Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Bashkimi Evropian ia nënkontrakton Ballkanit kontrollin e migrantëve

Dorëheqja e gjermanit Christian Schmidt, Përfaqësues i Lartë Ndërkombëtar për Bosnjë e Hercegovinën, nxjerr në pah dallimet gjithnjë e më të thella midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Të ndarë mes Brukselit dhe Uashingtonit, udhëheqësit politikë të rajonit po u sigurojnë përfitime njerëzve të afërt me Donald Trumpin, ndërkohë që pranojnë që Brukseli t'ua delegojë zbatimin e politikës së tij të migracionit.

Korrik, 2026

Ndoshta e ardhmja e Bashkimit Evropian dhe e zgjerimit të tij po luhet në Gjadër. Ky fshat i vogël në veri të Tiranës mezi numëron më banorë. Ka vetëm një kafene, ku edhe çmimet modeste mbeten të papërballueshme për pensionistët, të cilët parapëlqejnë të ndajnë një birrë të blerë në dyqanin përballë. Dikur, në kohën e Enver Hoxhës, «shokët kinezë» – aleatët e fundit të Shqipërisë nga viti 1961 deri më 1979 – ndërtuan këtu një aeroport ushtarak. Sot, mbi ish-pistën e tij ngrihet një kompleks i rrethuar me mure të larta dhe gardhe me tela, brenda të cilit janë vendosur module banimi prej vetëm 12 metrash katrorë, të mbikëqyrura pa ndërprerje nga kamerat. Kampi përfshin edhe një qendër paraburgimi dhe shërben si pararendës i politikës së re migratore të Bashkimit Evropian, të promovuar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ajo e kishte përmendur këtë model në një letër drejtuar udhëheqësve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar si « një shembull të të menduarit jashtë skemave tradicionale, të bazuar në një ndarje të drejtë të përgjegjësive me vendet e treta ». Presidentja e Komisionit Evropian ka mbështetur prej kohësh zhvendosjen jashtë kufijve të BE-së të procedurave të azilit. Që në vitin 2020, ajo propozoi shfuqizimin e Rregullores së Dublinit, e cila përcakton se cili shtet evropian shqyrton kërkesat për azil, dhe zëvendësimin e saj me « një sistem të ri evropian të qeverisjes së migracionit ». Rrjeti Migreurop e sheh këtë si një përpjekje për të zëvendësuar « një Evropë solidare në pritjen e refugjatëve » me « një Evropë solidare në mbajtjen larg të njerëzve të detyruar të mërgojnë ».

Kjo qasje u konkretizua me Paktin Evropian për Migracionin dhe Azilin, të miratuar nga Parlamenti Evropian në vitin 2024 dhe që hyri në fuqi më 12 qershor 2026. Pakti e bën të përgjithshme praktikën e zhvendosjes së kontrollit të kufijve jashtë Bashkimit Evropian dhe parashikon mundësinë e ngritjes së « qendrave të kthimit » jashtë territorit të Unionit për personat të cilëve u është refuzuar e drejta e azilit. Pesëmbëdhjetë shtete anëtare do të kishin dashur të shkonin edhe më tej. Më 15 maj 2024, ato i kërkuan Komisionit Evropian të zhvillonte mekanizma për « identifikimin, ndalimin ose, në rast rreziku, shpëtimin e migrantëve në det të hapur dhe dërgimin e tyre në një vend të sigurt, të paracaktuar, në një shtet partner jashtë Bashkimit Evropian ». Megjithatë, ndonëse ishte nënshkruese e kësaj letre, qeveria italiane vendosi ta ndryshojë funksionin e kompleksit të Gjadrit. Ai shërben tashmë si qendër kthimi për personat të cilëve u është refuzuar azili, duke u bërë kështu në përputhje me Paktin e ri Evropian. Parlamenti italian e miratoi këtë ndryshim në fund të majit 2025 dhe kontejnerët e Gjadrit filluan të mbusheshin.

