KRYEQYTETI RUS DËSHIRON TA PASTROJË IMAZHIN E TIJ
Në Moskë, pas mitit të “qytetit global”

Për dhjetë vjet, kryeqyteti rus është kujdesur për komunikacionin. Ndjekëse e një niveli të lartë të marketingut urban, bashkia synon, si qytetet e tjera të mëdha botërore, të tërheqë investitorë dhe drejtues shumëkombësh. Por, kjo politikë nuk e fsheh dot marrjen e kontrollit të Kremlinit, i cili ka shërbyer për thellimin e pabarazive territoriale.

2175

Në këmbët e Kremlinit, turistë – rusë ose të huaj – të pajisur me selfie sticks për të shkrepur fotografitë e tyre, shtyjnë drejt parkut të ri Zariadié, ku shihet lumin Moskova. Si sinteza e luleve të Rusisë, ky park përfshin peisazhe të stepës, tundrës, pyllit dhe kënetave. Ai përfshin gjithashtu një shpellë akulli, një muze arkeologjik, restorante, një kompleks multimedial ku mbahen shfaqje filmike dhe ekspozita, një sallë koncerti me 1600 vende dhe një amfiteatër në natyrë me një kapacitet të ngjashëm, që ka mbajtur që nga inaugurimi i parkut më 9 shtator 2017, ngjarjet më prestigjioze ndërkombëtare në kryeqytet. Krenaria e këshilltarëve të qytetit, në renditjen e 2018-ës parku Zariadié përfshihet nga revista amerikane Time si një nga vendet më të bukura në botë për t’u vizituar. Parku i parë i madh i Moskës i cili u ndërtua 50 vjet më parë, prej dhjetë vjetësh që kur vendosi kryetari i Moskës, z.Sergei, është bërë pjesë e një ndërmarrjeje për të zbukuruar dhe forcuar imazhin e kryeqytetit në sytë e botës. Kur ai mori detyrën e kryetarit të kryeqytetit në 2010, ky ish-zyrtar federal, mbështetës prej kohësh i Presidentit Vladimir Putin, donte të hiqte pluhurin nga imazhi i Moskës për ta përcjellë atë në konkurrencën midis metropoleve të mëdha globale. Me fjalë të tjera, është një mënyrë për të konkurruar me Nju Jork, Londër, Tokio ose Paris dhe për të krujuar një “qytet global”, sipas konceptit të popullarizuar nga sociologu dhe ekonomisti amerikan Saskia Sassen.

Në një ekonomi të varur nga çmimi  shumë i paqëndrueshëm i hidrokarbureve, Moska duhet të bëhet një pol global i stabilitetit financiar dhe inovacionit. Rusia, dhe mbi të gjitha platforma e saj e privilegjuar për rregullimin e investimeve të huaja, metropoli i Moskës, kërkon të mbërthejë flukset ekonomike dhe financiare ndërkombëtare duke ftuar zyrat qendrore dhe filialet e ndërmarrjeve ndërkombëtare, me anë të aktivitete kulturore dhe turizmit.

Ndërtimi i një narrative metropolitane

Për këtë, duhet të plotësohen një numër kushtesh. Përveç respektimit të pronës private, taksimit të favorshëm, një burokracie të lehtë ose një adrese prestigjioze, korporatat transnacionale po kërkojnë një mjedis tërheqës urban dhe një infrastrukturë kolektive cilësore për t’i ofruar drejtuesve të tyre. Këta llogariten si ndër anëtarët e famshëm të “klasës krijuese”, motorr i ekonomisë së re, si shkencëtarë, inxhinierë, artistë, punonjës në media, arsim, shëndetësi dhe drejtësi. Babai i këtij koncepti, Richard Florida, u drejtua për në Moskë. Në vitin 2019, ai ishte mysafir nderi në Moscow Urban Forum (MUF). Ky tubim i shkëlqyeshëm për çështjet urbane bashkon çdo vit spektatorë dhe qindra aktorë nga më shumë se pesëdhjetë vende – disa mijëra vendimmarrës publikë, ekonomistë, urbanistë. Që nga viti 2017, ky event është mbajtur…në parkun Zariadié.

