NJË GJENERATË E RE FEMINISTËSH
Revolta e koreaneve të jugut

Pavarësisht dukjes së një vendi modern dhe nivelit të lartë të teknologjive të reja, shoqëria e Koresë së Jugut mbetet shumë maçiste. Gratë duhet t'i përkushtohen familjeve të tyre. Sidoqoftë, tetorin e kaluar, qeveria prezantoi një projekt-ligj që e lejon ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë (NVB). Një tekst që konsiderohet shumë i ndrojtur nga feministët. Aktiviste të reja trumbetojnë kohën e revoltës.

762

Më 11 prill 2019, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Koresë së Jugut e dhanë një verdikt historik: me shtatë vota pro, dy kundër, ata vendosën që kriminalizimi i abortit, në fuqi për dekada të tëra, ishte i paligjshëm. Koreanojugoret nuk kanë më nevojë të fshihen. Një fitore e madhe kjo për shoqatat feministe. “Rezultati i viteve të betejës“, tha një aktiviste, me një zë të shtrembëruar nga emocionet, kur dëgjoi gjykimin.

Përparime të tjera të rëndësishme janë bërë viteve të fundit. Lëvizja #metoo, e cila mbërriti vonë në vend, ka pasur një ndikim të konsiderueshëm. Në fillim të vitit 2018, një prokurore, znj.Seo Ji-hyun, pohoi publikisht që shefi i saj e kishte prekur dhe tregoi sesi karriera e saj ishte shkatërruar pasi që guxoi të protestonte. Gratë e tjera ndoqën shembullin e saj duke e thyer ligjin e heshtjes. Politikanë, kineastë, artistë, akademikë shfaqën disa raste të profilit të lartë, duke i njoftuar të gjithë se sulmet seksuale, nuk do të heshtin, siç kishte ndodhur më parë.

Pas këtyre rasteve u shfaqën shumë gra që hezitonin ende të bashkoheshin në lëvizje, duke treguar rastin e tyre. Në verën e vitit 2018, në Seul u mbajtën protestat më të mëdha feministe në historinë e vendit. Me moton “Jeta ime nuk është filmi yt porno“, dhjetëra mijëra gra denoncuan mosveprimin e autoriteteve ndaj përhapjes së kamerave të fshehta (spiune), të pagëzuara molka, të vendosura në vende publike (tualete, sauna) për t’i filmuar gratë pa dijeninë e tyre. Këto video, sikurse sex tapes të vjedhura, shpërndahen dhe shiten në internet, duke shkatërruar jetën e viktimave. Policia dhe drejtësia akuzohen për laksizëm dhe butësi. Këto shprehje të zemërimit çuan në gusht 2019, pastaj në maj 2020, në një forcim të ligjit që ndëshkon krimet seksuale online.

Protestat e vitit 2018 janë grumbullimet e para feministe në të cilat kam guxuar të marr pjesë“, tregon Seo Ji-eun, 22 vjeçare, gazetare. Sepse, në Korenë e Jugut, vetë fjala është tabu: ta quash veten “feministe” zemëron familjen, kolegët, meshkuj, përdoruesit e internetit…”Në atë kohë, fshehesha. Kisha frikë të mos identifikohesha si aktiviste sepse vihesha në shënjestër. Por gjërat po ndryshojnë”. Kjo shihet më së miri nga suksesi i romanit të Cho Nam-joo ‘Kim Ji-Young, lindur në vitin 1982′, i shitur me mbi një milion kopje. Heroina e këtij libri, një e sapomartuar, shkatërrohet nga pritjet e një shoqërie ultra-patriarkale, si dhe nga poshtërimet e përditshme dhe tinëzare që u imponohen grave.

Kështu, pak nga pak, disa tabu po bien. “Kur e krijuam organizatën tonë në vitin 1991, nuk kemi mundur as t’i përmendim fjalët ‘dhunë seksuale’, kujton zonja Park A-reum, përfaqësuese e Qendrës së Ndihmës kundër Dhunës Seksuale. Tani viktimat gjejnë guximin të flasin. Ky është një ndryshim i madh”. Vrasja e një kalimtare 23-vjeçare në maj 2016 pranë stacionit të metro Gangnam në Seul, nga një i huaj 34-vjeçar i cili rrëfeu se donte të vriste një grua të rastit, shkaktoi një valë militantizmi. Shkrimtarja feministe Lee Min-kyung shpjegon: “Kam mundur të jem unë viktima. Pas këtij krimi, lëvizja feministe shpërtheu”.

Nënat beqare, këto “rrugaçe”

Katër vjet më vonë, në prill 2020, partia e parë feministe e Koresë së Jugut mori pjesë në zgjedhjet parlamentare. Nuk fitoi asnjë vend, por vetë pjesëmarrja e saj ka qenë një revolucion i vogël. Aktualisht Kuvendi Kombëtar përbëhet nga 19% deputete grash. Një rekord…për Korenë e Jugut. Demokracia fqinje Tajvaneze i ka 41,6%. 

