COVID-19… DHE JETA NDRYSHOI
Deri në fundin e radhës së botës…

Pandemia e Covid-19 e ka ndryshuar botën. Tani shëtitja me një mik është po aq e paimagjinueshme, sa respektimi i rregullave buxhetore evropiane: gjërat e përditshme bëhen të jashtëzakonshme; gjërat e paimagjinueshme bëhen të përditshme. Derisa disa shfrytëzojnë rastin për përfitime materiale, të tjerët pyesin: a e arsyeton shpëtimi i jetërave rrezikimin e tregtisë së lirë? Në repartet e emergjencës sikurse nëpër oborre qeveritare shtrohet një pyetje bezdisëse: sikur shëndetësia publike të mos ishte shkatërruar nga politikat shtrënguese, a do të kishin vdekur kaq shumë njerëz nga virusi? Kur do të bëhen llogaritë, përgjigjja do të jetë e rëndë.

Arti i prestigjiatorit është ta drejtojë vëmendjen e publikut, në mënyrë që publiku të mos vërejë çka ndodh para syve të tij. Në zemër të epidemisë Covid-19, numri i magjisë ka marrë formën e një grafiku me dy gunga, transmetuar në të gjitha televizionet botërore. Në abshisë vendoset koha; në ordinatë, numri i rasteve të rënda të sëmundjes. Një lakore e parë në formën e një majeje akute tregon ndikimin e epidemisë nëse nuk veprohet: thyhet vija horizontale që tregon kapacitetet maksimale të pranimit nëpër spitale. Lakorja e dytë ilustron situatën kur masat e vetizolimit kufizojnë përhapjen e sëmundjes. Pak e gungëzuar, si një guaskë breshkeje, ajo rrëshqet nën pragun e pashmangshëm.

Ky grafik paraqitet në Uashington deri në Paris, në Seul, Romë apo Dublin, dhe tregon urgjencën: shkalla e infeksioneve duhet të përhapet në kohë, që të shmanget stërngarkimi i shërbimeve shëndetësore. Duke i potencuar dy gungëzimet, gazetarët shmangin një element të rëndësishëm: vijën e drejtë, diskrete, në mes të grafikut, që paraqet numrin e shtretërve në dispozicion ku do të shtrihen rastet e rënda. Ky “prag kritik” i paraqitur si vlerë që nuk i dihet burimi është rezultat i zgjedhjeve politike. Duhet të “rrafshohet gunga ” sepse, për dekada me radhë, politikat shtrënguese kanë zvogëluar kapacitetet pranuese të shërbimeve shëndetësore. Në vitin 1980, në Francë kishte 11 shtretër spitalor (përfshirë të gjitha repartet) për 1.000 banorë. Tani janë vetëm 6. Në shtator, një ministre e shëndetësisë makroniste propozoi që këto shtretër të menaxhohen nga ‘bed managers’ (« menaxhues të shtretërve »), përgjegjës për furnizimin e këtij burimi të rrallë.