Bashkorganizatori i eventit, kompania Mosinjproekt, “krahu ndërtues” i bashkisë, e cila e zotëron atë 100%, i ka ofruar që nga viti 2018 (për 10,000 euro në muaj) shërbimet e një përfaqësuesi të zgjedhur shitjesh- z.Maurice Leroy, i cili zë postin e zëvendës-drejtorit të përgjithshëm. Ish-deputeti i Loir-et-Cher dhe ministri i qytetit të qeverisë së tretë të z.François Fillon (2010-2012), atëherë i ngarkuar me dosjen e Grand Paris, është përgjegjës për projektet kryesore ndërkombëtare të ndërmarrjes publike të Moskës. Ai mbikëqyri veçanërisht nënshkrimin e një programi bashkëpunimi midis z. Sobianine dhe presidentit të Metropolit të Grand Paris, z.Patrick Ollier, më 4 korrik 2019. Marrëveshja mundësoi pozicionimin e disa ndërmarrjeve të mëdha franceze, përfshirë Électricité de France (EDF) dhe Suez. MUF ofron një mundësi unike për qeverinë komunale për të promovuar rezultatet e politikës së saj urbane në sytë e liderëve ndërkombëtarë dhe investitorëve.

Tani Moska është e veshur me parulla me shkronja të mëdha, një metër të larta dhe logo shumëngjyrëshe e me lule të cilat mund të gjenden në disa sheshe në qendër të qytetit. Wi-Fi ka kudo; karta grafike e bashkisë është zhvilluar në bashkëpunim me popullatën përmes aplikacioneve të disponueshme në smartphone. Në metro, ekranet transmetojnë kanalin komunal Moskva 24, ku, midis imazheve shihen dy tifozë brazilianë që luajnë me top në Sheshin e Kuq për Kupën e Botës FIFA 2018, shohim kryetarin e bashkisë duke inauguruar infrastrukturë të të gjitha llojeve – parqe, stacione metroje, rrugë, spitale – dhe madje edhe lagje të tëra në periferi. Sepse ndërtimi nuk është më i mjaftueshëm; ka të bëjë gjithashtu të shfaqurit e të treguarit  duke ndërtuar një narrativë metropolitane: atë të një qyteti në lëvizje, të lidhur me flukse të mëdha globale.

Z. Sobyanin synon të kthejë faqen tek Yuri Luzhkov, kryetari i kryeqytetit midis 1992 dhe 2010, bilanci i të cilit tani po gjykohet ashpër. Në mendjet e njerëzve, mandati i tij mbetet i lidhur me shpërthimin demografik të qytetit. Në fakt, nga mesi i viteve 1990, ndërtuesit morën lehtësisht leje ndërtimi. Nga 8280 banorë për kilometër katror në 1989, dendësia e qytetit u rrit në 10681 në 2010, një nivel i përafërt me atë të qyteteve të mëdha aziatike. Moska gjithashtu mbart një imazh të keq, të krijuar në gjysmën e parë të viteve 1990, kur u katërfishua niveli i vrasjeve. Për më tepër, edhe pasi grupet kriminale ndaluan të shtënat në mes të rrugës, qyteti rregullisht përflitej për raste korrupsioni.

Kryetari i bashkisë mishëron në vetvete konceptin e konfliktit të interesit. Gruaja e tij, zonja Elena Batourina, e cila u martua në prag të emërimit të tij si kryebashkiak në 1991, bëhet pronare e gjigantit të ndërtimit Inteko. Ajo krijoi një pasuri të tërë gjatë mandatit të burrit të saj, deri në pikën që fitoi titullin e gruas së parë miliardere në vend. Së bashku, ata gjithashtu imponojnë projekte madhore të lidhura me trashëgiminë historike, të cilat synojnë të mjegullojnë shenjat e sovjetizmit nga një kthim në origjinën para-revolucionare. Rindërtimi i Katedrales së Krishtit Shpëtimtar midis 1995 dhe 2000, shkatërruar me dinamit në vitin 1931 nga autoritetet komuniste, dhe inaugurimi në 1997 i një statuje të Perandorit Pjetër i Madh, ngritur në një anije monumentale prej bronzi, dëshmojnë për shijen e dyshimtë të epokës.