Në dukje moderne dhe ultra e konektuar, shoqëria mbetet vërtetë e mbarsur nga ideologjia neokonfuciane, e cila shërbeu si shtyllë kurrizore për dinastinë Joseon (1392-1910) dhe që promovon vlera rigoroze patriarkale dhe konservatore: një grua duhet t’i nënshtrohet gjatë gjithë jetës babait të saj, burrit të saj, pastaj djalit të madh të saj. Sigurisht, Koreja e Jugut është një demokraci e fuqishme, e cila në vitin 2017, arriti të largonte nga pozita presidenten e saj Park Geun-hye (gruaja e parë e zgjedhur në këtë post) pas disa muaj protestash masive dhe paqësore. Por ajo mbetet çuditërisht e prapambetur në çështjen e barazisë gjinore. Dhe koreanojugorët vazhdojnë të përplasen në një tavan xhami veçanërisht të ulët.

Presionet sociale dhe familjare që i shtyejnë ato të japin dorëheqje kur lindin fëmijën e parë mbeten mbizotëruese. Figura tradicionale mbetet ajo e hyobu-së, nuse model që gatuan, drejton shtëpinë dhe u kushtohet fëmijëve të saj, burrit të saj dhe vjehrrive, një fat që nuk e ëndërrojnë më femrat e reja të Koresë së Jugut moderne, me arsim të lartë dhe të hapura ndaj botës.

Nënat beqare mbajnë barrën më të madhe të efektit të këtij patriarkati të rreptë. Lindjet jashtëmartesore janë të rralla (1.9% e numrit të përgjithshëm më 2018, kundrejt 59.1% në Francë) dhe ndëshkohen me dhunë. Gratë shtatzëna të pamartuara janë nën një presion të madh për të abortuar ose për t’i braktisur foshnjat e tyre gjatë lindjes. “Edhe prindërit më këshilluan ta braktisja djalin tim“, tregon zonja Kim Do-kyung, presidente e Shoqatës koreane të familjeve të nënave të pamartuara (Korean Unwed Mothers Families Association, Kumfa).

« Na konsiderojnë si rrugaçe. Shumë prej nesh humb punën: të mbash fëmiun tënd do të thotë të jesh në situatë më të pasigurt. Në shkollë, prindërit u kërkojnë fëmijëve të tyre të mos luajnë me fëmiun tim. Ata pëshpërisin pas shpinës sime. Nuk jam e ftuar në takimet e prindërve. Në certifikatën e lindjes së djalit tim është shënuar ‘i lindur jashtë martese’. E kanë etiketuar që nga dita e parë. »

Si nënë e re e një vajze 14-vjeçare dhe anëtare e shoqatës, zonja Jeong Su-jin vazhdon, “Shefi im më pushoi nga puna kur zbuloi se isha shtatzënë dhe beqare. Ai më tha: ‘Unë nuk dua dikë si ti këtu’. Edhe kolegët e mi po më tregonin me gisht“. Shoqata Kumfa siguron ndihmë financiare dhe psikologjike për këto nëna, por nuk merr asnjë subvencion. Shumë gra të pamartuara janë përjashtuar de facto nga disa programe komunale të natalitetit. Shpesh të braktisura nga familjet e tyre, ato prej kohësh kanë qenë pre të agjensive ndërkombëtare të paskrupullta të birësimit që i mirëpresin ato para lindjes dhe e keqpërdorin shqetësimin e tyre për t’i shtyrë t’i braktisin foshnjat e tyre. Ky patriarkat i rrënjosur thellë shpjegon faktin që mijëra fëmijë të Koresë së Jugut, edhe pse shtet i pasur dhe i industrializuar, ishin adoptuar jashtë shtetit.

Patriarkati gjithashtu ndikon shumë në botën e punës. Edhe pse koreanët e jugut janë gratë më të arsimuara të të gjitha vendeve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), ato mbajnë punët më të pasigurta dhe me pagë më të ulta. “Diskriminimi fillon qysh në intervistën për punë”, tregon znj.Bae Jin-kyung, drejtoreshë e Shoqatës së Punëtoreve të Koresë (Korea Women Workers Association). Është e zakonshme që rekrutuesit të pyesin një kandidate nëse ajo ka një të dashur, plane për martesë ose fëmijë. Pasi të jetë punësuar, asaj do t’i jepen detyra me më pak përgjegjësi”.

Ajo gjithashtu përjashtohet nga huesik-ët, darka të kompanive ku pihet shumë (dhe që ndonjëherë përfundojnë në shtëpi publike) të cilat shërbejnë për të negociuar kontrata, si dhe për të forcuar lidhjet brenda një ekipi ose për t’i lehtësuar promovimet. Për shumë punëdhënës, mënyra më e lehtë është shmangia e rekrutimit të grave, të cilat mund të largohen nga kompania me fëmijën e tyre të parë. Në vitin 2018, tre nga bankat më të mëdha të Koresë së Jugut, Hana Bank, Shinhan Bank dhe Kookmin Bank, u dënuan për falsifikim të konkurseve të tyre të rekrutimit: kishin ulur rezultatet e kandidatëve për të rekrutuar më shumë burra.