Në Shtetet e Bashkuara ishin të regjistruar 7,9 shtretër për 1.000 banorë në vitin 1970, kurse në vitin 2016 vetëm 2.8 (1). Sipas Organizatës Botërore të Shëndetsisë (OBSH), në vitin 1980 Italia ka pasur 922 shtretër të rezervuar për “raste të rënda” për 100.000 banorë, kurse vetëm 275, tridhjetë vjet më vonë. Gjithandej i njëjti diskurs: zvogëlimi i shpenzimeve. Spitali do të funksionojë si një fabrikë veturash, në stilin “fiks në kohë”. Si rezultat, më 6 mars të këtij viti, kompania italiane e anestezisë, analgjezisë, reanimacionit dhe terapisë intensive (‘Siaarti’) e krahasoi punën e mjekëve italian të emergjencës me “mjekësi të fatkeqësive”. Dhe paralajmëroi: duke pasur parasysh “mungesën e burimeve”, “do të duhet ndoshta të përcaktojmë moshën kufitare për qasje në kujdesin intensiv” (2). “Mjekësia e luftës”: një term tani i zakonshëm në rajonin Grand-Est të Francës. Kriza e koronavirusit është shkaktuar po aq nga rrezikshmëria e sëmundjes, sa nga përkeqësimi i organizuar i sistemit shëndetësor. Jehonë e përhershme e kalkulimeve, mediumet kryesore shmangin analizën kritike të këtyre opsioneve për të ftuar lexuesit dhe dëgjuesit në një debat marramendës filozofik : si të vendoset se kush duhet shpëtuar dhe kush të lihet të vdes? Kësaj radhe, megjithatë, do të jetë e vështirë të fshihet çështja politike prapa një dilemeje etike. Sepse epidemia e Covid-19 zbulon në sytë e të gjithëve një organizim ekonomik edhe më absurd, se që e kishim menduar të gjithë. Derisa aeroplanë të zbrazët të linjave ajrore vazhdonin të fluturonin për t’i ruajtur oraret e fluturimeve, një studiues shpjegoi se si burokracia liberale kishte dekurajuar kërkimet themelore mbi koronaviruset (3). Marshall Burke, profesor i shkencës së ekosistemëve në Universitetin Stanford, vuri në dukje paradoksin : për ta kuptuar çrregullimin duhet të mendojmë jashtë rregullave. “Nga ulja e ndotjes së ajrit për shkak të epidemisë së Covid-19, në Kinë kanë shpëtuar ndoshta njëzet herë më shumë njerëz sesa numri i të vdekurëve nga sëmundja. Nuk duhet të konkludojmë se pandemitë janë të dobishme, por të kuptojmë sa sistemet tona ekonomike janë të dëmshme për shëndetin. Edhe kur nuk ka koronavirus (4)”. Ngjarja kryesore e këtij udhëtimi në ‘Absurdia’ nuk ka qenë rreziku i mungesës së barnave për shkak të veprimtarisë offshore të rrjeteve të prodhimit, as insistimi i tregjeve financiare për ta penalizuar Italinë, kur qeveria ndërmorri masat e para sanitare. Por ngjarja kryesore ka ndodhur mbrapa dyerve të spitaleve. I themeluar në mes të viteve 2000, tarifimi sipas aktiviteteve (T2A) e shpërndan financimin e institucioneve në mënyrë proporcionale me numrin e shërbimeve mjekësore të kryera, çdonjëri i faturuar si në një shitore, e jo sipas planifikimit të nevojave. Sikur t’ishte zbatuar gjatë krizës aktuale, ky parim i ‘kujdesit-mall’ i importuar nga Shtetet e Bashkuara shpejt do t’i kishte mbytur institucionet që pranojnë pacientët më të prekur, pasi që format kritike të Covid-19 kërkojnë para së gjithash ventilim mekanik, një veprim i kushtueshëm në kohë, por më pak fitimprurës në rubrikat tarifore sesa shumë kontrolla mjekësore të shtyera për shkak të epidemisë…

Garantuesit e status quo-së të cilët mbështeten në situatat e pashpresa për ta zgjeruar kontrollin e tregut përfitojnë zakonisht nga goditjet më brutale. Ky kapitalizëm i katastrofës, i studiuar pak para recesionit të madh të vitit 2008 nga autorja Naomi Klein, përçmon varfërimin e burimeve natyrore dhe të institucioneve të mbrojtjes sociale, të cilat mund ta zbusin krizën

Për një kohë, dukej se muret e hapësirës sociale u rrëzuan nga mikrobi që shkaktoi masat më të rënda të vetizolimit të imagjinueshme në kohë paqeje. A nuk u kërcënuan papritmas njësoj bankierët e Wall Street dhe punëtorët kinezë? Por paraja u rikthye shpejtë në pozicionin e saj. Nga njëra anë, të vetizoluarit nëpër villa, që punojnë online, duke prekur ujin e pishinës me këmbë; nga ana tjetër, ata që zakonisht vërehen shumë pak, personeli mjekësor, mirëmbajtësit, arkëtarët e supermarketeve dhe punëtorët e logjistikës. Ata dallohen tani për herë të parë, sepse i nënshtrohen një rreziku nga i cili kursehen më të pasurit. Punonjës të tjerë që punojnë nga shtëpia, në banesa të papërshtatshme, ku dëgjohet zhurma e fëmijëve; njerëz të pastrehë që kishin dashur të kenë një shtëpi për t’u strehuar.

