Çdo të shtunë, që nga fillimi i dhjetorit 2018, mijëra serbë dalin në rrugë për ta kundërshtuar “diktaturën” e Presidentit Aleksandër Vuçiq, kontrollin ngulfatës që e ushtron regjimi i tij mbi drejtësinë ose mediat. Kjo valë proteste filloi pas rrahjes nga persona të panjohur të z.Borislav Stefanoviq, udhëheqësit të partisë së vogël, Lëvizja e Majtë e Serbisë (PLS), përderisa ai përgatitej të fliste në publik në Krushec më 23 nëntor 2018.
I nisur nga Beogradi, mobilizimi protestues u përhap shpejt në shumë qytete të vendit, duke u përforcuar nga grupet lokale të cilët kundërshtonin konfiskimin e të gjitha levave të pushtetit nga kuadrot e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) së Vuçiqit.
Që nga zgjedhjet e vitit 2012, partia e z.Vuçiq (SNS) ka vazhduar ta zgjerojë kontrollin e tij mbi shoqërinë dhe institucionet. Ajo gëzon një shumicë absolute në Kuvendin Republikan dhe në Kuvendin e Krahinës Autonome të Vojvodinës. Në nivelin lokal dhe përmes lojës së aleancave, vetëm njëra nga 168 komunat e Serbisë (qyteti Shabac) shpëton ende nga kontrolli i plotë ose i pjesshëm të Vuçiqit.
Një ditë pas së shtunës të dytë të protestave, më 9 dhjetor 2018, kreu i shtetit bëri të ditur qëndrimin e tij të prerë : ai nuk do ta ndryshonte politikën e tij “edhe nëse pesë milion njerëz” dilnin në rrugë në një vend prej 7 milion banorësh.
Në mungesë të strategjisë, lëvizja protestuese nuk vonoi së zbehuri. Muajt e fundit, ajo tubonte vetëm një grup të vogël militantësh. Vuçiqi e bëri mjaltin e tij nga ndarja e partive opozitare dhe nga besueshmëria e vogël që ato gëzonin në opinionin publik.
Ushtrimi i pushtetit nga partitë sotme opozitare në vitet 2000 u karakterizua me raste të shumta të korrupsionit, por edhe me tronditjen e krizës së vitit 2008 dhe masave shtrënguese të vendosura për Serbinë, veçanërisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Presidenti serb e di se mund të llogarisë në mbështetjen e “partnerëve” të tij, të cilët nga Federata Ruse në Shtetet e Bashkuara, nuk i japin asnjë rëndësi lëvizjeve protestuese opozitare.
U desh që partitë e opozitës të angazhohen bashkërisht për bojkotimin e zgjedhjeve parlamentare të pranverës 2020 që Bashkimi Evropian ta provoi një ndërmjetësim të kujdesshëm në tetor 2019. Por, misioni i drejtuar nga eurodeputeti demokristian gjerman David McAllister synonte më pak t’ia kujtonte regjimit të z.Vuçiq disa parime themelore të shtetit të së drejtës, e më shumë të bindte opozitën që të marrë pjesë në zgjedhjet që është pothuajse e sigurt se do t’i humb : qeveria ruan kontrollin hegjemonik mbi mediat publike, mbi tabloidët mediatik dhe televizionet private, të cilat i përkasin të gjitha oligarkëve të afërt me regjimin, por edhe mbi listat zgjedhore.
Dhe zgjedhjet pa opozitë do ta jepnin një imazh të vobektë të Serbisë, e cila konsiderohet një nxënës i mirë në procesin e integrimeve evropiane. Serbia ka hapur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian më 2013 dhe mund të jetë një nga anëtarët e ardhshëm të Bashkimit Evropian, me kusht që procesi i zgjerimit të mos jetë i ngrirë për kohë të gjatë.
