KUNDËRTHËNIET E AKSIONIT HUMANITAR
Të kapësh botën pa e ndryshuar pushtetin

Thelbësor për mbijetesën e miliona njerëzve gjithandej botës, për refugjatët, të zhvendosurit, të uriturit, të sëmurët, etj; aksioni humanitar menaxhon çdo vjet miliarda dollarë. Përballë shteteve, shoqatave dhe individëve, ai zotëron shpesh pushtet të vërtetë për t’i imponuar përzgjedhjet dhe normat e tij. Por, jo gjithherë për llogari të viktimave.

385

Gjatë dekadës së kaluar, shuma e shpenzuar për ndihmë humanitare në të gjithë botën është pesëfishuar. Ajo kap tani vlerën prej 28.9 miliardë dollarë (26.3 miliardë €) në vit (1). Kjo rritje financiare shoqërohet me një zgjerim strukturash: prej shoqatave lokale të krijuara nga disa vullnetarë në organizata ndërkombëtare joqeveritare (INGO), duke kaluar nëpër agjencitë dhe programet e Kombeve të Bashkuara (KB) ose në Lëvizjen Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe. Megjithatë, hendeku midis fondeve të disponueshme dhe nevojave vazhdon të thellohet, veçanërisht për shkak të ringjalljes së krizave: konfliktet e armatosura, katastrofat për shkak të ndryshimeve klimatike ose urbanizimit të përshpejtuar, prekin më shumë njerëz, por edhe më gjatë. Vlerësohet se ishin 206 milionë viktima të faktkeqësive më vitin 2018.

Por dallimi shkaktohet gjithashtu nga mosfunksionimi specifik i ndihmës ndërkombëtare, që pengon arritjen e qëllimeve: mungon koordinimi, nuk ka njohuri të mjaftueshme për vendet ku ndërhyhet, anashkalohen akterët lokalë. Edhe pse këto anomali janë të njohura dhe të identifikuara për një kohë të gjatë (2), ato përsëriten në mënyrë sistematike, operacion pas operacioni. Arsyetimet janë të zakonshme: duhet të veprohet shpejtë, stafi duhet të ndërrohet vazhdimisht, mungon kujtesa institucionale. Maskohen shkaqet strukturore, ku ndër të parët është asimetria e marrëdhënieve midis akterëve.

Kështu, në vitin 2017, dy të tretat e fondeve humanitare botërore u ndanë për vetëm dymbëdhjetë INGO (në veçanti Save the Children, International Rescue Committee, Médecins sans frontières, Oxfam, World Vision) dhe për institucionet e Kombeve të Bashkuara (3), domethënë njëzet e dy herë më shumë se për operatorët shtetëror dhe vendor (4). Pra disa organizata ndërkombëtare tërheqin ndihmat e koncentruara në Veri, pasi që deri tani Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe disa shtete të Kontinentit të Vjetër janë donatorët kryesorë. Në vitet e fundit, megjithatë, Turqia, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë bërë kontribues të rëndësishëm, duke u bashkuar në listën e njëzet vendeve të para që kontribuojnë më së shumti. Kjo është pjesë e strategjisë së ripozicionimit të këtyre vendeve në skenën rajonale dhe ndërkombëtare, në një kontekst të shënuar nga lufta në Siri dhe në Jemen.

Miti i viktimës së pafuqishme

Ndihma humanitare ndërtohet nga “lartë”, nga dhuruesit dhe donatorët, të cilëve duhet t’iu ipet llogari dhe të cilët i vendosin në praktikë prioritetet dhe i caktojnë vendet ku intervenohet me ndihmat (5). Rrjedha e ndërhyrjes, ku mbizotëron urgjenca, zotërimi i gjuhës angleze, konvergjenca e profileve shoqërore dhe të kodeve kulturore të stafit të saj “pa kufij”, përforcon këtë dinamikë e cila lulëzon në kurriz të akterëve lokalë dhe përmes tyre edhe të viktimave.