Nuk ka rrugëdalje pa qasje kolektive, të koordinuar dhe të gjerë

Në “tipologjinë e sjelljes kolektive në kohë të murtajës” midis shekujve XIV dhe XVIII, historiani konservator Jean Delumeau nënvizon këtë dukuri: “Kur shfaqet rreziku i kontaminimit, fillimisht provojmë ta injorojmë (5)”. Shkrimtari gjerman Heinrich Heine vëren se pas njoftimit zyrtar të epidemisë së kolerës në Paris në vitin 1832,”parisienët bënin shumë qejf nëpër bulevarde ‘sepse’ ishte ditë me diell dhe moti i bukur” (6). Pastaj të pasurit ikën në fshat. Pastaj qeveria e vendosi qytetin në karantinë. Dhe, papritmas, shpjegon Delumeau, “ndryshoi rendi i zakonshëm familjar. Pasiguria nuk shfaqej vetëm nga prania e sëmundjes, por edhe nga shkatërrimi i elementeve që ndërtonin mjedisin e përditshëm. Gjithçka është ndryshe”. Banorët e ngujuar në Wuhan, Romë, Madrid dhe Paris e përjetojnë atë në një shkallë të paparë.

Murtajat e mëdha të Mesjetës dhe Rilindjes shpesh interpretoheshin si një shenjë e Gjykimit të Fundit, një shenjë e tërbimit të një Zoti hakmarrës ndaj botës në ditët e fundit të saj. Atëherë secili kthehej herë kah qielli për të kërkuar ndihmën e Zotit, herë kah fqinjët për të kërkuar fajtorë – hebrenjtë dhe gratë, të cilëve u referohet gomari që akuzohet në fabulën “Les animaux malades de la peste” (Kafshët e sëmura nga murtaja) të Jean de La Fontaine. Në Evropën e shekullit XXI, epidemia e Covid-19 ka goditur shoqëritë e sekularizuara, të cilat që nga kriza financiare e vitit 2008 ndihen të prekura në shkallë të ndryshme nga ndjenja e “humbjes së kontrollit” ekologjik, politik, financiar, demografik, migrues, etj. Në këtë atmosferë të “fundit të botës”, ku përzihen imazhe të Notre-Dame de Paris duke u djegur dhe debate mbi kolapsin e ardhshëm, vëmendja drejtohet kah pushteti publik: Shteti, burim i rëndimit të problemit përmes kokëfortësisë së tij për të shkatërruar sistemin shëndetësor, por i cili është e vetmja instancë që mund të urdhërojë dhe të koordinojë një përgjigje ndaj epidemisë. Por deri në ç’masë? Gjatë muajit shkurt, mbyllja gjatë disa javëve e pesëdhjetë e gjashtë milion banorëve të Hubei në Kinë, ndalimi i detyruar i punës në fabrika, thirrjet për rend nëpër qytete përmes droneve të pajisur me kamera dhe megafonë, provokuan në Evropë komente komike, apo kritika mbi kontrollin e hekurt të Partisë Komuniste. “Asnjë mësim nuk mund të nxirret nga përvoja kineze për kohëzgjatjen e mundshme të epidemisë,” shkruan revista L’Express, më 5 mars. Atje u ngadalësua epidemia falë masave drastike të izolimit, ndoshta të pazbatueshme në demokracitë tona”. Mjerisht, përballë viruseve të pandjeshme ndaj superioritetit të vlerave “tona”, duhet të pranojmë t’i vëjmë në plan të parë vendimet e centralizuara dhe liberalizmin ekonomik në plan të dytë. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, z.Tedros Adhanom Ghebreyesus thekson se “mund të shtyhet epidemia, por vetëm në bazë të një qasjeje kolektive, të koordinuar dhe të gjerë, e cila përfshin tërë makinerinë (7)”. Kolektiv, koordinim, shtet: e kundërta e ekonomisë së tregut. Brenda disa ditëve u shfaq ana e kundërt e kornizës interpretuese të rendit shoqëror: “Gjithçka është ndryshe”. Nocionet e sovranitetit, të kufijve, të limiteve dhe madje të shpenzimeve publike, për gjysmë-shekulli ishin të asociuara në diskursin publik me “popullizmin nacional” ose me Korenë e Veriut. Papritmas, ato shndërrohen në zgjidhje në një botë e cila deri tani ishte e rregulluar nga kulti i flukseve dhe rigorozitetit buxhetor. Avangarda arbitrare, e nxitur nga paniku, zbulon tani atë që dëshironte të injoronte. “A mund të themi gjithashtu se në fakt kjo krizë na fton të rimendojmë fusha të tëra të globalizmit: varësinë tonë ndaj Kinës, tregtisë së lirë dhe aeroplanëve?”, thotë gazetari Nicolas Demorand në Radio France Inter, më 9 Mars, në emisionin e tij ku qenë të ftuar vite më radhë mbrojtësit e proteksionizmit, si Daniel Cohen.