Shtylla e stabilitetit rajonal
Gjatë vizitës së tij shtetërore në Beograd në korrik 2019, e para e një Presidenti francez që nga ajo e Jacques Chirac më 2001, z.Emmanuel Macron nuk pati asnjë kritikë publike për mikëpritësin e tij. Kjo mbështetje e çuditshme ndaj sunduesit të ri të Beogradit nuk është ndonjë befasi në lidhje me biografinë e tij.
I lindur më 1971, z.Vuçiq fillon karrierën politike më 1993 në radhët e Partisë Radikale Serbe (SRS) të Vojisllav Sheshelit, lideri i së djathtës ekstreme nacionaliste. Vuçiqi shquhet me deklarata si ajo nga foltorja e Kuvendit të Beogradit më 20 korrik 1995, disa ditë pas masakrës së mijëra boshnjakëve në Srebrenicë : “Do të vrajmë një qind myslimanë për një serb të vrarë“. Sot, ai thotë se kjo deklaratë ishte një “gabim rinor“.
Ky kuadër i ri i i së djathtës ekstreme e fitoi postin ministrit të informimit në qeverinë e unitetit kombëtar të formuar më 1998, me nxitjen e Presidentit Sllobodan Millosheviq, kur shpërthyen luftimet e para në Kosovë.
Pas rënies së Millosheviqit më 5 tetor 2000, SRS-ja e Sheshelit bëhet forca kryesore opozitare që i kundërshtonte udhëheqësit e rinj “demokrat” të Serbisë. Përderisa z.Sheshel burgoset nga Tribunali Penal Ndërkombëtare në Hagë (ICTY) më 24 shkurt 2003, për t’iu përgjigjur akuzave për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përgjatë konflikteve në Kroaci dhe Bosnje, dyshja e krijuar nga z.Vuçiq dhe z.Tomisllav Nikoliq udhëheqin partinë.
Asokohe, SRS-ja kundërshtonte drejtësinë ndërkombëtare dhe çdo përafrim të Serbisë me Bashkimin Evropian. Mbështetja e saj në popull rritej aq shpejt sa edhe zhgënjimi me demokratët në pushtet, të bllokuar nga konfliktet e brendshme dhe të paaftë për ta ndryshuar me shpejtësi situatën politike, ekonomike dhe sociale.
Tomisllav Nikoliqi dështoi për pak në rrrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në maj 2008, me 48% të votave kundër kandidatit demokrat Boris Tadiq. Në vitet 2000, kuadrot e SRS nuk pranohehsin ende në qarqet diplomatike perëndimore në Beograd. Franca është shteti i parë anëtar i BE-së që ua hap dyert e ambasadës së saj. Disa kontakte më të fshehta vazhdojnë duke i sugjeruar z.Vuçiq dhe z.Nikoliq të shkëputen nga mentori i tyre Sheshel dhe nga SRS-ja. Takimi vendimtar u zhvillua në Ritz në Paris, në nëntor 2008, në prani të kryeministrit malazez Millo Gjukanoviq i cili ishte vet dikur dishepull i Millosheviqit para se të bënte një pikë kthese pro-perëndimore më 1996.
Ndërmjetësues, si biznesmeni Stanko “Cane” Subotiq, ishin gjithashtu të pranishëm, siç e dëshmojnë disa dëshmitarë të drejtpërdrejtë. Disa ditë më vonë u shfaq një parti e re, si fraksion i SRS : Partia Përparimtare Serbe (SNS), një parti konservatore dhe pro-evropiane.
Në vitin 2012, kjo parti erdhi në pushtet duke bërë koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), përderisa z.Nikoliq u zgjodh President i Republikës. SNS-ja e fitoi vet shumicën e mandatave në parlament më 2014 dhe z.Vuçiq u bë Kryeministër. Në prill 2017, Vuçiqi pasoi “bashkëpunëtorin” e tij në krye të shtetit, duke u zgjedhur në rrrethin e parë me 55% të votave.
