Një e vejë e re mëson se djali i saj 5 vjet ka leukemi. Mbijetesa e tij varet nga një transplant i palcës kockore, por ajo nuk ka para për t’ia paguar kurimin. Ajo troket në derën e kështjellës të vjehrrit të saj për t’i kërkuar ndihmë. Pa sukses: ai kurrë nuk e ka pranuar martesën mes saj dhe djalit të tij. Fajëson atë për aksidentin automobilistik në të cilin ky i fundit humbi jetën. E dëshpëruar, ajo vendos t’i lutet punëdhënësit të saj, pronar i një kompanie ndërtimi, që t’i huazoj para pa e zbuluar arsyen. I sigurt që gratë janë gati të bëjnë gjithçka për para, burri pranon me një kusht: që ajo ta kalojë natën me të. Ajo pranon. Nga kjo “natë e errët” lind një histori dashurie e mundimshme që shtrihet në nëntëdhjetë episode një orë e gjysmësh. Transmetuar për herë të parë më 2014 në kanalin ‘Mega TV’ në Kili, çdo mbrëmje, seriali ‘Një Mijë e Një Netë’ tërheq gati 28% shikues, duke thyer të gjitha rekordet e audiencës. Nëse, si pjesa tjetër e Amerikës Latine, vendi është i njohur për shijen e tij për melodramat romantike, historia në fjalë fsheh një veçori të caktuar: heronjtë nuk janë as Rosa as Ricardo, si në telenovelat tradicionale (serialet) të rajonit, por Sheherazade dhe Onur. Dhe, kur vjen koha për puthjen e parë, pas jo më pak se njëzet e tetë episodeve, shihen në sfond brigjet e Bosforit dhe maja e ndriçuar e Kullës Galata. Seriali është xhiruar në Stamboll. Në vazhdën e suksesit të ‘Një mijë e një netëve’, dhjetëra telenovela turke përmbytin ekranet e kanaleve kryesore televizive private në Amerikën Latine. Me të njëjtin sukses pranë publikut. Në vitin 2014, Cili është faji i Fatmagül ?, historia e një bareshe të re të detyruar të martohej me sulmuesin e saj për ta shpëtuar nderin e familjes së saj, u bë seriali më i shikuar në kanalin ‘Latina’ në Peru. Në Kolumbi, ‘Elif’, një seri që rrëfen aventurat e një vajze të vogël të braktisur që kërkon nënën e saj, është në transmetim për më shumë se katër vjet (midis 2016 dhe 2020), me 1150 episode: një rekord për një produksion të huaj.
Një makinë e kohës
Popullariteti i këtyre telenovelave ngrit Turqinë në majën e modës. Të sapolindurit pagëzohen Elif, Fatmagül ose Ibrahim, sipas emrave të karaktereve të filmave. Në rrjetet sociale, faqet e fansave po rriten për ta zbërthyer jetën e aktorëve. Disa madje kalojnë Atlantikun për t’i vizituar vendet e xhirimeve: në 2018, agjencitë e udhëtimit regjistruan një rritje prej 70% të turizmit të Amerikës Latine në Turqi . Edhe Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro bëri një vizitë te seti i serialit të tij të preferuar, Resurrección: ‘Ertugrul’ (një produksion historik që flet për ngritjen e Perandorisë Osmane në shekullin XVII), pasi mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Rexhep Tajip Erdogan në vitin 2018. Si ta interpretojmë këtë triumf të serialeve turke në Amerikën Latine, megjithëse kjo është e njohur si toka e shenjtë e telenovelave ? Sipas Guillermo Orozco Gómez, studiues i komunikimit në Universitetin e Guadalajara, ato kanë efektin e një makine kohe: ato rimarrin modelin e telenovelës klasike të viteve 1980. Në të vërtetë, shumica e tyre kanë të bëjnë me përrallën e një dashurie të pamundur midis një vajze të re modeste dhe një burri nga një familje e pasur. Ata mbështesin këtë intrigë narrative me një vizion të botës “shumë konservatore dhe të turpshme “, analizon Orozco Gómez. Nëse do të duhej të përmbledhim përmbajtjen e tyre, do të ishte “familja, puna dhe tradita”, shton ai. Në fakt, nuk bëhet fjalë që të zbulohet një centimetër lëkure: më së shumti një puthje (por pas shumë episodesh) ose një përkëdhelje sugjestionuese. Një ngjashmëri tjetër e telenovelave bashkëkohore turke me telenovelën fillestare: virtyti, i mishëruar nga karakterët, gjithmonë triumfon. Kështu, pas vdekjes së vjehrrit të saj, Elifja e vogël më në fund ribashkohet me nënën e saj dhe e sheh veten