Problemi me ekspertët është se nuk janë të vetëdijshëm sa gjëra injorojnë

Arsyeja e tregut ka rikonfiguruar sigurisht perceptimet pasi që shpërthimi i vetëm i një pandemie vdekjeprurëse ka bërë të dëgjohet më në fund fuqia e truizmave të shprehura nga profesionistët mjekësor për dekada: “Po, duhet të kemi një strukturë spitalore publike e cila do të ketë vazhdimisht shtretër në dispozicion”, konkludojnë mjekët André Grimaldi, Anne Gervais Hasenknopf dhe Olivier Milleron. Koronavirusi i ri na rikujton gjëra evidente: zjarrëfikësit nuk paguhen vetëm për të shuar zjarre, ne duam që ata të jenë të pranishëm dhe të gatshëm në kazermat e tyre, madje edhe kur ata vetëm i pastrojnë kamionët duke e pritur sirenën (8). Të parashikohet ajo që ndodh pa paralajmërim (zjarri, sëmundja, kataklizmi, kriza financiare): kështu është përjetësuar dhe rinovuar kapitalizmi në mes të krizës të vitit 1929 dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke e përfshirë këtë kërkesë popullore në institucionet e tij, shpesh kundër vullnetit të tij. Të planifikosh të paparashikueshmen kërkonte shkëputjen nga racionaliteti i tregut, i cili rregullon çmimin sipas ofertës dhe kërkesës, përçmon të papriturën dhe modelon të ardhmen, duke përdorur ekuacione, ku ndërmarrjet nuk merren parasysh.

Ish-komisioneri financiar dhe statisticienti Nassim Nicholas Taleb vërejti këtë verbëri të ekonomisë standarde, e sjellur në pikën e saj më të lartë në dhomat e tregtisë. Në një libër të botuar disa muaj para krizës së vitit 2008, ai theksonte në lidhje me menaxherët e shitjeve afatshkurtra: “Problemi me ekspertët është që nuk janë të vetëdijshëm sa gjëra injorojnë”(9). Sipas tij, është absurde të neglizhosh të papriturën në një botë të shënuar nga shtimi i ngjarjeve të papritura, të ashtuquajtura “mjellmat e zeza”. Në fund të marsit 2020, kushdo i vetizoluar që dëgjoi heshtjen e qytetit ka mundur të meditoj mbi këmbënguljen e shtetit për t’u zhveshur jo vetëm nga shtretërit e reanimacionit, por edhe nga instrumentet e tij të planifikimit, tani të monopolizuar nga disa kompani multinacionale të sigurimeve dhe risigurimeve (10).

A mund ta kthejmë këtë kurs gjatë pauzës së shkaktuar nga pandemia? Përfshirja e elementit të rastit dhe të papritur në menaxhimin e punëve publike, analiza përtej llogaritjes kosto-përfitim, implementimi i planifikimit ekologjik do ta nënkuptonin socializimin e shumicës së shërbimeve të domosdoshëm për jetën e shoqërive moderne- shërbimet e pastrimit, shëndetësisë deri te rrjetet digjitale: një ndryshim që ndodh rrallë në kohëra të zakonshme. Vështrimi i një historiani sugjeron që diskutimet e zakonshme politike nuk përfshijnë ndryshimet e regjimit, ndryshimet e trajektores apo të të menduarit të jetës kolektive dhe të barazisë. “Historikisht, shkruan historiani austriak Walter Scheidel, profesor në Stanford, ristrukturimet më të mëdha kanë rezultuar nga goditjet më të rënda. Katër lloje të shkëputjeve të dhunshme kanë arritur kështu t’i zbusin pabarazitë: lufta kur përfshin mobilizim masiv, revolucionet, falimentimet shtetërore dhe pandemitë vdekjeprurëse” (11). A kemi arritur në këtë pikë? Nga ana tjetër, sistemi ekonomik ka treguar gjatë historisë së tij një aftësi të jashtëzakonshme për të thithur goditjet gjithnjë e më të shpeshta që krijohen nga irracionaliteti i tij. Kështu, garantuesit e status quo-së të cilët mbështeten në situatat e pashpresa për ta zgjeruar kontrollin e tregut përfitojnë zakonisht nga goditjet më brutale. Ky kapitalizëm i katastrofës, i studiuar pak para recesionit të madh të vitit 2008 nga autorja Naomi Klein, përçmon varfërimin e burimeve natyrore dhe të institucioneve të mbrojtjes sociale, të cilat mund ta zbusin krizën. Në një elan optimizmi, kjo eseiste kanadeze thoshte: “Nuk reagojmë gjithmonë ndaj tronditjeve duke regresuar. Në kohë krize, ndonjëherë rritemi – shpejtë.”

