuzës: ky shtet ishte i bazuar në “strukturat hierarkike autoritare ” të cilat dëshmonin vazhdimësinë e tij me Rajhun e Tretë. Refuzoi “ballafaqim me të kaluarën”; si dhe pretendohet se ka reintegruar ish-nazistët për ta siguruar besnikërinë e tyre duke i shantazhuar ata. E pakënaqur me dështimin për t’i kompensuar viktimat e gjenocidit dhe shtetin e Izraelit, thuhet se RDGJ paska ndjekur një politikë të dyshimtë antisioniste me mbështetjen e hebrenjve të Gjermanisë Lindore. “Antisemitizmi është ‘socializmi i budallenjve’, tha udhëheqësi social-demokrat Auguste Bebel. Antisemitizmi është socializmi i një diktature që quhet RDGJ“, përfundon Brumlik.
S’mund të ketë akuzë më radikale. Studiues i shquar, i lindur nga prindër gjermano-hebrenj që zgjodhën të ktheheshin në Gjermaninë Perëndimore pas luftës, Brumlik është autoritet, si në qarqet akademike, ashtu edhe në media, të cilat me lehtësi i bëjnë jehonë zërit të tij. Duke parë në RDGJ “diktaturën e dytë antisemite të shekullit njëzet”, një historian amerikan pati një refren të ngjashëm: prej vitit 1967 e tutje, RDGJ u përpoq ta shkatërronte Izraelin me ndihmën e ekstremit të majtë të Gjermanisë Perëndimore. Si? Duke lidhur aleanca me Organizatën Çlirimtare të Palestinës dhe me vendet arabe; duke iu shitur armë atyre. Përderisa RDGJ ishte zyrtarisht antisioniste, përderisa afirmonte të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, ekuivalenca midis këtij qëndrimi politik dhe antisemitizmit mbetet një element propagande.
Shifra “të rënda”
Me përjashtim të periudhës 1949-1953, kur BRSS e Stalinit u zhyt në paranojë antisemite, duke shtyrë më shumë se pesëqind hebrenj të largoheshin nga RDGJ, akuza për antisemitizëm nuk ishte hyrë ende kaq hapur në listën e veprimeve të këqija të Gjermanisë komuniste. Nga fundi i shekullit XIX deri në fund të shekullit XX, nacionalistët në vend të kësaj kishin luftuar kundër së majtës “hebreje” dhe kërcënimit “judeo-bolshevik”. Urrejtja ndaj komunizmit ishte, si antisemitizmi, përbërëse e ideologjisë naziste, e cila e shihte marksizmin si një krijim hebre që duhej eliminuar.
Përgjigja për Brumlikun erdhi nga një eseiste e lindur në Berlin-Pankow, pra dhjetë vjet para rënies së Murit: Charlotte Misselwitz. Teksti i saj ka të bëjë me pediatren e spitalit të Berlinit, La Charité Ingeborg Rapoport, e cila vdiq në vitin 2017 në moshën 104 vjeçare. Ajo kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara nën Rajhun e Tretë si hebre dhe komuniste, dhe zgjodhi të kthehej në vendlindje duke bërë karrierë në RDGJ. Dëshmitare e rritjes së akteve ksenofobike dhe antisemite që nga ribashkimi, Rapoport dha shpjegimin e kundërt me atë të Herf dhe Brumlik: A nuk ishte ribashkuar RDGJ me Republikën Federale të Gjermanisë (RFGJ) si një vend ku ish-nazistët kishin mundur të bënin karrierë dhe të kishin pozita të larta? Sipas saj, hebrenjtë nuk ishin në rrezik në RDGJ; por tani ata ishin përsëri të rrezikuar!
Kjo nuk është e vërtetë për mbështetësit e RDGJ anti-Semite. Harry Waibel, një historian (perëndimor) i cili ia kushtoi karrierën e tij pikturimit të Gjermanisë Lindore me ngjyrë kafe, thotë se ai kishte nxjerr shifra të rënda nga arkiva ku ai ishte i pari, nëse jo i vetmi, që kishte qasje: STASI (policia politike e Gjermanisë Lindore) thuhet se regjistroi 7000 krime raciste dhe antisemite, duke përfshirë 145 përdhosje të varrezave hebreje dhe 200 “sulme të stilit pogromist” në të gjithë vendin, si dhe “dhjetë linçime në 400 qytete“. Nëse huliganizmi gjatë ndeshjeve të futbollit dhe shfaqja e shenjave naziste ishin të njohur, numri i madh i këtyre veprimeve që i raporton Waibel befasoi qytetarët e ish-RDGJ. Pa dyshim, autoritetet ishin më pak të zellshëm në denimin e delikuentëve neonazistë se të kundërshtarëve të regjimit, por shifrat e paraqitura nga historiani mbeten të diskutueshme. Dhe asnjë hulumtim i ngjashëm nuk është kryer në ish-RFGJ, ku përkundër “konfrontimit me të kaluarën”, anti-komunizmi shtetëror përfshinte një tolerancë të madhe si të ish-ave ashtu edhe të neonazistëve.