Organizatat joqeveritare (OJQ) dhe Qeveria e Haitit pranuan drejtpërdrejt vetëm një pjesë të vogël të shumës prej 2.4 miliardë dollarësh të siguruara nga Kombet e Bashkuara pas tërmetit në vitin 2010: 0.4% përkatësisht 1%. Kështu, roli i tyre u kufizua në nënkontraktimin e thjeshtë të rindërtimit të udhëhequr nga distanca në nivel botëror. Ky është një rast ekstrem, por jo një rast i veçantë, meqë shtetet veriore financojnë së pari projektet e tyre përmes OJQ-ve të tyre. Nënvlerësohen, madje edhe përçmohen, kapacitetet lokale që konsiderohen të pamjaftueshme për t’i plotësuar kërkesat e kontabilitetit dhe burokratike, të caktuara nga institucionet veriore (6). Vetëm 3% e ndihmës direkte i kushtohet këtyre organizatave.

Duke e kuptuar këtë asimetri, donatorët kryesorë dhe organizatat, në Samitin e parë Ndërkombëtar Humanitar në Stamboll më 23 dhe 24 maj 2016, u angazhuan se duke filluar nga viti 2020, do ta rezervojnë një të katërtën e fondeve për strukturat lokale dhe shtetërore, të cilat do t’i marrin subvencionet “në mënyrë sa më drejtpërdrejt të mundur” (parimi i “lokalizimit”). Ky vendim shpjegohet pjesërisht nga të dhënat e anketës së kryer paraprakisht, prej muajit maj 2014 deri në muajin shkurt 2015, në pesë vende të Lindjes së Afërt dhe Afrikës së Veriut, ku morën pjesë 1.231 persona “përfitues” të ndihmës ndërkombëtare (7). Atyre iu kërkua të japin vlerësimin e tyre në një shkallë prej 1 deri në 10; përgjigjja mesatare ishte më pak se 3. Një vlerësim i konfirmuar në vitin 2018 nga një tjetër studim i rreth 5.000 personave në shtatë vende: më shumë se 80% e të të anketuarve në Irak dhe Liban nuk mendonin se mbështetja që kishin marrë do t’ua mundësonte të bëhen të pavarur dhe shumica e tyre mendonin se opinioni i tyre mirret pak parasysh, apo edhe fare (8).

Një verdikt i tillë rrëzon të pamenduarën e aksionit humanitar: figurën e viktimës. Kjo viktimë perceptohet në mënyrë të qartë si e pafuqishme dhe pasive. Edhe pse në njëzet e katër orët e para, para se të arrijnë organizatat e huaja (dhe media), ajo shpëton më së shumti jetëra përreth saj. Qysh në vitin 2004, Z. Markku Niskala, Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, bëri thirrje për “largimin e mitit të viktimës së pafuqishme dhe të humanistit të pagabueshëm”, duke kërkuar që “njerëzit e prekur nga fatkeqësitë, si dhe aftësitë e tyre, të vendosen në qendër të punës sonë (9)”. Nëse miti qëndron pesëmbëdhjetë vjet më vonë, arsyeja është se ky mit është në zemrën e vetëpasqyrimit dominues të sektorit dhe ky mit gjithsesi i shërben atij.

Imazhet e kaosit, të viktimave apatike dhe të shteteve jugore të paafta, të korruptuara, apo totalitare (ose njëkohësisht të trijat), përforcojnë nevojën për të vepruar nga jashtë. Zhgënjimi politik dhe siguria e përkatësisë në kampin e së mirës konfirmojnë legjitimitetin dhe zëvendësojnë analizën. Edhe pse nuk janë pa fjalë, viktimat shpesh detyrohen të heshtin nga shtetet e tyre, nga pretendimet e sektorit humanitar për vetërregullim dhe nga shumëzimi i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Historia zyrtare e ndihmës humanitare mund të përmblidhet në një aksion të pastër që është keqpërdorur vazhdimisht, por që gjithnjë është rehabilituar në emër të pastërtisë së qëllimeve të saj dhe mbi të gjitha për ruajtjen e domosdoshme të pavarësisë së saj. Ky tregim fsheh marrëdhënie tjera të pushtetit që ngjajnë në operacionet humanitare.