Presidenti francez Emmanuel Macron deshi ta jepte një përshtypje të tillë më 12 mars 2020, kur shprehi dëshirën e tij për ta “rishqyrtuar modelin e zhvillimit në të cilin është angazhuar bota jonë për dekada dhe që zbulon haptazi gabimet e tij, si dhe për t’i analizuar pikat e dobëta të demokracive tona. Kjo pandemi tani ka treguar se shteti ynë i mirëqenies me kujdes shëndetësor falas pa marrë parasysh të ardhurat, karrierën apo profesionin, nuk nënkupton kosto apo shpenzime, por është pasuri e çmuar, aset i domosdoshëm kur fati godet. Kjo pandemi tregon se ka mallra dhe shërbime që duhet të vendosen jashtë ligjëve të tregut. Në fakt është çmenduri t’i delegohet dikujt tjetër ushqimi jonë, mbrojtja jonë, aftësia jonë për t’u kujdesur për mjedisin tonë vital. Duhet ta rimarrim kontrollin.”  Tri ditë më vonë, Macron shtyu reformën e pensioneve, reformën për shtesat e të papunëve dhe pastaj dekretoi zbatimin e masave të konsideruara deri më tani të pamundura – kufizimin e shkarkimeve nga puna dhe heqjen dorë nga kufizimet buxhetore. Rrethanat do ta theksojnë këtë ndryshim: me rënien e vlerave të tregut të bursës, obsesioni presidencial për t’i drejtuar kursimet dhe pensionet e kuadrove në tregjet e aksioneve duket si një lëvizje gjeniale vizionare. Sidoqoftë, pezullimi i kodit të punës, kufizimi i lirive publike, financimi i kompanive si dhe për këto kompani mosdetyrimi i kontributeve sociale mbi të cilat mbështetet sistemi shëndetësor nuk shënojnë një thyerje rrënjësore me politikat e mëparshme. Ky transfer masiv i parave publike në sektorin privat na rikujton vitin 2008 kur bankat u shpëtuan nga shteti. Rezultati mori formën e masave shtrënguese të imponuara për punonjësit dhe shërbimet publike. Më pak shtretër? Po: duhej ndihmuar bankat. Kjo është arsyeja pse epifania e kreut të shtetit evokon reagimin e Nicolas Sarkozy një ditë në shtator 2008, menjëherë pas rënies së Lehman Brothers. Para mbështetësve të tij pa fjalë, Presidenti i Republikës kishte njoftuar në mënyrë solemne: “Kapitalizmi financiar kishte imponuar logjikën e tij në tërë ekonomi dhe kishte kontribuar në ç’rregullimin e saj. Një kuptim mbi globalizmin merr fund me rënien e këtij kapitalizmi (…) Ideja që tregjet kanë gjithmonë të drejtë ishte një ide e çmendur (12). Por, kur kaloi stuhia, ai u kthye në rrjedhën e çmendurisë së zakonshme.


(1) Burimi: Organizata e Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (OCDE).

(2) « Raccomandazioni di etica clinica per l’ammissione a trattamenti intensivi e per la loro sospensione», Siaarti, Romë, 6 mars 2020.

(3) Bruno Canard, « J’ai pensé que nous avions momentanément perdu la partie », déclaration du 5 mars 2020, mund të lexohet në  https://academia.hypotheses.org

(4) Twitter, 9 mars 2020.

(5) Jean Delumeau, La Peur en Occident, XIVe -XVIIIe siècle, Fayard, Paris, 1978.

(6) Heinrich Heine, De la France, Gallimard, coll. «Tel», Paris, 1994 (1re éd. :1833).

(7) The New York Times, 9 mars 2020.

(8) Le Monde, 11 mars 2020.

(9) Nassim Nicholas Taleb, The Black Swan. The Impact of the Highly Improbable, Random House, New York, 2007.

 (10) Razmig Keucheyan, La nature est un champ de bataille. Essai d’écologie politique, La Découverte, Paris, 2014. (11) Walter Scheidel, The Great Leveler.