Por një nga aspektet më strukturuese të politikës së Luzhkov është zhvendosja e kapitalit në një ekonomi tregu. Nën mandatin e tij u përhapën bizneset me pakicë dhe zyrat, praktikisht inekzistente në BRSS. Arritja e tij kryesore: ndërtimi nga viti 1998 i rrethit të biznesit Moskva City, i cili sot ka shtatë nga dhjetë qiell-gërvishtëset më të gjata në Evropë. E ngritur në bregun e Moskvës, përballë ndërtesave staliniste të rrugës Kutuzov, ku vendosen personalitete të partisë, ajo simbolizon hyrjen e kryeqytetit rus në grupin e metropoleve botërore. Sidoqoftë, në vitin 2006, me 5.5 milion metra katrorë zyra, ose 0.56 për frymë, Moska mbeti shumë poshtë mesatares ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, Parisi kishte 4,5 metra katrorë hapësirë ​​zyre për banor. Kërkesa e Moskës është e tillë që çmimi për metër katror hapësirë ​​për qiramarrje zyre në vit po rritet: deri në 900 euro në 2008, përpara Parisit (840), Singaporit (826) ose Dubait (780), por prapa Tokios (1,400) dhe Londrës (1,017), sipas një raporti nga Knight Frank, këshilli i pasurive të patundshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Kthimi në shtratin federal

Nëse mungesa relative e hapësirës për zyra dobëson atraktivitetin ndërkombëtar të metropolit, shpërndarja e tyre është gjithashtu një problem. Një e treta e vendeve të punës janë të vendosura në rrethin qendror të kryeqytetit, që përfaqëson më pak se një të dhjetën e sipërfaqes së metropolit. Përveç fluksit ditor të miliona punëtorëve në Moskë, ka 1.4 milion udhëtarë në rajonin e Moskës, ose 30% e popullsisë aktive. Midis tyre, disa jetojnë në qytetet e konvikteve të populluara shumë dendur në kufi me kryeqytetin, ose në qytete të vogla të vendosura deri në njëqind kilometra nga unaza (MKAD). Ata bëjnë midis dyzet e dyqind e dyzet minuta udhëtime vajtje-ardhje në ditë. Zonat tregtare, po shfaqen gjithashtu në periferi të qyteteve- konvikte. Në Khimki, për shembull, një periferi e vendosur në veriperëndim të kryeqytetit, u hap në 2000 dyqani i parë Ikea; Auchan ndoqi shembullin në 2002. Qindra shitës rusë dhe të huaj pasuan shpejt përgjatë unazës, në kryqëzimin me autostradat federale, për të maksimizuar zonat me fluks blerësish.

Zhvillimi i aksesit në makinat private pas rënies së BRSS, çoi në rikonfigurime të mëdha të strukturës urbane. Një gjë e rrallë në një qytet të madh Evropian në fund të shekullit XX, niveli i motorizimit u rrit: nga 113 në 308 makina për 1000 banorë midis 1993 dhe 2016. Dhe kjo, në një qytet plani i përgjithshëm i të cilit, në vitin 2000, nuk parashikoi më shumë se 8.5 milion banorë deri në vitin 2025, ndërsa sot ka gati 13 milion. Pasoja logjike: transporti në Moskë është ndër më të ngarkuarit në botë.

Emërimi në 2010 i z.Sobianine, ish-kreu i administratës presidenciale (2005-2008) i cili u bë nënkryeministër i federatës (2008-2010), shënon një shkëputje. Me emërimin e zyrtarëve të lartë federalë për të drejtuar departamentet kryesore të administratës komunale, Moska, pas tetëmbëdhjetë vjet autonomie relative politike, po kthehet në shtratin federal. Ky rikuperim u shoqërua, disa muaj më vonë, nga njoftimi i një politike të re urbane proaktive. Më 17 qershor 2011, gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, Presidenti Dmitry Medvedev njoftoi se dëshironte të shtynte kufijtë e bashkisë dhe të transferonte institucionet kryesore federale – në veçanti dhomat e ulëta dhe të sipërme të Parlamentit dhe zyrën e prokurorit të përgjithshëm – drejt territoreve të aneksuar, brenda një rrethi të gjerë administrativ, në mënyrë që të lirojë qendrën e qytetit nga veprimtaritë e saj burokratike.

“Biznesi gjithmonë dëshiron të jetë afër qeverisë, ministrive dhe agjencive qeveritare”, thotë Sobianine. Ai është i bindur se ky territor i ri do të jetë një magnet investimi dhe do të përbëjë instrumentin kryesor të politikës së tij për riorientimin e flukseve të transportit. Kërkuar nga presidenti për të vendosur territorin e projeksionit të kryeqytetit, z.Sobyanin dhe z.Boris Gromov, atëherë guvernator i rajonit të Moskës, identifikojnë një “kravatë” toke prej gati 1480 kilometra katrorë në një aks jug-perëndimor i cili shumëzon madhësinë totale të qytetit me 2.4. Territori, i quajtur “Moska e Re”, atëherë u popullua nga vetëm 232.000 banorë dhe i premtoi kryeqytetit perspektiva të konsiderueshme zhvillimi. Pas këtij aneksimi, të ratifikuar në 1 Qershor 2012, Moska, me 2,561 kilometra katrorë (njëzet e pesë herë Paris intramural), u bë qyteti i gjashtë më i madh në botë, me një dendësi mesatare prej 4919 banorë për kilometër katror, që do të thotë dy herë më pak se para aneksimit, nga një këndvështrim  statistikor.