Studime të fundit zbulojnë se shërbimet e inteligjencës së Perëndimit – Bundesverfassungschutz (VS, siguria e brendshme) dhe Bundesnachrichtendienst (BND, siguria e jashtme) – i kushtonin pjesën më të madhe të energjisë monitorimit të së majtës dhe ndjekjes së anëtarëve të Fraksionit të Armatës së Kuqe. Derisa nuk merreshin me të djathtën ekstreme, të cilës tani po i zbulohen vatra të vjetra në polici dhe ushtri, si shembulli i fundit: shefi i Sindikatës së Policisë së Berlinit i përkiste lëvizjes neonaziste. Në vitin 1991, kujton Misselwitz, duke u mbështetur në sondazhet të qashme – ndryshe nga arkivat “ekskluzive” të Waibel – u vlerësua se 16% e popullsisë së Perëndimit kishte paragjykime antisemite, përkundrejt 6% të asaj të Lindjes. Më 1994, 40% e gjermanëve perëndimorë mendonin se i jepej tejet rëndësi gjenocidit të hebrenjve, krahasuar me 22% të gjermanëve lindorë.
I mbrojtur nga shumica e historianëve, mendimi se RDGJ i ka ikur ballafaqimit me të kaluarën naziste po përhapet. Për Norbert Frei, një figurë e shquar e kësaj fushe që punon në Universitetin e Jenës, politika kulturore antifashiste e RDGJ ka qenë vetëm rutinë dhe retorikë boshe, gjë të cilën duket se kundërshtojnë sondazhet e opinioneve të përmendura më lartë: në fund të fundit ka mbetur diçka! Ashtu si Brumlik, Frei fajëson ato “struktura hierarkike autoritare” të famshme për tendencat fashiste, një temë e vjetër, versioni më qesharak i së cilës është dhënë pa dashur nga Christian Pfeiffer. Më 1999, ky kriminolog gjermano-perëndimor kishte zbuluar origjinën e këtyre prirjeve në praktikën që të gjithë fëmijët e Gjermanisë Lindore të ulen në oturak në të njëjtën orë në çerdhet e RDGJ … Por prej kësaj përvoje traumatike, qytetarët gjermanë që jetonin në Lindje patën mundësinë t’i zbulonin “strukturat e tjera hierarkike autoritare“: ato të ndërmarrjeve private. Siç e mësuan shpejt “Osiet”, derisa në RDGJ ishte shumë e rrezikshme të kritikohet shefi i shtetit, kishte pak rrezik të mbetesh i papunë për kundërshtimin e shefit tënd në punë. Sot është e kundërta.
Mbetet një pyetje themelore: a ishte i shpejtë denazifikimi në RDGJ? Më i shpejtë se në Perëndim, sigurisht, sepse kishte shumë më pak për të bërë se në RFGJ, ku kishin ikur shumica e kuadrove të kompromentuar me Rajhun e Tretë. A i ka reintegruar RDGJ ish-nazistët? Pa dyshim, por në numër më të vogël se RFGJ. A do t’i ketë shantazhuar ajo me të kaluarën e tyre? Éshtë e mundur. Shantazhi është një metodë e përdorur nga të gjitha shërbimet e inteligjencës. Por është e vërtetë që, ndryshe nga Stasi, shërbimet e brendshme dhe të jashtme të inteligjencës së Perëndimit nuk mund ta përdornin atë kundër ish-nazistëve, duke qenë vetë, deri në vitet 1970, kryesisht të përbëra nga ish- anëtarët e Partisë Nacional-Socialiste.
BND-ja u organizua nga një ish-oficer i Wehrmacht, Reinhard Gehlen, falë Shteteve të Bashkuara, të cilat u atribuonin nazistëve një lloj superfuqie kundër komunizmit. E gjithë burokracia sovrane e RFGJ ishte e kontaminuar. Siç e vërtetoi në konkluzionet e tij Grupi Kërkimor mbi Historinë e Ministrisë së Brendshme, “në korrik 1961, numri i ish-anëtarëve të Partisë Naziste në mesin e zyrtarëve të lartë ishte 67%”, krahasuar me më pak se një e dhjeta në Lindje. Për të mos përmendur që ish-shërbëtorët e Rajhut të Tretë, si i famshmi Hans Globke, antikomunisti konvulsiv i cili i kishte menduar ligjet antisemite të Nurembergut, që kishte pozitë të lartë pa u shqetësuar nga askush. Globke nuk ishte askush tjetër veç shefi i kabinetit të Konrad Adenauerit, kancelari i parë i RFGJ.