Punëtoret në disa profesione tepër të feminizuara, siç janë infermierët, shpesh u bëhet presion nga hierarkia e tyre që të mos mbesin shtatzëna. “Në sektorë të tjerë, gratë shtatzëna thjesht largohen nga puna. Ligjet për barazinë gjinore në vendin e punës ekzistojnë, por nuk merren parasysh”, tha zonja Bae Jin-kyung. Sipas saj, kriza financiare aziatike e vitit 1997, duke shkaktuar një pasiguri të madhe të tregut të punës – nën ombrellën e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili erdhi në “shpëtim” -, bëri që mosrespektimi i kodit të punës të jetë i pranueshëm në mënyrë të heshtur. Sa i përket pagës mesatare të grave, ajo është vetëm 68.5% e pagës së burrave – ky është dallimi më i madh në vendet e ashtuquajtura “të zhvilluara”. Vetëm 52% e grave në moshë për të punuar janë të punësuara, krahasuar me 72.3% të burrave. Kriza Covid-19 i ka goditur më shumë gratë e punësuara. Nga 15,000 drejtuesit e lartë të 500 kompanive më të mira të vendit, vetëm 3.6% janë gra.

Sidoqoftë, koreanet e jugut janë më të arsimuara se meshkujt në vendin e tyre: derisa para dy brezave vetëm vëllezërit e tyre shkonin në universitet, aktualisht 75.7% e grave të moshës 25 deri në 34 vjeç kanë një diplomë universitare, krahasuar me 64.1% të burrave. Të detyruara të zgjedhin midis karrierës dhe fëmijëve, duke refuzuar pritjet arkaike të një shoqërie që është shumë e ngadaltë për ndryshime, shumë prej tyre preferojnë të mbajnë pavarësinë e tyre dhe të heqin dorë nga martesa. Vetëm 22% e grave e konsiderojnë martesën të domosdoshme; dhjetë vjet më parë ato përbënin 47%.

Derisa koreanojugorët martohen gjithnjë e më pak dhe gjithnjë e më vonë, numri i lindjeve është në rënie të lirë. Në vitin 2019, shkalla e lindshmërisë arriti shkallën 0.92 fëmijë për grua: një rekord. Programet e rimëkëmbjes së natalitetit, të implementuara që në vitin 2005 nga të dy qeveritë e krahut të djathtë dhe të qendrës së majtë, kanë kushtuar një shumë marramendëse, 123 miliardë euro në total, dhe janë treguar joefektive në mënyrë spektakulare. A e kanë gabuar shënjestrën? “Nuk është rastësi që rajoni me nivelin më të lartë të lindjeve është Sejong”, tregon zonja Bae Jin-kyung. Në kryeqytetin e ri administrativ, që gjindet në jug të Seul-it, shumica e banorëve janë nëpunës civilë; barazia gjinore në punë është më e madhe dhe siguria e punës më e lartë.

Mizogjenia e të rinjve

Nga ana e tij, Lee Min-kyung pendohet që qeveria “vazhdon ta konsideroj rënien e natalitetit vetëm nga pikëpamja ekonomike, kur kjo ndodh për shkak të një lufte të gjinive”. Fitoret e fundit të grave kanë çuar vërtet në një radikalizim të diskursit mizogjenist, veçanërisht në mesin e brezave të rinj. “Shumë burra i urrejnë feministët. Ata na ofendojnë ”, thotë zonja Seo Ji-eun. Të rinjtë 20-30 vjeç janë edhe më virulent se 30-40 vjeçarët; 76% e këtyre të rinjve shfaqin hapur kundërshtimin e tyre ndaj feminizmit.

Në shtator 2019, adaptimi në film të romanit Kim Ji-Young, e lindur në 1982 shkaktoi ​​një lum urrejtje dhe fyerjesh në internet, duke shpërfaqur ndarjen e re që përjeton  shoqëria. Burrat që pretendojnë të jenë viktima të diskriminimit bashkohen në shoqata maskuliniste dhe shfrytëzojnë shërbimin e gjatë të detyrueshëm ushtarak për t’i justifikuar privilegjet e tyre tradicionale. Polemikat kanë pasoja politike: niveli i mbështetjes të Presidentit të qendrës së majtë, Moon Jae-in, me këndvështrimet që konsiderohen më pranë feministëve, ka pësuar rënie të thellë tek votuesit më të rinj.

Konflikti është përkeqësuar me rritjen e papunësisë së të rinjve dhe me stagnimin e ekonomisë. Shumë të rinj nuk kanë mundësi të pajtohen me normat shumë të ngurta shoqërore: për t’u martuar, ata duhet të fitojnë sa për të blerë banesë dhe për ta paguar arsimimin e fëmijëve të tyre të ardhshëm. Ata ndihen të mashtruar. Të frustruar nga konkurrenca e re e grave në botën e punës, shumë refuzojnë të pranojnë që pritjet e grave kanë ndryshuar. “Brezi i ri i djemve nuk është aspak ndryshe! Ata u rritën duke parë baballarët e tyre”, thotë një studente në Seul. Për koreanojugoret, lufta mund të jetë ende e gjatë.