Komisioneri evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, konservatori austriak Magnus Brunner, e ka shndërruar zhvendosjen e procedurave të azilit jashtë Bashkimit Evropian në përparësinë kryesore të mandatit të tij. Vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor janë nxitur të nënshkruajnë marrëveshje ripranimi, me të cilat angazhohen të pranojnë migrantët e kthyer nga vendet e BE-së, nëse ata kanë kaluar më parë nëpër territorin e tyre. Prej disa vitesh, Gjermania i kthen në Kroaci personat të cilëve u është refuzuar azili, ndërsa këta transferohen menjëherë në Bosnjë e Hercegovinë. Viktimat e këtij zinxhiri dëbimesh zakonisht lihen në mëshirë të fatit, gjë që u jep mundësi të nisen sërish drejt Gjermanisë. Një raport i fundit i Qendrës Ndërkombëtare për Studime mbi Konfliktet, me seli në Bon, i cilëson këto masa largimi si «kundërproduktive», pasi në fund ato vetëm sa ushqejnë biznesin e rrjeteve të kontrabandistëve të migrantëve.

Në dhjetor 2021, Kosova nënshkroi një marrëveshje me Danimarkën, sipas së cilës 300 qeli të burgut të Gjilanit do t’i jepen me qira për një periudhë dhjetëvjeçare, kundrejt shumës modeste prej 15 milionë eurosh në vit, si edhe një fondi shtesë prej 6 milionë eurosh për të mbështetur «tranzicionin e gjelbër» të shtetit të vogël ballkanik. Të burgosurit e parë pritet të mbërrijnë gjatë vitit 2026, ndërsa në qershor 2025 një grup gardianësh kosovarë ndoqën trajnim në Danimarkë. Autoritetet e Kopenhagës garantojnë se kushtet e vuajtjes së dënimit do të jenë plotësisht të njëjta me ato në Danimarkë. Megjithatë, marrëveshja ngre pikëpyetje për sovranitetin, pasi brenda këtij institucioni penal do të mbizotërojë e drejta daneze. Edhe Belgjika ka shprehur interes për të transferuar të burgosur në Kosovë. Duke vlerësuar se vendi po trajtohet si një « depo për mbetje njerëzore », Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) e ka cilësuar marrëveshjen me Danimarkën si « trafik të burgosurish ». Sipas këtij organizmi, pjesa më e madhe e të transferuarve do të jenë persona që nuk kanë shtetësi daneze dhe që, pas vuajtjes së dënimit, pritet të dëbohen. Nëse kthimi i tyre me forcë në vendet e origjinës rezulton i pamundur, ata mund të mbeten në Kosovë për një periudhë të pacaktuar.

Në sytë e vendeve të Bashkimit Evropian, interesi i Ballkanit nuk kufizohet vetëm te roli i tij si « garazh » për « të padëshiruarit » që Unioni nuk dëshiron t’i mbajë në territorin e vet. Më 18 korrik 2024, kancelari i atëhershëm gjerman Olaf Scholz udhëtoi drejt Beogradit për të marrë pjesë në nënshkrimin e një « partneriteti për lëndët e para kritike » ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Marrëveshje të ngjashme janë nënshkruar më parë me Australinë, Kilin, Uzbekistanin dhe Ruandën. Megjithatë, kjo ishte hera e parë që 27 shtetet anëtare lidhnin një marrëveshje të tillë me një vend kandidat, i cili, në parim, është i destinuar të bëhet pjesë e vetë Unionit. Scholzin e shoqëronte një delegacion i fuqishëm i përfaqësuesve të industrisë automobilistike gjermane, ndërsa Berlini – njësoj si Londra dhe Parisi – ushtroi trysni mbi Beogradin për të rifilluar projektet e nxjerrjes së litiumit, të pezulluara pas kundërshtimeve të forta të komuniteteve lokale. Ndonëse edhe vetë Gjermania ka rezerva të mëdha të këtij minerali, thelbësor për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike, ajo parapëlqen që litiumi të nxirret në Serbi dhe jo në territorin e saj.