Shembulli i parë i këtij lloji: vlerësimi i ndihmës emergjente në Ruanda gjatë gjenocidit të tutsive në vitin 1994. Stafi i huaj humanitar dhe gazetarët që sapo kishin arritur, duke e ngatërruar vizibilitetin dhe efikasitetin, ndërtuan bashkërisht një qasje “humanitare” të ngjarjeve, e cila mund të kuptohej menjëherë nga spektatorët në Veri. Duke vepruar kështu, ata e errësuan logjikën ushtarake, diplomatike dhe politike, që qëndronte pas lëvizjeve të refugjatëve, si dhe fshehën mungesën e analizave paraprake dhe të koordinimit të aktorëve ndërkombëtarë (10).

Intervenimi humanitar shërbeu si një mbulesë për verbërinë dhe mosveprimin perëndimor, kur problemi ishte i një lloji tjetër dhe kërkonte një zgjidhje politike. Në fund, shumica e viktimave nuk vdiqën nga mungesa e ndihmave, por sepse u masakruan.

I njëjti tregim vazhdon njëzet e pesë vjet më vonë. Ai riformulon situatat e padrejtësisë dhe pabarazisë, si rezultat i zgjedhjeve politike, shkaqeve natyrore, apo ndoshta i mallkimeve.Në janar 2006, një studim mbi përpunimin e informacionit nga rreth gjashtëdhjetë gazeta dhe revista javore në nëntë vende perëndimore konkludoi se nuk kishte asnjë lidhje midis shkallës së fatkeqësisë dhe mbulimit të saj mediatik. Mbulimi mediatik lidhet me konsideratat ekonomike dhe strategjike të shteteve të Veriut (11). Kështu, në vitin 2004 pasojat e cunamit në Oqeanin Indian për industrinë e turizmit zunë një vend të stërmadhuar në media. Përkundrazi, sa më shumë mediatizohet një katastrofë, aq më shumë i tërheq organizatat dhe aq më shumë këto organizata fillojnë garën për vizibilitet, garë e cila rrezikon çdo përpjekje për koordinim. Të shkosh në vendin e ngjarjes do të thotë të jesh i dukshëm (pra i besueshëm), të sigurosh fonde (pra qëndrueshmëri), të forcosh natyrën urgjente të veprimit tend (pra legjitimitetin tënd). Arsyeshmëria e aksionit pak ka peshë kundër asaj që është shndërruar në treg.

Me qasje të privilegjuar në grante, media dhe te akterët vendimmarrës, organizatat humanitare ushtrojnë pushtet. Dhe ky pushtet peshon edhe më shumë nga fakti që nuk njihet (12). Sidoqoftë, lokalizimi i ndihmës i miratuar në samitin e Stambollit nuk mund të jetë efektiv, nëse është “i ndarë nga çështjet e padrejtësisë, pabarazisë, asimetrisë së pushtetit”, shpjegon znj.Regina Salvador-Antequisa, drejtore e Ecosystems Work for Essential Benefits, Inc. (Ecoweb), një organizatë joqeveritare e Filipineve (13).

Paratë dhe koha e investuar në ndërtimin e infrastrukturës, në mbrojtjen civile, shërbimet publike dhe organizimin paraprak ndaj katastrofave, po tregohen më efektive se përgjigjet ndaj këtyre katastrofave, sado të shpejta të jenë. Në vitin 2015, OJQ-ja e Amerikës së Veriut Mercy Corps dërgoi një ekip të vogël për t’i vlerësuar nevojat pas ciklonit Pam i cili goditi ishullin Vanuatu. Ajo pati guximin të hiqte dorë nga intervenimi i saj kur kuptoi se qeveria dhe agjencitë ishin mjaft mirë të pajisura dhe të organizuara. Vendet evropiane nuk ishin kaq të vëmendshme, kur pas tërmetit të vitit 2015 në Nepal dërguan pesëmbëdhjetë ekipe në Kathmandu, pa asnjë koordinim dhe në kundërshtim me realitetet rajonale: Kina, India dhe Pakistani, vendet më të afërta gjeografikisht kishin arritur atje. Rezultati: logjistika dhe koordinimi ishin të stërngarkuara dhe aeroporti ishte i ngulfatur, gjë që vonoi ardhjen e aeroplanëve të Francës, Belgjikës, dhe të Zelandës së Re për disa ditë, duke e bërë veprimin e tyre të kotë.