Autoritetet ruse krahasojnë me lehtësi Moskën e Re me Londrën e Madhe (1999) ose Metropolin e Parisit të Madh (2016). Në rastin britanik, një skuadër shtesë administrative mbikëqyr kryeqytetin dhe kurorën e madhe londineze. Kryetari i Bashkisë së Londrës, z.Sadiq Khan, mban pjesën më të madhe të pushtetit mbi këtë strukturë. Nga ana tjetër, Métropole du Grand Paris përbëhet nga një mekanizëm koordinimi i 131 komunave. Këto dy konfigurime ndryshojnë shumë nga çështja e Moskës, pasi që kryeqyteti rus ka përfshirë, territore që ende nuk janë shumë të urbanizuara. Një krahasim me Hanoi, një tjetër qytet post-komunist që trefishoi madhësinë e tij në 2008 pas aneksimit të provincës fqinje të Hà Tây, ndoshta do të ishte më i rëndësishëm. Por më pak prestigjioz …

Për të hartuar organizimin e këtij territori të ri, Bashkia e Qytetit të Moskës filloi një konsultë të madhe ndërkombëtare në janar 2012, me dhjetë ekipe kandidate. Firma amerikane Urban Design Associates fiton konkursin. Propozon të artikulohen rreth qendrës së re administrative federale dymbëdhjetë “grupe funksionale” (industriale, administrative, tregtare, spitalore, arsimore, shkencore, turistike, logjistike, etj.). Duke u ndërtuar për 1.7 milion njerëz dhe me supozimin e krijimit të 800,000 vendeve pune, ai planifikon të lidhë Moskën e Re me “qytetin e vjetër” nga një sistem transportiti i shpejtë dhe efikas.

Por, për pjesën më të madhe, këto projekte do të mbeteshin  broshura. Pa u anuluar zyrtarisht, lëvizja e institucioneve politike u zhduk nga axhenda. Para shtypit, zyrtarët përdorin vullnetin e z.Putin (i cili u bë president përsëri në 2012) për t’i dhënë përparësi financimit të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Vladivostok në 2012 dhe Lojërave Olimpike në Sochi në 2014.

Duke mos arritur akomodimin e institucioneve federale, Moska e Re është bërë një parajsë ndërtuesish, si homologu i saj francez pas projektit Grand Paris Express. Baleti i pandërprerë i buldozerëve e dëshmon këtë. Tetë stacionet e metrosë të ndërtuara për të lidhur qytetin e ri me rrjetin ekzistues luajnë rolin e gjeneratorëve të frikshëm të përfitimit të vlerës së tokës. Dhe shtatëmbëdhjetë stacione të tjera pritet të hapen deri në vitin 2035. Sipas bashkisë së qytetit, më shumë se 14 milion metra katrorë strehim dhe më shumë se 4.3 milion metra katrorë hapësirë ​​me pakicë janë ndërtuar tashmë. Popullsia e Moskës së Re u rrit nga 232,000 në 2012 në 404,000 në 2020, një rritje prej 74%. Gjatë së njëjtës periudhë, të dhënat zyrtare shpallin hapjen e 170,000 hapësirave të punës. Por po shohim rastet e para të bllokimit të rrjetit. Shtypi lokal herë pas here raporton bllokime trafiku ose ngarkim të trenave e të metrosë në këto zona.

Duke pranuar se projekti për të lëvizur institucionet ka ngecur, kryetari i bashkisë së Moskës ndryshoi mendje. Ndërsa të ardhurat nga taksat e qytetit u rritën (+ 11.3% midis 2015 dhe 2016) dhe ministri i financave planifikoi të merrte më shumë nga buxheti i Moskës për të mirën e rajoneve të tjera, kryeqyteti kishte nevojë për një draft rezervë. Një program ambicioz i rinovimit urban që u miratua në 2017, kushtoi 100 miliardë rubla (1.5 miliardë euro),. Objektivi i tij: prishja e pesë mijë ndërtesave të vjetra. Ky park, i përbërë kryesisht nga khrushchevki, ndërtesa të parafabrikuara të ndërtuara në masë midis 1957 dhe 1968, kur Nikita Hrushchev sundoi BRSS, përfshin 350,000 apartamente ku jetojnë më shumë se një milion njerëz, ose gati një në dhjetë moskovitë. Sipas dekretit komunal të 1 gushtit 2017, shkatërrimi i tyre duhet të lejojë “të japë një imazh modern të kryeqytetit të Federatës Ruse” ndërsa mbështet “formimin e një strukture policentrike”.