Për Bashkimin Evropian, Ballkani nuk është vetëm një hapësirë ku mund të zhvendosen migrantët e padëshiruar. Ai përbën edhe një rezervuar të vyer të fuqisë punëtore të kualifikuar dhe të mirëarsimuar, për të cilën Gjermania duket se ka një etje të pashuar. Ndonëse rajoni ka qenë historikisht një tokë emigrimi, largimi i popullsisë është përshpejtuar vazhdimisht që nga fillimi i viteve 2010, duke rrëzuar narrativën e zakonshme evropiane për « përparimin e pandërprerë » të vendeve të Ballkanit. Ky eksod nuk prek vetëm vendet kandidate, por edhe shtete anëtare të Bashkimit Evropian, si Bullgaria dhe Kroacia. Në Kosovë, studentët e mjekësisë dhe të shkollave të infermierisë marrin oferta pune ende pa përfunduar studimet. Çdo vit, rreth 300 infermierë largohen nga vendi menjëherë pasi marrin diplomën. Që nga viti 2018, Kosovës i janë larguar rreth 850 mjekë – një hemorragji profesionale që vë në pikëpyetje vetë mbijetesën e sistemit shëndetësor. Këto largime nuk shpjegohen vetëm me mundësinë e një page më të mirë. Shumë profesionistë të rinj flasin për peshën e nepotizmit, të rrjeteve të rekomandimeve, madje edhe për domosdoshmërinë e të pasurit « lidhjet e duhura politike » për të siguruar qoftë edhe vendin më të zakonshëm të punës. Pierre Mirel, ish-drejtor i përgjithshëm në Komisionin Evropian dhe për shumë vite përgjegjës për politikat e zgjerimit dhe të fqinjësisë, e pranon se ky eksod « e varfëron Ballkanin » po aq sa « e pasuron Evropën ».

Rafalët fantazmë

Bashkimi Evropian, që përfiton kështu nga sistemet arsimore të financuara nga shtetet e Ballkanit, e ka të lehtë të kujtojë rëndësinë e fondeve që u shpërndan vendeve të rajonit në kuadër të politikës së paraanëtarësimit. Në nëntor 2023, Komisioni Evropian shpalli një « Plan të Rritjes » me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024–2027. Prej tyre, 2 miliardë janë grante, ndërsa 4 miliardët e tjerë kredi me kushte të favorshme. Plani shoqërohet me një hapje të pjesshme të tregut evropian, ndërsa lëvrimi i fondeve varet nga miratimi i programeve të reformave që secili prej gjashtë vendeve kandidate të Ballkanit duhet të paraqesë. Sipas Brukselit, kjo do t’u mundësojë vendeve të rajonit të kapërcejnë hendekun e zhvillimit që i ndan nga mesatarja evropiane. Megjithatë, ekspertët mbeten shumë skeptikë, pasi mjetet e vëna në dispozicion konsiderohen tepër të kufizuara.

Ndërsa udhëheqësit politikë vendas inaugurojnë me pompozitet infrastrukturat e financuara nga Bashkimi Evropian, duke u paraqitur si garantët e vetëm të fondeve që vijnë nga Brukseli, në praktikë janë zakonisht kompanitë pranë partive në pushtet ato që arrijnë t’u përgjigjen kërkesave të procedurave evropiane të prokurimit, të njohura për ndërlikueshmërinë e tyre. Kështu, fondet evropiane ushqejnë mekanizmat e klientelizmit. Ky fluks fondesh evropiane i ka shndërruar elitat vendase në atë që kritika marksiste e përshkruante si « borgjezi kompradore » në vendet e kolonizuara, veçanërisht në Amerikën Latine: një klasë sunduese vendëse që përfiton nga pozita e saj si ndërmjetëse mes tregut dhe burimeve lokale, nga njëra anë, dhe kapitalit ndërkombëtar, nga ana tjetër

Shkrimtari dhe pedagogu në universitetet e Beogradit dhe Lubjanës, Igor Štiks, flet për ekzistencën e një modeli të veçantë ballkanik. « Elitat vendase lehtësojnë investimet e huaja, por këtë e bëjnë kryesisht për të siguruar mbështetjen politike të vendeve perëndimore. Sot flitet për një marrëdhënie të privilegjuar mes Francës dhe Serbisë. Kompania franceze Vinci ka blerë aeroportin e Beogradit, një tjetër kompani franceze po ndërton metronë e kryeqytetit serb, ndërsa Serbia ka blerë dymbëdhjetë avionë luftarakë Rafale, dobia e të cilëve mbetet e paqartë », shprehet ai. Gjatë vizitës shtetërore të Emmanuel Macronit në Serbi, në gusht 2024, kur u nënshkrua kontrata për shitjen e avionëve Rafale, Pallati Élysée e paraqiste marrëveshjen si pjesë të synimit për « ta ankoruar Serbinë në kampin perëndimor ». Por suksesi i kësaj strategjie mbetet larg të qenit i sigurt: pavarësisht të gjitha « paralajmërimeve » të Bashkimit Evropian, presidenti serb ka vazhduar të shfaqë afërsinë e tij me Vladimir Putinin.