trashëgimtare të një prej pasurive më të mëdha në vend. Sheherzada shpëton djalin e saj dhe Onur pendohet për keqtrajtimin që bëri. Sulmuesit e Fatmagül, të cilët kishin arritur të blinin heshtjen e familjes së saj, përfundojnë prapa grilave. Dhe, shpesh, historia përfundon me një martesë të lumtur … Nga ana e tyre, produksionet e Amerikës Latine kanë hyrë në një epokë të re. “Telenovelat janë liruar, analizon Orozco Gómez. Shumë prej tyre u hapën në temën e seksualitetit. La casa de las flores, një komedi meksikane që transmetohet në Netflix nga viti 2018, e bëri atë temë kryesore. Seriali rrëfen fatkeqësitë e anëtarëve të familjes Mora, arketipin e borgjezisë meksikane të fiksuar pas dukjes. Gjatë trembëdhjetë episodeve të sezonit të parë, dalin në shesh sekrete që mund ta dëmtojnë reputacionin e saj. Qysh te episodi i parë, matriarka, Virginia de la Mora, me nofkën ironike Virginia “e Moralit”, zbulon se burri i saj menaxhon me dashnorën e tij një kabare transvestite prapa shpinës së saj. Pastaj tregimi i djalit të saj që ka një lidhje dashurie me këshilltarin e tij financiar dhe më në fund kthimi i dhëndrrit të tij nga Spanja … i cili ka ndryshuar gjininë. Gjatë tërë sezonit të parë, Virginia de la Mora bën gjithçka për ta ruajtur një fasadë të normalitetit me fqinjtë edhe nëse kjo do të thotë të dalesh patetike.
Duke ofruar një satirë mbi puritanizmin e Amerikës Latine, seriali gjithashtu ekspozon larminë e seksualitetit. Ndonjëherë me anë të skenave të « nxehta ». Vetëm në episodin e parë, i gjatë tridhjetë e dy minuta, shfaqen një skenë seksi dhe një fellatio homoseksuale njëra pas tjetrës: e paimagjinueshme para njëzet vitesh. E vetmja gjurmë e turpit të dikurshme: aktorja që luan matriarkën, Verónica Castro, një yll telenovela e kanalit meksikan Televisa, prodhuesi kryesor i telenovelave në spanjisht, në vitet 1980. Kthimi i Verónica Castro në setet në La casa de las flores shënon një ndryshim kohe për telenovelën. Ndërsa dje luante role “në stilin e Hirushes”, ja ku po merr tani marihuanë për ta harruar katastrofën familjare. Ose – edhe më keq! – e cila e shet atë duke e futur në buqetat e luleve në dyqanin e saj për ta shmangur falimentimin. Në një intervistë për gazetën ‘El País’, Verónica Castro pranon se i është dashur të “lëshohet” për të interpretuar “devijime” të tilla në ekranin e vogël . Très libéral, kjo telenovelë tërheq kryesisht një audiencë të re, e cila i dha asaj etiketën e telenovelës mijëvjeçare (“serial mijëvjeçar”). Sipas Orozco Gómez, ky modernizim i telenovelave nuk pasqyron një ndryshim në mentalitetin e audiencës. Ai më shumë është rezultat i strategjisë së tyre të re të biznesit. Me ardhjen e platformave video-on-demand në vitet 2000 ndryshoi raporti me publikun. “Më parë, telenovelat u impononin njerëzve ritmin e tyre për të siguruar besnikërinë e tyre”, shpjegon Orozco Gómez. Tani, me Netflix, publiku po e merr përsëri kontrollin. Ai mund të shikoj pesë episode rresht ose një çdo javë, siç e sheh të arsyeshme. Ne gjithashtu mund të shohim secilin episod veç e veç, pasi ato nuk varen nga njëri-tjetri. Kanë ikur, pra, ditët kur familjet mblidheshin në mënyrë rituale në orën 20.00 për ta shikuar telenovelën e mbrëmjes. Rënia e popullaritetit të telenovelave është dëshmi e kësaj: ndërsa sukseset më të mëdha të kanalit Televisa ishin rreth 40% e audiencës në vitet 1990, ata tani memzi po e tejkalojnë 15% . Për të mbijetuar, telenovela prandaj po përpiqet t’i hapet audiences ndërkombëtare. Ajo lidh partneritet me prodhuesit amerikanë, si kanali Telemundo spanjishtfolës. Nevojiten estetika të reja. Cecilia Percy, autore e telenovelave që punon në bashkëproduksione midis kanalit RCN dhe Disney, shpjegon se asaj gjithnjë e më shumë i duhet ta shkurtojë kohëzgjatjen e episodeve dhe ta përshpejtojë ritmin e telenovelave të saj. “Koha nuk është më për emocione, por për aksion”, përmbledh