Këto sjellje fyese shpjegojnë ndoshta vendimin e qeverisë indoneziane, pas tërmetit në nëntor 2018, për të kanalizuar dhe kufizuar përfshirjen e akterëve të huaj. Vetorganizimi i “përfituesve” është edhe më stimulues. Në nëntor 2018, Mohib Ullah, organizator i një greve të shoqatave lokale në kampet e refugjatëve rohingya në Bangladesh, tha: “Nëse dëshirojmë t’i zgjidhim problemet tona, duhet ta bëjmë vetë. Organizatat ndërkombëtare janë thjesht ndihmëse (14)”.

Si mund t’u bëjmë thirrje akterëve vendimmarrës politik, kur në të njëjtën kohë po kontribuojmë në depolitizimin e marrëdhëniëve shoqërore dhe po promovojmë efikasitetin që shfaq pafuqinë publike? Paralelisht, humanitarja ka prirje të bëhet emri i fshehur i politikës: politika institucionale nuk shfaqet më me emrin e saj dhe po merr kahjen e saj, shumë më tërheqëse dhe legjitime, për ta kompensuar mosveprimin e saj – Palestina është një rast emblematik – ose, përkundrazi, për ta katalizuar veprimin e saj. Mund të flasim për privatizimin me mjete humanitare, siç e thoshte gjeografi David Harvey. Në vendet përkatëse, a nuk jemi dëshmitarë të një “OJQ-izimi” të shërbimeve sociale? Pra, ekziston tendenca që ndihma ndërkombëtare të zëvendësojë sistemet e shëndetit public, të cilat mbeten mënyra më efektive për të shpëtuar jetë. E kundërta e politikës nuk është humanitarja: është një politikë tjetër.

* Politolog, studiues në Centre tricontinental (Cetri) dhe ligjërues në Fakultetin e shkencave sociale të Universitetit të Liège (Belgjikë).


(1) Të gjitha të dhënat janë marrë në “The global humanitarian assistance report 2019”, Development Initiative, 30 shtator 2019, http://devinit.org

(2) “Raporti për bilancin e aksioneve tetë muaj pas Mitch”, grupi Urgence Réhabilitation Développement (URD), Plaisians (France), 9 janar 2000; Rebecca Barber, «One size doesn’t fit all. Tailoring the international response to the national need following Vanuatu’s cyclone Pam», Save the Children – Care – Oxfam – World Vision, Victoria (Australie), qershor 2015.

(3) Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (HCR), Programi botëror i ushqimit (PAM), Fondet e Kombeve të Bashkuara për fëmijët (Unicef).

(4) Shih Ben Parker, «Six aid policy priorities to watch in 2019», The New Humanitarian, 3 janar 2019, www.thenewhumanitarian.org

(5) Lexo Léon Koungou, «Désoccidentaliser l’aide», supplément «Quelle solidarité internationale?», Le Monde diplomatique, maj 2013.

(6) Lexo «Haïti, l’imposture humanitaire», Le Monde diplomatique, nëntor 2016.

(7) “Preparatory stakeholder analysis. World Humanitarian Summit regional consultation for the Middle East and North Africa”, World Humanitarian Summit, New York, 2015.

(8) “Grand Bargain : field perspectives 2018”, Ground Truth Solutions, Vjenë, maj 2019, www.groundtruthsolutions.org

(9) “World disasters report 2004”, Federata Ndërkombëtare e shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmë Hënës së Kuqe (IFRC), Gjenvë, 2004.

(10) “The joint evaluation of emergency assistance to Rwanda, Study III. Principal findings and recommendations”, Relief and Rehabilitation Network – Overseas Development Institute, Londër, Qershor 1996.

(11) “Western media coverage of humanitarian disasters”, Carma International, Londres, janar 2006.

(12) Shih Michael Barnett, Empire of Humanity : A History of Humanitarianism, Cornell University Press, New York, 2011.

(13) “Roundtable : Going local», The New Humanitarian, 9 avril 2019. (14) Kaamil Ahmed, «In Bangladesh, a Rohingya strike highlights growing refugee activism”, The New Humanitarian, 27 nëntor 2018.