Nga ana tjetër do të ishte e vështirë të gjesh ish-nazistë në krye të qeverisë së Gjermanisë Lindore, të udhëhequr deri në zhdukjen e saj nga një viktimë e Rajhut të Tretë, Erich Honecker. Në vitin 1952, ndërsa Gjermania e Adenauer negocionte me Tel Avivin “dëmshpërblimet” e saj për vrasjen e gjashtë milion hebrenjve, që do të thotë një ndihmë financiare për Izraelin në këmbim të blerjes së produkteve gjermane, komunistët Walter Ulbricht (sekretari i përgjithshëm i komitetit qendror të Partisë Socialiste të Bashkuar të Gjermanisë) dhe Wilhelm Pieck (Presidenti i Republikës) udhëheqnin RDGJ. Edhe pse shumë pak simpatikë, të dytë e kishin kaluar luftën në mërgim në BRSS; të tjerë, si ish-social demokrati Otto Grotewohl, kryeministër nga 1949 deri në 1964, po dilnin nga burgjet naziste; Albert Norden, anëtar me ndikim i byrosë politike të Partisë Komuniste, ishte djali i një rabini. Pse duhet të ndjehen fajtorë për këtë krim? BRSS tashmë po e mbyte RDGJ-në me riparime të pajisjeve hekurudhore dhe mjete të makinës, deri në pikën që të çonte drejt vetëvrasjes në 1957 të një zyrtari ekonomik, Gerhart Ziller. Duke refuzuar të dëmshpërblejë hebrenjtë jashtë kufijve të saj, RDGJ u dha në tokën e saj “viktimave të fashizmit” (hebrenj dhe ciganë), dhe akoma më shumë rezistencës antifashiste, pensione dhe privilegje të konsiderueshme. Në shumë mënyra, kulti i antifashistëve, mbi të cilin RDGJ mbështeste legjitimitetin e saj, kujton politikën memoriale të ndjekur në të njëjtën kohë në Francë, ku emrat e luftëtarëve të rezistencës u atribuoheshin edhe rrugëve. Fjalimet zyrtare, si ato të mbajtura në RDGJ, kursyen shoqërinë kolaboracioniste. Historianët francezë, gjithashtu, kontribuan në mitin e një France rezistente. Secila ka faqet e saj që i mungojnë. Ndërsa RDGJ heshte për Paktin Gjermano-Sovjetik dhe zhdukjen e komunistëve gjermanë të cilët u strehuan në Moskë, të ekzekutuar me një plumb në pjesën e pasme të qafës në burgun Lubyanka, shumica e historianëve të Gjermanisë Perëndimore ende përdorën fjalën “pushtim” për të folur për zbarkimin e 6 qershorit 1944, shfajësonin Wehrmacht nga çdo pjesëmarrje në ndërmarrjen gjenocidale dhe ndërtonin mitin e një trupi diplomatik që “nuk e dinte”. Dy tregime të fuqishë, të cilat u minuan vetëm me ekspozitën shëtitëse të quajtur “Lufta e shfarosjes. Krimet e Wehrmarcht-it, 1941-1944 “, midis 1995 dhe 2004, si dhe me botimet nga arkivat e diplomacisë në vitin 2010 e një komisioni historianësh të pavarur. Në Kujtimet e tij, historiani Saul Friedländer tregon se drejtori i Institutit të Historisë Bashkëkohore në München, Martin Broszat, i mohonte atij të drejtën për të folur për gjenocidin sepse, si hebre, ai do të kishte qenë tejet i përfshirë. Ai do të mësonte më vonë se Broszat kishte qenë anëtar i Partisë Naziste…
Puna e harruar memoriale
Ndërsa studimet historike zbulojnë anët e fshehura të krijimit të Gjermanisë Perëndimore, ngurrimi i saj për të gjykuar ish-nazistët (“shokët” që gjykojnë njëri-tjetrin, pasi 90% e gjyqtarëve dhe të avokatëve kishin shërbyer Rajhun e Tretë), gjuetia e komunistëve në shërbimin publik, përbërja dhe veprimi i shërbimit të tij të inteligjencës, ka një përpjekje, si për të vepruar më shumë se duhet, për të trashur dosjen penale të RDGJ. Kontributi i këtij vendi të zhdukur në bërjen e një bilanci të nacizmit përmes një produksionit të madh kinematografik, teatror dhe letrar, ose punës së kujtesës të kryer nga pastorë të Kishës Ungjillore, do të mbeten të injoruara në Perëndim. Aushvici nuk ka qenë asnjëherë tabu në RDGJ. A nuk e përjeton psikanalistja Margarete Mitscherlich, autore me burrin e saj Alexandre Mitscherlich të librit ‘Zia e pamundur’ (1967), në romanin e shkrimtares gjermane lindore Christa Wolf ‘Modele fëmijërie’ (1976) punën më mjeshtërore të zisë në gjuhën gjermane? Ashtu si në Francë, arti i kishte paraprirë historiografisë dhe kishte mbushur boshllëqet e diskurseve zyrtare.
Tridhjetë vjet pas shpërthimit të bllokut lindor, fituesit e Luftës së Ftohtë po merren fuqimisht me gjurmët e fundit të ideologjisë gjermano-lindore: antifashizmin dhe internacionalizmin. Gjatë një debati më 2011, filozofi Jürgen Habermas përkujtonte se antikomunizmi shtetëror i RFGJ ishte një vazhdim i ideologjisë naziste dhe se çlirimi prej tij kërkonte qendrime antikomuniste. Ai nuk u dëgjua.