ajo, duke iu referuar ngadalësisë së zhvillimit të intrigës dhe ekzagjerimit të lojës që karakterizonin hijeshinë e telenovela të dikurshme. “Ne po bëhemi gjithnjë e më të varur nga ajo që bëhet jashtë”, ankohet ajo. Për t’i përmbushur këto kërkesa të reja, prodhuesit e telenovelave po inovojnë. Kështu shfaqen narcovelas në vitet 2000, seri të frymëzuara nga kartelet e drogës. « Subjekt polemike në rajon për shkak të “heroizimit” të delikuentëve, ata kanë sukses të madh jashtë vendit, veçanërisht në kanalin amerikan Telemundo. Në vitin 2008, telenovela Sin senos no hay paraíso (“Pa gjinj, pa parajsë”), tregon aventurat e një prostitute që përpiqet të bashkohet me një organizatë të pasur trafikantë të kokainës. Ajo arriti një audiencë 28%. Dy vjet më vonë, episodi i parë i La reina del Sur (“Mbretëresha e Jugut”), e frymëzuar nga jeta e trafikantit meksikan të drogës Sandra Ávila Beltrán, tërheq më shumë se 2.4 milion shikues, një rekord historik. Pas këtij, në vitin 2012, filmi i suksesshëm El patrón del mal (“Bosi i së Keqes”), një biopik mbi historinë e trafikantit kolumbian të drogës Pablo Escobar, është parë nga 2.2 milion njerëz. “Këto seriale i përgjigjen klisheve amerikane për Amerikën Latine: drogë, dhunë dhe korrupsion. Si dhe kritereve estetike të Veriut”, shpjegon Cecilia Percy.
« Geto për hipstera »
Një tjetër risi e kohëve të fundit është bionovela, që flet për jetën e figurave të vendit. Në vitin 2019, Netflix prodhoi në partneritet me kanalin kolumbian Caracol një seri historike mbi jetën e një prej personazheve emblematik të procesit të pavarësisë të Amerikës Latine në shekullin e nëntëmbëdhjetë: Bolívar, una lucha admirabile (“Bolívar, një luftë e madhe”). Një ditë para transmetimit në Netflix, presidenti i Venezuelës paralajmëroi publikun, nga frika se seriali paraqet një version “oligarkik” të Simón Bolívar, heroit kombëtar në Venezuelë: “Sa gënjeshtra, shpifje dhe mbeturina do të fusin në miniserialin?” Pasi e kuptoi që, si çdo bionovela, edhe kjo është përqëndruar më shumë në jetën intime të personazhit se në analizën politike të veprimit të tij, ai kërkoi falje: “Ata ia kanë dalur të tregojnë një Bolívar të gjallë, një Bolívar njerëzor, të ndjeshëm ». Një vit më parë, një bionovela tjetër e realizuar në partneritet me Telemundo, për këngëtarin meksikan të boleros (balada romantike) Luis Miguel, që ishte i famshëm në vitet 1980, kishte shëtitur gjithashtu botën në platformë. Pas shfaqjes së saj ishte trefishuar numri i shkarkimeve të këngëve të Luis Miguel në Spotify. “Receta e re për telenovelat është të bësh histori të mbarsura me elementë vendorë, por të eksportueshëm”, përmbledh Cecilia Percy. Nëse zhvillime të tilla shtynë telenovelën të shkel konventat në një shoqëri shumë konservatore, ato gjithashtu e largojnë atë nga audienca e saj e parë. Telenovela me të vërtetë duket se e ka humbur aftësinë për t’i ofruar klasave të varfëra një pasqyrë të aspiratave të tyre. Ndërsa produksionet e para, të tilla si El derecho de nacer (“E drejta për të lindur”, 1961), Los ricos también lloran (“Edhe të pasurit qajnë”, 1979) ose Rosa salvaje (“Trëndafili i egër”, 1987), reflektonin shpresën e ngritjes shoqërore të klasave të varfëra, e cila mund të ndodhte vetëm përmes martesës ose tekat e fatit. Ato tani përfaqësojnë universin dhe preokupimet e elitave të globalizuara. “Duke u përpjekur të kënaq audiencën e Netflix, telenovela është bërë një geto për hipstera”, ankohet Omar Rincón, kritik kolumbian i televizionit. Duke qenë e tradhtuar, një pjesë e audiencës së saj (veçanërisht gratë mbi 45 vjeç) u strehuan në serialet turke. “Ata erdhën për të mbushur boshllëkun e lënë nga telenovelat”, vëren Omar Rincón. Sipas tij, ky sukses duhet të shërbejë si një sinjal paralajmërues për industrinë: nëse dëshiron të rimarrë ngjyrat e mëparshme, “telenovela duhet të shkojë në shpëtim të melodramës ».