Serbia është një sistem parlamentar ku pushteti ekzekutiv ndahet midis kreut të shtetit dhe kreut të qeverisë. Por, duke e ruajtur udhëheqjen e partisë, z.Vuçiq ndërton një sistem ku gjithçka kontrollohet nga ai. Në ndërkohë, z.Nikoliq e shfrytëzoi të drejtën e tij për pensionim.
Sa i përket z.Sheshel, ai u lirua përkohësisht për shkaqe shëndetësore më 2014. I liruar në shkallë të parë nga Haga në mars 2016, Shesheli u dënua në shkallë të dytë të apelit në prill 2018 me një dënim prej dhjetë vjetësh të cilat u mbuluan me kohën e paraburgimit paraprak.
Shesheli u ritkhy në krye të SRS-së, por kjo parti e margjinalizuar shërben tanimë më së shumti si një mbulesë në krahun e djathtë të z.Vuçiq. Nga ana e tij, SNS-ja fitoi respekt duke u përfshi më 2016 në Partinë Popullore Evropiane (EPP), që përbashkon partitë konservatore të kontinentit, përfshirë partinë franceze “Les Républicains“.
Duke e qeverisur vendin e tij me një dorë të hekur, z.Vuçiq përzgjodhi neoliberalizmin e egër. Në këtë fushë, ai gjen një partnere ideale në persoanlitetin e znj.Ana Bërnabiq, të emëruar kryeministre në qershor 2017. Duke qenë nga një familje e njohur në Beograd me prejardhje pjesërisht kroate, haptazi lezbike, Bërnabiqi studioi administratën dhe biznesin në Shtetet e Bashkuara, pastaj komunikimin në Universitetin Britanik të Hull-it, para se të punonte për delegacionin serb në USAID, agjencionin e bashkëpunimit amerikan.
Kjo executive woman, biografia e së cilës portretizon një imazh të favorshëm modern, krenohet se udhëheq “qeverinë më liberale në historinë e Serbisë“. Sapo erdhi në pushtet, ajo u përball me një grevë në fabrikat e veturave të Kragujecit, të rimarrë nga prodhuesi italian Fiat. Ajo i akuzoi punëtorët grevistë se ishin vetëm “egoistë” të cilët rrezikonin t’i dekurajonin investitorët e huaj dhe se ishin “shumë të paguar“, pasi që pagat e tyre ishin pak mbi mesataren e vendit, më pak se 500 euro në muaj…
Konvertimi pro-evropian i z.Vuçiq, shkalla e sinqeritetit e të cilit mbetet një pyetje pa përgjigje, përputhej mrekullisht me pritjet e vendeve perëndimore. Dukej në të vërtetë e rrezikshme të lejohej zhvillimi i një të djathte ekstreme serbe në armiqësi të hapur ndaj Bashkimit Evropian, përderisa z.Vuçiq dukej se ishte personi më i duhur për ta zgjidhur statusin përfundimtar të Kosovës, të perceptuar si çelës i stabilitetit të Ballkanit.
Njohja zyrtare e pavarësisë së ish-krahinës së saj është një pilulë e hidhur për t’u gëlltitur nga Beogradi, por kush më mirë se një nacionalist për ta bërë këtë, pa pasur druajtje për akuzat për tradhti kombëtare?
Më 2018, z.Vuçiq ishte shumë i përfshirë me homologun e tij kosovar Hashim Thaçi, në kërkimin e një kompromisi që presupozonte edhe shkëmbime territoresh midis dy vendeve. Ky opsion duket se është hedhur poshtë përkohësisht. Duke e menduar veten të domosdoshëm për çështjen e Kosovës, z.Vuçiq është i bindur se veprimet autoritare të regjimit të tij nuk do të jenë kurrë subjekt i kritikave serioze nga partnerët e tij perëndimorë.