Në një intervistë me faqen e lajmeve mbi ekonomikë RBK, Ministri i Ndërtimit Mikhail Men njofton zhvendosjen e banorëve: “Në të njëjtën lagje ose afër, por unë ju premtoj: jo në Moskën e Re ! – një gjysmë-rrëfim për dështimin e kësaj të fundit. Për më tepër, apartamentet do të jenë në të njëjtën sipërfaqe me ato të vjetrat, por në ndërtesa që janë shumë më të larta (deri në shtatëdhjetë e dy kate!) dhe të përziera, domethënë duke përfshirë strehimin, zyrat dhe tabelat komerciale. Ideja është të futen funksione të reja në rrethet kryesisht të banuara më parë në mënyrë që të “zvogëlojë [nevojën e popullatës për lëvizje dhe] ngarkesën në infrastrukturën e transportit”. Çdo lagje duhet të bëhet një ishull relativisht i pavarur – një qendër – ku jetoni, ku mund të gjeni punë, ku i dërgoni fëmijët tuaj në shkollë.

I shpallur një vit para zgjedhjeve komunale dhe presidenciale të vitit 2018, ky program, i hartuar nga një perspektivë elektorale, zgjoi një protestë të shkurtër. Duke reaguar shpejt, bashkia filloi nga 15 maj deri më 15 qershor 2017 lancimin e aplikacionit mobil bashkiak “Qytetari aktiv“, një konsultim i madh popullor. Duke klikuar në smartphone-t e tyre, banorët – shumë prej të cilëve kanë marrë titullin pronar nga viti 1992 në banesat që kanë zënë gjatë periudhës Sovjetike – mund të shprehin pikëpamjet e tyre mbi të ardhmen e ndërtesës së tyre. Nëse më shumë se një e treta e bashkëpronarëve kundërshtojnë prishjen, ajo anulohet. Rezultati i votimit paraqiti sukses për bashkinë: vetëm 11% e ndërtesave të regjistruara janë hequr nga lista e prishjeve.

Kështu vazhdon dendësimi urban i filluar nën mandatin e Luzhkov. Këtë herë, ajo bazohet në teknologji të reja, të cilat bëjnë të mundur zbutjen e konflikteve të mundshme shoqërore gjatë mbledhjes së të dhënave personale (lexo “Mirages e demokracisë elektronike”). Në fund të viteve 2000, komuna vështirë se shqetësohej për “demokraci pjesëmarrëse”. Për shembull, autoritetet kishin falsifikuar masivisht nënshkrimet e pronarëve të apartamenteve për t’i besuar « miqve » menaxhimin e ndërtesave të apartamenteve në kryeqytet … Këto metoda, të frymëzuara nga marketingu urban, janë megjithatë një përparim.

Të gjitha këto projekte ndryshojnë jetën e moskovitëve. Shumë ekspertë kanë dyshime se aneksimi i territoreve dhe “rinovimi” i Moskës së vjetër, larg nga ribalancimi i shtyllës kurrizore të kryeqytetit, do të shkaktojë probleme të reja. “Jeta dinamike e aktive e Rusisë, në territorin e saj të madh, nuk mund të përqendrohet në disa mega-qytete,” tha Putini në 2018 në fjalimin e tij presidencial në Parlament me rastin e inaugurimit të tij. Nje autokritikë? Jo ne fakt. “Qytetet e mëdha duhet të shpërndajnë energjinë e tyre, të shërbejnë si një mbështetje për një zhvillim hapësinor harmonik, të ekuilibruar të të gjithë Rusisë,” shtoi ai. “Përhapni energjinë e tyre“. Në një kontekst të hiper-centralizimit politik dhe buxhetor (lexo “Të gjitha rrugët çojnë në Moskë”), miti i modelit trickle-down duket se ka një të ardhme të ndritur përpara.

*Student i doktoratës në gjeografi në Institutin Francez të Gjeopolitikës (Universiteti Paris 8).