Më 9 prill 2025, Aleksandar Vuçiq u prit nga Emmanuel Macron në Paris, ndërsa Serbia prej muajsh tronditej nga një lëvizje protestash me përmasa dhe kohëzgjatje të papara. Presidenti francez nuk i kushtoi asnjë fjalë, në prani të mysafirit të tij serb, kërkesave të protestuesve për respektimin e shtetit të së drejtës. Megjithatë, ato përbëjnë një nga detyrimet themelore të çdo vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në fakt, dymbëdhjetë avionët Rafale ende nuk janë dorëzuar dhe askush nuk e di se me çfarë akrobaci buxhetore Serbia do të arrijë të paguajë faturën prej afro 3 miliardë eurosh. Beogradi mund të krenohet se mbështetjen e Francës e ka blerë me një kosto të ulët.

Si kulmi i të gjithave

Për të shpjeguar mirëkuptimin e pazakontë që udhëheqësit evropianë tregojnë ndaj regjimit serb, thirret vazhdimisht në ndihmë argumenti gjeopolitik. Sipas kësaj logjike, duhet shmangur që Beogradi të afrohet edhe më shumë me Vladimir Putinin. Paradoksalisht, pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 vetëm sa e ka forcuar këtë qasje, ndonëse Serbia mbetet i vetmi vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që refuzon të vendosë sanksione ndaj Moskës. « Sot, mundësitë reale të ndikimit të Rusisë në Ballkan janë pothuajse inekzistente », vlerëson Srdjan Cvijić, kryetar i Bordit Ndërkombëtar të Qendrës për Politika të Sigurisë në Beograd. « Megjithatë, evropianët vazhdojnë të jenë të paralizuar nga kjo frikë. Kjo i jep Beogradit mundësinë të luajë vazhdimisht kartën e bllofit. Edhe pse muajt e mobilizimit qytetar në Serbi e kanë bërë Komisionin Evropian disi më të rezervuar, ai ende nuk dëshiron të shohë një alternativë ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit.».

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 krijoi bindjen se zgjerimi i Bashkimit Evropian kishte hyrë në një fazë të re. Ukraina dhe Moldavia morën me shpejtësi statusin e vendeve kandidate, duke lënë përshtypjen se edhe Ballkani Perëndimor më në fund do të dilte nga pritja e pafund. Tre vjet më pas, megjithatë, optimizmi i asaj kohe është zbehur. Përtej vlerës simbolike të statusit të kandidatit, anëtarësimi i Ukrainës dhe Moldavisë mbetet ende i largët. Mjafton të kujtohet rasti i Maqedonisë së Veriut, e cila e mban këtë status që prej… dhjetorit 2005.

Eksodi që po zbraz Ballkanin, zemërimi në rritje në Serbi dhe kriza që vazhdon të thellohet në Bosnjë e Hercegovinë tregojnë se modeli mbi të cilin Bashkimi Evropian i ka ndërtuar marrëdhëniet me Ballkanin po tregon gjithnjë e më qartë kufijtë e vet. Nga njëra anë, vendeve të Ballkanit u premtohet vazhdimisht perspektiva e anëtarësimit, si çmimi i karuselit që fëmijët përpiqen ta kapin, por që u shpëton gjithmonë nga duart. Nga ana tjetër, në emër të « stabilitetit », Brukseli vazhdon t’u garantojë mbështetje të pakushtëzuar elitave të korruptuara dhe autoritare. Në këtë logjikë, Ballkanit i mbeten vetëm dy role: të jetë furnizues me burime natyrore dhe zonë tampon për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian nga migracioni.

Botime të tjera