Vizitat pompoze të Vlladimir Putinit në Beograd, si ajo e janarit 2019, i lejojnë atij të kujtoj se ai ka edhe një strategji alternative gjeopolitike, duke e rimarrë kështu pozitën e barazpeshave midis botës perëndimore dhe BRSS, e cila e kishte siguruar përparimin e Jugosllavisë për një kohë të gjatë.
Politika e barazpeshës që Beogradi pretendon ta orkestrojë midis Moskës dhe Brukselit është megjithatë shumë iluzore, sepse Bashkimi Evropian mbetet bindshëm partneri i tij kryesor tregtar, me 62% të këmbimeve tregtare, kundrejt më pak se 7% për Rusinë.
Aleancat e sotme për të nesërmen evropiane
Por, situata serbe nuk është asgjë e jashtëzakonshme. I njëjti autoritarizëm mbretëron në Malin e Zi fqinj. Që nga viti 1991, z.Gjukanoviq ndërron funksionet e Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës. Partia e tij Socialiste Demokratike (DPS), tani anëtare e Internacionales Socialiste, është trashëgimtarja e drejtpërdrejtë e Lidhjes së Komunistëve Malazez. Pra, në pushtet që nga viti 1945…
Protestat opozitare në Mal të zi përgjatë vitit 2019 kanë burimin e tyre në rastet e korrupsionit, por qeveria malazeze e di po ashtu se mund të llogarisë në mungesën e një alternative politike dhe në mbështetjen e vendosur të partnerëve të saj ndërkombëtarë.
Përderisa Mali i zi u bashkua me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në vitin 2017, Gjukanoviqi paraqitet si një mbrojtës i Perëndimit përballë kërcënimit rus, shumë të mbivlerësuar në Ballkan. Kërcënim i konkretizuar gjatë një përpjekje shumë misterioze të një grushtshteti më 16 tetor 2016. Mbi të gjitha, kjo i mundëson z.Gjukanoviq ta diskreditojë opozitën e tij dhe të paraqitet si garantuesi i vetëm i demokracisë dhe i “rrugës evropiane” të Malit të Zi.
Liderët serbë dhe malazezë konsiderohen kështu si shtyllat e stabilitetit rajonal dhe aleatët më të mirë të Perëndimit. Të dytë kërkojnë që vendet e tyre të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, një perspektivë që duket se po largohet pasi që Franca bllokoi kandidaturat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut më 18 tetor. Pozicioni i Macron shihet si një goditje në të gjithë procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.
Por status-quoja nuk i pengon domosdoshmërisht dy njerëzve të fuqishëm të Beogradit dhe Podgoricës. Në këmbim të vetëkënaqësisë së tyre, vendet e Evropës Perëndimore e dinë që mund të mbështeten tek ata për t’i ruajtur kufijtë e Ballkanit përballë migrantëve dhe refugjatëve.
Më 4 dhe 5 Shtator, z.Vuçiq ishte mysafiri i nderit i një forumi mbi demografinë në Budapest. Ai nuk harroi ta falënderojë mikëpritësin e tij, kryeministrin hungarez Viktor Orbán : “Marrëdhëniet tona janë më të mira se kurrë falë z.Orbán. Ju siguroj se do të mbetemi miq besnikë tuajin dhe të vendit tuaj”. Hungaria po bën fushatë aktive për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Përtej çështjes së refugjatëve, për të cilën Beogradi dhe Budapesti nuk kanë vështirësi të pajtohen, shtetet e Ballkanit janë objekt i gjithë vëmendjes së qeverive konservatore të Evropës Qendrore të grupit të Vishegradit, të cilët shpresojnë të sigurojnë sa më shumë aleatë ideologjikë në ditën kur këto vende do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.
*Gazetarë në portalin frankofon për Ballkanin, “Le Courrier des Balkans“. Bashkautorë : « Là où se mêlent les eaux. Des Balkans au Caucase dans l’Europe des confins », La Découverte, Paris, 2018.

